Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Beteja absurde me çerdhet

Postuar: 26/08/2018 - 07:07

Pasi u vunë në qendër të luftës gjithë moshat nga 10 deri në 100 vjeç, u thirrën në fushata elektorale. U imponuan përdhunshëm për të votuar kundër vullnetit të tyre. U armatosën me slogane e fjalor banal. U ushqyen me parulla e simbolika. U mbuluan me simbole partiake. U nxitën të kryejnë akte të rënda në dëm të jetës njerëzore. U hodhën në sulm si taborre për të ushqyer protestat e revoltat apo u përdorën si kamikazë në prishjen e mitingjeve dhe shkatërrimin e infrastrukturës zgjedhore. Pasi u mbrujtën me urrejtje kundër palëve kundërshtare, u armatosën si militantë me objektivin për të fituar pushtet dhe rrëmbyer privilegje të shumta, radha mbeti për të përfshirë në luftën finale, latantët, ata që nuk dinë asgjë për partitë, baba-liderët tanë, krimin e kriminelët, pasanikët e varfanjakët, të diturit e budallenjtë, komentuesit, trafikantët, oborrtarët, opinionistët, analistët, shkrimtarët, teatrot e aktorët. Duhej plotësuar piramida e betejës.

Radha u erdhi vogëlushëve të çerdheve që nuk munden të shkojnë vet drejt godinave të foshnjave dhe janë në nevojë për tu shërbyer pasi ende nuk kanë fituar statusin as të flasin, të ankohen, të bërtasin. Janë qeniet që vetëm kanë për shëmbëlltyrë engjëjt e pafajshëm që qëndrojnë pranë babazotëve në qiejt e lumturisë. Qenie të pafajshme që askujt nuk i bien në qafë për pamundësinë së pari, por edhe për vet faktin e të qenit vocërrak. Janë fëmijët tanë që nesër do jenë gjeneratat e së ardhmes. Ata që do mbajnë në duar flamurin dhe emrin e atdheut. Janë e ardhmja jonë. Fëmijët tanë. Lulet që zbukurojnë jetët tona. Shpresa e një të ardhmeje më të begatë. Ata që i japin dritë shoqërisë. Që e zbusin shpirtin e zymtë të luftëtarëve politikë që shuajnë urrejtjet dhe hasmëritë. Janë fëmijët tanë. Bij të bijve dhe bijave tona të cilët janë të pafajshëm dhe në botën e tyre të ngjyrave dhe gëzimit. Të pafajshëm deri në dhimbje. Të madhërishëm deri në lartësi. Sa herë që ndodh një gëzim janë fëmijët të parët që e shijojnë. Dhe të gjithë gëzohemi me gëzimin e tyre. Lumturohemi me lumturinë e tyre. Bëhemi pjesë e buzëqeshjeve dhe gugatjeve pasi janë fëmijët tanë. Për ata punohet e për ata mendohet. Për fëmijët çdo shoqëri bën më të mirën e mundshme. Janë fëmijët që me entuziazmin që shfaqin rrëmbejnë miliona zemra e nxisin burrat e shteteve për zgjidhje të rëndësishme. Në emër të tyre pushohen luftëra, vendoset paqja. Janë ata që vënë në lëvizje OKB-në. Komisionet e të drejtave të njeriut. Ulin në tavolinë përfaqësues të shteteve armike për të bërë paqe. Edhe kur gjenden në vijën e frontit të luftës, armiqtë i ulin armët në emër të fëmijëve.

Po nëse në traditën tonë, fëmijët janë të paprekshëm, janë idhujt që na frymëzojnë, nëse askush nuk ngre dorë kundër tyre se janë pafajësia vet, së fundi edhe kjo brezni po trazohet në pafajësinë e tyre, në botën e ëndrrave dhe shpresave. Ndaj tyre në godinat ku ata rehatohen, nën kujdesin e personelit që zëvendëson për disa orë në ditë nënat e tyre, duar të padukshme, mendje djallëzore, koka terroriste të çmendura të ngrenë dorën edhe ndaj atyre strehëzave engjëllore, ku jetojnë fëmijët tanë. Kundër folezave në çerdhet e paqta dikush i nxitur nga epshi i pasurimit apo për të kryer akte të mirëfillta terroriste kërkon të ndezë zjarre brenda folezave të fëmijëve të pafajshëm. Është pak t’i quash terroristë. Edhe terroristët gjenden ngushtë kur kanë përballë foshnja që vetëm buzëqeshin dhe nuk kanë asnjë aftësi për të kundërshtuar, aq më pak për tu mbrojtur. Po cila është ajo dorë që zgjedh netët e errëta pas mesnate dhe ndez bombolat e gazit për të hedhur në erë folezat e pëllumbave në Tiranë? A ka më makabritet se kaq? Kush është ai trim që matet me fëmijët dhe është gati të ndezë zjarre brenda shtëpisë së foshnjave kur të gjithë duhet të jenë në roje të jetës së tyre? Cili është motivi që i nxit këta të pashpirt të vënë flakën në shtretërit e engjëjve dhe të ngrohin duart e krimit sipër flakëve që lëpinë muret e bardha plot vizatime, ku jetojnë foshnjat tona? Kush është ai politikan që kërkon të nxjerrë përfitime edhe nga këto akte të dënueshme nga tërë bota edhe nga vendet primitive? Cili është objektivi që duan të godasin këta zjarrmëtar të pashpirt që sot ndeshen edhe me latantët të cilët janë ende në pelena?

Pashpirtësia ekstreme që nuk njeh kufi është gjallëruar këto ditë në Tiranë. Fillimisht diku në lagjen numër 5 dhe dy ditë më vonë në lagjen më të populluar e të survejuar në Bllokun e famshëm, atje ku kohë më parë nuk hynte as miza. Sot kërkojnë të djegin mjediset e fëmijëve. Dhe kuptohet se këto veprime ndihen fuqishëm kudo pasi zhurma është e madhe se bëhet fjalë për fëmijë, për qeniet më të pastra e të pafajshme. Janë fëmijët tanë që duhet t’i ruajmë si sytë e ballit nga sëmundjet, nga rreziqet natyrore, por që nuk na shkon kurrë mendje se ata mund të preken nga urrejtja apo gjykimi për të bërë shou me sigurinë, me ndjeshmërinë njerëzore kur u preken fëmijët. Cila është ajo mendje diabolike që mund të prodhojë skenarë të tillë ogurzi që lexohen që larg dhe janë të mbrujtura me ligësi ekstreme? Shoqëritë e përparuara, intelektualët, prindërit, qytetarët e zakonshëm nuk mund të dëgjojnë broçkullat e politikanëve, deklaratat që hidhen në tregun mediatik si simite të cilët i veshin raste të tilla pafuqisë dhe mungesës së sigurisë. Që kërkojnë të godasin institucionet e rendit apo pushtetit lokal. Ka mijëra mundësi dhe forma të luftës politike që mund të arrish sukses, por duke përdorur fëmijët nuk mund të arrish asgjë, veç urrejtjes dhe përbuzjes.

Sensibilitetit të prindërve të cilën duan ta nxisin në akte të pamoralshme këta tinzarë që qëndrojnë me urën e zjarrit në dorë, duan të hedhin në sulm prindër dhe qytetarë në emër të dashurisë prindërore dhe gjyshërve për të bërë trazira edhe me sensibilitetin dhe dhimbjen për jetët e vogëlushëve. Kjo dorë kërkon të krijojë idenë se ishim më mirë kur ishim më keq. Gjatë këtyre viteve të tranzicionit shoqëruar me vrasje, sekuestrime personash, rrahje, vjedhje, mashtrime i erdhi radha edhe latantëve. Fëmijëve të çerdheve. Brezit më të pafajshëm në botë. Kundër fëmijëve tanë janë ngritur “Boko Haramët” e “ISIS” në Tiranë. Janë shëmbëlltyra të Alkaedës. Me duar të zgjatura këta lugetër të shkatërrimit dhe urrejtjes nuk kanë asnjë mundësi të justifikojnë atë që ndodh gjatë këtyre ditëve, ku qëllohet kundër mureve dhe dhomave, shtretërve dhe figurave të stampuara në faqet e mureve të fëmijëve të çerdheve. Dikush thotë se janë akte të qëllimshme. Të tjerët ja veshin pasigurisë së energjisë dhe masave jo të plota për jetën e fëmijëve tanë në godinat e shenjta të engjëjve. Po duke qenë se ekspertizat shkencore të specialistëve kundër zjarrit, ekipet e zjarrfikësve kanë arritur në konkluzionin se këto raste janë të qëllimshme dhe nuk është shkak shkëndija elektrike apo tubat e çara të bombolave të gazit dhe faktit që dora vrastare ende nuk ka guxuar të kryejë vepra të tmerrshme kur fëmijët janë brenda këtyre mjediseve, flet për atë se interesa meskine nxisin vepra të tilla që janë jo vetëm të tmerrshme dhe të turpshme edhe për t’i cituar, por edhe shkalla më e lartë e akteve terroriste.

Organet kompetente pasi ngjarje të tilla u përsëritën në harkun kohor të një jave, nuk duhet të presin rastin e tretë. Nuk duhet të lejojnë të shndërrohen në epidemi. Përkundrazi shteti duhet të tregojë se ekziston dhe të ngrejë në këmbë tërë hallakat e veta që individët terroristë, lakmitarët e pronave dhe të eturit për fitime pa asnjë moral apo dikush që kërkon të ngjalli panik në radhët e qytetarëve, duke luajtur me ndjeshmërinë e tyre për bijtë e nipat, të parandalojë raste të ngjashme, të arrijë të kapë ata që janë masha e veprave të pamoralshme dhe ngjarjeve të pastra terroriste. Nuk është asgjë sulmi në një miting. Nuk ka asnjë të përbashkët hedhja e një bombe në një turmë të rriturish apo shkelja me makinë e kalimtarëve në një shesh të Parisit, Londrës, Berlinit a Tiranës. Edhe pse të dënueshme dhe të përbuzura, këto ngjarje janë ku e ku më të papërfillshme me ato që mund të ndodhin nesër në godinat e vogëlushëve tanë. Ndaj është e pafalshme pritja. I pa tolerueshëm justifikimi se janë ngjarje të shkëputura dhe zbulimi i tyre është i vështirë. Kuptohet që raste të tilla nuk janë të lehta për të arritur tek autorët dhe ata që i nxisin. Nuk është e lehtë të zbulohen arsyet e motivet. Po ç`rëndësi kanë këto kur në shënjestër janë vënë foshnjat në një betejë absurde, ku njerëz të veshur me lëkurë kuçedrash, këta vampirë janë gati të drejtojnë armën vrasëse edhe kundër krijesave pa gojë, pa faj, pa moshë. Kundër fëmijëve të çerdheve. Deri sot ata ishin të paprekur. Dhe ende fizikisht nuk janë cenuar. Deri sot nuk i trazonte askush. Përkundrazi sipas traditës shqiptare, janë trajtuar me plot kujdes, pa u cenuar qetësinë, duke i ruajtur si sytë e ballit. Janë fëmijët tanë e ardhmja dhe e nesërmja e këtij vendi. Është gjenerata që pas disa viteve do jetë shtylla e shoqërisë tonë. Qytetarë të dinjitetshëm të cilët do rriten me edukatë e kulturë tjetër, do jenë më të emancipuar e kulturuar nga ne. Do dallojnë për prirjet e tyre, për gjuhët e huaja dhe teknologjinë e informacionin. Janë ata që do ta bëjnë këtë vend. Dhe është e natyrshme që do jetë brezi që do dallojë nga gjithë paraardhësit.

Është detyra e shoqërisë dhe e shtetit të ndalë këto akte djallëzore që mund të kenë motive pasurimi e pronësinë, pse jo motive politike për trazim shoqëror, për t’i thënë ndal akteve terroriste ndaj folezave të fëmijëve dhe jetës së tyre. Është koha që shoqëria jonë të shkundë indiferentizmin dhe për herë të parë të bëhet bashkë, ashtu si gjithë kombet e qytetëruara që ngrihen në këmbë në roje të jetës sa herë kërcënohet ardhmëria. Është koha kur duhet flakur indiferenca dhe lënë mënjanë dasitë. Me fëmijët nuk mund të bëhet politikë. Askush nuk përfiton asgjë nëse i bën jehonë shpërthimit të bombolave të gazit apo zjarre që mund të ndizen si në një reaksion zinxhir, siç ka ndodhur shumë herë këtu tek ne që imitimi shndërrohet në modë të shëmtuar dhe shumë prej politikanëve ngrohin duart në flakët që ndizen nga keqbërës ordiner. Duart që zgjaten drejtë strehëzave të fëmijëve dhe vet atyre duhen prerë. Dhe për këtë kërkohet shteti të ngrihet në shkallën më të lartë të përgjegjësisë. Organet ligjzbatuese, prokuroria, policia, SHISH dhe tërë opinioni shoqëror duhet t`i trajtojnë këto ngjarje si cenim kombëtar, si mesazhe dasish e përçarjesh, si nxitje për trazira e shpërthim pakënaqësish. Po nëse shteti duhet të bëjë punën e vet, shoqëria nuk mund të qëndrojë mënjanë. Opinioni shoqëror të thotë fuqishëm fjalën e vet. Këtu nuk ka vend për dy qëndrime. Nuk flitet për politikë, as për ndarje e përfitime partiake. Përballë betejës absurde me çerdhet, luftës me fëmijët, le të qëndrojmë të gjithë të bashkuar. Sa më shpejt, aq më mirë!

Nga Bardhyl BEJKO

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 4

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/09/2018 - 07:22

Sa herë vjen ndonjë "Konferencë Peze" dhe sigurisht dalin nostalgjikët e Enverit, Partia Demokratike fillon avazin e trajtimit të tyre si nostalgjikë dhe të barazimit të tyre me kundërshtaren kryesore politi

Postuar: 18/09/2018 - 07:19

Ndryshe nga trajtimet e mëparshme, jo të pakta, në lidhje me zbatimin e ligjit, ku është shkruar

Postuar: 18/09/2018 - 07:15

Askush tek ne nuk i shpëton dot politikës.

Postuar: 16/09/2018 - 07:50

Si qytetar i zakonshëm por edhe si vëzhgues i kujdesshëm në kuadrin e gjithë jetës të shoqërisë t

Postuar: 16/09/2018 - 07:46

Nuk është koincidencë që fiks një ditë para 14 shtatorit, datë që ka hyrë në politikën shqiptare

Postuar: 15/09/2018 - 07:22

Ka kohë që Shqipëria është bërë me dy parlamente.