BREAKING NEWS

Spastrimet në PS, Rama fut në lista ministrat jo deputetë, zv/ministra, drejtorë e ish-anëtarë të LSI, zbulohen emrat që spostojnë veteranët

Spastrimet në PS, Rama fut në lista ministrat jo deputetë,
x

Opinion / Editorial

Besa përballë klaneve në arsim!

Besa përballë klaneve në arsim!

Rifillimi i diskutimit për mësimin online në shkolla rikthyen në vëmendje ish ministren që e sollën protestat e studentëve në krye të dikasterit të Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë (MASR), Besa Shahinin. Për të mirën e arsimit apo të sajën personalisht ajo iku shpejt, duke lënë të kuptohet ndër të tjera - me veprimet apo mosveprimet e saj, që në Shqipëri jetëgjatësia e drejtimit të dikastereve apo institucioneve në arsim varet nga aftësia për të krijuar klane apo për t’u bërë pjesë e një klani.

Me Besën u morën aq shumë nga nivelet më të ulëta deri tek ato më të larta me apo pa të drejtë kur ata nuk guxuan të merreshin kaq shumë me paraardhësen e saj apo të tjerë ministra të sferave të tjera të qeverisë Rama. Kjo ka një shpjegim të vetëm sepse “ata /ato” e dinin që Besa vinte nga Kosova, paçka karrierës së saj si zv.ministre në MASR, nuk kishte grupazhe, as në institucionin ku drejtonte, as në institucionet e varësisë dhe as në parti. Edhe nëse do të dëshironte t’i krijonte nuk mundej sepse zinxhiri ishte krijuar me kohë dhe forcohej dita-ditës. “Ata” e dinë mirë që po ta kritikosh hapur edhe një drejtor shkolle, të sulin mbrapa kë të munden dhe jo më po të kritikosh hapur një ministër apo politikan karriere. E dinë që këta të fundit vënë në lëvizje tërë shërbëtoret e tyre (besnikë ose jo) dhe në çdo hap i ke mbrapa. Të godasin në çdo formë ku se pret ty dhe familjarët e tu. Besa nuk kishte kë t’u sulte, nuk kishte klane, ndaj “ata” ishin të qetë në këtë pikë. Përtej gabimeve të saj në drejtimin e dikasterit, duke u marrë shumë me dialektin e saj, të paktë ishin ata që e cilësuan artikulimin e saj shumë të mirë - me terma për një arsim bashkëkohor që të përcillte se ajo është një njohëse shumë e mirë e politikave dhe strategjive bashkëkohore ne arsim; fliste natyrshëm me një lirshmëri dhe thjeshtësi e cila reflektohej dhe në stilin e paraqitjes së jashtme. Por për fat të keq këto politika mbetën vetëm në kokën e ish-ministres dhe në letrat e shkruara për të mos u vënë në zbatim asnjëherë siç duhet. Kjo edhe për faktin se iu desh të punonte tërësisht me stafin e paraardhëses me të cilën kishin bërë gjëra të vlefshme e të pavlefshme për arsimin, e këto të fundit do t’iu duhej t’i mbronin me fanatizëm edhe përtej dëshirës së Besës. Ndoshta kjo e shtyu Besën të zgjidhte si moto gjatë marrjes së detyrës: “Vazhdimi i rrugës së paraardhëses”, duke mos veçuar pikat e forta të saj për ndjekje, por përzier arritje me mosarritje. Moto që sapo e dëgjon të vjen si sinjal për të fituar më shumë mbështetës, por që realisht në këtë formë i humbet më shumë. Dhe realisht në shumë pika kështu veproi. Kjo mungesë e fuqisë e bëri që të mos e ndalojë edhe atë të keqe që kuptonte dhe dëshironte ta ndalojë. Një prej tyre ishte, mënyra e trajtimit të ankesave apo kërkesave të mësuesve. E informuar apo jo për ankesat qe i drejtoheshin, teknika e trajtimit të tyre mbeti si më parë - “mospërgjigjja”. Përpos, Besa që ta njihte realitetin e arsimit nuk duhet të ndiqte takimet fasadë që i nevojiteshin partisë edhe pse jo të shumta dhe jo të pëlqyeshme nga ajo- sipas medias. Ajo duhet të takonte seriozisht këshillin pedagogjik nëpër shkollat ku shkonte, “të prekte” vetë realitetet që të mund të ndryshonte. Ndoshta atëherë mund të formonte një grup pune edhe sado pak të konsoliduar dhe serioz që të mund të përballej paksa me klanet. Por këtë nuk e bëri madje mbrojti edhe disa gabime në arsim, të cilat u kthyen në jehonë. Kësisoj nuk mund të bënte progres të madh me koston “do vazhdoj rrugën e paraardhëses”. Ndaj shumë gota u lanë të plasnin në dorën e Besës sepse nuk kishte aq njerëz të besuar që t’i tregonin të vërtetat apo t’i jepnin këshillat e duhura. Kjo mungesë e fuqisë e bëri që të mos e ndalojë edhe atë të keqe që kuptonte dhe dëshironte ta ndalojë. Ndoshta ikja e Besës ishte edhe një rast shumë specifik që zërat ndryshe në arsim e kudo në Shqipërinë tonë nuk duhen, por Besa nuk njohu ose nuk e pranoi se paku edhe indirekt që në kohën e drejtimit të saj sa e sa padrejtësi janë bërë; disa prej tyre u gatuan më parë dhe u lanë të plasnin kur ajo drejtoi - me justifikimin që “ajo nuk njeh askënd” dhe jep zgjidhje të drejta, por që realisht zgjidhjet i jepte stafi që njihnin këdo dhe bënin çfarë projektohej. Këtë s’duhet ta lejonte Besa që në fillim.

Referuar medias ku thuhej që ajo shpesh debatonte në mbledhjet e qeverisë, ikja e Besës ndër të tjera është një provë, që zërat ndryshe në arsim janë shtypur keqas në këtë qeverisje. Por jo vetëm. Këtë e tregojnë tashme edhe zërat e mësuesve që kanë filluar të dëgjohen aty-këtu, madje edhe pranë portave të shkollave, pikërisht në këtë fund mandati të dytë të kësaj qeverisje - ndoshta edhe në ikje, ku frikërat për t’u hakmarrë janë shumë të pakta. Paçka se disa prej këtyre zërave japin panoramën e një gare jargavitjesh duke ëndërruar për t’u projektuar në një vend fitimprurës nëse e djathta merr pushtet. Sikur edhe vetë Besa, të ndikonte që zërat e mësuesve të mos “mbylleshin” ashtu siç ajo dëshironte për veten e saj; sikur vetë mësuesit të udhëhiqeshin nga parime dhe virtyte - jo nga interesa të ngushta personale; sikur këta zëra mësuesish që po dëgjohen tashmë, të kishin reaguar që në vitet e para të kësaj qeverisje ku ditë pas dite dukshëm arsimi po rrënohej para syve të tyre, ku autoriteti i mësuesit po shkelej brutalisht, ku mësuesit po ktheheshin si kope delesh në shkolla - një unanimitet të frikshëm në çdo gjë edhe në ato më të mbrapshtat, sot arsimi nuk do të ishte në këto nivele, sot edhe Besa do të ishte në krye të atij dikasteri me krenari ose e pakta e ikur me krenari se sakrifikoi për të mbrojtur mësuesit. Por edhe pse vonë zërat seriozë, kanë peshë në raport me ata që edhe në këto kushte po heshtin. Këta zëra duhen dëgjuar e mbështetur.

Madje Besa dashur - padashur ra në vorbullën e hakmarrjes në disa raste duke vërtetuar se në arsim dikush që mendon ndryshe shihet si armik; ai që thotë të vërtetën quhet “i çmendur” madje e paguan me vendin e punës. Kujtoj këtu rastin kur juristja e një institucioni varësie kundërshtoi ministren hapur dhe ajo e “skandalizuar” iu kthye duke i thënë se nuk kishte parë kurrë që punonjësi i MASR të kundërshtonte institucionin ku punonte. Nëse do të ndryshonte të paktën këtë frymë “Besa jonë” do të ishte një sfidë për arsimin shqiptar. Ndaj shqetësimi i madh për ne me Besën ministre nuk duhet të vihej tek dialekti, por strategjitë e drejtimit të arsimit. Por një gjë është e qartë: Ish-ministrja e ardhur nga Kosova nuk mund të çante përpara edhe nëse strategjitë e përzgjedhura do të ishin efektive, kur çdo ditë do të pengohej në hallkat e një zinxhiri të ndryshkur në arsim, ku klanet u kanë zënë frymën e lirinë të gjithë aktorëve të arsimit. Këtë Besa e kuptoi vonë dhe ajo çka duhet vlerësuar e pranoi se fundmi. A ka ndryshuar arsimi me ikjen e Besës? Aspak, dukshëm! Nuk sjell asnjë ndryshim një ministër që vjen në kohë fushate përveçse t’i shërbejë fushatës.