BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Opinion / Editorial

Bebja “Diaspora voton” do shpëtohet!

Bebja “Diaspora voton” do shpëtohet!

“Diaspora voton” është mirëfilli një bebe shtatëmuajshe, e dalë nga ngjizja 30-vjeçare e dëshirës së qindra mijëra emigrantëve tanë, për të ndikuar për mirë në Shqipërinë që e lanë me shumë pikëllim e boshësi në zemër. Dhe që tani e kundrojnë nga larg me shumë mall. Kjo bebe pa dritën e ditës më 22 korrik 2020, me Nenet 24 dhe 25 të Kodit Zgjedhor, të ndryshuar, të cilat u japin mundësi të gjithë përfaqësuesve të diasporës të moshës mbi 18 vjeç (janë mbi 1.35 milionë të tillë) që të votojnë. Nuk ka asnjë pengesë ligjore. Mirëpo vetë nenet nuk mund të bëhen shkop magjik dhe të shtrojnë udhën e votimit të diasporës. Kjo udhë ka trase regjistrimin elektronik dhe Regjistrin Elektronik të zgjedhësve të Diasporës. Dhe për plotësimin e të dyja këtyre kushteve është caktuar nga ligji Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Vota për emigrantët që në këto zgjedhje është detyrim ligjor, të cilin duhet ta bëjë realitet pikërisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Dhe ky komision ndodhet në hënë, nëse vijon të pretendojë se për respektimin e ligjit nevojitet pëlqimi i partive politike, që komisioni të miratojë aktet nënligjore pas ndryshimit të Kodit Zgjedhor më 22 korrik 2020. Deri më 20 shkurt 2021, komisioni kishte gjashtë muaj kohë të miratonte këto akte dhe nuk e ka bërë, ngaqë thotë se “partitë politike nuk i kanë dhënë asnjë mendim”. Por le ta kishte marrë heshtjen e tyre gjashtëmujore për miratim dhe të kishte vazhduar! Ligji ia jep këtë të drejtë. Partitë politike nuk janë mbi ligjin. Votimi i shtetasve jashtë vendit nuk ka asnjë problem ligjor për t’u kryer që në këto zgjedhje të 25 prillit të këtij viti. Nga strukturat përgjegjëse të Ekzekutivit është plotësuar çdo zotim ligjor. Arsyetimi që vjen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve se për të realizuar të drejtën e votës të shtetasve që kemi jashtë vendit duhet të pritet “konsensusi”(gjithëpëlqimi) i partive politike është sa absurd aq edhe antiligjor. Nëse ky “standard” do të zbatohej për të gjitha ligjet që miraton Kuvendi i Shqipërisë, pa “konsensusin”, pëlqimin e opozitës, i bie të mos kishim më ligje! Me këtë logjikë, duke qenë se partitë opozitare jashtë Kuvendit nuk kanë dhënë pëlqimin e tyre, por janë shprehur kundër sistemit të ndryshuar zgjedhor, i bie që zgjedhjet të mos realizohen më 25 prill! Por ato do të mbahen. Dhe po kështu, nuk ka nevojë për asnjë përgjigje zyrtare nga partitë politike, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të zbatojë ligjin. Pra, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të Kodit të ndryshuar Zgjedhor. Qeveria po punon të kalojë një akt normativ për shtyrjen e afatit të pasaportave të vjetra, me qëllim që t’i jepet mundësia një numri që është shtruar si kërkesë nga ana e opozitës, një numri që kalon 1 milionë votues, që të votojnë me pasaportat dhe kartat e skaduara të identitetit. Për garantimin dhe konkretizimin e votimit të përfaqësuesve të diasporës, ligji i ka dhënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve fuqi të plota. Gati të një Gjykate Supreme. Nuk ka kuptim që KQZ të ngelë në cekëtinë me shkresa për partitë, a jeni apo nuk jeni ju parti dakord me aktet e mia nënligjore! Përfaqësuesi i shumicës në qeveri në KQZ deklaroi se le ta sjellë opozita si të dojë variantin formal të rregullave ligjore, përsa i përket votimit jashtë vendit. Nëse këto rregulla ligjore miratohen shpejt, jemi shumë afër një akti të rëndësishëm kushtetues dhe ligjor. Sigurisht që është sfidë regjistrimi i shtetasve tanë jashtë vendit. Procesi i regjistrimit të adresave jashtë vendit apo rinovimit të kartave të identitetit dhe pasaportave për përfaqësuesit e diasporës është shumë problematik. Megjithatë, në asnjë rast ky proces nuk mund të jetë justifikim për moszbatimin e ligjit për votimin e Diasporës. Edhe për këtë arsye, Ministria e Brendshme e ka shtyrë afatin e përdorimit të dokumentave që duhen rinovuar deri në fund të prillit 2021. Pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të funksionojë sistemi i aplikimit për të votuar. Aty mund të aplikohet si me pasaportën e vjetër, ashtu edhe me kërkesën për qartësimin e adresave të fundit të shtetasve tanë me banim jashtë vendit. Realizimi i të drejtës së votës për votimin e diasporës është tashmë detyrim kushtetues dhe ligjor. Shumica qeverisëse duket qartë se e ka vullnetin e plotë për këtë. Po ashtu edhe partia kryesore në opozitë është shprehur qartazi se mbështet votën e diasporës edhe për këto zgjedhje. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk duhet kurrsesi të kërkojë pëlqim për zbatimin e ligjit për të drejtën e votës. Ai është detyrim ligjor dhe jo çështje për diskutim. Bebja “Diaspora voton” do të shpëtohet!