BREAKING NEWS

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, i dërguari i BE zbardh prapaskenat: Marrëdhëniet u normalizuan pas 20 muajsh, ja për çfarë ramë dakord!

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, i dërguari i BE zbardh
x

Opinion / Editorial

Bëj vetëm të mira dhe hidhi në det!  

Bëj vetëm të mira dhe hidhi në det!  

Pasuria, sado e madhe të jetë, pavarësisht me mënyrën se si është e vënë, rrallë është “gjithçka” më shumë është “asgjë”, edhe të lumturon, por edhe të varfëron. Më keq akoma, kur jo është bërë në rrugë antiligjore apo duke përvetësuar djersën e të tjerëve. Ka edhe një “pasuri” tjetër që të sjell vetëm lumturi, të jep gjithmonë kënaqësi, të jep jetë e të nderon. Nuk krahasohet kjo “pasuri” as me miliarda apo trilionë në vleftë leku. Ajo mund të “shitet” edhe me një shumë të vogël dhe “blihet” me shumë marramendëse! Kjo “pasuri” është mirënjohja! Është fakt që këtë “pasuri”, janë shumë të rrallë ata që e gëzojnë. Bashkë me mikun tim Sali Shirka, takojmë Skënder Lenën, që Saliu e kishte njohur më parë. Ecte në qetësinë e tij, i qeshur si gjithnjë. Deri tek kafja ku do të uleshim, afro 0 m larg e ndaluan apo i ndalonte vetë disa njerëz dhe u jepte diçka. “Më falni, na thotë, ju vonova, por janë gjynah, vuajnë... Nuk kaloi shumë kohë dhe vjen një bashkëfshatari i tij nga fshati i thellë Rashtan i Gramshit, nga është edhe Skënderi. Ai, i sjell një shishe raki dhe një vazo me salcë kosi që ja kishin dhënë bashkëfshatarët e tij. Skënderi, i përlotur, i thotë: “Mbaro punë dhe mbas jo më shumë se një orë do të vini këtu të më takoni. “I kam bërë rrugën e fshatit”, thotë Skënderi. Aty, kam vëllanë. I ndërtova shtëpinë e re, falas, sepse nuk mund t’i marr para vëllait. Shtëpia, deshi edhe rrugën. Më thanë kushton 6 milionë. Unë i dhashë 7 milionë. E ka vëllai rrugën, por e ka edhe fshati. “Do të më prisni dhjetë minuta, na thotë dhe do të kthehem”! Gjatë kësaj kohe, Saliu më tregon shumë gjëra për Skënderin, sepse e kishte njohur më parë. “Kur të vijë, më thotë, mos llafos sepse nuk ka qejf të flasi për tërë ato të mira që ai bën, por do të të thonë të tjerët”! Kthehet Skënderi me një milion lek për t’ia dhënë bashkëfshatarit të tij për banorët e fshatit. Skënder Lena, është djali i Kapo Lenës, Komandantit trim të Luftës Nacional-Çlirimtare që në shkurt të vitit 1943, braktisi qetë që ishte duke lëruar tokën dhe doli malit. Kishte marrë pjesë edhe në Revolucionin e Qershorit 1924 me Fan.S.Nolin. Mbas pushtimit të vendit nga Italia fashiste, si kudo edhe në Gramsh, këndohej kënga: “Ç’ke flamur që nuk valon/ Jam goditur brinjë më brinjë/ Që kur erdhi Italia / Më vuri sopatat e tija...”. Në kujtesën e Skënderit, kanë mbetur qindra e mijëra këshilla që tregoheshin qysh nga stërgjyshërit e tij e transmetohen brez pas brezi. Janë të shumta këshillat që Skënderi i ka si udhërrëfyese dhe i zbaton në çdo hap të jetës së tij. Njëra prej tyre është: “Bëje të mirën e hidhe në det, po nuk ta diti peshku, ta di deti vetë”! Shpesh babai i tij, Kapo Lena i thoshte: “Heronjtë sot, janë ata që nuk kanë asnjë tipar të Mujit dhe Halilit që nuk i ngjajnë Vojo Kushit apo ndonjë tjetri të këtij lloji. Sot ata mund të jenë të shkurtër, të dobët në fizik dhe që nuk u bëjnë përshtypje njerëzve përreth, por që punojnë pa u ndjerë për të qenë të dobishëm për veten, rrjedhimisht edhe për të tjerët”. Për Kapo Lenën, Xhevit Dermyshi, intelektuali i shquar nga Gramshi, ka shkruar edhe një libër. Në pranverë të vitit 1944, Kapo Lena emërohet Komandant i Batalionit Vërcë – Sulovë. Shumë shpejt u bë një nga figurat më të dashura për trimëritë e tij. Kishte mësuar shumë nga Rilindasit, nga Naimi dhe Sami Frashëri. “Mos u bëj i lig e i keq, i paudhë e i pabesë. Mos vra, mos bëj keq, ki nam dashurinë. Besë e fe ki mirësinë, të drejtën dhe urtësinë”! Dy nga cilësitë e tij, trimëria dhe zgjuarsia, spikatën kudo, në sheshin e betejës, në konakun e burrave, në biseda me nxënës, në muhabete me shokë megjithëse nuk kishte as shkollë ushtarake, as shkollë politike. Xha Kapua, ndërroi jetë fizikisht në moshën 103-vjeçare. Zoti i dha jetëgjatësinë që të tjerët, kolegët, të rinjtë e të rejat, brezat e ardhshëm, të mësonin sa më shumë prej tij. Jo vetëm mësuan, por edhe sot ata e “takojnë” në qendër të qytetit të Gramshit ku ka bustin, mësojnë nga ai tek u jep këshilla. Nuk mund ta linte Skënderi pa bust babain e tij. “E duam, ta kemi këtu, Kapon, i thoshin kolegët dhe banorët e Gramshit”. Skënderi, investoi për bustin, edhe për lulishten, edhe për emrin e tij që e mban qendra e qytetit, që banorët të llafosen me gojëmjaltin e tyre Kapo Lena, që fëmijët të argëtohen e të rinjtë të çlodhen si dikur kur dëgjonin me aq vëmendje xha Kapon. Dyzet e pesë milionë lekë ishte investimi. Na është bërë shprehi tani që për çdo gjë të themi “Sa kushton”! Këtë, ja thanë edhe Skënderit, i cili ju përgjigj: “Nuk llogariten paratë për të “ngjallur” babain që kolegët, e tij, të rinj e të reja e duan pranë ashtu si e patën afro një shekull. Dashuria, humanizmi, mirënjohja, as nuk shiten as nuk blihen me para sepse nuk ka shumë parash që t’i blejë ato e aq më tepër kur është puna për nënë e baba, për vendlindjen ku u rrita e ku mësova”? Banorët e Gramshit e lexojnë edhe “bustin” tjetër, librin e profesorit Zyri Bajrami, për Kapo Lenën, i dëgjojnë tek i “flet” në vesh sikur ta kenë pranë: “Të kesh ku të shkosh, është shtëpi. Të kesh kë të duash, është familje, të kesh të dyja bashkë, është bekim”!

Po për tërmetin e 26 nëntorit, sa dhatë? Ja, përsëri më pyesni, as unë nuk e di, di që bëra një të mirë për ata që vuajnë. Si me marifet, më vonë e mësuam që kishte dhënë 1 milion lekë të reja. Njëzet e katër kompjutera dhe katër laptopë për shkollat e dy fshatrave të thella, Kukur dhe Rashtan. Nuk e mbante vendi as në këtë kohë pandemie. U ngrit e shkoi në Gramsh ku kërkoi të investojë për një student ekselent deri në përfundimin e shkollës së lartë për mjekësi, me kusht që të mos jetë i askujt nga pushtetarët... Nejse, bamirësitë e tij, nuk numërohen. Kjo është “pasuria” e tij më e madhe nga çdo pasuri tjetër. Po t’i shtosh këtyre edhe bashkëshorten e tij Lirinë, djalin dhe vajzën, Orgestin dhe Odetën me shkolla të larta dhe si yje, nipat e mbesat, jo vetëm që nuk e teprojmë, por e “cungojmë” të themi që ai është më i pasuri në botë.

Skënder Lena, djali më i vogël midis tre djemve të Kapos, në vitin 1991, u ndodh i papunë mes “turmës” së të “hallakaturve” që nuk dinin ç’të bënin. Duhej gjetur një rrugë për të jetuar apo për të fituar “kohën e humbur” apo për t’u bërë dikushi. Secili për arritjen e një qëllimi të caktuar. Midis tyre ishte edhe Skënderi që i “rezistonte” nxitimit. Në këtë “turravrap”, kishte edhe nga ata që me qëllim apo pa qëllim, gabimisht apo me të drejtë, rrëmbenin edhe atë që nuk u takonte... Skënderi, dukej sikur ishte jashtë “gare”. Babain e tij Kapon, e kishte gjallë dhe çdo porosi të tij, e kishte të regjistruar: “Gjithçka me nder e drejtësi, pa bujë e pa i rënë në qafë askujt”! Secili mori një drejtim të caktuar dhe kishte edhe nga ata që “pengoheshin” e “ngriheshin” kishte edhe nga ata që “pengoheshin” e nuk “ngriheshin”! Ishte viti 1991, fill mbas ndërrimit të sistemit, si kudo edhe në fshatrat e Gramshit ndiheshin mungesa. Midis tyre, ndihej edhe mungesa e kripës. I lutet një kolegut të tij që të shkonin në Vlorë e të ngarkonin një makinë kripë. Ashtu bëri. E çoi në fshatrat e thellë Kukur e Rashanj, dhe ua ndau fshatarëve. “Këtë makinë me kripë, e keni nga unë, më vonë shohim e bëjmë”! E bëri të mirën e parë Skënderi dhe e hodhi në fshat! Fshati, ashtu si “deti”, nuk ja harrojnë. E njihnin të gjithë zemrën e tij qysh kur për shumë vite punoi në ish-Komitetin Ekzekutiv kur punonte sipas porosive të babait të tij. “Të kesh ku të shkosh, është shtëpi, të kesh kë të duash, është familje”. Shtëpia e tij ishte në çdo fshat. E njihnin zemrën e madhe të këtij punëtori të palodhur. Skënderin në këtë kohë do ta gjeje atje ku kishin nevojë bashkëfshatarët e tij, në furnizimin me dru zjarri, apo në tregtinë me frigoriferë që familjet kishin aq shumë nevojë. Rropatej gjithë ditën në punë për pak të ardhura me djersën e tij. Me të drejtë në Gramsh, thonë: “Skënderi gjithmonë gjumin e ka bërë të qetë, buzëqeshja nuk i është hequr kurrë nga buza, qetësia e tij ka “folur” gjithmonë, xhepi i tij “i shpuar” gjithmonë për hallexhinjtë. “Kur kanë të tjerët, kam edhe unë””. Viti 1994. Aty, në hyrje të spitalit të qytetit, hapën një kioskë që u shërbente të afërmve të të sëmurëve. Shumë prej tyre, nuk kishin të paguanin por Skënderi, nuk e “thyente” zemrën. Fitonte vetëm mirënjohje. Nga fundi i këtij viti, krijon firmën e ndërtimit “Liseci”. Me detyrën “Mjeku pa kufi”, mbas disa viteve punë të suksesshme në Libi, në zonën e Elbasanit, vjen francezi, Zhan Lyk, me profesion arkitekt. Të dyve me Skënderin, sikur ju puq edhe muhabeti, edhe puna që bënin në shërbim të shoqërisë. “Njëri “Mjek pa kufi”, tjetri “Human pa kufi””, do të shprehej francezi Zhak mbas dy viteve njohje e punë të përbashkët. Zhaku investonte në tendera, Skënderi bënte ndërtime. Sa herë Zhaku do të vinte në Gramsh, Skënderi do ta trajtonte derisa ai krijoi familjen e tij me një vajzë nga Elbasani. Kishin edhe një tjetër cilësi të përbashkët. Francezi, ishte i biri i një biznesmeni të fuqishëm në Francë. E ndihmoi babai i tij derisa mbaroi arsimin e mesëm. Në vend të parave për të vazhduar shkollën e lartë, i dha një kazmë dhe një lopatë. “Puno, nxirr para dhe të bëhesh për veten tënde. Nga unë, mos shpreso asgjë, siç nuk kam shpresuar unë nga babai im dhe ja tek jam. Kështu do të bëheni edhe juve... Erdhi koha për të vazhduar shkollën e lartë dhe përsëri babai i tij i dha një kazmë dhe një lopatë. Kjo më bëri që unë t’i futem punës me forcat e mija. Sa më shijon paraja kur e nxjerr me punën time. Këtë, e kam vënë “vëth në vesh”, do të shprehej Zhaku. Atje ku ishin shqetësimet më të mëdha për shëndetësinë, atje do të gjeje edhe “Mjekun pa kufi”, atje do të gjeje edhe “Humanin pa kufi”! Brenda një kohe të shkurtër, do të rikonstruktoheshin të gjitha qendrat shëndetësore e spitalet, do të ndërtoheshin shkolla dhe do të bëhej rikonstruksioni i disa të tjerave. Rikonstruktoi shkollën “Rilindja” të qytetit dhe ndërtoi nga themelet shkollën e re në fshatin Tërvol. Rikonstruktoi spitalin e qytetit Gramsh dhe atë infektiv, spitalin në Porocan dhe ambulancën në fshatin Kishtë, e në fshatra të tjerë. Ndërtoi qendrën shëndetësore në Hotolisht të Librazhdit. Nuk e rëndojnë vitet e moshës aq sa i “rëndon” por edhe e “rinojnë” mirënjohjet e shumta që kanë mbushur “xhepat” e tij, që i kanë mbushur zemrën, që i kanë mbushur shtëpinë e kanë mbushur “pafundësinë” këtij bamirësi. E megjithatë, nuk është pa një të keqe. E “keqja” është që nuk ka shok si veten apo ka ndonjë, por kush e di ku ndodhen ata.