Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Biblioteka “Çoçoli” dhe një emër i munguar i investitorit nga Amerika

Postuar: 21/04/2017 - 07:33

Prolog

Elbasani ka qenë gjithmonë i etur për dije e kulturë, por edhe për vepra bamirësie dhe mirësi njerëzore, që e tregon mjaft qartë vetë historia e qytetit.

Veprat humanitare dhe ato bamirëse mbesin përjetësisht në kujtesën e brezave. Elbasani është i njohur me këtë dukuri njerëzore dhe fisnike njëkohësisht. Tregojnë se njerëz të pasur kanë bërë ndere dhe kanë dhënë ndihma, kanë ndihmuar familje dhe bënin pajat e nuseve që martoheshin. Një i tillë ka qenë Sulë Domi, i njohur për shpirtmadhësinë e tij në këtë drejtim.

Nuk mund të harrohet dhe ka mbetur si një vlerë e madhe ngritja e bibliotekës publike të qytetit që u ngrit nga Familja Baholli dhe që mori emrin e njërit prej djemve të kësaj familjeje Qemal Baholli më 1934. Sot ajo është një vlerë e madhe jo vetëm historike, por edhe akademike, në të cilën kanë studiuar normalistë dhe që më pas u bënë personalitete, profesorë dhe akademikë të shquar.

Një vlerë të tillë ka edhe shkolla Ali Agjahu (ish shkolla Thoma Kalefi) e ndërtuar pikërisht nga njeriu që sot mban emrin kjo shkollë dhe që në të kanë mësuar breza të tërë fëmijësh që janë bërë të vlefshëm për qytetin dhe atdheun e tyre.

Me një ndjenjë mirësie dhe respekti mund të themi fjalë edhe për godinën e bibliotekës së Universitetit (sot), godina e së cilës është dhuratë e një bamirësi elbasanas që jetoi dhe ndërroi jetë në SHBA. Ibrahim Çoçoli ka mbetur në kujtesën e atyre që njihnin dhe duhet të mbesë edhe në kujtesën e brezave qytetarë elbasanas se ajo është vepër bamirësie e ndërtuar me amanet nga paratë që la trashëgim me këtë qëllim të caktuar ky qytetar i nderuar.

Më 1974, sipas testamentit të shqiptaro-amerikanit Ibrahim Çoçoli, u ndërtua pikërisht në ish ambientin e vogël që shërbente si bibliotekë fëmijësh, ku punonjëse ishte Nashifer Çërraga (Haxhihyseni). Ajo ishte dhe punonjësja e parë e kësaj biblioteke. Në vitin 1974 shteti monist shqiptar i asaj kohe bëri inagurimin e kësaj biblioteke me emrin “Ibrahim Çoçoli”. Por pas inagurimit iu hoq pllaka me emrin e tij dhe gjatë gjithë kohës ajo u quajt biblioteka “Vullnetari”. Sot Biblioteka e Universitetit, pa emër.

Ibrahim Çoçoli dha krejt kursimet dhe punën e tij për zhvillimin, kulturën, arsimin e vendlindjen. Por çfarë bëri pushteti i asaj kohe? Sa për të parë avokati fotografinë të dokumentuar se u ndërtua biblioteka sipas testamentit, u vendos një pllakatë mermeri me emrin “Ibrahim Çoçoli”, e cila u hoq sapo u fotografua për t’iu dërguar avokatit të Ibrahim Çoçoli dhe sipas punonjësve të kësaj biblioteke, ruhej si relike në katin e dytë, midis shkresave të bibliotekës. Ajo që të bën përshtypje është se në një fotografi të kohës në një nga ambientet e brendshme të sheh syri një kornizë brenda së cilës shkruhet: “Ndihmoi për ngritjen e kësaj biblioteke edhe Ibrahim Çoçoli”. Çfarë ironie për paratë e këtij atdhetari që punoi dhe kursimet e tij i mendoi për librin, bibliotekën në shërbim të bashkëqytetarëve të tij...! Tashmë kjo bibliotekë ka ndryshuar, duke u tjetërsuar dhe bërë e madhe, bashkëkohore, por themelet e saj janë tek mundi dhe djersa e Ibrahim Çoçolit i cili në paqe kërkon të ketë diku emrin e tij.

Disa të vërteta për këtë bibliotekë

Pas vdekjes së zonjës Nashifer Çërraga, u emërua Zhaneta Janku. Më pas ajo shkoi pas të shoqit, Ilia Janku, diplomat në ambasadë pranë OKB-së dhe në vend të saj u emërua znj. Zenep Tafa dhe Tatiana Cani. Më pas Tatiana u transferua në Bibliotekën Publike “Qema Baholli” dhe në vend të saj u emërua znj. Myrvet Dhono. Të dyja këto punonjëse punuan me përkushtim në shërbim të fëmijëve dhe rinisë se gjithë qytetit, kështu si shprehet znj. Myrvet Dhono. Zenep Tafa dhe Myrvet Dhono punuan së bashku në këtë bibliotekë deri në vitin 1991, kur biblioteka u bë pjesë e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” dhe librat, pasuria më e vyer e kësaj biblioteke, përfunduan në një ambient aspak të sigurtë, në gjimnazin “Ahmed Dakli”, ku dritaret ishin të pasigurta dhe dryni i derës hapej pa problem duke marrë çdo gjë që i nevojitej. Vetëm në vitet 2004 u transferuan në Bibliotekën Publike “Qemal Baholli” ato libra që ngelën..

Ka punuar shumë pak në këtë bibliotekë znj. Elisabeta Aliu, e cila është emëruar bibliotekare në vitin 1985, e më pas është transferuar në Bibliotekën Qendrore, ku ka punuar deri në vitin 1993, vit kur u shkurtua pothuajse gjysma e stafit, për arsye të vështira që po kalonte vendi ynë.

Gjithashtu, në këtë bibliotekë ka punuar si libërlidhëse Manjola Lleshanaku, e cila edhe kjo ka punuar nga viti 1988 deri në vitin 1991, dhe më pas ka vazhduar në Bibliotekën Qendrore deri në vitin 1992, kur mori një bursë për në Itali si e përndjekur politike.

Ibrahim Çoçoli dhe pabesia e regjimit komunist

Ibrahim Çoçoli dha krejt kursimet dhe punën e tij në SHBA për zhvillimin, kulturën, arsimin e vendlindjen, si një akt human dhe madhor në kushtet që ishte vendi ynë.. Por çfarë bëri pushteti diktatorial i kohës? Sa për të parë avokati fotografinë të dokumentuar se u ndërtua biblioteka sipas testamentit, u vendos një pllakatë mermeri me emrin “Ibrahim Çoçoli”, e cila u hoq sapo u fotografua për t’iu dërguar avokatit të z. Ibrahim Çoçoli. Tashmë kjo bibliotekë ka ndryshuar, duke u tjetërsuar dhe bërë bibliotekë universitare në shërbim të studentëve që kanë bërë studimet në Universitetin “A. Xhuvani”, njeri prej të cilëve jam edhe unë, shkruesi i këtyre radhëve.

Ibrahim Çoçoli ka lindur në Elbasan më 1910. Emigroi për në Amerikë në vitin 1927. U kthye nga Amerika në vitin 1937, por u largua përsëri nga Shqipëria në vitin 1939. Punoi në Amerikë deri në vitin 1971, vit në të cilin ndërroi jetë. Ai kishte lënë një testament, si më poshtë:

 “Unë, lë me testament dhe lë trashëgim të gjitha ç’më kujtohen dhe mbetje të pasurisë sime tek Petër Kazim, të përmendura në këtë dokument, në besim kurrë më pak për përdorimet dhe qëllimet e mëposhtme:

1. Unë dëshiroj dhe të kërkoj që një bibliotekë të ndërtohet në qytetin tim të lindjes Elbasan, Shqipëri, dhe biblioteka e thënë të furnizohet me libra që kanë vlerë edukative. 2. Një pllakë duhet gdhendur me emrin tim si donator, dhe vendosur në këtë ndërtesë, gjithashtu dhe një mbishkrim i ngjashëm do të vendoset në një mur të brendshëm”.

Me paratë që la në testament, biblioteka u ndërtua në lagjen “Vullnetari” dhe kushtoi 6 milionë lekë shqiptare. Shteti shqiptar bëri inagurimin e saj në vitin 1974 me emrin “Ibrahim Çoçoli” të skalitur në një pllakë mermeri, por pas inagurimit iu hoq pllakata me emrin e tij dhe ajo figuroi gjithë kohën Biblioteka Vullnetari.

Epilog

Shpesh kemi dëgjuar se mosmirënjohja është një ves i keq dhe i papranueshëm për një shoqëri vlerash. Kështu veproi sistemi diktatorial komunist me një bamirës dhe investitor të kulturës. Por pikërisht sot, kur mendohet se vlerat meritojnë mirënjohje, emri i Ibrahim Çoçolit duhet të vendoset ballazi në këtë bibliotekë si një nderim për veprën e një elbasanasi që deri në fund të jetës mendoi dhe investoi për Elbasanin. Kush nuk e bën këtë, ai meriton emërtimin “Mosmirënjohës”.

Nga Hyqmet ZANE

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 12

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/11/2017 - 07:07

Ndër veçoritë e spikatura të diskursit politik në Shqipëri është ngjyrimi i fortë emocional.

Postuar: 19/11/2017 - 07:05

Onufri (Piktor i shekullit XV)

Postuar: 19/11/2017 - 07:00

Shqiptarët nuk çuditen më për asgjë, në këtë vend ku çudirat janë bërë të zakonshme, ku edhe më budallai thotë: unë jam më i mençuri.

Postuar: 18/11/2017 - 07:20

Shqiptarët janë shquar ndër shekuj për mirënjohjen që kanë treguar ndaj gjithë atyre personaliteteve të fushave të ndryshme, politikanë, studiues, artistë, arkeologë, etnografë,

Postuar: 18/11/2017 - 07:18

Sot nuk mund të thuash se “shtypi apo media” nuk është tronditur si mit në Shqipëri.

Postuar: 18/11/2017 - 07:16

Prej shumë vitesh e me qindra herë na është dashur të sensibilizojmë, kërkojmë e denoncojmë gjendjen e vështirë të punonjësve në sistemin e burgjeve.

Postuar: 17/11/2017 - 07:10

Kur udhëton në krahinën e Lumit të Vlorës, të shpalosen si fletët e një albumi kolor, shumë fshatra me identitet, histori, kujtime e mbresa që të shoqërojnë tërë jetën.