Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Betimi i snaiperistëve opozitarë, Ramës plumbin në ballë!

Postuar: 19/06/2019 - 07:24

Edi Rama është nga të pakët politikanë që e ka shoqëruar sherri dhe urrejtja gjatë tërë karrierës së tij politike që sa futi këmbët në Ministrinë e Kulturës, vazhdoi në Bashkinë e Tiranës dhe kurba shënoi kulmin këto gjashtë vjet në krye të qeverisë të Shqipërisë. Fati i tij është në simbiozë me njeriun që kërkonte të ngrinte në majë të malit gurin e Sizifit. Sa më lart të ngjitej, aq më i mundimshëm bëhej rrugëtimi për përmbushjen e misionit të arritjes së lartësisë për ta zhvendosur peshën e rëndë në kuotën më të lartë. Natyrisht, Rama nuk është Sizifi i legjendës. Po ka një përngjasim të çuditshëm më së shumti në rrethanat kur ka drejtuar dhe sulmet që i kanë bërë kundërshtarët politikë deri në denigrim total të cilat janë shumë më rraskapitëse se njeriu i legjendës pasi shtohet denigrimi, fyerja, ultimatumet, kërcënimet me jetë, urrejtja, mallkimet.

Ndryshe nga betejat për të marrë pushtetin përmes zgjedhjeve nga kundërshtarët politikë, ai ka ndjerë mbi shpinë një luftë, jo politike, normale, po dhunë të tmerrshme, larg çdo standarti demokratik e sjellje mes qytetarëve. E kanë goditur deri në asgjësim të plotë, duke e lënë pa frymë në prag të shtëpisë, ku e shpëtoi mrekullia dhe rastësia. U gjend mes pellgut të gjakut me plagë të rënda, i rrahur barbarisht nga falangat e krimit. Dhe kjo se guxoi të flasë për pushtetin e Berishës. U denigrua deri në absurd gjatë drejtimit të Tiranës. Se e transformoi. I është kërkuar, jo largimi nga politika, po ikje nga jeta përmes kërcënimeve permanente të të gjitha llojeve. Shumë individë e kanë dashur dhe e duan në botën tjetër. Ç`është kjo urrejtje absurde deri në çmenduri? Cili është mëkati i tij dhe a e ka merituar një trajtim të tillë çnjerëzor, agresivitet të pashembullt, militarë, të panjohur më parë në një vend që pretendon se ndërton demokracinë?

Është vërtetë një sjellje çnjerëzore që vetëm këtu tek ne mund të ndodhe nëse nuk marrim si referencë vende në luftë, ku eliminimet fizike janë strategji për pushtet. Po mes vendeve demokratike, jemi rasti tipik, ekskluziv. Këtu tek ne nuk bëhet politik. Armë nuk është fjala, rruga e suksesit nuk është debati. Për kulturë e sjellje politike as që bëhet fjalë. Jemi kilometra larg sjelljes demokratike mes kundërshtarëve. Fatkeqësisht mundja e kundërshtarit në emër të pushtetit, shihet si asgjësim fizik, përmes betejave dhe luftës pa asnjë moral. Nuk bëhet fjalë për ta mundur kundërshtarin përmes votës, për ta anatemuar bazuar në gabimet e fajet e tij. Jo! Këto nuk i hynë në punë askujt. Aq më pak opozitarëve. Kjo vijë sjellje, është gati tridhjetëvjeçare. Po kohët e fundit është shndërruar në një betejë për jetë a vdekje. Të gjithë i kemi dëgjuar liderët e partive politike të cilat janë rreshtuar në frontin opozitarë. Kemi parë si Berisha ka sulmuar me rrënjë e degë, me familje e fis, me fjalorin më të pistë, deri në poret më të imta, duke i bërë një listë të gjatë nga babai deri tek fëmijët. Sa herë ka bërë thirrje për ti dhënë plumbin ballit?! Dhe jo figurativisht, as politikisht. Për ta hedhur në Lanë, për ta vrarë e për të asgjësuar fizikisht si të ishte armiku më i urryer i kombit. E gjitha kjo se i ka marrë pushtetin e ka nxjerrë në pension politik. Të njejtën betejë ka zhvilluar Lulzim Basha, i cili ka ngritur kundër Edi Ramës stuhinë e urrejtjes përmes revolucionit donkishotesk “Rama ik”. Ka kërkuar edhe ai që ti jepet fund pasi sipas tij, Rama është një fatkeqësi kombëtare. Dhe për këtë përditë i ka dalë në prita me militantët e tij, e ka bllokuar për të takuar qytetarët përmes grupeve të sulmit, skuadrave vrastare shëtitëse nga Shkodra, Korça, Fieri në Sarandë. E keni dëgjuar zonjën Monika Kryemadhi, kryetaren e LSI-së e cila ka lënë mënjanë çdo etikë dhe sjellje njerëzore, duke u lutur për vdekjen fizike përmes të gjitha formave. E ka anatemuar. I ka parashikuar fundin tragjik. E ka kërcënuar se do gjendet një femër shqiptare që t`ia numërojë në lule të ballit plumbin, kryeministrit Rama. Monika ka kapërcyer çdo parashikim dhe ka shkuar shumë larg duke u shndërruar nga politikane në fallxhore. Po në kopjim të strategjisë së liderëve nuk kanë mbetur pas ata që përbëjnë korin e këngës së vdekjes. Sikur Rama të mos ishte një nga ne, bir shqiptari, njeriu që ka mbi supe një histori suksesi dhe sfidash që askush nuk do ti ndërmerrte. Kundër një shtetari që në këto vite me stoicizëm dhe fuqi të jashtëzakonshëm, me kurajo dhe dinjitet, ka ndërmarrë me qeverinë që drejton reformat më të thella në historinë e këtyre tri dekadave. Këtu nuk është fjala për të renditur punët e Kryeministrit Rama. Edhe pse të flasësh me këtë gjuhë duket se je kundër rrymës, përballë korit të atyre që këndojnë këngët e vdekjes. Po nuk mund të mohohet përpjekja për të vënë shtetin në shina. Për të zbatuar ligjin. Për të sjellë një erë të re ndryshimi. Për përfaqësimin më të lartë të femrave në të gjitha hallkat e pushtetit deri në qeveri. Për një politik të brendshme në interes të qytetarëve dhe të jashtme në mbështetje të paqes në rajon e më gjerë. Larg konflikteve më fqinjët dhe pro nismave të rëndësishme globale me fuqinë që ka shteti ynë i vogël. Nuk mund ti mohohet modernizimi i shtetit. Administrata. Vendosja e ligjit si prioritet. Përpjekjet për ti mësuar qytetarët se duhet të paguajnë ujin dhe energjinë. Beteja për të futur në rrugën e zgjidhjes probleme të mprehta, si ato të pronës, legalizimeve, dëmshpërblimit të ish të persekutuarve politik, rregull në urbanistikë, rehabilitimin e qyteteve dhe fshatrave apo ndërtimin e rrugëve të mbetura në mes nga pushteti paraardhës. Nuk mund t’i mohohet përpjekja në një betejë të ashpër me lojërat e fatit, ku Shqipëria ishte shndërruar në parajsën e bixhozit. Nuk mund të mohohet mbështetja për reformën në drejtësi, një nga arritjet e vlerësuara nga faktori ndërkombëtar. S`ka si të lihet mënjanë mbështetja e pakufishme dhe zgjidhjet për studentët që nga infrastruktura deri tek mësimdhënia. Dhe mbi gjithçka nuk mund të mos vlerësohet, sjellja ndaj protestuesve të dhunshëm të opozitës dhe menaxhimi pa dhunë i tyre edhe pse për shumë më pak, kohë më parë, ata që e kërcënojnë me jetë sot, pa molotovë e fishekzjarre, pa shishe benzine, vranë qytetarë para godinës së Kryeministrisë.

Nuk mund të injorohet vlerësimi i Komisionit Europian për përmbushjen e kushteve dhe kërkesa që Shqipërisë ti çelen negociatat apo vlerësimi i DASH për një qeveri legjitime që lufton për progres dhe ka arritur tregues të rëndësishëm. Dhe të gjitha këto nën një trysni të panjohur më parë në këto tri dekada. Edhe pse anatemohet për arrogancë ndaj medias duhet të pranojmë se është më i sulmuari nga kjo medie dhe kjo se nuk është konformist, po i drejtpërdrejtë. Në se do ta kishte blerë median, siç akuzohet nuk do dilnin për natë në ekranet e TV-ve tellallët që kërkojnë destabilitet. Pikërisht për të gjitha këto sulmohet, ndryshe nga tërë paraardhësit. Është kjo arsyeja që kori opozitarë, ka ngritur tonet dhe ka sulmuar Kryeministrin Rama. Rama nuk është i pakritikueshëm. Ai ka gabimet e veta në politikën që bën. Ka dështimet që nuk mund të injorohen. Dhe vet është koshient dhe i njeh dobësitë. Po kundërshtarët politikë nuk i luftojnë dobësitë dhe mosrealizimet. Kjo do ishte rruga e duhur për t’u mbushur mendjen shqiptarëve për t’i kthyer në vota për opozitën dhe do ngjallte shpresat për një drejtim më të mirë të punëve të shtetit. Përkundrazi. Më së shumti i goditen sukseset, arritjet, reformat, përpjekjet. Se këto e acarojnë më shumë opozitën tonë pasi bën llogari se i largohet pushtetit në se ndryshimet do jenë të thella dhe arritjet të prekshme. Nën shembullin e liderëve, atyre që betohen me zë basi, të krekosur se do bëjnë hatanë dhe shenjojnë vendin ku do ta godasin Kryeministrin Rama për ta zhdukur fizikisht, se politikisht janë në të drejtën e tyre nuk mbeten pas edhe disa zëra minorë që mjaullinë, si kotelet në ferra, duke u mburrur se edhe ata do i japin plumbin ballit Ramës. Dhe të gjithë snajperistët e opozitës e kanë vendosur, jo thjeshtë për ta varë, po për ta goditur në ballë. Sa mbaron deklaratën Balliu e merr fjalën Brahimllari. Ia pret Tit Vasili. Ngre tonin Nard Ndoka e Noka dhe acarohet Paloka. Ndoka dhe Ademi më pas. Edhe Presidenti i Republikës, Meta në radhë nuk iu nda snajperistëve. Ndaj u betua: Parlamenti i “Çunave të Shijakut” do marrë përgjigjen e merituar. Parlamenti i Shqipërisë do pushkatuar!? Të gjithë flasin për plumba në lule të ballit. Sikur të mos mjaftonin politikanët me snajperistët bashkohen edhe gazetarët. Rama e do plumbin në lule të ballit, deklaron Basir Çollaku. Në të njëjtën shënjestër edhe Mark Marku. Edhe profesor i komunikimit në gazetari, zgjedh për ta vrarë Kryeministrin, jo me votë, po me plumb në lule të ballit. Të gjithë snajperistët opozitarë, kanë hyrë në garë për ta vrarë secili më parë,jo për ta mundur në beteja zgjedhore me votë, po me eliminim fizik, duke u betuar se do i japin plumbin në lule të ballit. Janë politikanë tanë opozitarë që nuk e mundin dot Ramën me votë, po duan ta eliminojnë me plumb në kokë.

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/07/2019 - 07:20

Voltana Ademi i kërkoi ndihmë disa ambasadorëve të huaj për të hetuar e vendosur drejtësinë në lidhje me votimet e 30 qershorit dhe për vazhdimësinë e mëtejshme ligjore të pushtetit lokal në Shkodër.

Postuar: 23/07/2019 - 07:18

Pasi u dergj rrugëve, mbushi burgjet me huliganët, shkatërroi dhe u shkatërrua vetë, opozita na q

Postuar: 23/07/2019 - 07:16

Propozimi i Presidentit Ilir Meta për zgjedhje të trefishta në 13 tetor është njëherësh edhe para

Postuar: 23/07/2019 - 07:15

Isha i sigurt që Lulzim Basha do të shpikte një marrëzi tjetër që të bënte ballë si reputacionit

Postuar: 21/07/2019 - 07:48

Prej javësh qëndroj orëve të pasditeve në fshat.

Postuar: 21/07/2019 - 07:36

Dorëheqja e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, u përcoll në kohë reale në tërë mjediset

Postuar: 21/07/2019 - 07:35

Dje Departamenti Amerikan i Shtetit (ministria e Jashtme e SHBA-ve) kumtoi vlerësimin dhe mbështe