BREAKING NEWS

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste dhe të formuar nga UDB-ja, ja si “gjeneralët” e tij takuan Arkanin

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste
x

Opinion / Editorial

Bazat e harmonisë ndërfetare në Shqipëri, sfidat dhe mundësitë

Bazat e harmonisë ndërfetare në Shqipëri, sfidat dhe

Muaji nëntor mbart mjaft simbolika dhe domethënie për popullin shqiptar. Në këtë muaj përkujtohen ngjarjet historike të pavarësisë së Shqipërisë ndaj okupatorëve. Nëntori i parë i Skënderbeut më 1443, Nëntori i dytë i Ismail Qemalit më 1912 dhe Nëntori i tretë më 1944 i fitores ndaj okupatorëve nazifashistë. Por, kemi edhe një Nëntor tjetër të vitit 1990, që është po aq i rëndësishëm për popullin tonë, që është nëntori i triumfit të lirisë së besimit. Ky nëntor, përkon me 30 vjetorin e rihapjes së objekteve të kultit, përkatësisht me 11-16 nëntor 1990, me meshën e parë të mbajtur në varrezat e Rrmajit, më 11 nëntor 1990 dhe në ceremoninë fetare të organizuar në Xhaminë e Plumbit më 16 nëntor, ku morën pjesë besimtarë të të gjithë feve, që punuan së bashku për të rivënë në funksionim objektet fetare të mbetura nga shkatërrimi ateist i 23 viteve. Ky ishte triumfi i besimit ndaj mohimit, ishte triumfi i lirisë ndaj prangave dhe zinxhirëve të një regjimi diktatorial, i cili nuk luftoi vetëm besimin. Përgjatë këtij udhëtimi 30-vjeçar në lirinë e besimit, ne mësuam mjaft gjëra. Mbi të gjitha ne mësuam se njeriu nuk rron dot pa liri dhe pa besim. Mësuam dhe zbuluam se ajo që luftuam për 45 vjet, paska qenë një pasuri e çmuar për ne. Ne paskemi pasur një pasuri të cilës nuk ia kemi ditur vlerën dhe ajo është Harmonia Ndërfetare. Këtë pasuri të vyer të popullit tonë, ne nuk e kemi çmuar ndonjëherë si duhet, por ishin të huajt, të cilët na e vunë në dukje duke e vlerësuar. Pastaj edhe ne, duke mos patur diçka tjetër me të cilën të krenohemi filluam ta çmojmë dhe nuk bëmë keq. Pas ngjarjeve famëkeqe të 11 shtatorit 2001 në SHBA dhe një polarizimi të madh shoqëror, ku në qarqet intelektuale diskutoheshin teoritë e përplasjes së qytetërimeve, ne si popull filluam të jemi të ndërgjegjshëm për pasurinë që kishim. Më pas filluan të diskutohen në qarqe akademike, politike, emisione televizive dhe të bëhen studime në këtë fushë. Normalisht dolën studime serioze, por edhe mjaft teza mbi harmoninë ndërfetare si realitet shoqëror. Të gjitha këto na ndihmojnë të kuptojmë dinamikat dhe të jetë shembull për vendet e tjera problematike.

Brenda këtyre tezave, ka dhe prej tyre të cilat nga mosnjohja e realitetit të fesë nxjerrin përfundime të gabuara. Njëra prej tyre është se shkaku i harmonisë fetare te shqiptarët është periudha komuniste, e cila e dobësoi besimin dhe shqiptarët nga mosnjohja mirë e besimit të tyre bëhen më liberalë. Pra, teza që ngrejnë është se toleranca dhe harmonia ndërfetare është e ndërtuar mbi injorancën fetare. Për ata që kanë studiuar historinë e vendit tonë do të shikojnë se harmonia fetare nuk është një fenomen që vërehet në kohën e komunizmit dhe atë post-komuniste. Madje komunizmi dhe ateizmi nuk prodhon harmoni mes besimeve. Në një përkufizim të tij, Prof. Dr. Gjergj Sinani, thotë se “komunizmi është i vetmi besim i cili nuk është tolerant me besimet e tjera”. Asnjë vend në botë nuk ka mundur dot të prodhojë harmoni ndërfetare as nga ateizmi, as nga luftimi i fesë dhe as nga laicizmi. Janë dinamika të tjera shoqërore ato që mundësojnë harmoninë ndërfetare. Në vendin tonë, toleranca dhe harmonia fetare duket se është e hershme dhe ka zënë rrënjë në genet e popullit tonë. Shqiptarët kanë ditur gjithmonë të marrin qasjet tolerante të besimit që kanë pasur, qofshin ata myslimanë apo të krishterë. Moment kyç në historinë e Shqipërisë ka qenë shpallja e pavarësisë në 1912 nga Perandoria Osmane. Qasja e hoxhallarëve, priftërinjve dhe dedelerëve ishte vendimtare për të mundësuar shpalljen e aktit të mëvetësisë. Ishte Haxhi Vehbi Dibra njëri prej firmëtarëve që me fetvanë e tij për flamurin dhe të pavarësisë "vulosi" fetarisht këtë akt. Pavarësisht se propagandohej se kjo ishte e dëmshme, pasi myslimanët do mësonin shkronjat "latine kaurëve" dhe do ndaheshin nga hyqymeti, ku qeverisej me sheriat, asnjë nga teologët dhe hoxhallarët seriozë të asaj kohe nuk ra pre e kësaj propagande. Ata ishin mjaft të qartë për limitet fetare, që po bënin gjënë e duhur për vendin, pa dëmtuar fenë. Ata dhanë një shembull të përkryer që çoi në bashkimin kombëtar të Shqipërisë, pa krijuar precedentë të cilat mund të keqpërdoreshin nga elementët përçarës të vendit. Në ato momente përsëri ishte harmonia mes tyre dhe nuk kishte shtirje. Qasjen e shqiptarëve dhe harmoninë e tyre fetare nuk e hasim kaq të përhapur edhe në vendet më demokratike të botës, prandaj është unike për vendin tonë. Një qasje të tillë rastësisht e kam vërejtur te arabët para ardhjes së Islamit në Gadishullin Arabik. Megjithëse arabët ne shekullin VI e.s. para ardhjes se Islamit adhuronin idhujt, ata e kishin mendimin për një Zot të vetëm dhe fuqiplotë. Idhujt i shihnin si mjete ndërmjetësuese mes tyre dhe Zotit. Ndjenja e kureshtjes, natyrshëm kishte bërë që disa prej tyre të pranonin krishterimin, disa zarathustrizmin dhe adhurimin e zjarrit, si dhe mjaft rryma të tjera filozofike dhe ateiste. Është e habitshme që mes këtyre njerëzve kishte një tolerance të paimagjinuar. Kështu ndodhte që një familje të kishte pjesëtarë të feve të ndryshme. Për më tepër, rreth Qabes kishte statuja adhurimi, të cilat përfaqësonin mjaft fise arabe. Brenda mureve të Qabes kishte piktura që përshkruanin Ibrahimin (Abrahamin), Ismailin, Isain (Jezusin) dhe Merjemen (Marian). Të gjitha këto zakone dhe tradita të arabëve, pa dyshim ishin formuar në mënyrë të ndjeshme nga vizitat që kishin bërë në vendet e huaja, nga kontaktet që kishin me njerëzit e tjerë gjatë periudhës së haxhit dhe panaireve ndërkombëtare. Ajo që është e përbashkët me tyre dhe popullit tonë është se ishin mes dy perandorive të mëdha të kohës, Perse dhe Romake. Ata nuk ishin pozicionuar me ndonjë palë, por përpiqeshin të ruanin raporte të mira me të dyja. Nuk kishin ndërtuar dot shtet të fuqishëm apo perandori, nuk kishin përqafuar fe të caktuar, i njihnin të gjitha besimet dhe mentalitetet. Kjo i kishte bërë të ishin tolerantë. Të qenurit mes Lindjes dhe Perëndimit ka bërë që shqiptarët t’i njohin mirë besimet fetare, por edhe t’i pranojnë si realitet shoqëror. Përveç komunizmit askush nuk është përpjekur ta ndryshojë këtë realitet shoqëror me forcë. Por, të zotërosh këtë pasuri, nuk do të thotë të flemë mbi dafina apo se jemi imunë ndaj qëllimeve dashakeqe të brendshme dhe të jashtme. Kjo vlerë me të cilën krenohemi para botës, ka nevojë të vendoset në shina të sigurta intelektuale dhe jo vetëm. Së pari, duhet të jemi të kujdesshëm, që të ruhen linjat fetare të çdo besimi. Çdo besim ka disa kufij, që respektohen nga besimtarët e saj. Në momentin që ne, për t’u shfaqur bukur para botës i shkelim këta kufij, atëherë e dëmtojmë harmoninë ndërfetare. Harmonia ndërfetare është qëllim kombëtar dhe jo fetar. Kjo pasi besimet kanë si qëllim të arrijnë të jetojnë në harmoni me rregullat e besimit të tyre dhe të fitojnë kënaqësinë e Zotit dhe jo thjesht të arrijnë harmoninë ndërfetare. Çdo besimtar e ndjen si detyrë të ftojë dhe dëshiron të shikojë çdo njeri nga besimi tjetër të pranojë besimin e tij dhe "të shpëtojë". Problemi qëndron se në emër të harmonisë ndërfetare dhe për të demonstruar se kemi harmoni festojmë çdo festë. Se kam fjalën për urimet reciproke dhe këmbimet e vizitave mes krerëve të besimeve dhe besimtarëve, pasi kjo është e pranueshme brenda kufijve teologjikë. Shpeshherë mendohet se, shembja e kufijve teologjikë, duke bërë kryqin kur hyn në kishë, duke u falur kur hyn në xhami, duke festuar kur shkon në malin e Tomorrit, po nga i njëjti person, quhet harmoni ndërfetare. Ky lloj mishmashi që krijohet, nuk do të prodhojë më shumë afrimitet dhe harmoni, pasi i tejkalon kufijtë teologjik të çdo feje dhe sjell pasoja. Pasojat si, shfaqja e fanatizmit, radikalizmit dhe polarizimi në një bashkësi fetare vjen si reaksion, kur vihen në diskutim kufijtë teologjikë të besimit. Ajo që sot bota ka nevojë, nëse do të merret si shembull nga ne, është si të ruhen kufijtë teologjikë të fesë (kataklizma, akideja) dhe njëkohësisht të ketë harmoni ndërfetare.

Së dyti, duhet të jemi të kujdesshëm nga ndikimet negative të jashtme. Të qënurit në kufi mes lindjes dhe perëndimit, për kombin tonë do të përbëjë problem nëse nuk dimë të mbajmë balancat e duhura. Një nga këto balanca është edhe fuqizimi i institucioneve fetare në mënyrë që të mos kenë nevojë të hedhin sytë jashtë për nevojat e tyre jetike institucionale. Në rastin tonë institucionet fetare ende nuk u janë kthyer pronat që u shtetëzuan gjatë periudhës së komunizmit dhe as janë ndihmuar për të mundësuar mbajtjen e institucioneve. Nëse institucionet fetare janë në gjendje të mbahen me burimet e tyre ekonomike dhe njerëzore, atëherë ndikimet e jashtme negative dhe polarizuese nuk do të dëmtojnë dot harmoninë fetare. Vendet e konsoliduara ekonomikisht dhe politikisht në lindje dhe perëndim, qofshin ato shtete të fuqishme apo të dobëta, nuk e lënë çështjet e fesë/ve në mëshirë të fatit, sepse e kanë kuptuar se çështjet e besimit janë delikate. Prandaj, baza për një harmoni ndërfetare të konsoliduar, kalon nga konsolidimi i vetë institucioneve fetare dhe jo nga të qënurit të brishta. Shqipëria, në historinë e saj 108 vjeçare si shtet nuk ka mundur dot të ndërtojë një model të pranueshëm demokratik, përkundrazi për 45 vjet u ndërtua diktatura më e egër. Jo vetëm ne, por edhe shumë vende të tjera, pavarësisht ndihmës së Perëndimit, kanë probleme në këtë drejtim, sidomos me korrupsionin. Por diçka të mirë kemi nxjerrë gjatë kësaj periudhe dhe ajo është Harmonia Ndërfetare. Mundësia për të qenë të zhvilluar nga ana teknologjike, shkencore apo në fushën ekonomike është e vogël dhe pa shumë ndikim. Perëndimi mburret dhe është shembull për botën në demokraci, ne mund të jemi shembull në botë për harmoninë fetare, të cilën as perëndimi nuk ka mundur ta ketë. Antikiteti grek prodhoi kulturën dhe filozofinë po në këtë pjesë gjeografike, mbi të cilën kontinenti evropian ndërtoi vetëdijen e tij. Nëse ne, dimë dhe duam ta kultivojmë këtë vlerë si duhet, do të jemi shembull dhe do të kemi vëmendjen e duhur në realizimin e perspektivës europiane.

*Myfti i Zonës Korçë