BREAKING NEWS

Njoftim i rëndësishëm nga Policia/ Si dhe në cilat shtete mund të lëvizin shqiptarët (DETAJET)

Njoftim i rëndësishëm nga Policia/ Si dhe në cilat shtete
x

Opinion / Editorial

Besëlidhja e madhe për demokracinë, Meta-Basha me Salinë

Besëlidhja e madhe për demokracinë, Meta-Basha me Salinë

Vendi ynë gjatë shekujve, në kthesa të mëdha, kryqëzime të historisë, kur janë rrezikuar fatet e vendit, burrat e gratë e mençura, vizionarë, largpamës, patriotë, atdhedashës, ata që para interesave personale, kanë vënë kombin, popullin, atdheun, lirinë, janë bashkuar dhe kanë krijuar fronte të rëndësishme për të përballuar përpjekjet për të përçarë, aneksuar e zhbërë Shqipërinë. Janë të panumërta besëlidhjet shqiptare që zënë fill nga lashtësia dhe ndriçojnë si rubin në Besëlidhjen e Skënderbeut të njohur gjerësisht si “Besëlidhja e Lezhës” me “Lidhjen e Prizrenit” me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga tërë trevat, ku jetonin shqiptarët, me Pezën për përballimin e pushtimin nazifashist, me bashkimin në vitin 1990 kur shqiptarët dolën në rrugë, pa dallim për përmbysjen e diktaturës dhe raste pa fund me karakter lokal e në shkallë kombëtare e më gjerë. Arritjet e këtyre formacioneve, rezultatet e tyre, janë vërtet historike dhe kanë rrezatuar në tërë rrugën e zhvillimit të historisë shqiptare. Në to, janë vendosur piketat për të ardhmen dhe ndriçuar rrugët në të cilat kanë ecur shqiptarët për mbrojtjen dhe ardhmërinë e atdheut tonë. Për to, historia ka shkruar. Intelektualët më të shquar, kanë hartuar programe e vendosur objektiva dhe piketat për të realizuar objektivat madhore që kanë dalë para shqiptarëve. Po lidhja e besës, frontet mbarëkombëtare, janë formuar dhe projektuar në momente të rëndësishme. Ato kanë lindur si domosdoshmëri. Kur e ka lypur nevoja imediate, kërkesat e kohës. Kur janë krijuar imperativë të padiskutueshëm. Në rast se nuk do krijoheshin, atëherë e ardhmja e vendit rrezikohej, trojet gllabëroheshin, vendi copëtohej nga fuqi të huaja, ashtu siç edhe kanë ndodhur gjatë historisë, ku nga trupi i Shqipërisë është sakatuar e janë aneksuar treva nga shtetet përreth. Në besëlidhjet e mëdha që nuk kanë qenë vetëm për mbrojtjen e trojeve, po edhe për formësimin e arsimit shqip, kulturës tonë, fesë, luftën kundër analfabetizmit, shkronjat shqip, brenda dhe jashtë territorit shqiptar, deri në SHBA, Bukuresht, Itali, Francë, Austri, kudo që kanë jetuar shqiptarët, janë shquar emra të mëdhenj si, Ismail Qemali, Abdyl, Naim e Sami Frashëri, Noli, Fishta, Konica e qindra patriotë e dijetarë që i kanë dhënë emër këtij vendi e kanë ndriçuar faqen e atdheut tonë. Po në të gjitha besëlidhjet dhe frontet e mëdha, kanë qenë në qendër aspirate të jashtëzakonshme, interesa madhore me rrezatim mbarëkombëtar. Edhe në vitin e përmbysjes së komunizmit, ku djem e vajza, intelektualë e qytetarë të zakonshëm, u bashkuan në një mision historik, ku arritën që pas pesëdhjetë vitesh të sjellin në Shqipëri pluralizmin politik, të hapin vendin me botën dhe të rivendosin marrëdhëniet me gjithë shtet që i kanë qëndruar vendit tonë pranë, duke e bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Aktualisht, para vendit tonë qëndrojnë edhe sot objektiva madhore. Është rindërtimi pas tërmetit të nëntorit 2019. Lypset bashkërendim i gjithë forcave dhe faktorëve politikë e shoqërorë, ashtu sikundër edhe përballimi i pandemisë Covid-19. Njëherësh objektiv madhor përball Shqipërisë është pranimi në BE. Kjo kërkon bashkëpunimin e faktorëve politikë e njerëzorë. Është konkretizimi i ëndrrës shqiptare, aspiratë e lëvizjes së dhjetoristave 1990, zbehur e mpakur nga ata që uzurpuan idealet e rinisë. Për gjithë këto besëlidhja dhe fronti do ishin flamur për shqiptarët. Po këto ditë, me pretekstin se mbrojnë teatrin e shembur, pllakat e zdrukthit, jo vlerat artistike, pra formën, jo përmbajtjen, Ilir Meta, ka hedhur kushtrimin dhe bën thirrje urgjente të ngrihen shqiptarët në besa- besë, të krijojnë frontin për demokraci e liri. Është një nismë që nuk ka asnjë bosht. Është fantazi e presidentit, të cilit aq i bën për ne dhe teatrin e shembur. Është thirrje e dëshpëruar nga ato që i kemi dëgjuar këto vite. Shqipëria nuk është e rrezikuar. Të rrezikuara janë reformat e mëdha. E para, drejtësia të cilën kërkojnë ta revizionojnë, ta zhbëjnë. Aktorët që minojnë reformat njihen. I dimë me emër dhe mbiemër. Nisin me iniciatorin e lidhjes së besës, plotësohen me ish-presidentin Sali Berisha që bën thirrje për mosbindje e revolta apokaliptike, vijojnë me Monika Kryemadhin me mallkime. Për tu bërë i plotë aktrimi, besëlidhjes i bashkohen edhe ca artistë që kanë marrë përsipër të thërrasin popullin në revolucion, duke i hedhur mbi shqiptarët si në betejat kundër serbëve. Cilët janë këta aktorë që gjykojnë pjesën më të madhe të popullit, ata që kanë votuar qeverinë aktuale me luftrat serbe? Cila është kjo mendje e sëmurë që na barazon me ata që na kanë djegur e vrarë? Ç`logjikë është kjo që hedh teza të tilla në emër të teatrit dhe mbrojtjes kulturore? Është pak për ta cilësuar ftesë për vëllavrasje, thirrje për linçim. Ne dimë se këtu jetojnë vetëm shqiptarë dhe betejat kundër serbëve janë vetëm për skenare të tragjedisë së aktorëve pa role artistike, veç shërbimit të politikës. Të ashtuquajturit aleancistë, të mbështetur nga Berisha, Basha e në radhë të parë nga presidenti Meta, kërkojnë zgjim të shqiptarëve, revoltim, shpërthim, reshtim për t`i vënë flakën Shqipërisë. Besëlidhje për mosbindje civile, si anti-shtet, anti-qeveri, anti-integrim. Dëshpërim i thellë, imitim i besëlidhjes, si një front për demokracinë. Duke parë kontekstin kohor dhe organizatorët që kërkojnë front kundër atyre që sot janë në pushtet, mendimi të shkon në aventurën që duan t`i përgatisin popullit disa mendje të çartura që në realitet kanë vetëm hallin e tyre, mosmiratimin e reformës në drejtësi, atë zgjedhore. Shpëtimin përmes rrëmujës dhe revoltave të pasurisë, luftës mes nesh, rrezikimin e të ardhmes, shfryrjes së mllefeve ndaj qytetarëve të zakonshëm që kurrë nuk do donin fronte që ndërtohen nga disa kundër disave. Baballarët e kombit, shpikësit e fronteve, gjëmojnë, zhurmojnë sikur Shqipëria gjendet në zgripin e copëtimit. Sikur këtu instalohet diktatura. Se shqiptarët kanë humbur lirinë. Demokracia është rrezikuar nga arrogantët dhe banditët në pushtet?! Trajtimi i shumicës, si pjesë armiqësore, goditja dhe denigrimi i liderëve të politikës që nuk pajtohen me Bashën, Metën Berishën, Monikën, është llogaria më e paparafytyrueshme që mund të mendohet në këtë vend. Ky front, besëlidhje, nuk është fare front apo besë. Është grumbullim i atyre që kanë humbur privilegjet dhe ndihen të rrezikuar nga reformat, janë të frikësuarit nga SPAK e BKH. Është kjo arsyeja që përballë frontit, janë vendosur në shënjestër, veç qeveritarëve, kryeministrit, ministrave, deputetëve edhe ambasadorët e huaj që nuk janë entuziastë për frontet. Kur dëgjon presidentin Meta, thua me cilën ngjan ky front, me kë shëmbëllen? Kur njihesh me thirrjet e deklaratat, thua se ka nisur lufta, jemi buzë greminës. Të pushtuar nga djajtë politikë. Përball mazhorancës që i ka vënë kazmën shtetit është gati fronti. Atyre që instalojnë diktaturën po u gatitet gijotina. Se po bëhemi si Koreja e Veriut, po ku e gjejnë përngjasimin? Për ti rrëshqitur përgjegjësve patjetër që fronti është çelësi i shpëtimit. Është fronti më i pazakontë ky i aleancistëve. Është fronti më miks, iniciativa më e pabesueshme, shfrim i inateve, dëshpërimit, mllefeve. Është dalje totale nga kornizat kushtetuese. Është vërtet për të ardhur keq që këtë stafetë e ka marrë në dorë, ai që cilësohet rëndom, burrështetas, garanti i unitetit kombëtar, gardiani i Kushtetutës. Edhe pse të ethshme, thirrjet për besa- besë, front për demokracinë, aleancë e gjerë, shqiptarët e njohin mirë këtë melodi. Frontit po i shkëputen hallkat një nga një. Duket si shportë karavidhesh. Populli nuk dashuron fronte, anti fronte, besëlidhje, bashkime fallco, lidhje apo zgjidhje. Kur njihen organizatorët e ideatorët, qëllimi përse kërkohen fronte në një kohë kur shqiptarët duan bashkim e vëllazërim, unitet e kompromise të mëdha për të ecur drejt të ardhmes europiane, i përbuzin frontet kur i vlerësojnë kundër ardhmërisë e Shqipërisë.