Opinion / Editorial

“Brain drain”- e ardhmja e Shqipërisë dhe Administratës Publike në këndvështrimin e një audituesi

“Brain drain”- e ardhmja e Shqipërisë dhe

Prej 20 vitesh, të “ndëshkuar” për të përjetuar tranzicionin e gjatë, shumica e shqiptarëve ndihen të lodhur në rrugën e realizimit të projekteve dhe ëndrrave në vendin e tyre. Migrimi i njerëzve ka qenë një fenomen i rregullt dhe i zakonshëm, por kohët e fundit po diskutohet gjerësisht për pasoja shqetësuese largimi i profesionistëve dhe intelektualëve, duke sjellë atë që njihet si drama më e madhe shoqërore: “brain drain”- “largimi i trurit” ose cilësuar më thjesht largim i kapitalit mendor.

“Largimi i trurit” bëhet problem kur njerëzit e arsimuar përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të emigracionit total dhe për vendin tonë kjo situatë është më prezente se kurrë. Shifrat zyrtare nga Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale tregojnë se në kërkim të një jete më të mirë, në harkun kohor të dy dekadave të fundit, pothuajse 40% e punonjësve të kualifikuar janë larguar nga vendi. Të njëjtat burime pohojnë se gjatë kësaj periudhe, nga ata që studiuan jashtë vendit, vetëm 5% e tyre u kthyen në Shqipëri, ndërkohë që rreth 2000 studentë largohen çdo vit. Kjo tendencë kombinuar dhe me mundësitë për gjetjen e një vendi pune në vendet pritëse përbën një rrezik të lartë për humbjen e individëve të kualifikuar.

Ky rrezik bëhet dhe më kuptimplotë nëse i referohemi të dhënave të INSTAT-it, ku të rinjtë konsiderohen shtresa që e vuajnë më së shumti papunësinë në Shqipëri, edhe kur janë të kualifikuar apo të mbikualifikuar për tregun e punës. Për shumicën e njerëzve, arsyet e largimit nga vendi janë mjaft të njohura dhe të zakonshme. Mungesa e mundësive të punësimit, vlerësimit, pagat e ulëta, kostoja e lartë e jetesës, korrupsioni, problemet me nepotizmin dhe promovimi në bazë të kritereve jo profesionale janë disa nga shkaqet dhe pasojat të lidhura direkt me emigrimin e kapitalit mendor. Këto arsye duhet të merren si shqetësime kryesore nga qeveria dhe partnerët e tjerë të zhvillimit duke ndërmarrë hapa për tu përmirësuar. Pyetja që natyrshëm lind është: Nëse nuk gjenden mënyrat e duhura për të ndaluar procesin “brain drain”, cila është e ardhmja e Shqipërisë dhe veçanërisht e administratës publike?

Potenciali i profesionistëve dhe i njerëzve të aftë për punë është me rëndësi jetike për vendin tonë dhe veçanërisht për institucionet publike në rrugën e demokratizimit, kryerjes së funksioneve dhe realizimit me efikasitet, eficencë dhe efektivitet të shërbimeve publike. Për një vend të vogël si Shqipëria, me një ekonomi relativisht të ulët krahasuar me vendet që na rrethojnë dhe me një histori “armiqësore” ndaj sipërmarrjes së lirë, kapitali human, forca e kualifikuar e punës, njerëzit e ditur dhe me aftësi aplikative, janë dhe duhet të konsiderohen si avantazh konkurrues ekonomik. Në rast të kundërt mosvlerësimi dhe largimi i tyre do të sjellë mungesën e kapaciteteve profesionale dhe menaxheriale. Mungesa e “trurit” në administratë shkakton uljen e performancës jo vetëm në hartimin e politikave për zhvillim, por dhe në zbatimin e tyre.

Në këto kushte vendit tonë i duhet kapital njerëzor, individë të kualifikuar dhe të talentuar. Por në momentin kur na duhet më shumë se kurrë ky kapital, Shqipëria po ndeshet me kulmin e emigrimit të tij. Largimi i individëve përtej kufijve krijon një deficit në forcën punëtore të vendit. Si pasojë, largimi i kapitalit mendor ka efekte shkatërruese në aspiratën për një administratë profesionale duke krijuar boshllëqe që shpesh mbushen me persona që nuk kanë kualifikimin e duhur. Sensitive mbeten veçanërisht investimet e larta në dixhitalizimin e shërbimeve, ku largimet e shumta të punonjësve të kualifikuar po vënë në pikëpyetje se sa e suksesshme mund të jetë kjo strategji në një mjedis të tillë.

Alarmant është jo vetëm largimi i kapitalit mendor përtej kufijve, por edhe ai brenda vendit. Ne jemi dëshmitarë që një pjesë e mirë e kapitalit mendor të vendit është përqendruar në Tiranë. Një fenomen i tillë sjell pasoja të rënda për administratën duke mbipopulluar zona dhe sektorë të caktuar dhe duke krijuar boshllëqe të mëdha në qytetet e tjerë, gjë e cila do të jetë një pengesë serioze për përparimin e ardhshëm ekonomik, administrativ dhe social të vendit tonë. Janë pikërisht këto problematika që e shtynë kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Drejtorin e Departamentit të Performancës të startojnë auditimin me temë “Emigrimi i shqiptarëve, me fokus në fuqinë e punëtore”, si një çështje aktuale dhe me impakt të konsiderueshëm në shoqëri. Sjellim në vëmendje se KLSH ka kryer dhe auditime të tjera si psh auditimi me temë “Performanca e Departamentit të Administratës Publike” dhe “Rritja e kapaciteteve përmes ASPA-s”, në mënyrë që të merren masat e duhura për të ndaluar këtë proces duke filluar nga adresimi i këtij fenomeni në nivelin e politikave qëndrore dhe lokale deri në rishikimin e masave administrative dhe legjislative për të inkurajuar politikat e përthithjes dhe mbajtjes së punonjësve të kualifikuar në Shqipëri përmes instrumentave të tillë si: mbështetje financiare, lehtësi në procedurat e rekrutimit në administratën publike, favorizim për përfshirje në institutet kërkimore, programe nxitëse për rikthimin e studentëve që diplomohen jashtë etj.

Në nivelin qeveritar, duhet bërë alokim i buxheteve për organizatat e shkencës dhe teknologjisë dhe investim i veçantë me prioritet shëndetësinë dhe personelin shëndetësor, si një nga sektorët më të prekur në këto 3 vitet e fundit nga “brain drain”. Roli i qeverisjes duhet të jetë roli kryesor për të shmangur çështjen e ikjes së kapitalit njerëzor duke investuar në krijimin e një administrate me mundësi pune në bazë të meritokracisë dhe shmangien e largimeve të padrejta nga puna, gjë të cilën KLSH e ka konstatuar dhe ngritur si shqetësim nga auditimet e kryera në institucionet publike, jo vetëm për efektin e pagesave të kryera nga Buxheti i Shtetit që nëpërmjet llogarive të shpenzimeve operative vlerësohet në rreth 2 miliardë lekë për vit, por edhe për problematikën e lartpërmendur.

Është e domosdoshme që të ndërmerren politika strategjike dhe afatgjata. Duhet një bashkëpunim ndërinstitucional dhe bashkëpunim i qëndrueshëm midis shtetit dhe shoqërisë civile për të adresuar problemin. Siç parashtrohet më sipër emigrimit i kapitalit mendor është një problem kompleks ndaj duhen ndërtuar ura bashkëpunimi midis këtyre strukturave për t’iu përgjigjur me sukses sfidave të së ardhmes që na ofron anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe sfidave personale për ta bërë Shqipërinë ashtu siç të gjithë dëshirojmë dhe kemi nevojë.

*Audituese, Departamenti i Auditimit të Buxhetit të Shtetit në KLSH.