Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Fillon procesi gjyqësor ndaj Izet Haxhisë, nisin telashet për Sali Berishën, Prokuroria kërkon thirrjen e dëshmitarëve përfshirë ish-kryeministrin, Ylli Rakipin...

Fillon procesi gjyqësor ndaj Izet Haxhisë, nisin telashet për
x

Opinion / Editorial

Berisha akuzon për vrasje pa qëllim, Monika me dashje pushkatim

Berisha akuzon për vrasje pa qëllim, Monika me dashje pushkatim

Shqiptarët edhe pse kanë kaluar javë nga fatkeqësia që përfshiu Shqipërinë nga tërmeti që rrafshoi jetën në një sipërfaqe të konsiderueshme dhe shkaktoi 51 viktima, lëndoi 1000 qytetarë dhe shkatërroi mijëra banesa, paralizoi tërë jetën e vendit, janë ende të tronditur dhe me mendjen nga ajo që ngjau. Familjarët që patën viktima, jetojnë orë e çast nën peshën e dhimbjes dhe tmerrit pasi iu mungojnë të afërmit. Këtë humbje nuk mund t`ua kompensojë askush. Aq më pak ata që akuzojnë e denoncojnë në emër të mllefit. Po edhe më e rëndë u bëhet dhimbja edhe më shumë u ngjallen kujtimet për jetët e humbura, nënat, baballarët, fëmijët, djemtë e vajzat, nuset e mbesat, sa herë politika gërvisht thellë plagët. Të bëhet trupi mornica, kur kërkon dikush të bëjë politikë me fatkeqësinë e atyre që e pësuan nga tërmeti shkatërrues që nuk kurseu asgjë deri te jetët e njerëzve që i mbuloi nën rrënoja. Aktualisht jemi në një faze ringritjeje dhe rindërtimi për të rikuperuar atë që la pas tërmeti shkatërrues. Po kjo nuk është e lehtë. Edhe më shumë e vështirëson gara për përfitime politike. Ditët post tërmet, ashtu siç hapën plagë të rënda sollën mes nesh edhe solidaritetin dhe mbështetjen e të gjithëve, të atyre pranë dhe shteteve të largëta, që vepruan sikur fatkeqësia tu kishte zënë portën e tyre. Fillimisht edhe politika shqiptare u gjet e tulatur. Heshti vetëm për dy-tre ditë. Më pas nuk duroi. Secili në bunkerin e vet të partisë nisi të akuzoi e të bëjë gjyqe politike për të gjithë ata që nuk e ndalën tërmetin dhe veçanërisht qeverinë, e cila sipas tyre është përgjegjëse kryesore që nuk i parapriu pasojave dhe sot nuk e menaxhon ose i menaxhon në mënyrë skandaloze pasojat e tërmetit. Në këtë konkluzion subjektivist arrihet pasi ende nuk ka një faturë financiare dhe bilanc të saktë për dëmet e shkaktuara. Të dyja në realitet kërkojnë kohën e tyre pasi nuk mund të vlerësohet asgjë nga zyrat pa shkelur pëllëmbë për pëllëmbë, banesë për banesë në të gjithë sipërfaqen, ku janë dëmtuar pronat e qytetarëve tanë. Kjo nuk arrihet ekspres edhe pse në terren vepruan grupe specialistësh, tanët dhe të huaj, të cilët kanë përvojë të jashtëzakonshme, pasi i kanë përjetuar dëmtime të tilla në shtetet e tyre. Bilanci përfundimtar nuk është një lëvizje sprinti, po kërkon studime dhe përllogaritje të sakta, se ndryshe, ata që sot u frynë borive të akuzave do bëjnë të njëjtat akuza për papërgjegjshmëri ekstreme të shtetit, i cili ia futi kot dhe nuk arriti të kryente detyrën. Nëse do bëheshin përllogaritje për më pak do thonin i selektuan, përjashtuan hallexhinjtë. Nëse llogariteshin vlera më të larta do akuzojnë se kërkojnë të vjedhin taksat e shqiptarëve dhe të huajve. Vështirësitë në terren, volumi i stërmadh i punës, kanë bërë që bilanci i shkatërrimeve dhe shuma që nevojitet për financimin e përballimin e rindërtimit të kalojë në shumë filtra e të jetë sa më reale. Për t`i dhënë një dimension të ri, të gjithanshëm, qeveria mori së fundi edhe vendimin për ngritjen e ministrisë së posaçme, Ministria e Rindërtimit. Dhe ministër të ngarkuarin e Komitetit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj. Në realitet kjo është struktura që do merret direkt me menaxhimin e situatës. Në realitet ministër i Rindërtimit është tërë qeveria, hallkat që kanë detyra të ngjeshura në zinxhirin e stërmadh të përballimit të pasojave katastrofike. Lajm i mirë është edhe vendimi i BE-së për tu mbledhur në Tiranë në konferencë ndërkombëtare për përballimin e pasojave të tërmetit, e cila emërtohet “Konferenca e Ndihmës për Shqipërinë” për të kapërcyer pasojat. Ky është lajmi më i rëndësishëm post tërmetit, duke zbutur, jo vetëm dhimbjen shpirtërore, po edhe atë financiare për portofolin e vogël të vendit tonë. Po ç`po ndodh me politikën dhe politikanët këto ditë? Seç ka një garë për të mbytur çdo optimizëm dhe atë pak shpresë dhe për t`i vënë minat çdo entuziazmi dhe besimi. Pas ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili fillimisht e gjeti shkakun e tërmetit, si papërgjegjshmëri të Edi Ramës me ndërtimet te “Syri i Kuçedrës” dha pretencën se ajo që ngjau është vepër e qeverisë dhe Ramës, si vrasje pa qëllim, një tjetër politikane, binjakja e PD-së në opozitë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e konvertoi në pretencë dhe shkoi shumë më larg me deklaratën nga ekrani i televizionit se tërmeti nuk vrau. Vrasjet nuk janë aksident natyror, fenomen nga zoti, po vepër e qëllimshme e qeverisë. Vrasës është Rama! Në ndryshim nga Berisha, Monika thelloi pretencën, e cilësoi vdekje jo nga fatkeqësi natyrore, po fiks vrasje nga qeveria qëllimisht. Si kurdoherë Kryemadhi vë pikat mbi “I”. Gjen ekzaktësisht, jo ato që kanë ndodhur, po edhe ato që mund të ngjajnë në vitet që vijnë. Ajo është origjinale në çdo gjetje. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ajo është një hap para të gjithëve në cilësimin e vdekjeve nga fuqi të mbinatyrshme në pushkatim me dashje. Sipas kësaj logjike po nuk do donte qeveria nuk do kishte viktima. Po të dëgjohej Meta nuk do ndodhte as tërmeti. Po le të vijmë të akuza e Monikës. Kuptohet të akuzuarit si vrasës direkt me qëllim bëhet nga një zonjë që edhe më parë në strategjinë e të bërit politikë, ka avancuar kilometra para të tjerëve. Kur ka dashur të emërtojë e cilësojë tradhëtor, vrasës të qëllimshëm apo vrasës me pagesë kundërshtarët politikë. Nuk është se Kryemadhi nuk e di që viktimat janë pasoja të tërmetit të tmerrshëm dhe nuk ka si të mbroheshin nga qeveria apo Rama. Njëherësh edhe nëse këtë akuzë e bën simbolikisht, duke iu referuar masave para e pas tërmetit të shtatorit apo ndërtimeve pa kriter, duhet të hedhë paksa vështrimin nga vetja. Shumë nga ndërtimet që u shembën i takojnë viteve të shkuara. Në thesin e madh të fajësisë është edhe partia e saj, ajo e para që ka mbyllur sytë dhe ka lejuar ndërtime pa kontroll. Këtu nuk është puna të ndahet përgjegjësia. Po të lihet prokuroria të kryejë detyrën dhe të ngrejë akuza bazuar në legjislacion të provuara e argumentuara në terren nga vëzhgimet e banesave dhe gjithçka tjetër dhe pastaj të vendosë deri ku arrin fajësia. Nëse ka faj Rama le ta mbajë. Nëse janë kryetarë bashkie, le të ndëshkohen bashkë me inxhinierë e urbanistë, që kanë mbyllur sytë para veprimeve të papërgjegjshme për qindarka kanë toleruar në mënyrë flagrante ndërtime që mund të binin edhe nga suferina. Po kjo nuk i takon një viti apo pesë viteve. Toleranca dhe babëzia ka tri dekada që është në shtëpinë e vet tek ne në fushën e ndërtimeve. Ajo çka të habit është lehtësia me të cilën bashkëshortja e presidentit, kryetarja e LSI-së, Kryemadhi akuzon, jep pretencën për një vepër penale shumë të rëndë. Duhet të jesh vërtet e mbushur me urrejtje për kundërshtarët politikë, e informuar nga alienët ose e painformuar fare që të bësh kaq lehtësisht akuza që shkojnë shumë larg realitetit. Ka mijëra mangësi që shfaqen post tërmetit dhe mund të gjenden problematika që të godasësh qeverinë. Po të akuzosh ditën për diell se viktimat e tërmetit, janë vrasje me dashje e Edi Ramës, vetëm Monika e LSI-së mund t’i dijë. 

Nga Bardhyl BEJKO