Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Fillon procesi gjyqësor ndaj Izet Haxhisë, nisin telashet për Sali Berishën, Prokuroria kërkon thirrjen e dëshmitarëve përfshirë ish-kryeministrin, Ylli Rakipin...

Fillon procesi gjyqësor ndaj Izet Haxhisë, nisin telashet për
x

Opinion / Editorial

Berisha, diferenca mes moshës fizike dhe asaj biologjike

Berisha, diferenca mes moshës fizike dhe asaj biologjike

Sapo ka nisur nga puna komisioni i verifikim-testimit nga pesëshja e famshme, krijesa më re e PD-së që shitet si çelësi magjik për ardhjen në pushtet, sikur gjithçka të arrihej prej tyre dhe nga produkti që do rezultojë në përfundim të shoshitjes të figurave për ata që do mbeten mbi sitë dhe të tjerët që do bien në gropën e zezë, interesimi më i madh është: Cili do jetë fati i Berishës në zgjedhjet e ardhshme? Do jetë në listën e deputetëve apo do largohet me përdhunë a marifet me detyrim nga komisioni? Referuar deklaratës së komisionerit Genc Ruli, disa herë ministër dhe me pozicione të rëndësishme në PD prej tri dekadash, pas një pauze të shkurtër, thirrur në skenë nga vendimmarrësit e partisë se, e ardhmja e Sali Berishës është e përcaktuar nga lavdia e tij prej shumë vitesh në krye të partisë dhe në kulmet e pushtetit që nga presidenca deri tek kryeministër, se ai e ka bërë epokën e vet me arritjet dhe atë që i ka dhënë partisë dhe vendit, la të kuptohet mes rreshtave se mund të ketë një largim të butë të tij nga skena politike, duke mos u përfshirë në listat e kandidatëve për deputetë. Dhe për të gjitha i referohet moshës biologjike, atje tek të shtatëdhjetë e pesë viteve që mbanë mbi shpinë. Të jesh në këtë moshë dhe në politikë, nuk është ndonjë hata as risi shqiptare. Në botën e përparuar, shembulli më tipik është shteti me demokracinë më të zhvilluar, SHBA, ku presidenti i tanishëm Trump, e ka kaluar me kohë moshën e Sali Berishës dhe është në krye të vendit më të fuqishëm të botës. Askush nuk ia ka përmendur ndonjëherë moshën e thyer, as kundërshtarët as të vetët, bile këtë e vlerësojnë, si vlerë dhe përvojë. E kanë anatemuar për vendimet dhe direktivat që ka dhënë, pozicionet që ka mbajtur në politikën e brendshme dhe atë të jashtme, po kurrë nuk i kanë përmendur vitet e jetës biologjike. Edhe pse shtatëdhjetë e pesë vite, Trump, është aktiv si të ishte në moshën e rinisë. Në këtë kuptim nuk është mosha që të nxjerr në pension kur je në politikën aktive. Shembulli i Alfred Moisiut që u bë presidenti i vendit afër të tetëdhjetave dhe ajo që ai arriti të bëjë, përkushtimi, ndershmëria që tregoi dhe kompetenca që shfaqi, krahasuar me tërë të tjerët para tij, në marrjen e vendimeve dhe qëndrimin mbi palët, flet shumë qartë se, mosha biologjike kurrë nuk është përcaktuese as pikë referimi apo etalon për vlerësimin e figurave politike. Kufirin ndarës e vendos personaliteti individual. Mund të jesh i ri, po me gjykime të tejkaluara. Mund të jesh i fortë fizikisht, po nuk ke asnjë vlerë si politikan. Në i kemi provuar të gjitha ekstremet dhe kemi një bilanc krahasimi. Ajo që i ndan politikanët në aktivë e pasivë nuk është mosha. Janë qëndrimet, sjellja e tyre, pjekuria dhe maturia, ekuilibri, ndershmëria, kultura, vetëpërmbajta që reflektojnë në momente të rëndësishme, pika kthese historike, gjatë qeverisjes apo sundimit të tyre në krye të piramidës shtetërore apo ekzekutivit. Berishën e kemi njohur në shumë pamje. Mjek i njohur. I aftë deri në ekstrem. Mjeshtër i kardiologjisë, në të cilën bëri epokë dhe solli në Shqipëri metodat shkencore e bashkëkohore të koreonografisë. Shumë pacientë shqiptarë shkurtuan rrugët dhe pakësuan shpenzime për të ikur larg në shtetet perëndimore për një analizë shkencore përmes teknologjisë në vitet e vështira tetëdhjetë, kur dalja nga vendi ishte një pamundësi dhe shumë prej pacientëve iknin nga kjo botë pa kuptuar shkakun e sëmundjes. Dhe këtë Berisha e arriti në perfeksion. Ishte Doktor Profesor Berisha që e shikonin me dashamirësi dhe vlerësim maksimal të gjithë ata që patën fatin të kalojnë nga duart e tij si mjek. Unë, njoh rastin e familjarit tim, doktor Halim Poda kur u sëmur nga zemra dhe Berisha me një qetësi olimpike dhe përkushtim maksimal e trajtoi si jo më mirë dhe i evidentoi koronaret e dëmtuara ashtu siç dolën edhe në një nga spitalet më të famshme të Europës kur shkoi për operacion. Po mjeku dhe politikani Berisha ndryshojnë shumë. Edhe pse i njëjti person, pas 1990-ës kur Sali Berisha mori në dorë timonin e Shqipërisë, problemet dhe bëmat që shpalosi, karakteri që shfaqi, bajraktarizmi që zbatoi nuk kanë të numëruar. Ai ka qënë në krye të vendit në momente shumë të rëndësishme kur Shqipëria kishte mbetur me hambarët bosh. Po edhe kur piramidat dhe paratë duket sikur rriteshin në pemë pa kufi. Kur ra shteti dhe u shkërmoqën institucionet që nga ato të sigurisë deri tek repartet ushtarake dhe kazermat e depot e rëndësisë së veçantë, u bënë pre e hajdutëve dhe krimit të organizuar. Kur armët shqiptare morën botën dhe në çdo shtëpi u krijua një mikro repart i armatosur, ku me mijëra të rinj humbën jetën, vetëm si rezultat i neglizhencës së shtetit nën drejtimin e Berishës. Berisha, arriti shumë kulme negative gjatë karrierës së tij politike. Mjafton të kujtojmë zgjedhjet e vitit 1996 kur vota u vodh dhe administrimi i saj u bë baltë nga falangat e SHIKUT dhe njerëzit e armatosur. Nuk mbahen mënd asnjë palë zgjedhje të jenë kryer në rregull sipas kërkesave të ligjit zgjedhor. Sikur të mos mjaftonte vjedhja e votës në qendër të Tiranës, në sheshin historik “Skënderbej”, u goditën pa mëshirë opozitarët, u rrahën kryesuesit e opozitës së kohës. U gjakosën fituesit realë të pushtetit, që Berisha ua mori me përdhunë përmes makinerisë të shtetit që komandonte. Në kulmin e krizës politike, kur vendi ishte nën sundimin e krimit dhe bandave, u rizgjodh president edhe pse shteti kishte mbetur vetëm në disa kilometër katror rreth Presidencës. Ngjarjet e rënda erdhën duke u shtuar. Deri në gjakderdhjen në Gërdec, që mund të cilësohet pa asnjë ndroje krim shtetëror. Vijuan me pushtimin e institucioneve, Kryeministrisë, ministrive dhe televizionit kombëtar përmes grusht shtetit real në1998. U shoqëruan me vrasjet në bulevardin para Kryeministrisë, ku katër protestues, u vranë si të ishin jo qenie njerëzore, po kafshë në gjueti. Ende edhe sot askush nuk është dënuar për këto bëma rrëqethëse. Në prag zgjedhjet e vitit 2013 në një kohë kur në krye të ekzekutivit ishte ai, arkitekti i zhvillimit të zgjedhjeve, frymëzuesi i demokratëve, pas largimit të LSI-së mbeti pa kuorumin e domosdoshëm të deputetëve, manovroi duke marrë në gjirin e Partisë Demokratike tre nga deputetët socialistë, të cilët më parë kanë qënë të anatemuarit e tij, po që e shpëtuan nga rënia e sigurtë nga pushteti, fare pak pranë zgjedhjeve të përgjithshme. Dorëheqja e vitit 2013, krijoi iluzione se Berisha do tërhiqej nga skena aktive e politikës, si gjithë politikanët modernë që pas humbjes marrin xhaketën dhe shkojnë në shtëpi për të kryer punë të tjera. Kështu ka ndodhur në tërë këto vite me udhëheqësit e përgjegjshëm që me veprimin e tyre mbeten ikona të shoqërisë dhe fitojnë admirimin e tyre pasi dinë të tërhiqen në kohën e duhur me dinjitet dhe prestigj. Nuk është turp të humbasësh zgjedhjet. Nuk është fund i botës të largohesh nga vija e parë e politikës dhe të qetësohesh, duke u bërë këshilltar i tërë shoqërisë për të dhënë përvojën tënde të gjatë. Krim është të bësh edhe pas ikjes liderin faktik, të qëndrosh si skifter në majë të kullës, atje në zyrat luksoze dhe të përcjellësh opinionet e njeriut dixhital, i cili të dërgon mashtrime e gënjeshtra, të cilat i beson dhe ua transmeton shqiptarëve, duke i shokuar për bëma të paqëna dhe ekstremisht të pavërteta. Krim është të bësh kryetarin e partisë dhe udhëheqësin pa kurorë edhe pse ke dorëzuar vulën dhe nuk ke të drejtën e firmës, po që imponohesh, duke lënë në hije drejtuesit aktualë, të cilët kurrë nuk bëhen trima dhe burra të ecin me këmbët e veta. Pikërisht, kjo situatë kur komisionerët që janë produkt edhe i mendimit të Berishës, janë duke përzgjedhur kandidatët, duke kaluar në sitë mbi tremijë persona nga Vermoshi në Konispol, detyrë që siç e tha Besnik Mustafaj do zoti ta kryejnë faqebardhë. Po foleja e grerzave u provokua nga Ruli me deklaratën që bëri për të ardhmen e Berishës si deputet aktiv. Edhe pse mbi politikanin Berisha ka një mal me kusure, ai është primati i kësaj partie që e lindi dhe e rriti e drejtoi dhe e shpuri në fitore më shumë se njëherë edhe pse me shumë përpjekje dhe pengesa, shumica prej të cilave fryt i drejtimit amatoresk apo si burrë zakoni. Po Ruli, besoj se gabon për nxjerrjen në pension të Berishës. Ai është individi që këtë e vendos vetëm ai dhe askush tjetër për vetë potencialin që zotëron dhe mbështetjen tek militantët që vlerësojnë Berishën sa pesha e tërë të tjerëve që drejtojnë sot partinë opozitare. Pastaj Berisha nuk është pengesa e PD-së për të ardhur në pushtet. Ai nuk është gogoli që tremb shqiptarët pasi votuesit shqiptarë nuk janë aq të pamençur sa të barazojnë gjithë politikën me një individ, qoftë ai edhe Berisha. Pastaj cili do ishte ndryshimi nëse do ikte vërtet nga mesi Berisha në PD dhe lidershipin e saj? Themelore nuk është ikja fizike nga mesi i Sali Berishës. Ai nuk është strumbullari i të këqijave dhe ikja e tij nuk është baras me largim të virusit. Nuk është fitore e sigurtë as mburrje për Bashën se e largoi më në fund. Kryesore mbetet largimi i berishizmit si frymë, si epokë, stil dhe strategji, model, filozofi dhe drejtim. Nëse shikon sjelljen e më të rinjve në këtë forcë politike, po edhe në opozitën në përgjithësi të gjitha janë nga pak Berishë, në shumicë janë në miniaturë Berisha në veprim. Secili kur bën deklarata në ekranet e televizioneve përpiqet ta imitojë në fjalor, gjestikulacion në simbolika nga Basha deri tek më të fundit rishtarë, ardhur si të freskët në këtë forcë politike të cilët imitojnë motamo mënyrat e të bërit politikë, atin shpirtëror, Berishën. Po nuk është vetëm Basha fotokopje e liderit historik. Të njëjtën formë merr edhe Paloka, Spaho, Tabaku, Çupi, Ndoka, deri edhe analistët që e kanë për zemër. Pa folur për presidentin, i cili edhe ai shfaq berishizëm, duke qënë i preferuari i tij. Gjithë të tjetër të cilët kujtojnë se bëhen interesantë që fyejnë dhe shajnë. Kërcënojnë e akuzojnë, denigrojnë me rrënjë deri tek i fundit i fisit. Mjafton të bëhen të ngjashëm me Berishën në konceptimin dhe sqarimin e realitetit të vend. Të duken kockë e fortë, burra tradite. Të gjithë në PD janë nga pak Berishë. Dhe nuk është mosha përcaktuese për të krijuar vijën ndarëse mes tyre dhe babait shpirtëror, idhullit që e ndjekin pas si të ishte Mesia në strukturat drejtuese të partisë. Në këtë kuptim, është iluzion i kotë, largimi fizik i Berishës nga politika. Dhe komisionerët kot bëjnë të pavarurin. Vetëm këtu nuk mund të jenë të paanshëm! Edhe nëse ikën, e seleksionon Ruli, pas mbetet simboli i tij, hija, mendimi dhe mënyra e të bërit politik. Atëherë më mirë të mos ikë fare. Me Berishën e pa të, po me berishizmin në mes të politikës opozitare, zor të ketë ndonjë ndryshim të madh dhe të paqtohet shoqëria shqiptare. Pastaj Berisha nuk është strumbullari i çdo të keqeje. Nuk është magneti çudibërës që mbledh rreth vetes tërë të këqijat e shoqërisë. Opozita ka mes vetes shumë probleme, individë dhe fenomene ashtu siç kanë tërë partitë politike në Shqipëri edhe mazhoranca socialiste. Dhe pastrimi i politikës nuk bëhet vetëm me ikjen e një individ qoftë ai Berisha, Basha, Meta, Monika apo Rama. Ndryshimi nuk nis nga individi sado i famshëm dhe i rëndësishëm qoftë ai. Ndryshimi bëhet me operacione të thella që nisin nga rrënjët dhe jo nga lastarët apo fletët e pemës politike. Tek e fundit, Berisha ka mbi vete edhe shumë arritje që nuk mund t`i mohohen dhe krahasuar me disa mburracakë dhe aguridhë që bëjnë korifeun në PD, që i kanë dhënë kësaj force politike, rolin e humoristit në jo pak raste, duke e bërë qesharake përmes videove, montazheve, shpifjeve dhe skenarëve të shkruar keq, i kanë bërë po aq dëme të ardhmes së partisë. Ndryshimi vjen, duke larguar prej saj gjithë ata që në këta tridhjetë vjet kanë bërë ç’kanë dashur vetë. Kanë korruptuar. Janë pasuruar. Kanë propaganduar arritje të mëdha kur populli shqiptar ende ka mbetur xhepashpuar e fukara.