BREAKING NEWS

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti s’ka ndodhur në asnjë vend të botës!

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti
x

Opinion / Editorial

Beteja për vende të sigurta dhe garantët e maksimizimit të deputetëve!

Beteja për vende të sigurta dhe garantët e maksimizimit të

Strategjia e partive politike në Shqipëri, veçanërisht për forcat politike që mbijetojnë vetëm duke iu bashkangjitur partive të mëdha, betejën e vetme që zhvillojnë, është sigurimi i një vendi fitues në fashën që konsiderohet super e sigurtë. Pikërisht për këtë, ditë, javë, muaj, u zhvillua luftë e hapur, me sulme, tërheqje, kërcënime për divorce apo dalje si parti më vete, jashtë ombrellës së PD-së. Strategjia, si të kapet një vend i sigurt, referuar treguesve të zgjedhjeve të mëparshme u zhvillua e ashpër. Kjo luftë nuk mbaroi deri sa kryetarët e partive opozitare, u garantuan në marrëveshje me Lulzim Bashën se do ishin në vende tepër të sigurta në shkëmbim të votës partisë më të madhe të opozitës. Asnjëri nuk luftoi për të qënë në rregull me programet. Nuk përfilli objektivat. Rrugët që do ndiqen dhe kërkojnë angazhimin para qytetarëve për të t`i realizuar aq më tepër që angazhimet e opozitës në këtë prag zgjedhjesh që po afrojnë janë sipërore, gati astronomike. Shifrat premtuara për çdo grup interesi nga punëtorët deri tek drejtuesit më të lartë, bizneset, të papunët, pastrehët deri tek të pamartuarit, të vetë që janë në kërkim të partneritetit, u morën përsipër për t`u zgjidhur pas 25 prillit nga zoti Basha. Askush nga pretendentët për deputetë nuk ndali edhe për pak momente dhe të debatonte për një program sa më tokësor dhe të mundshëm për t`u implementuar. Për këtë aspekt që është edhe alfa e programeve, e atyre që pretendojnë të vijnë në pushtet nuk ka asnjë vlerë dhe debatet e diskutimet janë sakrilegj. Mjafton vetëm vendi në krye të listës, numri, një, dy, tre, katër, pra numri magjik për të garantuar mandatin e deputetit dhe marrëveshjet presupozohen të nënshkruara. Aq më tepër gjatë kësaj kohe që të gjithë opozitarët kanë mprehur thikat për të copëtuar tortën e pushtetit nëse u jep besimin për të drejtuar Shqipërinë në katërvjeçarin e ardhshëm. Po torta e pushtetit, nis me menunë e deputetëve. Sa do jetë pjesa blu? Sa coha rozë? Sa vende të kaltërtit? Sa demokristianët? Sa të gjelbrit? Dhe, sa e sa, vijon me të gjitha ngjyrimet që i janë bashkuar trenit të opozitës për të garuar në 25 prillin që po afron me shpejtësi. Në vend që preokupimet e opozitarëve për një debat shterues mbi mundësitë e burimeve të financimit, shpenzimet, të ardhurat, piketat e zhvillimit të ekonomisë, industrisë, një diskutim i tillë iu la mbi shpinë vetëm Bashës, i cili renditi si në tabelën e shumëzimit, premtimet e bujshme. Gjithë të tjerët e quajtën të mirëqenë dhe gati të përfunduar programin. Për ta vlera e vetme është mandati i deputetit me synimin e garantimit të një vendi në Parlamentin e ardhshëm. Sa për detyrimet për të përcaktuar drejtime të përbashkëta, meqenëse edhe qeveria e ardhshme e opozitës së sotme do përbëhet nga shumë faktorë, ku do përplasen ata që kërkojnë të drejtat e çamëve, përfaqësuar nga kryetar Shpëtim Idrizi dhe të minoritarëve grekë nga Vangjel Dule apo vënia përballë e ballistëve me legalistët, agraristët me demokristianët edhe pse shumë larg në ideologji dhe shtresave që mbrojnë, pa folur për traditën nga vijnë dhe themelet që kanë qysh se janë themeluar, flasim këtu për forcat politike që kanë një të kaluar më të hershme që nisin qysh nga Lufta e Dytë Botërore. I gjithë synimi sintetizohet vetëm në një drejtim. Vendi i sigurt për partinë time, për mua si individ, si kryetar, të tjerat, lumi le t`i marrë. Duket sikur kemi një koalicion interesaxhinjsh që nuk u pritet sa të marrin mandatin e n-të në këto tri dekada dhe jo pak prej tyre të përmbushin bastin për të qënë deputet në tetë legjislatura që nga viti 1990. Realisht, jo pak fatlum ia kanë mbërritur, falë xhonglimit, akrobacive, mosbesimit në fitore nga partia më e madhe opozitare. Pikërisht për këtë, PD ka hyrë në borxh edhe me LSI-në, e cila është parti pa orientim politik mjafton të jetë në qeveri pasi ka parë sa majtas aq edhe djathtas dhe për të nuk ka asnjë vlerë se ku pozicionohet, mjafton të jetë në pushtet, siç ka qenë në tërë këto vjet. Kuvendi i Shqipërisë, ka 140 deputet. Po edhe sikur katërmbëdhjetë mijë të kishte, zor se do plotësonte orekset e grykësinë e tërë armatës së madhe që ka nisur sprintin për të grumbulluar vota dhe për të garantuar maksimumin e vendeve në Parlament. Sa më të vogla partitë, sa më pak anëtarë e simpatizantë, sa më pak mbështetje aq më i madh është oreksi dhe presioni për ballinën e listave. Në realitet, këmbëngulja e kryetarëve të partizave, ia doli që të imponojë partinë më të madhe të opozitës të hapi vendet në ballë të listës dhe, të garantojë partizat se do jenë në Parlament, duke qenë të sigurtë se votat e demokratëve do i delegojnë në sallën e demokracisë edhe pse kjo dyndje lë pa gjë shumë nga figurat e rëndësishme dhe me kontribute të individëve të spikatur të vet partisë më të madhe opozitare. Duket se kjo garë nuk ka qënë qëllim në vetvete tek partitë bija të PD-së, ato që për rrethana specifike, u shkëputën nga kjo forcë politike dhe kanë dalë në fushë betejë me siglën e tyre, me emrin që kanë dhe me drejtuesit dhe mbështetësit që llogarisin. Deri sot edhe pse të paprovuara, partia që drejton, Jozefina Topalli apo Astrit Patozi nuk patën nëpër këmbë stërkëmbëshat e atyre që rendin për të zënë kryen e listës dhe për të garantuar vendin si deputet. Kjo duket një frymë ndryshe që nuk ka asnjë lidhje me etjen e kryesuesve të partizave, të cilat të vetmin objektiv kanë ballinën e listës, vendet e sigurta. Po beteja për një vend të sigurt nuk është vetëm tek partizat që janë vagonë pas lokomotivës PD. Edhe vetë figurat e kësaj parti dhe së pari drejtuesit politik të qarqeve që nga Shkodra deri në Korçë, Fier, Berat e Vlorë, kanë bërë betejën e jetës për të qënë në ballë të listave. Pa folur këtu për rastin ekzemplar, ku kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi edhe pse e sigurt si fituese, jo vetëm për veten, po dhe për partinë që kryeson, kandidon, jo në një qark, po plot tre, Tiranë, Elbasan dhe Fier. Ta quash supergaranci këtë, është pak. Po frikë është më saktë. Zonja Kryemadhi me tërë guximin që ka dhe garancinë se është fituese e sigurt nuk denjoi së paku të kryesoi një qark të vetëm, po zgjodhi fiks tre dhe kjo vetëm siguri nuk reflekton. Asnjëri prej kryesuesve politikë të qarqeve nga partitë e opozitës, ata që deri sot nuk kanë lënë sondazh pa e stimuluar si favorizues për fitoren e 25 prillit nuk kanë mbajtur një pozicion më të moderuar së paku në kufijtë e ekstremit të numrave të siguruar në zgjedhjet e mëparshme. Lufta për të zënë kreun e listës, për të garantuar mandatin e deputetit nuk është treguesi i frymës së fitores. Përkundrazi, janë llogaritë e shkurtra, sa fitoj unë nga koalicioni opozitar! Nëse nuk fitojmë pushtet së paku të jemi deputet, është përfundimi. Dhe pas këtij emri rreshtohen përfitimet. Shpërblimet. Garancitë. Miqësitë. Pagat, dietat, shëtitjet, vakancat jashtë shtetit, delegacionet. Sa për vete boll është apo jo?! Për partinë këtu jemi, presim dhe shpresojmë, kemi sa të duam kohë. Kjo është skema me të cilën zhvillojnë debatin dhe betejën pretendentët e opozitës për t’u bërë deputet. Dhe është strategjia e zgjedhur për karrigen e tyre, sigurinë që si do të shkojnë punët, ata do jenë me mandate, deputetë. Kjo është frymë e pesimizmit real dhe jo e optimizmit imagjinar. Në kampin përballë, opozitës, strategjia e saj është krejt ndryshe. Drejtuesit politikë të qarqeve që nga Shkodra deri në Vlorë e Korçë, duke përfshirë edhe vetë kryetarin e PS dhe kryeministrin e vendit, Edi Rama, pozicionimi i tyre është në ekstremin e mundshëm të numrit që synohet të fitojnë si mazhorancë aktuale. Kështu, në Fier, kryesuesi politik i qarkut Gramoz Ruçi do jetë në numrin ekstrem. Damian Gjiknuri në Vlorë po ashtu, në Tiranë e njëjta renditje. Kështu në Berat, Kukës dhe çdo qark. Kjo skemë që ka funksionuar edhe në 2017 flet për besim, forcën e elektoratit të PS edhe pas tetë vite drejtimi të ekzekutivit shqiptar. Ndryshe nga entuziastët e opozitës, realistët e mazhorancës, vendet e para ua kanë lënë figurave të reja ardhur rishtas në grupin parlamentar të ardhshëm dhe përgjegjësit politikë në kufirin ekstrem, atje ku ndahet në the të brisket, fitorja nga humbja. Veç besimit për të arritur objektivin e shpallur, strategjia e mazhorancës, kërkon të vërë në pozita pune vetëmohuese ata që janë përgjegjës për ta nxjerrë anijen e PS në bregun e fitores. Kështu, ballë për ballë, janë vendosur, opozita me rendjen drejt fashës së sigurt të listave të kandidatëve për deputetë dhe mazhorancës që ka vendosur garantët në numrin ekstrem të atyre që duhet të fitojnë në garën elektorale 25 prill 2021. Ballë për ballë, euforia opozitare dhe realizmi i mazhorancës qeveritare!