Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Betejat tredimensionale kundër parlamentit shqiptar

Postuar: 19/03/2019 - 07:11

Beteja kundër parlamentit dhe vet parlamentarizmit në Shqipëri ka kohë që ka filluar. Ka ndryshuar intensiteti dhe format po asnjëherë nuk ka pushuar. Ashpërsia, jo dhe jo. Ditë-fillimi i parlamentit përuroi edhe betejën e parë. Kështu ndër vite. Herë nismëtarë të betejave të majtët dhe më pas të djathtët. Po kulminacion të veçantë, lufta parlamentare, që kapërcen çdo cak demokratik, përtej çdo etike dhe morali u ashpërsuar sapo PD dhe LSI dolën në opozitë në 2017-të. Sa humbën pushtetin, nisën luftën kundër parlamentit dhe deputetëve si përfaqësues të popullit. Një gjueti shtrigash i ka shoqëruar kacafytjet mes deputetëve të krahëve të ndryshëm politikë. Megjithatë, debatet fill pas zgjedhjeve të vitit 2017 ishin disi të pranueshme dhe brenda kornizave të luftës politike mes mazhorancës dhe opozitës, betejat zhvilloheshin përmes dialogut. Kishte përplasjeje mendimesh dhe idesh të kundërta. Po me kalimin e ditëve gjithçka nisi të dalë jashtë ligjit, etikës, rregullores dhe moralit që janë kritere të domosdoshme të jetës së kuvendit në një demokraci parlamentare. Me nisjen e kësaj lufte të paprinciptë, parlamenti i ngjante një arene ku kishin zbritur jo përfaqësuesit e popullit, po gladiatorët e armatosur deri në dhëmbë. Po nuk vijoi shumë edhe kështu. Luftës kundër çdo nisme të mazhorancës, veçanërisht paralizimit me të gjitha forcat të reformës në drejtësi, nisur nga pretekste artificiale, siç ishte ajo e dekriminalizimit të politikës nga vetë politikanët, kupto PD dhe LSI, opozita braktisi parlamentin për një kohë të gjatë. Pas shumë varavingove u kthye në tempullin e demokracisë, vetëm një ditë para se të skadonte afati gjashtë mujor, ku niste edhe sanksioni i ndërprerjes së pagës së deputetëve. U gjet një “modus vivendi” siç ishte lëvizja studentore, më shumë si pretekst, sa si veprim real dhe deputetët u kthyen në sallën e kuvendit. U duk se mbërriti normaliteti. Po papritur, në një situatë pothuaj fare të qetë, si rrufe në kohë me diell, deputetët e opozitës morën vendimin ekstrem të braktisjes përfundimtare të mandatit të deputetit dhe nga parti parlamentare u shndërruan sa hap e mbyll sytë në parti paramilitare. E gjithë bota demokratike kundërshtoi me forcë këtë akt të paprecedentë, i cili bie ndesh me rregullat e vendosura të funksionimit të demokracisë. Po më kot. PD dhe LSI i taposën veshët me dyllin e refuzimit. Nisën të zbatojnë provën e forcës dhe kundërshtimit me të gjitha mjetet e me çdo çmim të këshillave, edhe kur ato vinin nga miqtë e partive simotra. Në këtë provë force dhe kundërshtim në bllok u afishua një përpjekje e sforcuar për të treguar rezistencë kamufluar në emër të demokracisë. Në vend të dëgjimit nisën të jepen këshilla. Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi dhe shumë figura të të dyja forcave opozitare morën poza si të fortët e lagjes. Qëndrimi i tyre duket i njejtë me fabulën e bretkosës, që desh të bëhej sa një ka. Urtësia ia la vendin burracakërisë, sa nisën të bëjnë këshilltarin si duhet të ishte qëndrimi që duhet të mbajnë faktori ndërkombëtar, të ardhurit, të painformuarit, iu kërkua të hiqnin syzat për të parë realitetin si opozita dhe të shikonin me objektivitet situatën që përjeton Shqipëria. Megalomania opozitare u kthye vite pas kur shaheshin tërë ata që merrnin në gojë Shqipërinë.

Ndryshe nga rastet e tjera, Basha dhe Kryemadhi i kthyen shpinën faktorit ndërkombatar dhe pothuaj vepruan njëlloj si gjatë ngujimit në çadrën para Kryeministrisë dy vjet më parë. Nga njëra anë opozita përpiqet të tregohet neutrale dhe si e pandjeshme ndaj qortimeve dhe këshillave të Europës dhe SHBA-së dhe në anën tjetër u jep kurajo militantëve për ta kthyer Shqipërinë në tokë të ndezur, ku të digjen parlamentarët e pushtetarët. Harrohet se mbi këtë tokë jetojnë të gjithë. Këtu ecin edhe opozitarët e familjarët e tyre, përjashtuar ata që i mbajnë në Holandë e Angli me qindarkat që kursejnë. Nëse ndizet zjarr kjo tokë, siç ngrehoset Basha, të gjithë do të kemi të njejtin fat. Edhe liderët opozitarë nuk janë sistemuar brenda kapsulave atomike as në këllëfë të çeliktë. Edhe ata janë të vdekshëm dhe nuk janë imunë t’u shpëtojnë flakëve që ndezin. Po kohët e fundit, ndryshe nga historia tridhjetë vjeçare politike, ku është sulmuar Kryeministria, kështjella e pushtetit në imitim të lëvizjes maqedonase e shteteve afrikane, opozita e sotme, target të betejave ka bërë parlamentin shqiptar. Jo vetëm me sulme direkte, si ato të muajit janar, shkurt e mars, rrethimin e parë, të dytë, të tretë, të shtatë, po edhe kur protestohet para godinës së qeverisë, sulmit nuk i ka shpëtuar godina e parlamentit. Parlamenti ka dalë në vend të parë. Është synimi “A”. Armiqësia me parlamentin është akumuluar në brendësi të trupit opozitar, është majisur, gati të shpërthejë në çdo çast. Turmat deri pak kohë më parë, të majta apo të djathta, kur kanë synuar të destabilizojnë shoqërinë dhe të nxjerrin nga sistemi mazhorancat nuk kanë ndërmarrë sulme kundër parlamentit. Është respektuar së paku edhe formalisht institucioni më i rëndësishëm i shtetit. Vendi që konsiderohet tempulli i demokracisë, agoraja popullore, ku burojnë tërë pushtetet e tjera, mazhoranca e opozita, gjyqësori e Presidenti.

Pikërisht për ta goditur në kokë sistemin në qendrën më nevralgjike, atje ku shpërndahet i tërë pushteti dhe ku gatuhen ligjet e vendosen strategjitë e zhvillimit të politikave të brendshme e të jashtme, opozita kërkon përmes betejave të dhunshme të paralizojë tërësisht dhe ta nxjerrë jashtë loje këtë qendër demokracie. Për të arritur këtë objektiv strategjik, skenaristët, regjisorët e organizatorët e frontit të bashkuar opozitarë kanë skicuar taktikat si dhe ku do godasin. Dhe kjo betejë antiparlament është bërë së fundmi tre dimensionale. Dimensioni i parë është lufta me godinën, fizikisht. Për të goditur këtë godinë që është “Capitol Hilli”shqiptar, strategët e dhunës, kanë përgatitur grupin e sulmit. Janë thirrur nën armë batalionet e Jalës, argatët e disa bashkive të vendit. Ata janë pararoja e protestuesve sa herë sulmohet godina. Është pararoja. Vija e parë. Armatosur me të gjitha armët për ta rrafshuar atë kështjellë. Të parët nisen “xhenierët” janë militantët me gurëhedhës mbi supe, me dashgoditës, me hunj, molotov, kapsolla, tymuese për t’u bërë të padukshëm. Mes tyre janë ata që njohin strukturën nën shtresore të godinës së kuvendit. Ata dinë ku janë tubacionet e ujit të pijshëm. Tubot e largimit të ujërave të zeza. Aspiratorët e ajrimit, sa thellë janë themelet. Ku janë bedenat dhe kullat e rojës. Gërmuesit janë ata që do hapin hendeqet për të hyrë nga nëntoka në fortesën përballë. Nëse “xhenierët” nuk do t`ia arrijnë të gjejnë tubacionet e ujit, atëherë mos u habitni nëse në mes të tymit dhe flakës, zhurmës së plasjeve të dinamitit përdorur tërë këto ditë dhe në 16-ën e dytë të shihni në sheshin para godinës, “kalin e bardhë” personazhin mitik të “Kështjellës” së Kadaresë, i cili i etur nga mungesa e gjatë e ujit, të gjejë duke nuhatur tubacionin e ujit për ta ndërprerë dhe ata që qëndrojnë brenda asaj salle të etiketuarit kriminelë e banditë të ngordhin si minjtë. Të mbeten atje në çark deri sa të japin shpirt. Po detyrat e grupit të sulmit janë të ndara deri në detaje. Janë dritarethyesit. Shtyllangjitësit. Pemprerësit. Portaëhapsit. Themeleshkulësit. Murerrëzuesit. Dhe mos u çudisni kur të shikoni kovat e serës së nxehtë, gurëhedhësit e minahedhësit. Po ky është njeri nga dimensionet anti parlament. Ai i shkatërrimit fizik. Është shprehja e inatit mbi godinë. Është urrejtja përse egziston kur në të mungojnë deputetët e “përparimit”! Është beteja e shembjes fizike.

Dimensioni i dytë është ai i luftës me deputetët e mazhorancës. Kjo është beteja reale. Më e egra. Më tmerrshmja. Sa ishin brenda asaj salle deputetët e opozitës, të prirë ga depueteti Berisha e Basha, Monika e Paloka, Ndoka e Noka, Kejda e Malaj i përdorën të gjitha armët. Arsenali i armëve nisi me bojën e vezët e përfundonte me shiringat e katranit. U pasuan me miellin dhe himet. Radha u erdhi këpucëve e çizmeve. Beteja nga brenda parlamentit arriti agresivitetin më të madh deri në përballje fizike. Si gjithnjë në ballë të sulmit deputetët skifterë kërkonin të vendosin forcën mbi logjikën. E bënë lëmsh dhjetëra herë parlamentin. Kujtojmë ditën e përurimit të Arta Markut Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, ku salla u ndez flakë dhe ndryshoi ngjyrë. Beteja parlamentare arriti vlimin. Lufta anti deputet nis në sallën e kuvendit dhe mbyllet në rrugë. Nisë në oborr dhe përfundon në portat e godinës. Të gjithë kujtojmë si u goditën, depuetët Stërkaj, Klosi e Abazi. Dy zonja deputete u lançuan në rrugën për të shkuar në banesat e tyre. Asnjëherë nuk kemi parë një seancë normale në Parlamentin e Shqipërisë, ku deputetët e të gjitha krahëve të debatojnë, të japin ide e mendime. Të propozojnë ligje dhe ato të marrin emrat e tyre. Nuk kemi sot asnjë ligj të emërtohet. Ligji “Basha”. Ligji “Kryemadhi”. Ligji “Paloka”. Ligji “Noka”. Ligji “Balla”, siç ndodh në tërë parlamentet e vendeve demokratike. Nuk kemi parë një shtrëngim duarsh pas një debati të ashpër dhe cilësor në interes të kombit dhe vendit. Kemi shijuar vetëm luftë të paprinciptë, sikur deputetët e djathtë do hanë me gjithë lecka të majtët. Ne, shqiptarët vijmë nga një sistem ku njëra palë fliste, të gjithë dëgjonin dhe nuk kishte opozitë. Individët opozitarë nëse dilnin kundër vijës së partisë i priste burgu. Po edhe sot, edhe pse formalisht kemi pozitë e opozitarë nuk ka asnjë rast të kemi shijuar politikë normale, debate progresive, brenda normave të demokracisë. Beteja kundër parlamentit sot ka edhe një dimension të ri. Pas djegies së mandateve nga PD dhe LSI dhe daljes së tyre në rrugë, zëvendësimin e politikës normale me luftën pa princip deri në asgjësim të kundërshtarit dhe kërcënimin për përmbysje të sistemit demokratik, frikësimit përmes sulmeve deri edhe të armatosura, me dinamit, molotov, kapsolla, municione luftarake, përleshje dhe goditje të policëve, gjakosje të tyre, përdorim të gazit lotsjellës, jo pak kandidatë nga lista shumë emërore e PD, LSI nuk e dëgjuan urdhërin e partisë, nuk iu përulën kërcënimit të Bashës e Monikës. Sapo pranuan të marrin mandatet dhe të tjerët që nuk i dorëzuan, Murrizi, Rudina, Koka u shpallën tradhtarë. Njerëz që prenë në besë partinë. Pikërisht ky është targeti më i ri, kryesori sot për sot i luftës së opozitës kundër parlamentarizmit. Ata, si bij plangprishës janë vënë në qendër të ciklonit. Dhe nëse deri kohë më parë beteja kundër parlamentit ishte dypolare, tani është bërë tre polare ose tredimensionale. Nëse shikon përpjekjet që bën lidershipi opozitar për ti bërë dalje këta deputetë, sikur nuk egzistojnë fare edhe pse asnjë ndryshim me ata që ishin, pasi janë të zgjedhurit nga këto parti, kjo është edhe beteja më egër që i ka acaruar në maksimum liderët e opozitës. Është kjo “tradhti”, kjo prerje në besë që e ka bërë betejën më të ashpër kundër parlamentit. E parë në tërësinë e vetë, beteja e PD dhe LSI-së, propaganda që i shërben, analistët e opinionistët, shtypi dhe TV që janë bërë zëri i tyre, i bëjnë jehonë pikërisht luftës tredimensionale kundër Parlamentit të Shqipërisë. E tërë kjo strategji synon të godasë në qendrën e demokracisë, pikën më nevralgjike, pushtetin legjislativ për të paralizuar e destabilizuar tërë shoqërinë tonë. Këtu i kanë rrënjët betejat anti parlament të opozitës. Në ditët që vijnë, duke u frymëzuar nga opozitarët përreth mos u habitni që betejave anti parlamentarizëm ti shtohen dimensione të reja. Për këtë punon lidrshipi opozitar. Kuzhina e opozitës përgatit strategji të reja antiparlamentarizëm! Koha do t’i verifikojë fantazitë e betejave të strategëve opozitarë.

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/07/2019 - 22:58

Sistemi bankar në Shqipëri është në ditën e vet më të zezë, duke u kthyer në institucion jokredibël dhe aspak transparent për publikun shqiptar dhe grupet e interesit.  Kjo bankë sot drejtoet nga një guvernator m

Postuar: 18/07/2019 - 07:15

Kjo farë demokracie, që s’po hyn ende në brazdë, ka sjellë një çoroditje, që fjalën e lirë

Postuar: 18/07/2019 - 07:13

Nuk do të rrinte pa bërë demagogji dhe llafollogji prej somnambuli politik dhe të pa afti të meri

Postuar: 18/07/2019 - 07:11

Lajmin se Monika Kryemadhi, ka një pallat në “Unazën e re” e kumtoi Presidenti Meta n

Postuar: 17/07/2019 - 07:15

Nëse i kthehemi retrospektivës për t'u ballafaquar me shprehjen epokale të bashkimit kombëtar

Postuar: 17/07/2019 - 07:14

- 422 mijë të punësuar nuk paguajnë kontributet!182 milionë euro deficit të skemës fundosin buxhe

Postuar: 17/07/2019 - 07:10

(Nuk di, pse mu kujtua kjo thënie e Shvejkut nga Bugjeovica)