Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Betimi i Hipokratit, dhe shtetarët “hipokritë”!.

Postuar: 11/10/2018 - 07:12

“...Në çastin kur po hyj në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor, premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të humanitetit... Shëndeti i pacientit, do të jetë brenga ime më e madhe... Do ta ruaj me të gjitha forcat e mija nderin e traditës fisnike të profesionit të mjekësisë...” Edhe kaq sa shkruaj nuk besoj të marrë mundimin e t’i lexojë ndonjë mjek profesionist e jo më të bëjë përpjekje, të zbatojë qoftë edhe një të mijtën e atyre dhjetra formulave në betimin e Hipokratit. Edhe kaq, sikur rastësisht t’i lexojë, menjëherë do të shprehet: “Shiko shiko, u bënë edhe këta të na bëjnë moral, ne mjekëve...” Ndjenja e fudullëkut është një e keqe e madhe që sidomos ne, e kemi shumë për zëmër. Kjo ndjenjë ka depërtuar kudo, në çdo profesion, por ajo ç’ka është kryesorja, ajo që do të kishte më pak doza të kësaj ndjenje, do të ishte mjekësia, për vetë natyrën e saj humane”. Kur e them këtë kam parasysh Shtetin e ashtuquajtur demokratik, i cili është i pari “hipokrit” që me hipokrizinë e tij “infekton” tërë personelet mjekësore dhe bën që qytetarët të llafosin me vete! Thuhet shumë, flitet dhe shkruhet shumë por kurrkush nuk dëgjon, kurrkush nuk merr mundimin që t’u vijë në ndihmë këtyre fatkeqëve qytetarë, që me të drejtë thonë “Xhan o Diktaturë ku je sepse, vërtet shumë të këqija kishe, por të paktën, mjekësinë e kishe falas për të gjithë, sepse të gjithë, ishin njësoj”! Nëçdosektor, por ca më pak në shëndetësi, nuk pinë ujë “pallavrat” apo premtimet e politikanëve.

Askush nuk e do Diktaturën që mos u kujtoftë, por nga e keqja më e madhe që e ka zënë për fyti këtë qytetar, e djeshmja ishte e keqja më e vogël. E para që duhet të them, është që secili, së pari duhet t’i lutet Zotit që të mos e gjejë asnjë e keqe në shëndetin e tij, sepse, në të kundërt, jo vetëm që do të shesi gjithçka por asgjë nuk do të fitojë. Njerëzit i mban vetëm shpresa sepse shërbimi mjekësor këtu, është për të vënë duart në kokë! Të gjitha shërbimet, por në mënyrë të veçantë shëndetësia, është shumë e prekshme, shumë e ndjeshme për të gjithë, sepse të gjithë, për çdo problem shëndetësor, do të drejtohen atje. Këtë e dinë të gjithë, por më shumë e dinë ata që i zë halli dhe nuk kanë nga t’ja mbajnë. Po flas më konkretisht. Pacienti K. K., bëri një ndërhyrje kirurgjikale në Spitalin “Nënë Tereza”, spital i cili është për të gjithë Shqipërinë sepse, jo vetëm në qytetet e vogla por edhe në ato që quheshin dikur të Kategorisë sëparë, mjekët japin vetëm rekomandime për të shkuar në Tiranë. Kaloi mbi një muaj dhe analizat e biopsisë, nuk po dilnin, shkon vetë i interesuari disa herë dhe mjekja laborante jep e merr për disa kuadrate të ngjyrosura që nuk ja shëmbëllenin mirë sytë. “Kaq e kemi mundësinë ne, thotë dhe analizat e tjera, mund t’i bëni gjetkë”.Të gjithë mjekët atje, ngrenë supet dhe nuk të japin asnjë drejtim... Mbasi paguan për të marrë tabulatet e atyre analizave të pakta që ishin kryer, shkon tek shefi i shërbimit. E pyet shefin “Po mirë, shteti nuk i përgjigjet këtij pacienti për të bërë të gjitha analizat e biopsisë”? Mjeku, sikur ta kishte pickuar ndonjë gjarpër bërtet i inatosur: “Këtë, shkoni e ja kërkoni Timonierit”! Nuk duhej ta zgjasje më për të kërkuar sqarime tek ky inatçor. Nuk do t’i kisha kushtuar rëndësi kësaj të paktën për të mësuar se kush është “Timonieri”, por këtë shprehje e dëgjon jo rrallë në këtë spital. “Nuk na lejohet të bëjmë operacione, sepse na e ka ndaluar Timonieri”, dëgjon në një pavion tjetër. Shkon pak më poshtë tek Spitali Onkologjik dhe aty, pacientja E. Xh., ka pesë vjet që merr një gjilpërë të quajtur Zoladex, shumë jetik për shëndetin e saj. “Pesë vjet këtë gjilpërë, çdo muaj e bëj në Greqi dhe atje ma sigurojnë mjekët pa asnjë interes, kurse shteti im me Timonierin në krye, nuk më ka siguruar as edhe një të vetme”, shprehet ajo. Gjen shumë prej atyre që vijnë për të bërë kimioterapinë dhe ilaçet kanë mbaruar. “Hajdeni javën tjetër”! Ky është Shteti i Timonierit që premtonte mjekësinë falas! Edhe këta qytetarë që janë “kockë e lëkurë” nuk e duan mjekësinë falas, por të paktën të ketë një tarifë të caktuar në spitalin shtetëror, nëse do të paguajnë qytetarët këta mjekë që paguhen nga shteti dhe sa, sipas shërbimeve që bëjnë, që edhe pagën, edhe zyrën, edhe të gjitha ua jep shteti! U binda që Timonieri na qenka kryeministri, i cili, siç duket u ka kallur frikën mjekëve me “makinën” e tij shëndetësore pa timon që drejton dhe nga kjo “Zhangare” mjekësi, mjekë hipokritë, dalin një e nga një nga “llamarinat” e saj të kohës së “tanzimatit” dhe sorollatin qytetarët! Shprehja “Shkoni e ankohuni tek Timonieri” më kujton “Lulin e Vocërr” të Migjenit që kudo shkonte, dëgjonte vetëm shprehjen “Hajt, Zoti të dhashtë”!. “Ik dhe gjej ilaçe të tjera sepse këtu, shumica janë të skaduara”, të thotë një mjek tjetër, të cilit, siç duket i ka mbetur ndonjë dozë humanizmi. Barnat e skaduara, në këtë spital janë me kuintalë. Këtë bëjnë sekserët dhe shtetarët hipokritë të këtij Shteti hipokrit, që sjellin barnat vetëm gjashtë muaj para se të skadojnë! Përsa i përket çmimit, e dinë vetë se sa ja shesin qytetarëve! Specialistët dinë më shumë se si dhe kush i fiton tenderat, por ajo ç’ka dihet mirë është që shteti, ose është fare i pafuqishëm përballë privatëve, ose me qëllim stimulon privatët, që edhe ata të rrjepin në kurriz të qytetarëve. Pacienti në fjalë, që kreu operacionin iu përgjigj një më një sekseres kur doli nga salla e operacionit. “X” është shuma për mjekun, ”Y” është shumë për narkozistin, “Z”është shumë për reanimatorin etj., etj., sipas “kontributit” të tyre!

Kjo ishte faza e parë e “suksesshme” por halli vjen më pas, në fazën e dytë, për t’i dhënë drejtimin se ku të shkonte pacienti për të kryer deri në fund analizat e biopsisë, për të cilën, të gjithë ngrinin supet! Përveç kësaj shume që pacienti pagoi në spitalin e shtetit, do t’i duhet të paguajë edhe 400 euro tek spitali privat! E të gjitha këto, do të dalin nga pensioni prej 7 mijë lekësh të reja që shteti “human” paguan pensionistët e tij për kontributin që kanë dhënë. E çfarë t’i them këtij Shteti hipokrit që fshihet prapa “Hipokratit” Nënë Tereza? Më mirë do të ishte që këtë spital ta quante “Spitali Babale”! Është e natyrshme që do të ketë edhe spitale privat edhe ata, të bëjnë punën e tyre për ata që janë “Zengjinë”. Por, problemi është që edhe spitali shtetëror që është për më shumë se gjysmën e popullsisë që janë pensionistë me shtatë mijë e deri në njëzet mijë lekë pension shkojnë dhe “përplasin” kokën tek privati që të shesin edhe kasollen nëqoftëse kanë dhe më pas, të ngrohen në diell! Familjet në nevojë, shtresat e pambrojtura, invalidët etj., etj., sytë i kanë tek shteti i tyre tek ky shtet hipokrit, që askujt nuk i del për zot, me politikat e tij sociale që i kanë “humbur” të gjitha! Shikoni azilet e të moshuarve dhe do të bindeni për këtë. Shikoni më shumë se dyzet mijë familje që jetojnë me katër mijë lekë në muaj dhe do të bindeni edhe më shumë. Pacienti M. G., ka ardhur nga një fshat në Zonën e Korçës. “Deri në muajin Dhjetor, thotë ai, mjekja e familjes na ka thënë që të gjitha ilaçet e rimbursueshme do t’i paguani me çmimin që kanë. As për gjysmat e tyre nuk na del pensioni. Kështu na thonë dhe kështu bëjmë, kush të qan hallin? “Të gjitha ilaçet e të sëmurëve kronikë, nuk do të rimbursohen thotë një mjek tjetër nga kjo zonë, sepse fondi i tyre ka përfunduar”. Fondi i ilaçeve të rimbursueshme, përfundon në mes të vitit! Çfarë tjetër mund t’i thuash kësaj përveçse janë vjedhur? Spitali shtetëror nuk ka reagentë, spitali privat, ka. Kujt t’i ankohesh? Spitalet rajonale, pacientin e dërgojnë në spitalin “Nënë Tereza”, spitali nga ana e tij, i drejton tek privati dhe kështu pacientët vërtetojnë atë që Toka është e rrumbullakët! Këtë e vërtetojnë edhe devollinjtë që shkojnë në qytetin e Pogradecit për të marrë një firmë tek mjeku neurolog, sepse qyteti i Korçës nuk ka, dhe përsëri kthehen në Devoll, që nganjëherë i duhet të shkojnë edhe disa herë derisa ta gjejnë mjekun “shëtitës”! Bashkëshortja S. M., hyn në reanimacion të shohi bashkëshortin e saj që është rrëzuar aksidentalisht gjatë punës.. I fut në xhep dicka policit që qëndron tek dera dhe hyn. Aty, takon mjekun. Ky mjek, në vend që t’i japi pak kurajo, duke e parë shtrembër, i thotë: “Mos kujtoni se e ka kaluar rrezikun, rreziku tek ai është prezent”. Bashkëshortja, si ta kuptonte këtë? Ashtu si e mendoi, nxori një shumë nga çanta dhe ja futi mjekut në xhep! Fytyra e mjekut sikur u “celevit” pak! “Do të bëjmë të pamundurën që t’i shpëtojmë jetën, prandaj qëndroni e qetë”. Duhet t’ua kuptosh edhe gjuhën mjekëve, duhet t’ua kuptosh edhe mendimin që “bluajnë” pa, sa për shkrimin që nuk ja lexojnë, kjo nuk ka fare rëndësi! Të flasësh për raste të tilla me mjekët, janë aq shumë sa që çdo qytetar shqiptar ka të paktën jo më pak se njëqind të tilla për të treguar, dhe as që nuk ja vlen t’i tregosh. Thelbi mbetet vetëm një Shteti hipokrit, nuk u del për zot qytetarëve të vet dhe shtetarë, qofshin këta edhe mjekë, spekulojnë me hipokrizinë e tyre, hipokrizi, që e “kopjojnë” nga shteti. Rruhuni qytetarë dhe lutjuni Zotit që të vërë dorën në zëmër që të paktën me shëndetin të mos keni probleme, përndryshe, do të vuani!

 Nga Pandeli BARDHI       

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/10/2018 - 07:41

Zakonisht ndryshimet e thella dhe mendimi ndryshe vijnë nga qendrat e mëdha, metropolet. Dhe kjo nuk është pa arsye.

Postuar: 21/10/2018 - 07:39

Para ca ditësh u paraqit në prokurori lideri i opozitës, Lulzim Basha për të dhënë sqarime rreth

Postuar: 21/10/2018 - 07:37

Njeriu kaq shumë i përfolur mediatikisht për korrupsion dhe pasurim si gjyqtar i lartë, ju ka dhë

Postuar: 20/10/2018 - 20:05

Më në fund pas merkatos të futbollistëve, merkatos së peshkut dhe merkatos së plehrave hyri në lo

Postuar: 20/10/2018 - 07:27

Lajmi i mirë

Postuar: 20/10/2018 - 07:26

Në jetën tonë të përditshme jetojnë në një simbiozë perfekte bixhozi real, kumari i kazinove dhe

Postuar: 20/10/2018 - 07:24

Dorëheqja e papritur e ministrit të Jashtëm grek Kotzias dhe deklarimi i atypëratyshëm i kryemini