BREAKING NEWS

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti s’ka ndodhur në asnjë vend të botës!

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti
x

Opinion / Editorial

Bashkëjetesa PD-LSI me 13 pikat e tersit - si manifesti komunist i Marksit

Bashkëjetesa PD-LSI me 13 pikat e tersit - si manifesti komunist i Marksit

Pas shumë dilemash për bashkëpunim, dilema që vetvetiu sjellin edhe lumë thashethemesh, pas ulje ngritjesh në marrëdhëniet midis dy partive kryesore politike opozitare në vendin tonë, pas dyshimesh se a mund të bëhen motër e vëlla një e majtë dhe një i djathtë, deklaruar shumë herë hapur kundër njëri-tjetrit, PD dhe LSI më së fundi e firmosën të zezë mbi të bardhë edhe bashkëjetesën e tyre në këtë fushatë elektorale. Në pamje të parë asgjë e jashtëzakonshme në këtë firmosje sepse LSI e ka praktikë pune “noterizimin” e bashkëqeverisjeve, njëherë majtas e tjetër herë djathtas, por duke hyrë në brendësi ngjallen shumë pikëpyetje. Së pari të bën përshtypje numri 13 i problemeve për të cilat ata do të bashkëpunojnë. Ky numër në popull, që në këtë rast përkthehet në votues, është “non grata” si një shenjë tersllëku. Ca analistë thonë se është gjendur me dëshirë një numër i tillë për të firmosur pa filluar loja mos fitoren e opozitës, qysh në nisje të fushatës elektorale e një palë tjetër këmbëngulin se është lënë qëllimisht ky numër tersi, por pikërisht për t’u thyer ky ters. Le të mbetet në sirtarët e tryezave të këtyre partive ky fakt e le t’i kthehemi përmbajtjes së marrëveshjes. Sapo e mbaron së lexuari këtë pakt të kujtohet, ata që e kanë lexuar ndonjëherë, Manifesti Komunist i Marksit. Ashtu si aty jepen parimet kryesore të arritjes në komunizëm edhe në 13 pikat e bashkëjetesës PD-LSI jepen me terma të përgjithshme se çdo bëjnë këto parti tashmë simotra në bashkëqeverisje. Asgjë specifike. U bëj thirrje partive politike shqiptare ta arkivojnë këtë marrëveshje dhe ta nxjerrin në skenë në çdo kohë që vjen, mbase edhe pas 100 vjetësh, kur t’u duhet të bëjnë edhe ato ndonjë marrëveshje bashkëpunimi me simotrat e tyre, se do të jetë e vlefshme dhe aktuale. Së pari të bën përshtypje fakti që kjo marrëveshje firmoset nga dy kryetarët e partive respektive pa patur asnjë vlerë ligjore apo noteriale. Ashtu siç nuk kanë akordim në aspektin politik sepse janë parti me kahe të ndryshme politike dhe nënkuptohet edhe me objektiva të ndryshme dhe programe që ndryshojnë në përmbajtje. Të njëjtë kanë vetëm një qëllim, të largojnë Edi Ramën nga pushteti dhe të jenë vetë pjesë e tij. Nëse lexoni edhe pa shumë vëmendje të 13 pikat e këtij bashkëpunimi vëren fare lehtë se objektivat nuk janë me brum dhe të gabuara në afatin kohor: as afatshkurtra dhe as afatgjata. Aty nuk përcaktohet se çfarë bashkëpunimi do të kenë konkretisht këto parti në fushatën zgjedhore kur ato përfaqësohen me lista më vete dhe secila do të luftojë të grumbullojë sa më shumë vota për në shportën e partisë së tij. Është shpejt të parashikojë se ç’kacafytje do të bëhet nga përfaqësuesit e këtyre partive në terren, në çdo qark apo në çdo qendër votimi dhe nuk dua të jem unë ndjellakeq,i por LSI do luftojë të mbajë ritmin e fituesve të zgjedhjeve të kaluara (e vështirë për të mos thënë e pamundur ndonëse bashkëshorti i të nderuarës Mona, presidenti i vendit Meta ka një parashikim ëndërror, për trefishim të tyre) ndërsa Luli do luftojë që mbi fituesit e zgjedhjeve të kaluara të marrë edhe nja 20 mandate më shumë. Ku do t’i gjejnë kaq shumë votues për t’i bërë për vete? Me këtë program (më saktë do ishte fjala “me këtë dëshirë që kanë”) që shfaqin në këto 13 pika të përbashkëta nuk besoj të shtojnë gjë nga votat që kanë marrë më parë. Sepse angazhimet e tyre, ndonëse janë solemne, nuk kanë asnjë ndryshim nga ato që po realizon qeverisja aktuale. Edhe po t’i analizosh pikë për pikë angazhimet e tyre dalin fiasko me ato që kanë shkruar. Në një prej tyre thuhet: Prioritarizmin e krijimit të punësimit të mirëpaguar, si rruga kryesore për të përmirësuar jetën e shqiptarëve. Si do të bëhet kjo, duke rritur rrogat e punonjësve shtetëror apo atyre që punojnë në privat? Sektor më sektor apo të gjithëve së bashku? Ëndrra që mjekët të marrin 1200 euro është e bukur, por utopike për kushtet që ka aktualisht Shqipëria. Ndërkohë që në sektorin privat qeveria aktuale e bëri minimalen 300 mijë lekë dhe opozita është shprehur për 300 euro. Ndryshimi është aq i vogël sa nuk ndikon në ekonominë familjare. Më shumë nuk e bën dot se do të haste në kundërshtimin e pronarëve që edhe kaq sa japin janë në maksimumin e shtrëngesës ekonomike dhe veç të falimentojnë më pas dhe të mbyllin aktivitetin. Më poshtë thuhet: Për të garantuar mundësi të barabarta për përfaqësimin e gruas në vendimmarrje, për emancipimin dhe fuqizimin e saj në shoqëri dhe politikëbërje. Kodra pas bregut. O janë të përfaqësuara gratë në këtë qeverisje aktuale o nuk do kënaqen kurrë. Dhe padyshim që nuk kanë qenë asnjëherë dhe nuk mund të jenë më shumë. Ose qeshni ju lutem me angazhimin e radhës: Për zhvillimin real dhe të qenësishëm të kulturës dhe sportit dhe për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe për t’i dhënë fund dëmtimit, tjetërsimit dhe asgjësimit të saj. Më gjeni ju lutem një objektiv të qenësishëm dhe të realizueshëm në praktik në këtë objektiv ose më thoni cila parti nuk e ka patur në programin e saj këtë objektiv këtu e 30 vjet të shkuara dhe unë pranoj publikisht se nuk kam nivel intelektual ta kuptoj këtë bashkëqeverisje kaq të suksesshme. Nëse do të më thoni se këtu janë shprehur parimet dhe konkretet do të vijnë më pas atëherë duhet të detyrohem të huazoj një koleg: martesa quhet serioze kur hidhen firmat në gjendjen civile, madje edhe në prani të dëshmitarëve dhe jo kur bëhet aheng në kabare. Ndaj mendoj se kam plotësisht të drejtë në krahasimin tim të fillimit se ky program bashkëpunimi me 13 pika ters midis këtyre partive i ngjan më shumë Manifestit Komunist që në parim ishte shumë i saktë, por në terren u kthye në një katrahurë të vërtetë. Mos i ngjaftë këtij Manifesti kjo marrëveshje.