Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Biografia e Valdrinit dhe deficencat e përzgjedhjes nga socialistët

Postuar: 17/08/2019 - 07:20

 Qëndrimi i kryeministrit Rama pas njohjes me dokumentet e drejtësisë italiane të servirura nga PD përmes sekretarit të përgjithshëm, Gazmend Bardhi që e skanojnë Valdrin Pjetrin, kryetarin e Bashkisë Shkodër të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, me njollë në biografi në tokën italiane, vite më parë dhe dënimi me burg dhe gjobë për shkeljen e bërë, duke deklaruar se këtu rrugët mes Valdrinit dhe PS ndërpriten, është reflektim autokritik dhe i përgjegjshëm. Rama deklaroi se nuk e mendonte kurrë, që Valdrini mund të gënjente në deklaratën e tij të penalitetit dhe të fshihte dënimin në Itali... Nga rasti i Shkodrës, skandali që u plasi në duar me Valdrinin, PS, forumet drejtuese, sekretarët politikë, burimet njerëzore, deputetë, të zgjedhurit shkodranë dhe vet Edi Rama, duhet të nxjerrin mësime dhe përgjegjësi politike para dhe kur emërojnë e përzgjedhin përfaqësues të pushtetit lokal apo kandidatë për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, duke mos ia lënë verifikimin dhe skanimin e të përzgjedhurve rastësisë, nxitimit, opinionit, subjektivitetit, dashurisë me shikim të parë, çastit. Aq më pak t`ia lënë në dorë ta vetëshkruajnë biografinë atyre që kërkojnë të zgjidhen apo të zënë poste të rëndësishme, qoftë të dorës së fundit që bien ndesh me kërkesat e ligjit të dekriminalizimit. Edhe kur janë klinikisht të pastër, pa njolla në biografinë personale, aq më shumë kur kanë kryer faje apo janë ndëshkuar nga drejtësia shqiptare apo çdo shteti tjetër në Evropë, deri në Honolulu nuk u takon atyre të rrëfejnë biografinë dhe ti vihet kapaku nga forumet në PS. Këtë e detyron morali. Transparenca dhe themelorja ligji i dekriminalizimit, i cili përcakton qartë në nenet e tij rastet kur një person do të zgjidhet apo të emërohet në një vend në administratë, duhet të tregojë në detaje jetën e tij, labirintet nëpër të cilat ka kaluar, shtigjet ku është ngjitur, faktet dhe rastet nëse është ndëshkuar apo vënë para përgjegjësisë ligjore deri edhe për faje fare pa rëndësi. Individët që përgatiten të marrin poste ose të zgjidhen, duhet të rrëfehen si para zotit, deri edhe ndryshimet e një germe të emrit apo mbiemrit dhe në mënyrën më të plotë të thonë të vërtetën në lidhje me gjendjen e tyre gjyqësore. Të jesh i gjykuar nga një gjykatë, i dënuar me vendim të formë së prerë, të kesh paguar gjobë apo provuar qelinë, me vendime të drejtësisë edhe kur pjesa e burgut të është falur, deklarimi është detyrim që nuk varet nga vullneti i deklaruesit as nga gjendja shpirtërore, synimet e tij për të bërë karrierë a përfituar privilegje që të jep posti apo qenia administrator i një qyteti apo institucioni. Shmangia e detyrimit ligjor, fshehja e të vërtetës, është me pasoja dhe përgjegjësia nuk mbetet thjesht individuale, po rrezaton mbi partinë, forumet, drejtuesit, organet që e kanë detyrim të përzgjedhin individ me integritet të pacenuar e të pandëshkuar në veprimtarinë e jetës së tyre. Partitë politike, në rastin konkret PS, kanë detyrim politik, shoqëror e moral për  rekomandimin e individëve për tu zgjedhur dhe duhet të jap garanci për identitetin, personalitetin, kulturën, aftësitë menaxheriale, ndershmërinë e përkushtimin për të përfaqësuar bashkinë për katër vite apo popullin si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Rasti i Valdrinit, flet për mungesë të kontrollit dhe mosfunksionimit të filtrave dhe shuarjen e radarëve të vigjilencës, në kuptimin e kontrollit të figurës së një personaliteti i cili duhet të jetë njeri me integritet absolut, i pastër e i papërlyer. PS është përgjegjëse për të gjithë ata që kandidon apo propozon. Duhet t`i kalojë në sitë të imët, para se të ballafaqohet me emrin që delegon para qytetarëve dhe u kërkon atyre votën. Zoti Pjetri, vjen nga një karrierë e gjatë dhe e suksesshme. Edhe pse vetëm 37 vjeç, për një periudhë të shkurtër, ai ka mbajtur poste të rëndësishme në administratën shtetërore. Ka kryer detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Hipotekës. Ka drejtuar drejtori të rëndësishme në Ministrinë e Mbrojtjes. Ka qenë në krye të disa institucioneve shumë të rëndësishme, deri tek posti i Prefektit që konsiderohet kryeministri i një qarku aq më tepër një qark potencial si Shkodra. I gjykuar si një individ pa njolla në biografi edhe për vet postet që ka mbajtur dhe barrierat që ka kaluar, pasi ka pasur akses edhe në sekretet shtetërore, Partia Socialiste sot, po edhe PD dje nuk e verifikoi figurën e Valdrinit imtësisht në bazë të ligjit. Nisur nga precedentët e mëparshëm, ku ligji i dekriminalizimit ka prerë koka, si kryetarit të Bashkisë Kavajë për të cilin u zhvillua një betejë e gjatë dhe sfilitëse, duke e mbrojtur padrejtësisht, me kosto të lartë negative, po kështu edhe deputet të veçantë apo drejtues që rezultuan me dënime brenda dhe jashtë vendit, veçanërisht në Itali apo Greqi, duhet të kishte nxjerrë mësime dhe t`ua kursente socialistëve të zakonshëm, rastin e Shkodrës. Për shumë arsye. E para se e detyron ligji dhe më e rëndësishmja se bëhet fjalë për drejtuesin e një qyteti që në këto tri dekada asnjëherë e majta nuk e ka drejtuar qytetin kryeqendër të veriut. Qëndrimi ekstrem i opozitës, tërheqja nga gara e PD-së dhe partive opozitare edhe pse i padëshirueshëm nga opinioni i gjerë i shoqërisë dhe faktorit ndërkombëtar, i krijoi të majtës një rast të artë të tregonte si drejtojnë socialistët, të bënte diferencën, të ballafaqonte epërsinë e metodave të punës, duke i dhënë Shkodrës një drejtim ndryshe. Ishte mundësia e vetmen e artë të paktën në këto tri dekada që të majtët të tregonin me vepra çfarë mund të bëjnë në një qytet ku nuk u ka ndritur fati asnjëherë të vetme me bashkinë e këtij qyteti. Po edhe këtë rast e dogji papërgjegjshmëria dhe zgjedhja me opinion, pa verifikuar, si cilësitë e kandidatit, mbështetjen e tij te qytetarët shkodranë, ku treguesit folën për më pak vota se paraardhësit, po mbi të gjitha pastërtinë juridike të kandidatit. Zoti Pjetri, ka pasur kohën e mjaftueshme të tregonte përgjegjshmërinë e intelektualit dhe moralin e përfaqësuesit të popullit kur u akuzuar për dënim penal nga drejtësia italiane. Ai duhet të fliste me fakte dhe letra dhe jo të bënte propagandë. Duhet të na mbushte mendjen se deklaratat e PD ishin dashakeqëse, subjektive dhe bëheshin për ta denigruar. Dhe nuk duhet të bënte edhe vet të njëjtën farsë propagandistike. Opozita atë detyrë ka, të demaskojë çdo rast të shkeljes së ligjit, të shpifi dhe ta ambalazhojë të vërtetën me gënjeshtra të superzmadhuara, aq më shumë kjo opozitë e cila i ka sytë nga Shkodra, si e vetmja fortesë që nuk është dorëzuar ende. Është fjala për një kryebashkiak i cili nuk është rrëfyer sipas kërkesës taksative ligjore para kandidimit. Nuk do doja kurrë që Pjetri të gjendej në këtë situatë dhe nuk është ndonjë gëzim i madh, as surprizë që Bardhi, skifteri i PD-së, këtë herë qëlloi në shenjë. Po duhet ti japim Çezarit atë që është e Çezarit dhe ti themi Bardhit se kishte të drejtë dhe nuk ia futi kot si tërë këto herë. Po këtë duhet ta bënte Pjetri me argumente dhe dokumente, me fakte dhe vendime nga organet kompetente të vendit fqinj, Italisë. Dhe nëse faktet janë ndryshe, le ta bëjë edhe tani. Le t`u mbushi mendjen shqiptarëve se është i papërlyer. Dorëheqja është nja akt formal, pasi ai ende nuk kishte arritur ta prekte pushtetin lokal. Duke e ditur plagën që e vriste Pjetrin në shpinë, duhet t`ia kursente këtë dëm imazhit të PS dhe Ramës që i dhanë besimin symbyllur. Duhet të mos u jepte oksigjen shpifjeve, se PS dhe Rama e dinte që Pjerti ishte i dënuar, se ata drejtojnë me grupe kriminale, ku Basha për ti rritur kreditet kauzës më të re, cilëson “kriminel” si gjithnjë edhe raste që janë minore dhe që ndëshkojnë personin përse nuk u rrëfye dhe përse është dënuar. Ai nuk bën asnjë krahasim për shkallën e fajësisë qoftë edhe me veten apo ata që ka rreshtuar në koalicion dhe kanë mbi shpinë 26 vrasje të Gërdecit. Megjithatë kjo nuk e zbut rastin Pjetri. Është e vërtetë se individi i përzgjedhur për të përfaqësuar popullin dhe për të marrë detyra të veçanta, ka përgjegjësinë e parë që të jetë transparent, të deklarojë me përgjegjësi çdo pengesë apo dënim me burg apo gjobë, siç përcaktohet në ligj, jo më pak faj kanë forumet partiake dhe institucionet shtetërore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe organet e ngarkuara me ligj për të kaluar në lupë çdo individ që i rekomandohet votuesve për t`i dhënë besimin e përfaqësimit dhe menaxhimit të qytetit apo vendit. Këtu nuk ka rëndësi nëse i nominuari për tu zgjedhur apo emëruar, thotë të vërtetën apo gënjen në lidhje me pastërtinë e tij penale. Ai mund të përdori tërë arsenalin e vet, të ruajë fshehtësinë e veprave penale, t`i mbulojë veprat me të cilat është trazuar dhe që është dënuar. Mundet t`i bjerë shkurt se, kanë kaluar njëzetë vjet dhe janë parashkruar apo harruar fajet dhe ka mbaruar dënimi. Të arsyetoi se ka qenë i pafajshëm dhe të mos ndihet i detyruar të rrëfehet deri në imtësi. Të gjitha këto referuar ligjit i cili është nga më të ashprit dhe skrupulozët, votuar me konsensus nga të gjitha palët pas një diskutimi të gjatë në Kuvend, janë gjykime të gabuara. Po mirë individi, po shteti? Shteti ka mekanizma pafund dhe nuk mund të eci me opinion, symbyllur, se është djalë i kulturuar. Vishet bukur. Fletë rrjedhshëm. Është i matur. I aftë. Burrë apo zonjë që ka shkëlqyer në auditorë. Ka bërë mastera dhe flet gjuhë të huaja. Të gjitha këto nuk të shpëtojnë nga barra që mund të kesh mbi shpinë dhe dënimet që mund të kesh nën lëkurë të marra gjatë jetës. Valdrin Pjetri, është personi që ka përgjegjësinë individuale dhe politike për mungesë transparence dhe mosdeklarimin se është dënuar në shtetin fqinj. Po jo vetëm kaq. Si njeri politik i vlerësuar, si rrallëkush, si të mos mjaftonte detyra e kryebashkiakut edhe si përfaqësues politik i qarkut të veriut, duke spostuar një figurë me integritet si Ditmir Bushati, ai ka përgjegjësinë shoqërore dhe morale para socialistëve dhe simpatizantëve, popullit të Shkodrës, gjithë atyre që e votuan. Po shumë më tepër përgjegjësi kanë forumet e PS-së që ende nuk kanë nxjerrë konkluzione dhe nuk vënë në punë organizmat që zotërojnë për të verifikuar në institucione dhe opinion individët e përzgjedhur. PS, nuk besojmë se ka më pak mundësi dhe njerëz se PD dhe indikatorë e radarë më të dobët, filtra e organe kontrolli jo efikase, aq më tepër organizma shtetërore dhe nuk ka pse të presë t`ia zbulojnë njollat në biografi të të zgjedhurve apo emëruarve prej saj, opozita. Dhe kur opozita, edhe pse me synime denigurese evidenton raste të tilla, siç kanë qenë edhe ato të tenderit të “Unazës së re”,etj. ku kishte fituar një anonim dhe përgjegjësit u mbrojtën nga një vulë fiktive amerikane,  nuk duhet të anashkalohen. Ndonjëherë edhe opozitarët thonë të vërtetën dhe kanë të drejstë. Rasti Valdrin Pjetri e tregon më së miri këtë të vërtetë!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/09/2019 - 11:05

Instituti Ndërkombëtar për Studime i Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES) me qendër në Ljubljana, Slloveni, vazhdimisht analizon ngjarjet në Lindjen e Mesme dhe Ballkan.

Postuar: 19/09/2019 - 07:16

Aspak nuk është hiperbolizim i çështjes dhe as titull bombastik për të tërhequr vëmendjen e lexue

Postuar: 19/09/2019 - 07:15

Të qenit shërbestar nuk është të jesh “shërbëtor”, në konotacionin negativ të fjalës

Postuar: 19/09/2019 - 07:14

E para është fjala.

Postuar: 19/09/2019 - 07:12

Qëkur ka nxjerrë zhdekretimin e zgjedhjeve të 30-qershorit dhe deri tani Presidenti nuk po ndihet

Postuar: 18/09/2019 - 07:22

Struktura Speciale Kundër Korrupsionit, Byroja Kombëtare e Hetimit, janë kthyer gati tunduese për

Postuar: 18/09/2019 - 07:18

Dukuria e korrupsionit, kjo gangrenë e shoqërisë shqiptare i ka përfshirë të gjitha shtresat.