Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Bashkim i dashuruar me forcën dhe urrejtjen për votën

Postuar: 05/09/2018 - 07:03

 Filozofia e opozitës së sotme në Shqipëri, ndryshe nga tërë bota demokratike nuk është bashkimi për t’u fuqizuar dhe shtuar e mbi këtë bazë të fitohet në zgjedhjet e ardhshme lokale apo të përgjithshme me votë. Çuditërisht shpresat varen tek përmbysja me dhunë. Në plan të parë të koalicionit PD-LSI vihet forca, jo politika. Marrëveshja as që vihet në diskutim. Bindja dhe besimi nuk egzistojnë. Nuk përfillet logjika për të bindur masat e gjera t’i bashkohen kauzës opozitare për të fituar përmes votës, ashtu siç presupozon demokracia dhe parimet bazë të sistemit ku jetojmë. Kur popujt e demokracive perëndimore, përfaqësuesit e tyre në vendin tonë habiten sapo mësojnë se objektivi opozitar nuk është të vijnë në pushtet përmes rrugëve demokratike, po përmes presionit, pengimit, bllokimit të reformave të rëndësishme, ultimatumeve dhe revolucioneve të presupozuara dhe aq të lakmuara nga liderët tanë politikë.

Dëgjon thirrjet e çdo përfaqësuesi të opozitës, liderë, kryetarë, veprimtarë, deputetë, që sapo dalin para mikrofonit nga podiumet e selive të partive lëshohen në sulm duke denigruar gjithçka. Betohen se do përmbysin e mbysin cilindo që u ka “uzurupuar” pushtetin. Për kryetarin e PD dhe LSI-së, më e lehtë është të nxijnë e të sterrosin tërë jetën e vendit, të bëjnë deklarata për përmbysje si të ishim në monarkitë e vendeve të treta, ku përmes grushtit të shtetit, hiqen e vihen qeveri sa herë prishen balancat politike apo kërkohet me ngulm të merret pengë qeveria dhe njëra palë detyrohet përmes tankeve ti sulet palës tjetër. Dihet se këto vende kanë traditë që pushtetin ta rrëmbejnë me përmbysje dhe vrasje, me largime të dhunshme përmes revoltave të papërmbajtura dhe protestave që pezullojnë tërë jetën në vend. Dhe mekanizmi i fundit që përdorin është mosbindja civile, dalja në rrugë dhe pushtimi i institucioneve. Largimi i opozitës nga organet ligjzbatuese, mos dhënia e pëlqimit për reforma të rëndësishme apo njëmijë e një manovra të tjera që nuk janë aspak demokratike, po në thelb janë diktatoriale. I kemi parë këto ditë postpushimeve verore të gjithë liderët e PD dhe LSI në ecejaket e tyre pa fund. Kemi dëgjuar Lulzimin e Monikën, si fjalët e tyre kërcasin si krisma pushke. Kemi parë zëdhënëset dhe zëdhënësit që kanë deklaruar në emër të partive që përfaqësojnë, se jemi në prag të përmbysjes së madhe. Këshilltarët dhe tutorët e mosbindjes civile, edhe pse sa herë e kanë provuar kanë dështuar, betohen se ky shtator do jetë i treti i vërteti. Dhe nuk janë duke bërë shaka. Le të përgatitet qeveria. Le ta mësojë Kuvendi. Le ta dijë populli se është koha që opozita do nisi mosbindjen civile.

Me fjalë të tjera, një kthim në shtatorin e 2008, ku repartet e gatshme të PD-së, pushtuan radhazi institucionet në emër të dhimbjes së vrasjes së “Heroit të Demokracisë”, Azem Hajadari. Dhe të gjithë e kujtojmë si u përdor vdekja e Hajdarit nga ata që kishin vetëm një qëllim pushtetin e humbur pas ngjarjeve makabre të vitit 1997, ku Shqipëria u mor në mbrojtje nga fuqitë e huaja dhe për të parën herë në historinë tonë kombëtare, rendi nuk mbrohej nga shqiptarë, po nga të huaj, të cilët erdhën për të shpëtuar këtë popull nga çmenduria qeveritare e1997-ës. Si dhe pse ndodhën tërë ato ngjarje me përmasa apokaliptike dihen nga të gjithë dhe asgjë nuk mund ti shtonim kronikës së asaj gjëmë në se do vijonim të komentojmë për shkaqet e argumentat që njihen nga të gjithë. Po dihet si nisi dhe përfundoi mosbindja civile dhe grushti i shtetit 1998. Dhe efekti që pati një nismë e tillë e ndërmarrë nga PD dhe Sali Berisha si President i vendit. Kujtojmë si u distancua populli nga një veprimtari e tillë. Nuk pranoi kurrsesi të binte pre e etjes për pushtet të qeverisë së përmbysur në vitin 1997 nga zgjedhje të zhvilluara në kohë të vështira, po gjithsesi nuk u zgjodh rruga abuzive e marrjes së pushtetit as me forcë as në tavolinë siç trumbetohet ditët e sotme, ku u fryhet borive për një pushtet të grabitur përmes dhunës dhe mosbindjes së qytetarëve.

Aq të ethshëm janë liderët e opozitës, Lulzim Basha e Monika Kryemadhi dhe kumbari i koalicionit të tyre Sali Berisha, sa gati e kanë bërë fakt të kryer përmbysjen e pushtetit përmes dhunës dhe forcës së militantëve që duket sikur presin me padurim të fryjë bilbili i nisjes së aksionit të madh opozitar për ta tërhequr mazhorancën zvarrë. Po 1997 me 2018 ka një ndryshim radikal. Në 1997, edhe pse pushteti i Berishës kishte rënë, edhe pse institucionet ishin inegzistente, edhe pse ushtria ishte rrafshuar dhe policia kishte dorëzuar tërë komisariatet e vendit, askush nga ata që synonte ardhjen në pushtet nuk pranoi të merrte pushtet të pamerituar, vetëm se shteti ishte në zgrip. Përkundrazi, faktori ndërkombëtar dhe vetë opozita e kohës, edhe pse me kryetarin në burg, u ulën me pozitën dhe gjetën pas shumë ditë debatesh pikat e takimit për një marrëveshje të unitetit kombëtar, duke ndarë pushtetin mes pozitës dhe opozitës. Po të mos harrojmë se ky veprim ishte i detyruar për vetë rrethanat e kohës, ku në Shqipëri mungonin institucionet dhe shteti ishte inegzistent. Nuk kishim as godina pa le më të zhvillohej veprimtari shtetërore. E megjithatë, askush nuk kërkoi mosbindje civile as luftë aq më pak dënime të kundërshtarëve politikë në pushtet, të cilët e kishin mbushur kupën me bëmat e tyre pa fund. Edhe pse qeveria e kohës përdori metoda nga më të papranueshmet për të mposhtur revoltën dhe për t’i mbyllur gojën popullit përmes mobilizimit të paligjshëm, ngritjes së avionëve bombardues në fluturim për të shtypur turmat, pavarësisht se pilotët patriotë, djemtë e këtij vendi nuk iu bindën urdhrave të “Shtabit të gjendjes së jashtëzakonshme” dhe i drejtuan avionët në aeroportet e vendit fqinj, Italisë. Ata kurrsesi nuk mund të vrisnin popullin, të cilit i përkisnin. Dhe shqiptarët nuk ranë pre e atyre ditëve të vështira dhe lojës së pushtetit. Asnjëri nuk ngriti dorë e armë mbi kundërshtarët politikë. Po kështu vetë populli mori në duar fatet e veta dhe i doli në mbrojtje atdheut. Të mos harrojmë se ishin vërtetë kohë problematike dhe shqiptarët ishin cënuar në xhepa dhe varfëria ishte ekstreme, ashtu sikundër edhe padrejtësitë ishin bërë të padurueshme nga fudullëku i pushtetit të kohës, i cili nuk kishte hallin e njerëzve, po vetë pushtetin. Dhe në rrethanat e atyre viteve, populli nuk shkoi pas zërave melodiozë të sirenave të Odesut, po ndoqi rrugën e mirëkuptimit dhe marrëveshjes, besimit dhe dashurisë për njëri tjetrin. Për asnjë rast dhe rrethanë, shqiptarët nuk u ngritën kundër shqiptarëve. Përkundrazi, përmes votës u ndëshkuan shumë rëndë shkaktarët e tragjedisë kombëtare. Po ajo ishte një kohë me të papritura. Një tragjedi që shkaktoi mijëra viktima. Rrënoi shtetin. Rrafshoi ekonominë. Paralizoi tërë jetën e vendit. U shoqërua me konflikte të thella që nxiteshin nga vetë pushteti. Kujtoj se si djem të rinj të shkollës së policisë ulur në një automjet nën drejtimin e një gjenerali nga jugu, hynë në Delvinë me kokat ulur dhe dhimbje në fytyrë. Në pritje se dikush nga qytetarët do ngrinte armët mbi ta. Po askush nuk e bëri një veprim të tillë. Ata i pritën djemtë si të ishin bijtë e tyre. U dhanë ujë dhe bukë. I përcollën pa patur asnjë incident. Këta janë shqiptarët! Ky është populli ynë, që luftën nuk e ka dashur edhe kur i është imponuar dhe kurrë nuk ka rënë pre e propagandës së mosbindjes civile e urdhrave të atyre, që mendja u punon vetëm për pushtet. Është ky popull që ka përbuzur gjithë ata, që kanë dashur ta armatosin, jo vetëm me politikën e forcës po edhe me armë për ta kundërvënë me njëri tjetrin. Po që kanë marrë mbrapsht vetëm përbuzje dhe urrejtje. Kur shqiptarët nuk iu bindën thirrjeve ogurzeza të vitit të mbrapshtë 1997 në një kohë kur demokracia ishte vetëm në fillimet veta, kur institucionet ishin rrafshuar, kur qytetarët ishin prekur deri në palcë, kur ndodhën tragjedi të shumta që u shoqëruan me vrasje, vdekje, vjedhje të parave në piramida, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja: Si ka mundësi që sot, pasi një ushtrimi kaq të madhe të demokracisë, pas një përvoje jetësore kaq të gjerë të një populli të kalitur dhe në beteja të shumta në kërkim të lirisë funksionale tu përgjigjet thirrjeve të atyre që provokuan revolucionin e rrënimit të vitit 1997? Si mund t’i ndjekin pas ata që rrahën opozitën, duke përskuqur sheshin “Skëndebej” me gjakun e protestuesve të pafajshëm? Si mund të dëgjohet thirrja për mosbindje dhe revolta nga ata që i bënë këtij populli gjëmën, jo vetëm në 1996, 1997, 1998 po edhe në 2011? Si mund të rreshtohen shqiptarët pas ca liderëve që kanë zëvendësuar forcën e votës me urrejtjen? Të ndjekin pas ata që bënë Gërdecin, ku u vranë 26 qytetarë, të cilët ishin mobilizuar në poligonin e vdekjes? Si mund të pranohet një ftesë e tillë, kur autorët janë ata që e kanë provokuar këtë popull në tërë këto vite? Si guxojnë sot të flasin për përmbysje politikanë të njohur e të provuar për vite radhazi, të cilët i kemi provuar të gjithë? A nuk janë këta që kanë sunduar pushtetin në tërë piramidën shtetërore? A nuk kanë drejtuar qeveritë në disa legjislatura? Këta që kanë drejtuar ushtrinë e policinë? Drejtësinë e politizuar e sistemet zgjedhore të kontrolluara brutalisht? A është e mundur që thirrja për mosbindje civile e trazira e një koalicioni opozitar që ka qëllim jo qytetarët e vendin po pushtetin, të dëgjohet nga një popull që e ka pësuar shumë herë në historinë shumëshekullore nga të papërgjegjshmit që e kanë drejtuar.

Ky populli ka kurajon dhe vetëdijen t’i thotë zërave të ngjirur opozitarë: -Jo të majtëve! Jo të djathtëve nëse u preket interesi i tyre! Të kundërshtojë nëse vihen në pikëpyetje interesat madhore të kombit shqiptar. Koalicionet dhe bashkimet nuk janë grumbullime militantësh të armatosur me etjen për pushtet e pasuri, për privilegje e për fitime. Nuk janë bashkime për luftë e revolta në emër të interesit të ngushtë të një grushti drejtuesish që qajnë pushtetin e humbur. Ndaj zërat e tyre se shtatori, se 13-ta a 14-ta për koincidencë një shtator i dytë imitim i 2008-ës do mbeten anonimë. Pa përgjigje. Shqiptarët nuk kanë kohë të humbin në eksperimente të provuara e stërprovuara ndër vite. Ata e njohin shumë mirë trokitjen dhe ftesën që u bëhet. I njohin autorët që i nxisin për veprime kundër rendit kushtetues dhe lirisë së individit. Ata kanë mësuar se nuk është lufta as revoltat e protestat, bllokimet e ulërimat, ultimatumet e çjerrjet për të mposhtur kundërshtarët rruga e zgjidhjes së halleve të tyre. Më e shumta është interesi i atyre që duan me çdo kusht të kthejnë privilegjet e humbura. Dhe populli e njeh shumë mirë këtë pasion pushteti. Thirrja e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, kryetarit të PD-së, Lulzim Basha dhe rekuizitës së deputetëve që mbështesin këto thirrje për një koalicion, jo si sistem vlerash e bashkim idesh, po si një rrugë për të përmbysur pushtetin legjitim përmes sulmeve të pandërprera, refuzimin e reformave jetike, siç është reforma në drejtësi dhe zhvillimin e vendit është një ftesë që shqiptarët do ta refuzojnë. Axhenda e popullit, kërkesat e tij nuk e gjejnë veten në thirrjen e opozitës për një përmbysje me dhunë, për pushtet pa votë, revolucione e beteja që përjashtojnë rregullat e demokracisë, kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi. Sali Berisha që e ka për kaq zemër mosbindjen dhe përmbysjen vetëm se dikush u mendua se shkeli gardhin e godinës së qeverisë kur ai ishte në krye të saj, vrau me plumb në ballë në emër të rendit kushtetues katër protestues dhe plagosi me qitje direkte dhjetra të pafajshëm. Po qeveria e sotme, a duhet ta mbrojë rendin kushtetues dhe vullnetin e popullit? Sigurisht që po! Po jo me vrasje, absolutisht me paqe!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 5

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/09/2018 - 09:38

Është kthyer në vijë sjelljeje tek ne të bërit politikë, duke mbrojtur paligjshmërinë nën flamurin e pandershmërisë. Qëndrim i hershëm ky i pothuaj shumicës së politikave tanë.

Postuar: 20/09/2018 - 09:35

Opozita në Shqipëri vazhdon të mbetet e "munguar" për vetë faktin sepse ajo nuk mund të

Postuar: 20/09/2018 - 09:33

Një nga studiot e fundit politike mes dy personave të rinj në politikën e lartë të parlamentarizm

Postuar: 19/09/2018 - 07:25

Përmbysja e pushtetit të Demokracisë Popullore, që u ligjërua pas zgjedhjeve farsë të 22 marsit 1

Postuar: 19/09/2018 - 07:23

Kur popullata çame erdhi e detyruar në Shqipëri për t’i shpëtuar vrasjeve dhe masakrave të

Postuar: 19/09/2018 - 07:22

Në rrethet normale, secili prej nesh do t'i gëzoheshim liberalizimit të vizave, gjegjësisht l

Postuar: 18/09/2018 - 07:22

Sa herë vjen ndonjë "Konferencë Peze" dhe sigurisht dalin nostalgjikët e Enverit, Parti