BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Opinion / Editorial

Berisha, ky Arturo Ui i “lulelakrës shqiptare”!

Berisha, ky Arturo Ui i “lulelakrës shqiptare”!

Kur qytetarët shqiptarë në shumicë, prisnin që në 25 prill të vinin një vizë të madhe mbi emrin e kandidatit për deputet, Sali Berisha, ky i fundit na shfaqet plot “nur e hijeshi” me deklaratën kontroverse për “fitoren” e tij më 22 mars të vitit kobzi 1992. Kuptohet, Arturo-Ui i “Lulelakrës shqiptare”, me emrin e vërtetë, Berisha, nuk mund të rrijë pa ëndërruar jo vetëm për fitoren e manipuluar të vitit 1992, por edhe për një fitore të rrëmbyer me forcë në 25 prill 2021.

1. Sali Berisha, deklaratën e tij, si gjithë deklaratat e tridhjetë viteve të “demokracisë” borgjeze, e nis me gënjeshtrën e fitores së “merituar” të 22 marsit 1992. Një vit më parë, dhe pikërisht me 31 Mars 1991, po ky Berishë, doli si pulë e lagur nga zgjedhjet e para pluraliste në vendin tonë, ku, megjithëse kishte në krah Rajersonin amerikan, mezi u fut në parlament, sepse zgjedhjet i fitoi PPSH, falë reputacionit të Enver Hoxhës, që edhe i vdekur, votohej nga 70 për qind e popullsisë. Po, si u arrit fitorja e 22 marsit 1991? Verdikti i popullit në zgjedhjet e 22 Marsit 1991, i cili ia dha votën PPSH në masën mbi 70 për qind, duhej përmbysur. Për këtë, Berisha, së bashku me mbështetësit e tij të reaksionit të jashtëm e të brendshëm, nuk lanë gurë pa lëvizur për përmbysjen e qeverisë, që doli nga këto zgjedhje. Me urën e zjarrit në dorë, ai dhe falangat e tij fashiste, arriti ta përmbyste qeverinë legjitime të vitit 1991, duke e detyruar të jepte dorëheqjen, dhe vendi të kalonte në një qeveri teknike. Por edhe këtë, Saliu me “trimat” e tij dhe me agjenturën që e mbështeste, e përmbysi dhe vendit iu imponuan zgjedhjet e parakohshme të 22 marsit 1992. Në prag të kësaj date, Kryetari i Partisë Komuniste, poeti revolucionar Hysni Milloshi, iu drejtua popullit shqiptar me këtë thirrje: “Popull shqiptar, mos i lidh sytë me shami të zezë para kutisë së votimit, se pastaj, as qyqja nuk do të mundet të vajtojë fatin tënd”! Mirëpo qytetarët shqiptarë nuk e dëgjuan këtë thirrje, sepse ishin “bombarduar” nga propaganda pd-iste me “Çekun e bardhë”, me anijet qe ishin plot me mall duke pritur në radhë, për t’u zbarkuar sapo Sali Berisha të vinte në pushtet, etj. etj. Në këtë propagandë në favor të Saliut, u fut edhe udhëheqja e PP, që tashmë ishte bërë PS, duke i transmetuar popullit si nën surdinë, “rrezikun e shkatërrimit të Shqipërisë”, nëse nuk fiton Berisha me PD. Ndaj le t’ia japim pushtetin, që të shpëtojmë Shqipërinë. Njëjtë me atë që veproi Lë Peni i Francës, sapo Hitleri hodhi dy predha nga topi i madh me kalibër “një metër”. Kjo ishte “fitorja” e Sali Berishës dhe klanit të tij politik, e cila u pasua më vonë me fitoren e 1996, kur vodhi me thasë votat; me 1997 kur dogji Shqipërinë, më 1998 kur bëri grushtin e shtetit, deri në vitin 2005, kur Nano u mërzit nga karrigia dhe ia dorëzoi Saliut, i cili e mbajti pushtetin me brekë nëpër këmbë, deri më 2013.

2. Mjerisht, Sali Berisha ishte anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë. Ky pozicion, nuk ishte meritë e bindjeve të tij ideologjike, por një “pedanë” për të ngjitur shkallët e karrierës, në fillim shoqërore e profesionale dhe pas “rekrutimit” nga agjentura ndërkombëtare edhe shkallët e karrierës politike. Sali Berisha e urrente sistemin socialist, sepse nuk donte ta pranonte meritokracinë. Gjithë jeta e tij fëminore e familjare, siç tashmë dihet, ka “udhëtuar” nëpërmjet smirës, intrigave, manipulimeve në punë, në shoqëri e më tej saj. Personat që luftojnë për t’u dukur dhe për t’u ngjitur në sferat e shoqërisë dhe pushtetit, bazë të ngjitjes së tyre kanë smirën, intrigën dhe sulmet rreth e rrotull. Dhe kur këto “cilësi”, zbulohen nga agjenturat e ndryshme, personi që i zotëron këto “cilësi”, bëhet objekt i pashmangshëm i rekrutimit.

3. Akuzat e Berishës, se Enver Hoxha e kishte çuar Shqipërinë në vendin e tretë më të varfër të globit, me të ardhura tek 204 dollarët për frymë dhe me 500 milionë dollarë borxhe të jashtme, janë pjesë e fjalorit shpifës të Berishës. Kur Enver Hoxha ishte në jetë, Shqipëria nuk kishte asnjë centim dollari borxhe. Rezervat e shtetit ishin të paprekura dhe me inflacion zero. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, në vitet 1985 deri në vitin 1990, kur ndodhi përmbysja e madhe, zëvendësi i Enver Hoxhës, Ramiz Alia, së bashku më Saliun dhe salinjtë e tjerë, që dolën nga skutat e agjenturave të afërta e të largëta, e kthyen “Lokomotivën e Socializmit” në dishezë, duke mbyllur fabrikat dhe kaluar në pagesën 80% të punonjësve pa punuar; futën në Arkën e Shtetit, bixhozin për të fituar dhe humbën rezervat në valutë, etj., përfshi dhe djegiet e sabotimet e hapura të viteve 1989-1990.

4. Sali Berisha, jo thjesht u favorizua të vinte në pushtet, por u udhëzua dhe u dërgua tek studentët, që krijuan PD, duke marrë postin e Kryetarit; U ndihmua të futej në zgjedhje me skuadronet e tij; U ndihmua edhe në “fitoren” e 22 marsit të vitit 1992. Këtë ndihmë, Ramiz Alia nuk ia dha Berishës thjesht për simpati, apo debulesë për aftësitë e tij, por se ashtu ishte “urdhri”, që Ramizi kishte marrë nga “Perestojka”, nga takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, Perez de Kuelar, përfshi dhe nëpunës të tjerë të lartë të DSHA, e gjer tek ambasadori amerikan Rajerson, që u bë ortak i flaktë i Saliut në “inkursionin” për shembjen e socializmit në Shqipëri.

5. Duke parë egon e Berishës për t’u dukur, për karrierë dhe për pozicion të lartë në shoqëri, në mënyrë të pashmangshme ka qenë objekt i agjenturave të huaja. Ka plot politikanë apo pushtetarë në botë, që për hir të ardhjes në pushtet, bëhen bashkëpunëtorë me armiqtë e vendit të tyre, ose marrin përsipër që kur të vijnë në pushtet, të realizojnë objektivat e këtyre agjenturave ndërkombëtare. Por Sali Berisha, është e sigurtë, përveç agjentit strategjik, që rekrutohet sot dhe vepron pas disa dhjetëvjeçarëve, ka qenë edhe agjent i drejtpërdrejtë, sidomos i “komshinjve” tanë në veri të vendit, domethënë i UDB-së. Kjo nuk ka nevojë të hetohet, sepse e ka vërtetuar vetë Saliu, me karburantin që i jepte kontrabandë Serbisë për të luftuar e vrarë boshnjakët dhe shqiptarët e Kosovës. Vërtetohet me qëndrimin armiqësor ndaj UÇK-së dhe eliminimin e disa prej figurave të saj dhe të veprimtarëve të tjerë, në luftën e saj për çlirimin e Kosovës. Po ta marrë seriozisht shteti ynë zbulimin e punës agjenturore të Berishës, shefat e SHIKUT, si Klosi me shokë, do të nxirrnin dokumente që do të çudisnin dynjanë, por jo politikanët aktualë, që kush më shumë e kush më pak, janë ndyrë në pasojat e kësaj agjenture, e cila çoi në shkatërrimin ë Shqipërisë.

* * *

Interesante në “historinë” e Berishës, është fakti që, edhe pse ai ka realizuar në vendin tonë veprat e Arturo Ui, përsëri lihet të livadhisë në politikë, në Parlament, e ndoshta përsëri edhe në shtet. Disa intelektualë, ish-funksionarë shteti, apo dhe shtetarë të sotëm, kur bie fjala për Berishën, nuk mungojnë të thonë pa teklif: “Lëre plakun e mjerë, mos u merrni me të”, ose “Sali Berisha nuk është më i rëndësishëm dhe për pasojë as i rrezikshëm; ai broçkulla ka thënë gjithmonë, ndaj lëreni në botën e tij të “pleqërisë”, etj., etj., që jo vetëm janë të gënjeshtra, por plotësisht djallëzore. Sali Berisha me berishizmin e tij ekstrem, mbetet nje rrezik permanent për demokracinë dhe për vendin tonë. Janë pikërisht ligjërimet pa doganë të tij në Parlament, në televizion e në shtyp, që nxisin e ndezin urrejtjen ndaj kundërshtarëve, që “komunisti” Sali, i quan komunistë! Por më interesante është qëndrimi i ndërkombëtarëve ndaj personit të Berishës. Ambasadorja amerikane, jo njëherë ka thirrur që, partitë politike të vënë në lista kandidatë për deputetë, njerëz të painkriminuar. Madje ka përmend me plotë gojën edhe biznesmenin Tom Doshi, të cilit i qenka ndaluar hyrja në SHBA. Por nga ana tjetër nuk thotë asnjë fjalë për Sali Berishën, i cili është rreshtuar në vendin e pestë të listës së deputetëve të PD për kryeqytetin. Dhe kjo ndodh kur Sali Berisha, ndryshe nga Tom Doshi, krimet i ka të filmuara dhe të njohura nga të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Po në këtë linjë janë edhe personalitetet e mazhorancës, përfshi dhe Kryeministrin Rama, që ndërsa bërtet për pastërtinë e listave të Lulzimit, anashkalon adashin e tij me emrin Berisha. Pse ky qëndrim tolerues i ndërkombëtarëve për Sali Berishën dhe krimet e tij të shumta? Thjeshtë se Berisha është “ortaku” i tyre në shumicën e krimeve, që kanë ndodhur mbi kurrizin e shqiptarëve dhe vendit të tyre, duke përfshirë 1997-n, Gërdecin, 21 Janarin etj. Rama dhe shokëve të tij, heshtin për kandidimin e Saliut, ashtu siç kanë heshtur për gati 8 vjet, kur ky i fundit, fliste e kërcënonte këdo nga tribuna e Parlamentit shqiptar. Pse ka ndodhur e ndodh kjo? Për dy arsye të qarta: Së pari, mazhoranca e sotme me emërtimin socialiste, e di fort mirë se Berisha mbrohet nga të mëdhenjtë e politikës perëndimore, mbrohet si “shpërblim” për punët që ai ka realizuar në dobi të tyre. Së dyti, Rama dhe shokët e tjerë të qeverisë dhe të PS-Rilindjes, e dinë fort mirë se përderisa në skenën politike shqiptare, do të jetë “E keqja më e madhe”, alias Berisha, qytetarët në shumicë do të votojnë për të “keqen më të vogël”, alias Rama me Rilindje. Kjo është një marrëveshje, që tashmë duket hapur, por që nuk po shihet nga qytetarët, dhe veçanërisht nga intelektualët, të cilët me, ose pa dashje, kanë humbur shikimin.