BREAKING NEWS

“Ka njerëz më të mençur se presidenti i republikës”, Frrok Çupi del sërish me deklaratën e fortë: Në Shqipëri fundërrinat...

“Ka njerëz më të mençur se presidenti i
x

Opinion / Editorial

Borxhi tatimor – Një e ardhur publike e munguar që duhet rikuperuar

Borxhi tatimor – Një e ardhur publike e munguar që duhet

Dihet tashmë rëndësia e hartimit dhe zbatimit të politikave tatimore për të siguruar burimet e nevojshme financiare për të mundësuar ushtrimin e funksioneve vitale të shtetit, si dhe ofrimin e shërbimeve publike. Në këtë kuadër, një nga drejtimet kryesore të auditimit të përvitshëm të veprimtarisë financiare dhe të përputhshmërisë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) është dhe auditimi i procesit të mbledhjes së detyrimeve tatimore. Gjatë këtyre auditimeve, shqetësim konstant mbetet borxhi tatimor dhe një vëmendje e veçantë nga Grupi Auditues i KLSH-s i kushtohet auditimit të këtij borxhi, i cili krijohet dhe rritet për shkak të menaxhimit jo-efikas sa duhet nga DPT të procesit të mbledhjes së detyrimeve tatimore, pasi Administrata Tatimore në zbatim të kërkesave të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Kreu XI, nenet 88-104, ka detyrimin ligjor për mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara brenda afateve ligjore, sipas burimeve të krijimit. Nga auditimi i KLSH-së në DPT për vitin 2018, rezulton se në fund të këtij viti - borxhi tatimor ka rezultuar në vlerë 107.7 mld lekë dhe i përket 144,910 subjekteve nga 95.5 mld lekë në fund të vitit 2017 që i përkiste 137,637 subjekteve tatimpaguese. Në krahasim me vitin 2017, vërehet një rritje e ndjeshme neto prej 12,2 mld lekë të borxhit tatimor. Në vlerën e borxhit prej 107.7 mld lekë është e përfshirë edhe vlera prej 13.9 mld lekë që i përket 1 378 rasteve të konstatimit të mos pagimit të detyrimit tatimor në të gjitha Drejtoritë Rajonale të Tatimeve dhe që janë objekt gjykimi në procese gjyqësore. Kjo shumë që rezulton deri në fund të dhjetorit 2018 zë rreth 13% të stokut total të borxhit tatimor. Nga kontrolli i ushtruar në DPT, konstatohet se struktura e borxhit tatimor e ndarë sipas llojit të tatimit, në fund të vitit 2018 është e shpërndarë në përqindje nga stoku total i borxhit si vijon:

•      Në masën 37% të tij është krijuar në zërin “Tatim mbi Vlerën e Shtuar”;

•      Në masën 28% është krijuar në zërin “Tatim Fitimi”;

•      Në masën 13% është krijuar në zërin “Kontributet e Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësore”;

•      Në masën 1% është krijuar në zërin “Tatimi mbi të ardhurat personale”.

•      Në masën 21% është krijuar në zërin “Të tjera”;

Nga auditimi i këtij procesi nga grupi auditues i KLSH-s u konstatua se në fund të vitit 2018 kemi një rritje të borxhit tatimor në zërin “Tatim mbi Vlerën e Shtuar” me 4,7 mld lekë më shumë se fillimi i vitit, e ndjekur nga zëri “Tatim Fitimi” me një rritje prej 3,4 mld lekë. Ndërkohë nga auditimi ndër vite në raportet e auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit shënohet si gjetje mos arkëtimi i detyrimeve tatimore brenda afateve ligjore nga subjektet tatimpaguese. Për vitin 2018 janë arkëtuar nga DRT rreth 20.7 mld lekë detyrime tatimore nga rreth 39.2 mld lekë detyrime tatimore të arkëtuara gjatë vitit 2017, pra rezulton që për vitin 2018 të jenë arkëtuar 47% më pak se në vitin 2017. Kjo shumë e paarkëtuar konsiderohet në fakt si e ardhur e munguar në buxhetin e shtetit. Nga auditimi i rikuperimit të borxhit për vitin 2018 rezultoi se nga DRT janë arkëtuar dhe sistemuar gjatë vitit 2018, sipas strukturës së borxhit, rreth 6.6 mld lekë në zërin “Tatim Fitim”, rreth 5.1 mld lekë në zërin “Tatim mbi Vlerën e Shtuar-TVSH”, rreth 6.3 mld lekë në zërin “Sigurime Shoqërore dhe Shëndetësore”, rreth 600 milion lekë “(0.6 mld) në zërin “Tatim mbi të Ardhurat Personale – TAP”, si dhe rreth 2.1 mld lekë në zërin “Të tjera”. Gjendja e detyrimeve tatimore të papaguara në afat (borxhit) në fund të vitit 2018 përbëhet kryesisht nga detyrimet tatimore të lindura më shumë se 2 vjet më parë. Borxhi sipas vjetërsisë së krijimit paraqitet si më poshtë vijon:

•     Borxhi mbi 2 vjet                            56%     ndaj totalit të stokut                60.8 mld lekë;

•     Borxhi nga 1-2 vjet            17%     ndaj totalit të stokut                18.1 mld lekë;

•     Borxhi nga 1-12 muaj                   27 %    ndaj totalit të stokut                28.7 mld lekë.

Nisur nga këto të dhëna, nga KLSH konsiderohet një gjendje e lartë e borxhit tatimor në organet tatimore. Faktorët që kanë ndikuar në rritjen e borxhit tatimor për vitin 2018 janë:

 

·         Shtesat e borxhit të cilat vijnë nga vlerësimet dhe rivlerësimet e Administratës Tatimore dhe / apo kamatëvonesat;

·         Kalimet në regjim pasiv gjithsej të 85,974 subjekteve tatimpaguese debitore;

·         Moskryerja e pagesave të detyrimeve tatimore nga subjektet tatimpaguese;

·         Mosmarrja sa dhe si duhet i masave shtrënguese nga Drejtoritë Rajonale Tatimore ndaj subjekteve tatimpagues debitore VIP dhe atyre që kryejnë veprimtari ekonomike me kasë fiskale gjithashtu.

Nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit konstatohet se afërsisht gjysmën e totalit të borxhit tatimor e zotërojnë 50 subjekte të mëdha VIP, shumë prej të cilave kanë konvertuar statusin në regjim pasiv, duke e vështirësuar më shumë mbledhjen e detyrimeve të papaguara. Për vitin 2018 rezulton se gjendja e borxhit pasiv me një vlerë prej 61.4 mld lekë zë rreth 57% të totalit të borxhit dhe i përket 85,974 subjekteve, ndërsa borxhi aktiv me një vlerë prej 46.3 mld lekë zë rreth 43% të totalit të borxhit dhe i përket 58,936 subjekteve. Shqetësues për Kontrollin e Lartë të Shtetit mbetet jo vetëm mos rikuperimi si duhet i borxhit të vjetër, por dhe krijimi i detyrimeve të reja tatimore të papaguara, ku vetëm në vitin 2018 borxhi i ri u rrit në një masë të konsiderueshme në vlerë prej 33,211,183 mijë lekë dhe që i përket 107,477 subjekteve tatimpaguese. Në vitin 2017 për shkak të rritjes së borxhit tatimor, qeveria inicioi nismën për faljen e tyre, nismë e cila është kritikuar dhe nga organizmat ndërkombëtarë. Si efekt i ligjit të faljes, në 2017 borxhi tatimor u ul me 35%, por një vit më pas ai rezulton të jetë rritur në të njëjtat nivele. Nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit në lidhje me masat shtrënguese të marra për mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara (borxhit tatimor) rezulton se nga ana e strukturave të ngarkuara për mbledhjen me forcë të borxhit në nivel qendror dhe rajonal të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, megjithë përpjekjet e bëra bazuar dhe në raportet e inspektimit të kryer gjatë vitit 2018 dhe evidencave të paraqitura për nivelin e borxhit, i cili arriti në 107,7 mld lekë për vitin 2018, nuk janë shfrytëzuar të gjithë mekanizmat e nevojshëm ligjore dhe administrative për monitorimin dhe rikuperimin në kohë dhe me efikasitet të këtij borxhi. Administrata tatimore për vitin 2018 ka arkëtuar në total 14,9 mld lekë nga detyrimet tatimore të subjekteve taksapaguese. Bllokimi i llogarive bankare të subjekteve debitore ka qenë masa më efektive për rikuperimin e borxhit. Nga bllokimi i llogarive të tyre janë arkëtuar 5 mld lekë detyrime të papaguara në kohë, të cilat përbëjnë rreth 34% të arkëtimeve për vitin 2018. Një masë tjetër e aplikuar nga Administrata Tatimore për mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara nga subjektet taksapaguese në zbatim të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka qenë dhe lidhja e marrëveshjeve për pagimin me këste të borxhit nga ana e subjekteve debitore. Gjatë vitit 2018 janë lidhur 1,179 marrëveshje me këste me vlerë totale 2,3 mld lekë dhe pagesë fillestare 0,9 mld lekë (kushte për lidhjen e marrëveshjes me këste) sipas formatit të unifikuar për marrëveshje me këste të detyrimeve të papaguara. Nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit është konstatuar një ulje e nivelit të kontrollit dhe të monitorimit të procesit nga krijimi i borxhit deri në mbledhjen me forcë të borxhit tatimor në DRT, sepse nuk ka të dhëna nga Drejtoria e Mbledhjes me Forcë të Borxhit në DPT për gjendjen e detyrimeve gjatë vitit dhe ecurinë sipas tatimpaguesit pasi në sistemin informatik të dhënave tatimore të DPT-së ([email protected]) ruhen të dhëna të ngrira gjendje vetëm në fund të çdo viti në nivel tatimpaguesish. Kjo e bën të pamundur ndjekjen në vazhdimësi nga DPT, nëpërmjet strukturës së saj Drejtorisë së Mbledhjes me Forcë të Borxhit, të të dhënave dhe ecurisë së krijimit të borxhit tatimor, sipas burimeve të krijimit të tij, si dhe të monitorimit të procesit të mbledhjes me forcë të borxhit sipas dispozitave ligjore në fuqi për këtë qëllim, pasi vërehet se informacioni për borxhin në tërësi administrohet mbi pasqyra të përgjithshme dhe jo mbi baza individuale, duke humbur kështu mundësinë për monitorim të drejtë dhe efikas. Gjithashtu nga auditimi i KLSH-s u konstatua dhe mungesa e hartimit të një strategjie më efikase në DPT, e cila do të përcaktojë saktë riskun sipas llojit të borxhit duke angazhuar struktura si Drejtorinë e Mbledhjes me Forcë të Borxhit në nivel qendror dhe rajonal me struktura të tjera kontrolluese si ajo e Drejtorisë së Kontrollit Tatimor dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor, në mënyrë që të monitorohet dhe të menaxhohet në kohë dhe me efikasitet i gjithë procesi i krijimit dhe i rikuperimit të borxhit, menaxhim i cili duhet të kryhet konform përcaktimeve të Ligjit nr. 9920 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe akteve tjera nënligjore në zbatim të tij. Në gjykimin tonë, problematikat qëndrojnë në DRT për të cilat strukturat e mbledhjes me forcë të borxhit duhet të luajë rol më aktiv në monitorimin e veprimtarisë së mbledhjes së borxhit dhe marrjen e masave konkrete për uljen e borxhit tatimor, i cili gjatë periudhës objekt auditimi ka një trend rritës. Ndërkohë KLSH konstaton gjithashtu se ndryshimet e shpeshta të strukturës dhe reduktimi i organikës së Drejtorisë së Menaxhimit të Borxhit nuk kontribuon në mirëmenaxhimin e borxhit publik në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Si përfundim konkludojmë se borxhi tatimor në shumën prej 107.7 mld lekë, e cila përbën të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit, do të thotë më pak investime publike si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, pensione etj. Kjo gjithashtu tregon pamjaftueshmërinë dhe dobësinë e organeve tatimore për rikuperimin në kohë të borxhit tatimor. Me qëllim që borxhi tatimor të mos mbetet një shqetësim i vazhdueshëm dhe për të gjitha qeveritë, nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit janë lënë rekomandime të rëndësishme në lidhje me borxhin publik dhe në raportin “Mbi zbatimin e buxhetit faktik të Shtetit viti 2018” të dërguar në Kuvendin e Shqipërisë në 10 tetor 2019 me qëllim monitorimin e treguesve të borxhit dhe për rritjen e efikasitetit të punës së organeve tatimore në drejtim të masave shtrënguese për rikuperimin e këtij borxhi, të cilët kanë gjetur përkrahjen dhe të institucioneve ndërkombëtare që asistojnë vendin tonë si FMN etj.

*Audituese e Lartë në Departamentin e Auditimit të Buxhetit të Shtetit