BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

Bilanci i bëmave të bajraktarit Berisha

Bilanci i bëmave të bajraktarit Berisha

Ëndrra e shqiptarëve për një demokraci liberale u vra që në shpërgënj. Përgjegjësia e situatës postkomuniste është e byroistëve, që projektuan partitë me profil politik të majta e të djathta, pa një bazë të vërtetë ideologjike dhe vunë në krye të tyre aventurierë politikë. Ishte një shans historik që iu dha Partisë Demokratike për ta transformuar Shqipërinë sipas modeleve europiane, por që u deformua demokracia nga lideri i saj Sali Berisha, që kishte si mision shkatërrimin e jo zhvillimin e vendit. Pluralizmi në Shqipëri në fillimet e tij ishte një zgjatim i Partisë së Punës, që në krye të partive që lindën si kërpudhat pas shiut, të caktoheshin njerëz të besuar të nomeklaturës që po dorëzonte pushtetin. Me propozim të Xhelil Gjonit, Ramiz Alia në drejtim të partisë së shpresës të shqiptarëve vendosi të besuarin e nomeklaturës, sekretarin e partisë, ekstremistin komunist, antikomunistin Sali Berisha. Fryma e tij ishte antikombëtare që në fillimet e veprimtarisë së tij në emër të demokracisë. Tërë veprimtaria e Berishës, vërteton tezën e ish-presidentit çek disidentit Vaclav Havel, ish i dënuar politik i sistemit komunist, që njerëzit më të rrezikshëm në drejtim, janë komunistët antikomunistë. Rrugën e transformimit të Shqipërisë Berisha e nisi me teorinë zero, sipas filozofisë së tij aventureske që drejtohej nga agjenturat e UDB-së, të kombinuar dhe me forca destruktive të mërgatës shqiptare për të shkatërruar gjithë pasurinë kombëtare të krijuar me djersën dhe punën skllavëruese të shqiptarëve. Një krim që s’ka shpagim. Një strategji që nisi me masakrën e 2 prillit të vitit 1991, ku u vranë katër protestues të pafajshëm në lulen e rinisë. Siç deklaron një nga aktivistët e rinisë të Partisë Demokratike, Shenasi Rama, i personalizuar për t’u vrarë sipas skenarit të liderëve të PD-së, gjë që e detyroi të emigrojë në SHBA. Synimi ishte të krijohej konfuzion, pasiguri dhe anarshi, për të marrë pushtetin me çdo mjet.

Me ardhjen në pushtet në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, Berisha nisi aksionin me shkatërrimin e hekurudhave, uzinave, fabrikave, kombinateve, si të atyre që nuk ishin rentabile ashtu edhe pjesës tjetër me potenciale të larta prodhuese, si uzina e plehrave në Fier, fabrika e telave në Shkodër, uzina e precizonit në Korçë, e plot të tjera. Rrafshoi plantacione me pemë, agrume e ullinj, si masivin e agrumeve të Lukovës, bllokun e fiqve në Berat, vreshtat e Shtoit në Shkodër dhe shumë plantacione të tjera, që i kishte zili jo vetëm Ballkani, por dhe Europa. Për të shuar kujtesën historike prishi muzetë, shembi lapidarët, pallatet e shtëpitë e kulturës, deri edhe shkollat për t’i hapur rrugën analfabetizmit, që sot është bërë virus që ka prekur jo vetëm fshatrat, por dhe qytetet e vendit. Mohoi epopenë më të lavdishme të popullit tonë Luftën Nacionalçlirimtare dhe kërkoi të ndryshoi dhe ditën e çlirimit, nga 29 Nëntori në 28 Nëntor, duke falsifikuar historinë se gjoja Shkodra është çliruar më 28 Nëntor, kur ka ende gjallë dëshmitarë okularë, që dëshmojnë për ikjen e njësive të fundit pushtuese në mëngjesin e 29 Nëntorit. Me autoritetin e liderit të së “djathtës”, të Partisë Demokratike, ka bërë përpjekje të rehabilitojë kolaboracionistët dhe tradhtarët deri te Mbreti Zog, që i ka ngritur përmendore në qendër të Tiranës edhe pse ai, e braktisi vendin duke e lënë në dorë të pushtuesve, mori floririn dhe iku në arrati. Për këto merita e për faktin që Zogu vrau intelektualët më në zë të kohës si Luigj Gurakuqin, Avni Rustemin, Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën, etj, dhe ai, nderohet nga e ashtuquajtura e djathta shqiptare.

Me veprimtarinë e tij antikombëtare ka synuar ta zhbëjë historinë, ta zhgarravitë atë me pseudoheronj dhe pseudoatdhetarë. Në këtë strategji ishte dhe kremtimi i 100 vjetorit të Pavarësisë, që mori nga magazinat e Muzeut Historik Kombëtar një monument të krijuesit të shtetit shqiptar Ismail Qemalit, të aksidentuar me bazorelief të thyer dhe gërma të rëna të emrit dhe e vendosi pranë një bunkeri përballë Kryeministrisë. Ndërsa përballë Skënderbeut, ku duhet të ishte monumenti i Ismail Qemalit dhe një shesh madhështor me këtë emër, vendosi monumentin e Zogut. Një shtet që nderon tradhtarët, s’ka të ardhme. Ndaj jemi, këtu ku jemi! Mendja e tij pjellore bëri që të çojë në Parlament Ligjin fatkeq, antidemokratik 7501, për heqjen e pronave pronarit, në një kohë që në programin e Partisë Demokratike (që është filozofia e të djathtës) prona do shkojë te pronari legjitim. Ndërsa Partia Socialiste në program e kishte që prona të jepet në përdorim. Por Berisha, megjithë ndërhyrjen e të vetëve që ta lëmë siç e ka Partia Socialiste në përdorim, nuk e pranoi këtë version. U votua në parlament dhe në këtë kurth ra edhe Partia Socialiste dhe u votua me një votë kundër nga i madhi Dritëro Agolli, i ndritë shpirti atje ku është. Ky ligj, u bë fakt, prona iu mohua pronarit dhe për konflikte pronësie janë vrarë rreth 9000 vetë dhe nuk dihet fundi. E gjithë veprimtaria e tij ka qenë destabilizuese dhe refraktare. Në votimet e 26 majit të vitit 1996, u përpoq të sabotojë zgjedhjet, vodhi votat, masakroi, përgjaku dhe rrahu kundërshtarin e tij politik, të majtët, në sheshin Skënderbej. Deklaroi se do t’ua ngrijë buzëqeshjen shqiptarëve.

Uzurpoi dhe kontrollonte të gjithë pushtetet. Legjislativin dhe ekzekutivin e sundonte me pushtetin e tij absolut. Gjyqësorin e krijoi duke eliminuar profesionistët në drejtësi dhe përgatiti militantët e vet për juristë në kursin 6 mujor të plepave, me profesion agronom, zooteknik, mësues e ushtarak, që i faleshin “Zeusit”. Median e terrorizoi duke i rrahur gazetarët dhe duke djegur redaksinë e gazetës “Koha Jonë”. Kështu arriti sundimin autokratik si carët e Rusisë. Berisha është i njohur si autor i katastrofës kombëtare të shkatërrimit të vendit ku humbën jetën rreth 10000 vetë dhe u veshën me të zeza shumë nëna, gra e motra në vitin 1997, si dhe grushtit të shtetit për marrjen e pushtetit me dhunë në vitin 1998. Është autori i krijimit të firmave piramidale që gllabëruan kursimet e shqiptarëve dhe shkaktuan rrëmuja e destabilizim të vendit. Komunisti antikomunist, ekstremisti Sali Berisha ka futur filozofinë e vjedhjeve, ryshfeteve dhe kompromiseve në fushatën zgjedhore duke shkelur parimet, bëri aleanca fluide, komike me Partinë Komuniste të Hysni Milloshit, që e korruptoi, falsifikoi dhe e pagoi për të blerë votat, për të prurë në krye të bashkisë të “ndershmin” Lulzim Basha. Është gjenia dhe krijimtaria e tij, që ka pasuruar Parlamentin me fjalë të pista duke e quajtur Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, “lavire bulevardi”, Presidentin e Republikës Bamir Topi, “horr bulevardi”, duke sharë kundërshtarët politikë me libër shtëpie, duke filluar nga nëna, motra e gruaja.

Një vepër tjetër me pasoja tragjike realizuar nga Berisha, që s’ka limit, është dhe shkatërrimi total i ushtrisë, policisë dhe rendit, duke e shpërbërë atë dhe hapi depot e armatimit ushtarak për t’u armatosur njerëzit e rrugëve për të destabilizuar vendin, që s’ka gjetur qetësi deri më sot dhe që do jetë një plagë e hapur edhe për shumë vjet. Janë të njohura për shqiptarët tragjedia e Gërdecit ku humbën jetën 26 vetë dhe u plagosën qindra të tjerë dhe u shkatërruan banesat dhe ekonomia familjare e një komuniteti të pafajshëm. Fatkeqësia e 2 prillit të vitit 1991, u përsërit në 21 janar të vitit 2013, ku u vranë përsëri katër protestues në mes të bulevardit, të dirigjuar nga Berisha me porosi të ministrit të Brendshëm “birit të tij besnik politik”, Bashës. Historia përsëritet në një shkallë më të lartë në formën e spirales. Mbreti Zog, iu shiti jugosllavëve Malësinë e Dukagjinit dhe Shën Naumin, në shpërblim të nderit që i bën duke e prurë në pushtet, ndërsa Berisha i shiti Greqisë 345 km2 det me marrëveshjen e detit që nënshkroi ministri i Jashtëm Basha, për afera korruptive të ndërkëmbyeshme.

Në luftën e Bosnjës, qeveria Berisha furnizoi me naftë dhe armë ushtrinë e Millosheviçit që bën masakrat monstruoze, duke e kthyer Bosnjën në një shesh viktimash pafund.

Me filozofinë përça dhe sundo, Berisha futi krahinalizmin për ndarjen dhe përçarjen Jug-Veri dhe diskriminoi dhe kërcënoi Vlorën e Gjirokastrën duke dërguar avionë dhe mercenarë nga Veriu dhe Kosova e Bukoshit. Ka vrarë e zhdukur mjaft kundërshtarë, që ende nuk iu dihet autorësia e krimit.

Qëndrimi që ka mbajtur ndaj Kosovës ka qenë po kaq dramatik sa dhe historia e krimeve gjatë 30 viteve në Shqipëri. Qeveria Berisha, në luftën e Kosovës theu embargon e OKB-së ndaj ish-Jugosllavisë dhe furnizonte me naftë makinerinë e luftës të Millosheviçit duke krijuar shoqërinë “Shqiponja” të PD-së. UÇK-në e quajti organizatë terroriste dhe udhëheqësit e saj i denoncoi te agjenturat serbe, që një pjesë e tyre u burgosën dhe u eliminuan nga regjimi i Millosheviçit. Në vazhdën e sabotimit të luftës së Kosovës, ai, i bëri thirrje delegacionit kosovar të Rambujesë, që të mos e firmoste marrëveshjen, që çoi në çlirimin e Kosovës. Aktet antikombëtare të gjeniut të së keqes janë të shumta. Ai, është tepër prodhimtar, mendon, krijon, fantazon dhe realizon akte shkatërrimtare. Në misionin e tij për të zbatuar synimet e agjenturave të huaja, ka dalë i suksesshëm dhe fitimtar në çdo veprim. Kjo është një meritë e Partisë Demokratike dhe liderit Berisha dhe dobësi e Partisë Socialiste dhe drejtuesve të saj. Sali profeti, ka deklaruar: “Pas meje u bëftë kiameti”, se ideali i tij është pushteti, që të sundojë si paraardhësi i tij, mbreti. Natyrshëm lind pyetja: Megjithë këtë mori krimesh duke e harruar korrupsionin galopant gjatë qeverisjes së tij si një “e keqe më e vogël”, si shpjegohet që nuk i ka hyrë një gjemb në këmbë. Kush e mbron, cila është mburoja e tij?! Në rast se në krye të Partisë Demokratike do kishte qenë një lider i emancipuar, i kulturuar, i edukuar dhe qytetëruar, por jo thjesht i shkolluar e i mësuar si Berisha, Shqipëria sot do kishte fytyrë tjetër.