Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Betejat seriale opozitare me kryeprokuroren Arta Marku

Postuar: 26/09/2018 - 07:20

Zonja Arta Marku, që ditën e parë të zgjedhjes së saj u ndesh me një luftë të paprecedentë. Ndryshe nga tërë paraardhësit e saj, të cilët ditën e parë e kanë patur të qetë, dashamirëse, një ditë gëzimi e përgjegjësie që të jep një post kaq i rëndësishëm në krye të piramidës së prokurorisë së shtetit. Po jo. Ajo kaloi përmes një beteje të ashpër, si të ishte jo një prokurore me përvojë dhe begraund të njohur, një zonjë me personalitet e prestigj, po si e zbritur nga UFO-t. Kuvendi i Shqipërisë, atë ditë provoi një revoltë të panjohur më parë. Protestë pafund. E egër. Sharje pa kufi. Ultimatume. Kanosje për nisjen e revolucionit. Betimi për përmbysje me dhunë. Gjuajtje me shishe, këpucë e çizme dhe për herë të parë edhe tymuese në sallën e parlamentit. Zgjedhja e saj pa asnjë shkak u bë përmes flakëve, tymit, vjedhjes së kartonave të votimit të deputetëve, ulërimave dhe ligjëratave fyese si kurrë më parë. Opozita, në një bast me vetveten, e ngujuar në llogoren e kundërshtimit, pa asnjë shkak, veç frikës se po u ikte prokuroria nga duart, mobilizoi militantët brenda e jashtë sallës, duke shënuar një nga ditët më të pazakonta për një demokraci parlamentare. Arsyeja? Kjo kryeprokurore të mos ulej në atë kolltuk. Të vijonte Llalla si garant i proceseve, të padënuara, të nisura dhe arkivuara. Dosjet të mbeteshin të pluhurosura dhe individë të pushtetshëm të mos trazoheshin në qetësinë e tyre. Veç këtyre qëllimeve, synohej të frenohej reforma në drejtësi. Të mbetej Prokuroria e Përgjithshme e pezulluar, të dilte jashtë sistemit të drejtësisë. Shkurt, një grusht shteti në pallatin e drejtësisë. Edhe pas shumë ftesash nga mazhoranca për të vendosur me marrëveshje dhe konsensus një Kryeprokuror të përkohshëm, konsensusi nuk u dha. Partitë opozitare i thanë jo mazhorancës dhe stop faktorit ndërkombëtar për një zgjidhje të gjithëpranuar. Për frontin kundër nuk kishte fare rëndësi emri. Problem ishte institucioni. Ata nuk donin askënd të ulej në atë kolltuk. Për ta, më e mira ishte të mbetej pa Kryeprokuror ose të vijonte i qetë ai që ishte, edhe pse i kishte përfunduar mandati dhe siç u provua nuk kishte asnjë meritë për kohë shtesë në atë post. Aq më tepër që skaneri i reformës në drejtësi e nxirrte me shumë plagë që i shtoheshin vendimit të prerë të DASH për refuzimin e vizës. Dhe koha tregoi se situata ishte edhe më e komplikuar dhe gjynahet e tij më të rënda. Në këto kushte, Arta Marku s’u lejua të thoshte më shumë se një fjalë. Nuk u pranua të mbante fjalën e përurimit në një detyrë kaq të rëndësishme. Megjithatë, në kulmin e betejës ajo bëri betimin me dinjitet dhe vendosmëri, dhe u largua për të nisur detyrën, që Kuvendi i Shqipërisë kishte miratuar. U gjykua se inati opozitar, shpërthimi, beteja atë ditë përfundoi dhe zonja Marku do lihej e qetë në punën e saj të vështirë për të udhëhequr organin e akuzës në luftën kundër krimit e kriminelëve, shkelësve të ligjit, cënimit të rendit kushtetues.

Po beteja e përurimit nuk ishte e rastësishme. Ishte vetëm beteja e parë. Lufta sapo kishte filluar. Nuk mbyllej këtu llogaria. Ajo ishte vetëm hapja e siparit. Seriali i luftës kundër saj në këto dhjetë muaj nuk është ndalur asnjë sekondë. Nëse bie shi në brigjet italiane, liderët tanë inatçinj iu duket se laget zonja Marku në Tiranë. Nëse ka stuhi në brigjet e Kalorinës, ata e gjejnë fajtoren në krye të prokurorisë shqiptare. Nuk ka pasur një ditë të qetë pune për të. Përkundrazi është sulmuar nga të gjitha drejtimet në një luftë të pandershme. Në këto sulme pa asnjë moral, mungojnë argumentet. Sa herë kryeprokurorja merr një vendim, ndesh përball frontin e bashkuar të opozitës. Liderët e PD dhe LSI, të varur e të pavarur kanë mbirë në podiume e salla, ekranet e televizioneve, janë ngjitur pullë poste pas faqeve të gazetave me të vetmin qëllim të sulmojnë për çdo lëvizje të saj në emër të detyrës si të keqen e drejtësisë shqiptare. Bën një lëvizje prokuroria për një mijë arsye, të cilat nuk ka pse i bën publike, pasi është e drejta e saj të organizojë punën, të emërojë, të transferojë apo të marrë masa disiplinore, papritur gjendet përballë stuhisë dhe propagandës së kundërshtarëve të reformës në drejtësi. Kujtojmë këtu zhurmën që shoqëroi transferimet dhe emërimet e para. Gjyqet e prokurorëve që e gjykonin cënim personaliteti lëvizjen apo shkarkimin nga detyra. Kujtojmë si u vu përballë akuzës se “kërkon të zbatojë strategjinë e qeverisë për të shtënë në dorë prokurorinë”. Bëhen arrestime në qytete të ndryshme të Shqipërisë në vend që të përgëzohet prokurorja, sulmohet egërsisht. Akuzohet se zbaton porositë e Kryeministrit të Shqipërisë. Vepron me urdhër të tij. Dhe e tërë kjo betejë pafund, shitet në emër të ligjit dhe mbrojtjes së pavarësisë së prokurorisë. Lufta kundër Kryeprokurores së Përkohshme për asnjë ditë nuk ka ndalur. Nuk ka ulur tempin dhe ritmin. Mund të ketë ndryshuar vetëm intensiteti i goditjeve, po ka qenë permanente, pandërprerje. Edhe kur nuk ka pasur shkaqe, janë shpikur. Është gërmuar nëpër skuta, mjaftonte që zonja Marku të gjendej nën breshërinë e akuzave bajate e të pandershme të liderëve opozitar. Edhe pse Kryeprokurorja në detyrën e saj udhëhiqet nga ligji dhe ka një program të njohur e të miratuar, edhe pse veprimet e saj janë të monitoruara dhe për çdo qëndrim apo veprim, jep llogari në instancat e përcaktuara me ligj, siç veproi ditë më parë në Parlamentin e Shqipërisë, përsëri sulmohet. Anatemohet me të njejtën gjuhë. Goditet pa asnjë ndalesë. Pa ulje toni, veç me kërcënime që njohin ngjitje. Trajtimi i saj nga opozita dhe juristët kolegë brenda saj, flasin në emër të ligjit, po veprojnë në interes të partisë që përfaqësojnë. Kjo sjellje është vërtetë për t’u habitur. Në një kohë kaq të shkurtër ndaj saj, janë drejtuar aq debate e sharje, akuza e ultimatume, sa ç’kanë provuar tërë drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme të marrë së bashku që nga viti 1991. Dhe shkaku është i njohur. Arsyet dihen. Qëllimi dhe motivet po ashtu. Individët e ngarkuar për të kryer këtë masakër kundër personalitetit, jo thjeshtë pozicionit, por një nënë, gruaje, femre, qytetareje e cila vjen nga shtresa e të persekutuarve, lufta pa mëshirë kundër një kryeprokuroreje që ndeshet me krimin dhe bën detyrën në interes të fuqizimit të shtetit dhe çlirimit të shoqërisë nga krimi dhe kriminelët, janë të njohur dhe të verifikuar nga opinioni mbarëshqiptar. Shumë prej tyre kanë qenë në krye të ministrive dhe agjensive ligjzbatuese dhe e dinë mirë sa e dhimbshme është të të shigjetojnë pa shkak. Të të godasin edhe kur ke të drejtë. Të luftojnë të të mbyllin gojën e të të pengojnë të kryesh detyrën.

Po lufta më e ashpër, beteja më e egër ndaj saj është këto ditë shtatori. Dihet odiseja e dosjeve në prokurorinë e krimeve të rënda. Njihen manovrat për tu larguar nga dosjet që “djegin” dhe konsiderohen nga prokurorët si “patatja” e nxehtë mbetur në dorë. Po kështu janë të njohura, tërheqjet hap pas hapi të prokurorëve që e kanë detyrë t`i çojnë hetimet deri në fund dhe fajtorët përball togave të zeza për të dhënë drejtësi. Dihet qëndrimi i prokurorëve të Krimeve të Rënda, të cilët në rrethana që i nuk njohim nuk kanë pranuar të marrin pjesë në shortin e hedhur për të hetuar dosjen “Shullazi”, pas largimit të prokurorit. Në këto kushte, kjo dosje nuk mund të arshivohej. Duhet çuar deri në fund. Të ndahet njëherë e përgjithmonë e drejta nga e padrejta, fajësia nga pafajësia. Dhe këtë verdikt e jep gjykata. Po deri në atë fazë është një rrugë jo e shkurtër. Kanë kaluar vite që nuk është konkretizuar me gjykim kjo dosje. Pa hyrë në detaje dhe për të shmangur arsyetimet për një dosje konkrete, ajo që duam të nënvizojmë është fakti se kjo detyrë duhet përfunduar. Dhe ata që duhet ta bëjnë janë prokurorët e Krimeve të Rënda. Kjo është puna e tyre. Ata nuk janë emëruar të japin dekorata. Po vite burgu. Pikërisht kjo kërkesë u refuzua nga dhjetë prokurorë,veprimi i tyre nuk u pranua nga organi i akuzës. Për këtë u mbajt qëndrim dhe shumë prej refuzuesve u transferuan në prokurori të rretheve. Kuptohet, ky është ndëshkim për moszbatim procedurash dhe shkelje ligji e etikës. Njëherësh është tërheqje ndaj detyrës. Braktisje e saj. Në këto kushte nuk mund të gjykohet se nuk ndodhi asgjë. Dhe nuk ka fajtorë. Masat që mori Prokurorja e përkohshme e Përgjithshme, Arta Marku ranë si rrufe më shumë mbi opozitën se vetë prokurorët, që u bënë objekt i masave ndëshkuese. Kaq u desh. Podiumet gjëmuan me fjalime patetike. Paditë vërshuan drejtë prokurorisë së Tiranës. Me kërkesën ultimative: Të pezullohet Arta Marku! Të ndëshkohet Kryeprokurorja. Të largohet! Të dënohet! Në burg! Në gijotinë! Dhe për t’i dhënë ngjyra politike akt-padisë, kërkesat u shoqëruan me detaje të tjera si: Të zbulohen marrëveshjet, telefonatat e Kryeprokurores me Kryeministrin! Të publikohen tabulatet telefonike! Të gjenden fijet që e lidhin me deputetët socialistë! Mbrohet Saimir tahiri. Vëllai i Xhafajt. Habilajt. Kriminelë të tjerë të lidhur me qeverinë. Dosjet me peshë. Po largon prokurorët antimafia! Shkurt, kërkohet të shitet si një “komplot” që duan t`i bëjnë drejtësisë, mazhoranca dhe vetë drejtësia. Pra një revolucion anti drejtësi nga vetë drejtësia dhe qeveria. Edhe pse nonsens, juristi Enkelejd Alibeaj deklaroi me zë të lartë se duhet pezulluar urgjent Prokurorja e Përgjithshme. Duhen marrë masa sa më parë kundër saj, pa rënë tërë piramida e prokurorisë! Në emër të pavarësisë së prokurorisë, zoti Alibeaj kërkoi as më shumë as më pak, veç ndëshkim shembullor. Dhe hodhi tymuese për një konspiracion, qeveri-kryeministri-ministri- deputetë- kryeprokurore. Me fjalë të tjera një lidhje fajësie gjithëpërfshirëse, sikur të gjithë luftojnë kundër të gjithëve. Dhe “shpëtimtarët” e drejtësisë, mbrojtësit e reformës në drejtësi, janë rreshtuar vetëm në radhët e opozitës. Realiteti flet se fronti i bashkuar opozitar, është në betejën e radhës së luftës së gjatë kundër Arta Markut. Ajo është vetëm maja e ajsbergut. E kanë me tërë sistemin. Kryeprokurorja e përkohshme është shpallur armike e drejtësisë që në minutën e parë sapo është diskutuar kandidatura e saj. Dhe kjo betejë nuk mbaron këtu. Lufta kundër Kryeprokurores do jetë serial i pandërprerë deri sa opozitarëve tanë t`u shuhet urrejtja dhe t`iu largohet inati për zonjën Marku! Për ta, ajo është palë me qeverinë. Ndaj kërkohet ndëshkimi i saj bashkë me pushtetin.

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 18

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/10/2018 - 07:41

Zakonisht ndryshimet e thella dhe mendimi ndryshe vijnë nga qendrat e mëdha, metropolet. Dhe kjo nuk është pa arsye.

Postuar: 21/10/2018 - 07:39

Para ca ditësh u paraqit në prokurori lideri i opozitës, Lulzim Basha për të dhënë sqarime rreth

Postuar: 21/10/2018 - 07:37

Njeriu kaq shumë i përfolur mediatikisht për korrupsion dhe pasurim si gjyqtar i lartë, ju ka dhë

Postuar: 20/10/2018 - 20:05

Më në fund pas merkatos të futbollistëve, merkatos së peshkut dhe merkatos së plehrave hyri në lo

Postuar: 20/10/2018 - 07:27

Lajmi i mirë

Postuar: 20/10/2018 - 07:26

Në jetën tonë të përditshme jetojnë në një simbiozë perfekte bixhozi real, kumari i kazinove dhe

Postuar: 20/10/2018 - 07:24

Dorëheqja e papritur e ministrit të Jashtëm grek Kotzias dhe deklarimi i atypëratyshëm i kryemini