BREAKING NEWS

Bien shifrat, MSH publikon bilancin çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien shifrat, MSH publikon bilancin çfarë ka ndodhur  në 24
x

Opinion / Editorial

Bashkëpunimi ndërinstitucional KLSH-Parlament, sfidë e rrugëtimit në BE

Bashkëpunimi ndërinstitucional KLSH-Parlament, sfidë e

Kontrolli i Lartë i Shtetit në funksion të detyrimit kushtetues dhe të detyrave të tij informuese sipas ligjit organik, siguron natyrën publike të punës së tij, nëpërmjet publikimit të raporteve të paraqitura në Kuvendin e Shqipërisë. Përveç se detyrim kushtetues dhe ligjor, bashkëpunimi Parlament-KLSH në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian është një komponent shumë i rëndësishëm në funksion të auditimit të jashtëm.

Natyra e marrëdhënieve ndërmjet legjislativit dhe Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI-ve) në vende të ndryshme në nivel botëror, varet nga modeli i strukturimit të këtyre institucioneve, marrëdhënieve të raportimit në Parlament dhe llojit të raporteve të auditimit të hartuara prej tyre. Institucionet Supreme të Auditimit duhet të krijojnë marrëdhënie të mira pune me Parlamentin, në mënyrë që të rritet ndërgjegjësimi për rolin e tyre dhe për t’i ofruar këshilla Parlamentit, se si gjetjet dhe opinionet e auditimit mund të përdoren prej tyre për përmirësimin e situatës. Forcimi i marrëdhënieve mes Institucioneve Supreme të Auditimit dhe Parlamentit, sjell përfitime të ndërsjellta në atë që rrit auditimin e jashtëm dhe përforcon mbikëqyrjen financiare.

Në ditët e sotme një ndër sfidat kryesore me të cilën përballen Institucionet Supreme të Auditimit dhe Parlamenti është krijimi i një marrëdhënie efektive në mbikëqyrjen e financave publike. Parë në këtë këndvështrim, duhet theksuar se puna e SAI-ve është të hartojnë raporte auditimi mbi bazën e gjykimeve profesionale rreth asaj se sa mirë qeveria shpenzon para dhe jep llogari për atë që ka bërë dhe nga ana tjetër Parlamenti që përdor këto raporte në përmirësimin e gjendjes.

Pikërisht këtij bashkëpunimi ndërinstitucional i kushtoi vëmendje seminari rajonal zhvilluar në Podgoricë-Mal të Zi nga datat 12-14 nëntor 2019, me temë “Fuqizimi i Marrëdhënieve ndërmjet Parlamentit dhe Institucionit Suprem të Auditimit, për të përmirësuar performancën e auditimit të jashtëm në vendet e Ballkanit Perëndimor”, organizuar nga Banka Botërore dhe Programi OECD për Mbështetjen e Reformave të Administratës Publike (SIGMA) në të cilën mori pjesë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Diskutimi u fokusua rreth tri fushave me interes të ndërsjellë për SAI-n dhe Parlamentin të tilla si:

-Pavarësia e SAI-t;

-Shqyrtimi i Raporteve të auditimit nga Parlamenti;

-Ndjekja e rekomandimeve të auditimit.

Përfaqësuesit e KLSH dhe Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve të rajonit prezantuan progresin e bërë në lidhje me planin e veprimit për forcimin e bashkëpunimit me Parlamentin dhe nxorën në pah fushat për përparim të mëtejshëm. Nga diskutimet doli si domosdoshmëri përdorimi i një udhëzuesi për zhvillimin e protokolleve të bashkëpunimit që i shërben të dy palëve, si një mjet për arritjen e një komunikimi më efektiv, i cili përcakton masa për përmirësimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në mënyrë që të promovojë përgjegjshmëri, transparencë dhe qeverisje të mirë në fushën e financave publike. Në seminar u mundësua shkëmbimi i përvojave për të nxjerrë përfundime në lidhje me çështje që lidhen me të kuptuarit e raporteve të auditimit, nëpërmjet përdorimit të produkteve të auditimit në vlerësimin e performancës së sektorit publik, monitorimin e zbatimit të rekomandimeve dhe punën e Institucioneve Supreme të Auditimit në planifikimin dhe buxhetimin. Bazuar në përvojat e përbashkëta të pjesëmarrësve dhe konkluzionet nga Seminari, do të hartohen instruksione të përbashkëta që do t'i shërbejnë Institucioneve Supreme të Auditimit dhe Parlamenteve të Ballkanit Perëndimor si një udhëzues për zhvillimin e protokolleve të bashkëpunimit.

Marrëdhëniet e Kontrollit të Lartë të Shtetit me Kuvendin e Shqipërisë e sidomos me Komisionin për Ekonominë dhe Financat, reflektojnë kërkesat e standardeve ndërkombëtare të INTOSAI-t për më shumë përgjegjësi në sistemin e llogaridhënies për përdorimin e fondeve publike, në veçanti të Deklaratës së Limës, e quajtur ndryshe “Magna Carta”, Kushtetuta e Institucioneve Supreme të Auditimit, ISSAI 1, Neni 8 “Marrëdhënia me Parlamentin”, i cili thekson se: “Institucioni Suprem i Auditimit duhet të fuqizohet dhe të mandatohet nga Kushtetuta për t’i raportuar gjetjet e tij në mënyrë të pavarur dhe çdo vit Parlamentit”. Gjithashtu, Kryetari i KLSH-së i është drejtuar Kuvendit me shkresa zyrtare, duke kërkuar krijimin e Nënkomisionit te posaçëm për shqyrtimin e raporteve te auditimit te KLSH-së, pranë Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, si një instrument i rëndësishëm profesional për rritjen e rolit të Parlamentit ndaj ekzekutivit. Me synimin e përmbushjes së qëllimit të tretë të Strategjisë së Zhvillimit të KLSH-së 2018-2022, atë të forcimit të komunikimit dhe bashkëpunimit, KLSH përveç përmbushjes së detyrimit kushtetues të raportimit për zbatimin e buxhetit faktik dhe raportimit mbi performancën e institucionit ka synuar informimin e Kuvendit edhe përmes raporteve të veçanta, të cilat paraqesin rëndësi të veçantë për publikun.

Kohë pas kohe, Kuvendi i Shqipërisë informohet lidhur me Vendimet dhe Raportet e auditimit, të cilat paraqesin interes të veçantë dhe trajtojnë çështje sensitive. Kështu për auditime të realizuara gjatë vitit 2018 janë dërguar në Kuvendin e Shqipërisë 131 Raporte/Vendime auditimi, ndërsa për auditime të realizuara gjatë vitit 2019 janë dërguar në Kuvendin e Shqipërisë 55 Raporte/Vendime auditimi. Gjithashtu me synimin e institucionalizimit të marrëdhënieve të KLSH me Kuvendin e Shqipërisë, Kryetari i KLSH ka miratuar “Udhëzuesin për institucionalizimin e marrëdhënieve të KLSH-së me Parlamentin”, dokument i cili ofron një qasje strategjike të institucionit në një linjë me mesazhet e ofruara nga dy rezolutat e OKB që synojnë nxitjen dhe promovimin e eficiencës, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike duke forcuar institucionet supreme të auditimit publik. Ky dokument përbën një platformë udhërrëfyese për sigurimin e vazhdimësisë së marrëdhënieve të mira midis dy institucioneve. Për një monitorim sa më efektiv të veprimtarisë së institucioneve të pavarura, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në janar 2019 Manualin e monitorimit vjetor dhe periodik të këtyre institucioneve, në të cilin një rëndësi të veçantë për KLSH-në ka detyrimi që ka ministri për Marrëdhëniet me Kuvendin për përcjelljen çdo gjashtë muaj të një raporti me informacion të detajuar në lidhje me gjetjet e KLSH gjatë auditimeve të kryera, në të cilin duhet të përcillen të dhëna për statusin e zbatimit të rekomandimeve të dhëna nga KLSH dhe arsyet e refuzimit të zbatimit të këtyre rekomandimeve.

Aktualisht KLSH po bashkëpunon me Kuvendin e Shqipërisë dhe konkretisht me Njësinë e Monitorimit të Institucioneve të Pavarura për plotësimin e platformës online, në të cilën do të plotësohen rekomandimet e dhëna nga KLSH dhe statusi i zbatimit të tyre (ky i fundit do të rishikohet periodikisht dhe do të përditësohet). Forcimi i marrëdhënieve mes KLSH-së dhe Parlamentit i shërben edhe ndërgjegjësimit të palëve të interesit mbi rolin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, për krijimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve efektive me Kuvendin, shoqërinë civile dhe grupet e interesit, me qëllim rritjen e impaktit të punës audituese dhe mbështetjen e misionit të KLSH-së, si institucion “watchdog” në shërbim të qytetarit shqiptar dhe Kuvendit, për të përmbushur në vijimësi rolin e vet kushtetues dhe për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie në përdorimin e fondeve publike.

Audituese, KLSH*