BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Opinion / Editorial

Bikja kërkon të hiqen maskat

Bikja kërkon të hiqen maskat

(Nga cikli ”Do marr çiften do dal për gjah)

I ulur në një kënd te cepi i kafe “Shelgut” në Vlorë, duke qenë se Biken shokun tim e pashë shumë të mërzitur e ftova të ulej dhe ai ta pinim së bashku kafenë pse jo dhe një gotë raki për të përvëluar virusin. Natyrisht paksa të larguar nga këndi ku ishim vendosur dhe deri diku dhe pak të spostuar duke respektuar distancën e kisha dhe mundësinë ta pyesja shokun tim se çfarë kishte që rrinte me turinjtë mënjanë sikur t’i kishte ngrenë gomari bukën, aq më tepër, sepse më interesonte dhe mendimi i tij për zgjedhjet. Dhe ashtu veprova duke i buzëqeshur ia bëra me kokë që të ulej.

Bikja, ç’është e vërteta është njeri i mirë, por llafazan i madh. Ka për borxh jo vetëm të të tregojë të gjithë deputetët e çdo lloj partie se ku kandidojnë dhe nëse fitojnë apo jo, por të kënaq dhe me parashikimet që bën se kush deputet fiton e kush humbet, cila parti i fiton zgjedhjet e cila do tërbohet nga humbja, kush do jetë ai që do formojë qeverinë e kush do jetë jashtë me gisht në gojë. Cilët do jenë ministrat e kabinetit dhe cilët do mbajnë turinjtë mënjanë që nuk përfituan gjë. Po kështu ai parashikon dhe trazirat meqenëse është ende në “tavë” baba Saliu. Gjithsesi, pavarësisht kësaj përveç dhuntisë dhe intuitës së tij fiziologjike, që e ka dhuratë nga natyra ; ai ka dhe një të keqe të madhe sepse shikon filxhanët e kafesë. Kur sapo ai e kërkoi kafenë “alla turka” e kuptova se do hidhte fall, por ja që nuk na qenkësh ashtu dhe parashikimi im doli bllof. Bikja ishte tejet i zemëruar se përse deputetët kur mbanin fjalime i detyronin të vinin maska. Ata ore mik vëllai- më tha duke mu drejtuar mua sikur të isha një prej tyre- duhet të dalin krejtësisht pa maska, sepse të dalësh pa maska para publikut do të thotë se je i sinqertë. Ja le të marrim psh Kaçin e dikurshëm të Partisë Socialiste, a të kujtohet se çfarë nuk i thanë kur kaloi deputet me Partinë Demokratike?! Maskarai na qenkësh i maskuar dhe ne nuk e kuptuam si njeri me 100 maska që i hiqte e i vinte si i donte “menderja” atij. Madje te muri i shtëpisë dikush nga nostalgjikët e partisë sonë (sepse Bikja është me PS-në) shkruajti me gërma kapitale “Tradhëtar”! Por si mund të kemi dy masa të ndryshme për të njëjtin person?! E them këtë sepse kur ai vinte maska i thoshin pse i vë e kur i heq ato i thonë pse i hoqe! Me thënë të drejtën unë nuk e kuptoja se ku donte të dilte Bikja dhe pikërisht këtë hutim e paqartësi ma hoqi vetë po ai jo vetëm duke më pyetur mua, por dhe duke u përgjigjur vetë: Kaçi... ore Kaç Islami, për atë e kam fjalën dhe tani a të kujtohet se para ca kohësh sapo e hoqi maskën në bulevard menjëherë ata të policisë e mbërthyen duke ja prishur aftësinë e tij të ruajtjes së qetësisë, por dhe të lëvizjes drejtvizore të një trajtëshme dmth, për inerci e çuan në komisariat duke e gjobitur që pse nuk e kishte vendosur maskën? Po sos dhe Kaçi e kishte nga vetja. Të kujtohet ajo Agraria e Xhuvelit vite më parë dhe Xhuveli kur i iku PS-së dhe shkoi te PD-ja?! Po more po, ai që Arben Duka i shkroi dhe vargun se: “Që kur doli xhuvelëria plasi sheshit kurvëria”. Nuk di si të bëjë dhe deputet mavria, sepse e gjeti si te ajo loja: “I ke dhënë ujë gomarit”. Duke qenë se unë nuk e dija këtë lojë u bëra dhe kureshtar teksa dhe vetë Bikja e kuptoi se me të vërtetë nuk ia kisha haberin filloi të më thoshte se po t’i jepje ujë të ngrohtë gomarit të kërkonin llogari që pse ia dhe ujin e ngrohtë dhe e përvëlove gomarin... Po t’i jepje të ftohtë, të kërkonin llogari që pse e plevitose gomarin! Po jo ore vëlla kishte lezet ajo që bëri Berisha. Ai ka qenë e ngelet burrë, sepse asnjëherë s’ka venë maska. Do thuash ti se është i ashpër, kusar e kriminel, ka vrarë e ka prerë, madje dhe ka vjedhur! Fundja Berisha ia ka bërë si burrat hapur e në dritën e diellit e jo si këta pordhacërit tanë që vjedhin në mënyrë të maskuar dmth me maska dhe pastaj kërkojnë banditët ordinerë që na qenkësh një grup i madh me maska që shqyen portën nga ku futën e vodhën në Rinas gjithë valutën, e cila do shkonte jashtë shtetit dhe që na ikën në drejtim të paditur... Madje dhe vet policia me maska, i kërkonte po në të njëjtin drejtim pra i kërkonte në drejtim të paditur! Po unë hajvani vete e marr si shembull ata kusarët e Rinasit. E ç’më duhet, apo të ha një koqe plumbi e pastaj të thonë se ishte vrasje nga pakujdesia! Desha të them pse merrem me maskat e tyre, kur dihet se ata fundja si kusarët e gjithë botën kur bëhet vjedhje me rrëmbim, do venë maska?! Pse, ata “babagjyshërit” a nuk vodhën me maska?! Madje u treguan shumë të hollë. Se ja psh, nëse PD-ja më1996-të, po t’i kishte organizuar zgjedhjet në dhjetor e jo në maj dhe t’i vidhte votat jo me kamiona e furgona, por me babagjyshër. Dhe për këtë të jesh i sigurt se do kishin arritur suksesin më të madh në botë, aq sa do linin me gisht në gojë dhe vetë Amerikën. Po Sala u tregua “rryp kaishi” se ç’ju deshën zgjedhjet në maj... apo kujton ai se i pi ujë parulla “prill - maj “pushtllëqevet”-mos iu ndaj! Mirë ajo, por të kujtohet se u hyri me hu dhe socialisteve “ku të dhëmb e ku të gris o xha Idriz”?! Jo ore jo nuk e kam fjalën për Idrizin e çamëve sepse ai vetëm origjinën ka nga Çamëria them kështu, sepse ai është kryetari më kot e më frikacaku që e kishte mundësinë të shkonte në Çamëri dhe i maskuar (pra me maska) dhe nuk vajti një herë të mbante një fjalim atdhetar. Ke parë ti gomarllëqe të tilla që ky na e vë maskën këtu brenda për brenda Shqipërisë sepse dy janë armiqtë e tij greku dhe Kovidi?! Pra atje në atë mitingun e ‘96 kur atij Imamit iu thyen 6 dhëmbë dhe që Idrizi nuk ishte, pikërisht në atë vend e në atë kohë e që nga ai moment, Imami ndërroi krejt nofullën e për rrjedhojë komplet dhe fytyrën pra u tjetërsua biri i botë! Të kujtohet më vonë kur iu lut në gjunjë xhaxha Saliut?! Ore mirë ajo se fundja Imami e kishte firmosur dhe vulosur vetë që do bënte aleancë me demokratiken, ndaj dhe emrin partisë së tyre ia vunë “Aleanca Demokratike”, po Ramës ç’iu desh që vuri maskë kur ngushëlloi Berishën në Gërdec? Thonë se hiqej sikur ishte i pikëlluar madje i zgjati Salës dhe paketën me cigare, por Sala nuk ia mori duke i thënë se nuk e pi dhe meqenëse nuk kishte gjë tjetër, ai i nxori një cigare “miell”, por dhe atë Sala nuk ia pranoi, sepse e donte nga Lazarati, teksa Rama i dha nga hashashi i Tropojës, e që më shumë tingëllonte si kunjë për Salën. Unë ta kam thënë se Rama është “doç-doçi” nuk ia shket dot njeri. Po ke parë ti se në të pastajmen Rama, ia punoi bukur i hodhi dorën e djathtë në qafë e me dorën e majtë me gisht e ngacmoi nga... lëre se s’po e them. Pra shkurt, reagoi veten e vet se ia kishte me hile. A nuk është dhe kjo një lloj maske?! Sigurisht që është, por ta them hapur se Sala kurrë nuk e ka besuar e nuk e beson. Ai më shumë mund t’i besojë Metës se dhe ai me thënë të drejtën është kokëderr. Në të gjithë historinë e parlamentarizmit shqiptar nuk gjen dot më kokëshkëmb se Meta. Sa do që iu lut PS-ja në 2005-ën ai ua drodhi dhe shkoi me Saliun. Pra dhe ai atë punë ka patur hiq maska e vër maska. Më i ndershmi atje është Nard Noka sepse ai pyet dhe zëvendesin e tij... ore si quhet kjo partia jonë? Ata nuk mbajnë maska, sepse nuk kanë për çfarë iu duhen, madje as fjalime nuk mbajne. Po na zgjodhën thotë Nardi-mirë... edhe po nuk na zgjodhën përsëri mirë, do i nënshtrohemi sovranit Sali, pa do më thuash ti se nuk është më Sala por Luli! Futja kot, futja! Pse nuk e di ti se nderi i SHQUP-it ka qenë është e do të jetë Sala? Po të mos të kishte vendosur Luli në listë ta dish që gjysma e partisë së PD-së do shkonin te Socialdemokratja e Kënos dhe gjallë në botë nuk shkonin te Rama. Ja pra e shikon se sa vlerë ka dhe do ketë Saliu për PD-në. Pse si mendon ti, se nuk i njohin ndërkombëtarët “dërrckat” e Berishës? I njohin ore që ç’ke me të, por a të kujtohet kur kemi bërë një herë bisedë bashkë, se Salën, Luli jo e jo, por as ndërkombëtarët nuk e heqin dot? Po të qe se e hiqnin do ishte “non gratta” në Amerikë. Por Amerika dhe ajo “çinganeja” Europë, më për kollaj e kanë të shkarkojnë nga detyra ambasadorët e tyre e t’i shpallin ata “non grata” se sa Salën. Sala është kthyer në “madhëri” madje gabova desha të them “lartmadhëri” pra një shkallë më lart se sa gjithë presidentët dhe kryeministrat e Europës të marrë së bashku, madje qenia e tij përsëri në listat e deputetëve të PD-së, do të thotë dhe për FBI-në shqiptare dhe për SPAK-un madje dhe për vet Ramën, që ata nuk kanë këllqe ta denigrojnë, pa lëre më ta dënojnë dhe kurrë sa të jetë gjallë Sala nuk do të mund ta bëjnë dot. - Bike mirë e ke ti që po na e nxjerr kaq trim e të domosdoshëm Saliun, madje sipas teje dhe me vlera, por ama kur vjen në Vlorë përveç anti-plumbit thonë se ai vesh dhe benevrekë. Hesht a i vrarë! Vlonjatët tani dhe benevrekët e tyre nga inati që nuk po e dënojnë Saliun i kanë kthyer në maska duke thënë... më mirë t’i marrim erë këtij tonit... se sa të atyre që kanë tre dekada që na gënjejnë!