BREAKING NEWS

Maturantët çohen në protestë para Qendrës për Shërbimin Arsimor, reagon 'flakë për flakë' ministrja Evis Kushi, tregon vendimin që pritet

Maturantët çohen në protestë para Qendrës për
x
BREAKING NEWS

Priten zhvillime të rëndësishme! Socialistët mbledhin sot Kongresin e jashtëzakonshëm në stadiumin “Air Albania”, rizgjidhen strukturat. Zbardhet e gjithë axhenda

Priten zhvillime të rëndësishme! Socialistët mbledhin sot
x
BREAKING NEWS

“Për të gjithë ata që i japin PS diçka sado të vogël”, Rama del me mesazhin e fuqishëm për të gjithë socialistët

“Për të gjithë ata që i japin PS diçka sado
x
BREAKING NEWS

PS mbledh sot Kongresin, paralajmërohet furtunë në parti dhe në administratë, emrat me më shumë vota drejt katapultimit në qeveri

PS mbledh sot Kongresin, paralajmërohet furtunë në parti dhe
x
BREAKING NEWS

Shantazhet e Berishës ndaj SHBA për të marrë PD, blof për të rritur pazarin, deputetët demokratë kundër rikthimit të tij

Shantazhet e Berishës ndaj SHBA për të marrë PD, blof
x

Opinion / Editorial

Berisha korri e shiu për 30 vjet pa e ditur çfarë e pret

Berisha korri e shiu për 30 vjet pa e ditur çfarë e pret

Miti i gjeniut të së keqes ra. Lajmi dritësjellës i 19 majit, është kambana e alarmit për të gjithë politikanët, shtetarët, drejtësinë dhe median e korruptuar, se në truallin shqiptar nuk ka më individë apo institucione të paprekshme dhe të pandëshkueshme, që janë kthyer në idole të periudhës 30-vjeçare të shkatërrimokracisë dhe kriminalokracisë demokratike. Kur u dëgjua deklarata bombë e DASH, nëpërmjet Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, për shpalljen “non grata”, të Sali Berishës dhe suitës së tij familjare përfshirë bashkëshorten, djalin dhe vajzën e tij, ishte një sihariq që ngjall shpresë tek ajo pjesë e popullit që duan Shqipërinë më shumë se partinë, ndryshe nga disa militantë që aderojnë e përfitojnë benefite të pamerituara. Akuzat ndaj ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Berisha, janë të njohura për opinionin e publikut shqiptar, të publikuara në mediat e shëndosha dhe të pakompromentuara nga korrupsioni dhe krimi, por që ishin kthyer në një ritual të mërzitshëm që kishin humbur vitalitetin ndërgjegjësor të popullit, për shkak të pandëshkueshmërisë. Tabloja e krimeve të Sali Berishës është një odise që nis qysh me marrjen e pushtetit në 1992 duke shkatërruar gjithë pasurinë kombëtare dhe vazhdon me tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 vetë të pafajshëm, 21 janari i 2011, ku u vranë 4 demonstrues në mes të bulevardit duke i soditur Berisha nga dritaret e kryeministrisë dhe Basha nga ballkoni i Ministrisë së Brendshme, 1997 me viktimat e panumërta që shkaktuan firmat piramidale dhe 1998 me dështimin e grushtit të shtetit, si dhe aferat konvejer me CEZ, Rrugën e Kombit dhe shitjen e armëve dhe naftës regjimit gjakatar të Millosheviçit, duke thyer dhe embargon që vuri SHBA, shitje e 344 km2 det Greqisë, e shumë të tjera që i kam shkruar e publikuar te gazeta “SOT” për më shumë se 20 vjet. Veçanërisht një paraqitje kronologjike e kam bërë në shkrimin titulluar “Bilanci i bëmave të bajraktarit Berisha” botuar te gazeta “SOT”, jo shumë larg para një muaji më datën 21 prill, ku analizoj gjithë bëmat e tij monstruoze. Opinionet dhe qëndrimet e miqve dhe shokëve të mi nga e majta dhe nga e djathta kanë qenë kontradiktore. Dikush më thoshte pse lodhesh kot se ata s’duan të dinë për shkrimet e gazetave e dikush tjetër më dashamirës më këshillonte: “mendo dhe për vete”, se ky vend nuk ndreqet, ka marrë rrugën e humnerës. Unë kam ecur në trasenë time, me mendimin se intelektuali i ndershëm nuk duhet të heshtë para të këqijave që kanë pllakosur shoqërinë tonë të sëmurë. Deklarata e DASH, ishte një qetësim i ndërgjegjes për të gjithë ata që kanë thënë të vërtetën pa kompromis. Ky lajm sensacional ngjalli shpresë te shqiptarët e ndershëm, por të deziluzionuar se Shqipëria do bëhet, me ndihmën e aleatit tonë strategjik dhe shpirtëror, shpëtimtarit, SHBA. Drejtësia nuk vendoset me juristët berishian të plepave, por me funksionimin e SPAK-ut, që do i bëjë radioskopinë çdo politikani të korruptuar, pavarësisht nga emri apo përkatësia politike, i majtë apo i djathtë. E rëndësishme është që të vendoset drejtësia mbi themele të forta dhe terapia e korrupsionit të zbresë në mënyrë kapilare nga qeveritarët e pushtetarët e lartë te kryebashkiakët e rretheve që kanë shirë për 30 vjet sa majtas djathtas. Kjo pasuri është e popullit, që një pjesë e mirë lëngon e noton në varfëri të tejskajshme. Në rast ndëshkimi i klasës politike që ka drejtuar Shqipërinë në vitet e demokracisë do reduktohet te shpallja “non grata” e disa zyrtarëve të lartë për të mos udhëtuar për në SHBA, atëherë do kemi të bëjmë më një komedi që do sjellë vetëm fatkeqësi. Berisha dhe sozitë e tij, janë lodhur duke shkuar në Amerikë me dhjetëra herë me fëmijë, me nipër e mbesa, saqë u është mërzitur Amerika. Pushtetarët e lartë notojnë në pasuri. Me tentakulat e pushtetit, ata Amerikën e kanë ngritur në gjithë trupin e vendit, duke filluar nga Tirana, te Gjiri i Lalzit, Durrës, Vlorë, Himarë e mbyllin ciklin në Sarandë. Populli shqiptar, këto histori i di dhe i ka parë. Shpallja “non grata” e familjes Berisha, duhet jetë kambanë alarmi për të gjithë shtresën e politikanëve të korruptuar. Reagimet kanë qenë gjithëplanëshe. Më ka lënë shije të keqe një profesor që del për natë në studio te emisioni Çani, ku lulëzon prostitucioni e megalomania, që shprehu keqardhje që doktori ia besoi drejtimin e partisë Bashës, kur tha ai: “mendoj se partinë doktori duhej t’ia linte Argitës, siç bëri Iliri, që ia la Monikës”. Një gjykim i tillë e thënë nga një profesor që ka studiuar jashtë shtetit në një studio publike është fatkeqësi për këtë shoqëri të ashtuquajtur demokratike. Publikimi i DASH, ka ngjallur reaksion te shumë politikanë, moderatorë televizionesh, gazetarë militantë, opinionistë oportunistë, ish-ambasadorë me këmborë të kohës së komunizmit, që kanë një dashuri të verbër për Berishën dhe që admirimin e tyre nostalgjik, nuk e sundojnë dot me arsye dhe pasionet e tyre dalin ekstremisht, saqë akuzojnë SHBA dhe Ambasadoren Yuri Kim, etj., se po iu nëpërkëmbin liderin e tyre historik. Berisha ka qeverisur me dorë të hekurt jo vetëm kur ka qenë në pushtet, por dhe në opozitë. Ai, ka nxitur dhunën, shantazhin dhe përmbysjen e pushtetit me mjetet e violencës, duke përdorur si instrument Partinë Demokratike, që e drejton dhe sot pas kuintave, duke nxjerrë në skenë spikerin Basha. Kjo parti qysh nga krijimi i saj është drejtuar nga Berisha me filozofinë e shkatërrimit, korrupsionit dhe krimit ndaj kundërshtarit politik. Sofokliu shkruan se: “Nuk ka shtet atje ku sundon një njeri”. Lëvizja që ka nisur te Partia Demokratike, për ta reformuar atë rrënjësisht ka shansin që të ndryshojë filozofinë e drejtimit dhe të fusë frymën demokratike në të gjitha qelizat e këtij organizmi politik. Në rast se do ndalet vetëm te ndërrimi i liderit, ajo nuk do mund dot të operojë kancerin e autokracisë që i ka zënë frymën prej 30 vjetësh këtij subjekti politik. Sado i fortë të jetë lideri dhe partia që drejton, po nuk sundoi ligji dhe drejtësia, nuk shëndoshet demokracia.