Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Betimi i Alibeajt për të ngrënë edhe bar, si parullat e kohëve më parë

Postuar: 16/07/2019 - 07:10

Për të treguar vendosmëri në mbrojtje të kauzës dhe demokracisë, opozita jonë ka kohë që lëshon betime e deklarata nga më të çuditshmet. Shumica tullumbace që çahen sapo dalin nga buzët e shtrënguara të liderëve. Pas sloganit se “Jetën e japim dhe zgjedhjet e 30 qershorit nuk do i lejojmë”, “Zgjedhje me Ramën kryeministër nuk do të ketë”, së fundi edhe një deklaratë nga ish Ministri Drejtësisë, zoti Enkeiled Alibeaj se, “Bar do hamë, po diktaturën nuk do ta pranojmë”. Pothuajse e kishim harruar këtë parullë. Këtu nuk është punë bari as se vërtetë diktatura është një kërcënim për shoqërinë shqiptare. Është thjesht një simbolikë politike, një mënyrë të thëni në mllef e sipër nga përfaqësuesit e opozitës. Sidoqoftë, kjo puna e barit u ka prishur paksa mendjen shqiptarëve i ka turbulluar disi shpirtrat e tyre. Secili në këtë deklaratë, gjen diçka nga e sotmja, po edhe nga e kaluara. Gjithkush pyet: “Përsëri bar?” Shumëkujt, i kujton kohën kur udhëheqësi i Partisë së Punës në emër të mbrojtjes së Diktaturës së Proletariatit dhe Marksizëm- Leninizmit,u kërkonte shqiptarëve sakrifica sublime. Deklaronte se nuk do i dorëzoheshim bllokadës kapitalisto-revizioniste. Përkundrazi do i përgjigjeshim, duke refuzuar edhe bukën për ta zëvendësuar me barin e fushës dhe lëndinave që normalisht është ushqim për gjënë e gjallë. Po në emër të parimeve, bari do futej në menynë e ditës për popullin! Natyrisht, kjo ishte masë ekstreme, mburrje që buronte nga logjika e udhëheqësve të kohës, ku mbi mirëqenien e popullit, zhvillimin, liritë, demokracinë vendosej mbrojtja e parimeve të klasikëve të Marksizmit në emër të sistemit të instaluar në vendin tonë që pas vitit 1944. Shqiptarët, vërtetë nuk shkuan deri te bari, po tërë të tjerat, i përjetuan, duke filluar nga mungesa e llahtarshme në tregjet shqiptare, mungesa e ushqimeve bazë deri tek privimi i lirisë së lëvizjes, besimeve fetare apo demokracisë reale të cilat ishin të zëvendësuara me parulla marksiste dhe slogane që u kishte ikur koha. Qytetarët shqiptarë prej vitit 1990 me përmbysjen e sistemit komunist dhe përpjekjet për një ekonomi tregu dhe reformimit të gjithë shoqërisë dhe politikës në themel, duke e zëvendësuar diktaturën me demokracinë dhe lirinë e lëvizjes, besuan në ekonominë e tregut në vend të asaj të përbashkët. Në këto kushte e gjykonin të tejkaluar atë punën e ngrënies së barit. Po ja që nuk ndodhi kështu. Pas tri dekadash në emër të një kauze opozitare, duke braktisur dhunshëm institucionet dhe djegur mandatet e deputetëve si dhe refuzimin për të marrë pjesë në zgjedhe dhe zëvendësimin e politikës normale me revolucionin e protestave, Enkelejd Alibeaj, një nga zërat aktiv të PD-së për të treguar vendosmërinë absolute të partisë, u thotë shqiptarëve se janë aq të vendosur në rrugëtimin e tyre për të përmbysur mazhorancën, burimin e çdo të keqeje sipas tyre, sa të betohen se edhe bar do hanë po diktaturën nuk do ta pranojnë. Krahas huazimit të parullës ekstreme komuniste duke i bërë refresh të kaluarës nga një ish i përndjekur politik, me formim juridik, me përvojë menaxhuese, si ish Ministër i Drejtësisë, ndihesh i çuditur, si ka mundësi të flitet sot për rikthim në diktaturë dhe eliminimin e sistemit demokratik në emër të sistemit që lamë pas. Kjo është një e pavërtetë e madhe, një pamundësi absolute. Diktatura iku që me vitin 1990, po e keqja jonë, është se nuk po ndërtojmë dot demokracinë, sipas ligjeve dhe rregullave të njohura dhe zbatuara nga tërë shtetet demokratike në botë. Dhe për këtë partia e Alibeaj-t ka kusuret e veta të pakorrigjueshme. Diktaturën në Shqipëri nuk e do më askush. Ajo ka mbetur një atavizëm e tejkaluar, relike dhe çdo lojë me të është qesharake. Edhe nostalgjikët më të mëdhenj nuk e shikojnë më si opsion. Kuptohet opozita e përdor gogolin me diktaturë për të trembur popullin që e ka vuajtur mbi shpinë për 50 vjet regjimin diktatorial, që e di shumë mirë që nuk ka më asnjë të marrë të kërkoj kthim në diktaturë pasi është një pamundësi absolute. Kështu, deklarata e Alibeajt, se diktaturën nuk do ta pranojnë edhe sikur të mbetemi pa bukë e pa ushqime dhe në luftën e tyre kundër diktaturës demokratët do preferojnë të hanë edhe bar, është një thirrje qesharake dhe groteske. Një deklaratë vërtet komike , një slogan që i përket kohës së shkuar. Një kopjim i keq nga sistemi i shkuar që mbeti pas në 1990-ën. Që mbështetësit e PD dhe opozitës luftojnë për të arritur objektivat e tyre politike përmes betejave që ata i gjykojnë si më të frytshme, përmes braktisjes së sistemit apo edhe revoltave, deri edhe djegies së institucioneve apo shkollave, siç ndodhi para 30 qershorit në disa zona nga militantët e revoltuar në aksionet në emër të opozitës dhe dhunës permanente, dihet se janë përpjekje për të ardhur në pushtet. Tek e fundit çdo parti politike edhe ata që kanë vetëm pesë sa apo dhjetë anëtarë e kanë objektiv pushtetin se ndryshe përse do luftonin?! Po që liderë të partive opozitare ta bastardojnë politikën dhe propagandën deri në ekstrem në emër të kauzës për pushtetit dhe luftës kundër mazhorancës, kjo është e pajustifikuar dhe shkatërron imazhin politik të vet opozitës. Ç`kuptim ka betimi për të mbrojtur demokracinë dhe luftuar diktaturën deri në atë masë sa militantët e PD dhe LSI-së të heqin dorë nga ushqimi dhe ta zëvendësojnë atë me bar?! Deri këtu ka arritur puna sa të hidhen në opinion parulla të tilla, kopje të propagandës në diktaturë?! Kaq thellë ka shkuar varfëria në popullin opozitar, kaq shumë janë skamur militantët dhe drejtuesit e opozitës sa të mos kenë mundësinë për një ushqim normal, po ti drejtohen barit? Kjo është vërtetë për të qeshur. Është nga ato shakatë, shashka që hedhin opozitarët tanë për tu dukur interesantë dhe të besueshëm, të paepur po edhe viktima të regjimit “Rama”.Vërtetë tingëllon gjetje simbolike parulla e vjetër, ajo e barit për mbrojtjen e idealeve demokratike, kundër diktaturës që iu kanoska shqiptarëve. Është parulla e radhës. Shqiptarët kurrë nuk kanë mbetur pa bukë dhe nuk janë në situatë urie. Po pse Alibeaj i fton demokratët të lënë ushqimin dhe të hanë bar në emër të demokracisë? Ua kërkon në emër të luftës kundër diktaturës? Deri këtu ka arritur e keqja? Populli ynë e di se opozitën nuk e ka nxjerrë kush në rrugë, nuk e kanë larguar nga sistemi dhe institucionet. E ka zgjedhur vet rrugën. Kush i detyroi deputetët e opozitës që të bënin harakiri me mandatet dhe nga deputet, sot të thirren ish deputet? Përse duhet të bojkotonin zgjedhjet në kushtet kur deklarojnë se kanë mbi 85 përqind të popullit me vete dhe shumë mirë mund të hynin në garë e ti fitonin të gjitha bashkitë nga jugu në veri? Diktatura nuk është një nocion fiktiv. Është një tërësi veprimesh dhe masash që eliminojnë një sistem në emër të një tjetri dhe ka në themel braktisjen e sistemit. Atëherë për ç`bar flet Alibeaj në emër të PD-së kur askush nuk kërcënon me diktaturë? Parë në tërësinë e veprimeve dhe lëvizjeve të drejtuesve të opozitës, deklaratat për mos dorëzim të pushtetit lokal apo mosnjohje të institucioneve dhe ligjeve, atëherë kush e stimulon diktaturën?. Kur çdo dekret i Presidentit, vetëm mohon dhe nuk miraton ligje, emërime, rrëzon ministra e akademikë, kush po kërkon të instaloj diktaturën? Kur opozita nuk gjen ende rrugën e dialogut pa kushte, debatit dhe marrëveshjeve, cili po e instalon diktaturën? Të anatemosh tërë ndërkombëtarët dhe kancelaritë perëndimore, sikur po instalojnë diktaturën, se mbrojnë reformat, kush është realisht strategu i instalimit të diktaturës në këtë rast? Kur do pushtet në tavolinë përmes dhunës dhe bën gjithë përpjekjet për t`iu imponuar shumicës në rrugë jo demokratike , atëherë betimi i Alibeajt për të lënë deri edhe ushqimin, duke e zëvendësuar me bar në emër të demokracisë dhe kundër diktaturës, përveçse është një kopjim i trashë i të shkuarës edhe nuk ngjit. Diktatura nuk vjen nga reformat dhe zbatimi i ligjit edhe kushtetutës, po nga braktisja e tyre, kundërvënia ,dalja nga sistemi demokratik. Diktatura vjen nga revoltat në rrugë dhe sheshe. Besojmë se Alibeaj e di fare mirë që thirrjet për qëndrueshmëri nuk janë baras me të bërit viktimën. Parulla se “do hamë edhe bar, po diktaturën nuk do e pranojnë” nuk ka asnjë vlerë edhe propagandistike, le më të jetë efikase. Sakrifica ekstreme për tu ushqyer me bar në emër të idealeve edhe pse shitet si mbrojtje nga diktatura në të vërtetë është rruga për të instaluar diktaturën e rrugës në emër të demokracisë dhe interesave të partisë. Ky është thelbi i ftesës drejtuar shqiptarëve për të ngrënë edhe bar në mbrojtje të demokracisë e luftës me diktaturën. Kjo është e vërteta apo jo, Zoti Alibeaj?!

Nga Bardhyl Bejko

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 24/08/2019 - 07:51

Studio më e freskët televizive me moderator Çim Pekën nuk kishte si të çelte siparin ndryshe, veç me të intervistuarin e parë, kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.

Postuar: 24/08/2019 - 07:49

Një fushatë malinje dhe ç’kombëtarizuese po vazhdon prej kohësh me ulje ngritjet e saj nga

Postuar: 24/08/2019 - 07:48

Çdo vit e më shumë shtohet një nga fatkeqësitë kombëtare akoma e pa marrë seriozisht jo vetëm nga

Postuar: 24/08/2019 - 07:46

Kjo është përgjigja që merr nga fatorinot dhe shoferët e linjave urbane e ndërqytetëse të autobus

Postuar: 24/08/2019 - 07:45

Roli i lidershipit ka qenë dhe mbetet objekt studimi, për vetë domosdoshmërinë dhe interesimin që

Postuar: 23/08/2019 - 07:43

Beteja me informalitetin ka nisur me një tjetër ritëm.

Postuar: 23/08/2019 - 07:41

Shqipëria është nga të paktat "demokraci hibride" që të keqen e madhe të saj, e ka në m