BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Brengosje opozitare për frymën pozitive të Komisionerit Europian!

Brengosje opozitare për frymën pozitive të Komisionerit Europian!

Nuk është për t’u çuditur. I madhi Konica, para një shekulli e ka perifrazuar se e keqja e shqiptarit është vetë shqiptari. Populli për të treguar sa të ndarë jemi në momente të veçanta, natyrisht kjo nuk është në AND-në shqiptare, ku zotëron virtyti dhe dashuria e kalitur në shekuj nga veriu në jug dhe lindje-perëndim nuk ka një rast të vetëm që të kemi pasur sherre apo luftra mes nesh. Shqiptarët kanë bashkëjetuar brenda territorit të Shqipërisë, ku ka sunduar vëllazërimi dhe dashuria, mirëkuptimi, afiniteti, ndihmesa, të gjendurit pranë, jo vetëm në këto tri dekada, po gjatë tërë historisë shumëshekullore nga lashtësia deri në ditët e sotme. Kur ka dhembur plaga në veri në krah të burrave të Malësisë, janë vënë jugorët. Kur rrezikohej kufiri nga cilado fuqi që synonte copëtimin e atdheut tonë nuk kanë munguar vullnetarët që linin pas shtëpinë e fëmijët, familjen, pasurinë për të qenë bashkë në mbrojtje të trojeve amtare, sprapsjen evazioneve që synon të copëtonin sa herë u paraqitej rasti. Kanë qenë këto përpjekje për të cilat historia ka treguar dhe kronikat e shekujve kanë memorizuar qëndresën dhe bashkimin kombëtar në të gjitha ngjarjet lapidare të kombit tonë. Shumë herët, shqiptarë të mëdhenj, të ditur, trima, të stërvitur në beteja epike nuk e kanë kursyer jetën, i kanë dhënë vendit dinjitet e prosperitet në emër të integritetit territorial dhe mbrojtjes së çdo pëllëmbe toke amtare. Këtu janë shquar shqiptarë të mëdhenj dhe atdhetarë të zakonshëm që u mungonte buka, po jo trimëria, kishin privacione pa fund, po me tepri kishin atdhedashurinë. Kanë qenë këta qytetarë që i kanë dhënë Shqipërisë, dinjitet me bëmat e tyre, zgjuarsinë, duke i përkushtuar kombit, jetën deri në vdekje në emër të interesave madhore. Kështu me Skënderbeun, mbrojtën, jo vetëm territoret arbërore, po edhe fatet e krishtërimit europian. Me Ismail Qemalin, ngritën flamurin kombëtar, duke e shkëputur Shqipërinë nga Perandoria turke. Me udhëheqësit e Luftës Nacionalçlirimitare, të gjithë atyre që dhanë kontributet e tyre, duke marrë në dorë fatet e vendit, ku u derdh gjaku i mijëra dëshmorëve në emër të lirisë. Në vitin 1990, Shqipëria nisi rrugëtimin për t’u bërë si gjithë Europa. Të bashkuar shqiptarët në 1990 rrëzuan sistemin komunist. I dhanë fund sundimit njëpartiak dhe instaluan demokracinë funksionale. Në këto tri dekada, ndryshimet, pavarësisht nga luhatjet dhe çedimet e shumta, ndryshimi shoqëror është i prekshëm në çdo pore të jetës sonë. Ky rrugëtim nuk ka qenë në autostrada, ka pasur trauma të shumta edhe katastrofike me beteja politike mes faktorëve të ndryshëm partiakë. Në jo pak raste në emër të pushtetit janë sakrifikuar interesa madhore, duke deformuar demokracinë dhe ndalur progresin apo shkelur edhe të drejtat e njeriut, liritë themelore dhe kthimin e vendit në vite mbrapa, grabitjes së pasurisë kombëtare, rënien e shtetit nga politika konfliktuale, duke i shkaktuar popullit trauma e plagë nga pedantët e pushtetit diktatorët e rinj. E megjithatë edhe pse në mungesë totale të institucioneve dhe rënies së shtetit, rendit apo drejtësisë, qytetarët i qëndruan larg përçarjes. Etja për pushtet, jo në pak raste i ka ndezur gjakrat, ka shkaktuar trazira që kanë ndalur progresin, cënuar zhvillimin e ekonomisë dhe deformimin e demokracisë. Rruga që kanë përshkuar shqiptarët i ngjan vrapimit me pengesa. Marshim i vështirë. Me sprapsje e goditje të cilat na kanë afruar dhe larguar nga porta e hyrëse e BE-së. Rrugëtimi drejt integrimit nuk është kufizuar në këto tetë vjet, siç përpiqet ta interpretojnë liderët e opozitës. Pengesat nuk janë të krijuara nën sundimin e të majtës. Çdo vit ka pasur problematika që janë krijuar gjatë ecjes drejt integrimit edhe pse me zigzage, hapa të shpejtë e sprapsje, ngadalë e me pezullime, me vrap e ritmin e breshkës. Arritjet nuk janë meritë vetëm e mazhorancë as vetëm përgjegjësi e saj. Nëse sot, jemi duke ndjekur mundin e Sizifit me gurin mbi shpinë për t’u ngjitur deri në lartësinë ku gjendet BE, opozita e mazhoranca ka kusuret e veta. Gjatë viteve të ecjes drejt BE-së, ka pasur gjithnjë një udhërrëfyes permanent, dashamirës pa kufi, orientues në vendimmarrje. Ky faktor, është mbështetja ndërkombëtare. Dhe violinë e parë, Komisioni Europian, historia përsëritet. Komisioni Europian i mëparshmi, kryetari i tij, Knut Flakeshtejn pasqyroi gjithçka pozitive në ecurinë e vendit tonë. Po sa herë ai numëronte arritjet, opozita sëmurej dhe ngrinte zërin kundër tij deri në akuza sikur të kishte përball halabakë të lagjeve skajore. Një fjalë e mirë për Shqipërinë, qindra akuza ndaj tij. Sa herë ka bërë të njohura arritjet, ka qënë i arsyeshëm, i matur, thellësisht objektiv, i baraspeshuar, i paanshëm, larg politizimeve ekstreme të politikanëve të Tiranës. Si i tillë gjithnjë opozita ka krijuar polemika dhe zhurmë mes asaj që ka nënvizuar Komisioni Europian, dashamirësisë dhe ndershmërisë të cilit i janë kundërvënë liderët pretendentë për pushtet, duke i vlerësuar si oksigjen për Edi Ramën dhe jo mbështetje për Shqipërinë. Komisioni Europian nuk ka dhënë mbështetje as për qeverinë as për opozitën. Çuditërisht të gjitha raportet, historikisht opozita i ka trajtuar si suport politik për mazhorancën dhe për këtë qëllim janë sulmuar kryesuesit e Komisionit Europian. Në vend të gëzohej opozita për zërin pozitiv dhe trajtimin realist për shtetin shqiptar dhe përparimin e reformave, të lartësonte përpjekjet për ecjen drejt BE-së, pezmatimi, mllefi arrijnë kulmin. Liderët e opozitës, kanë qenë gjithnjë gati të vinin në shënjestër përfaqësuesit e Europës, vetëm se nuk mendonin e flisnin si opozita. Nuk ishin në një gjatësi vale me ta, nuk sulmonin qeverinë dhe kryeministrin ndaj janë sulmuar egërsisht. Llogaria meskine e liderëve politikë, konfliktet nisur nga sentenca se arritjet e kundërshtarit tim, janë dështimi im, Flakeshtejn është anatemuar e akuzuar me fjalët më fyese. U duk se intifada opozitare, akuzat, inati, shpërthimet, morën fund me Komisionin Europian të kaluar. Po nuk ishte e thënë. Komisioni aktual, kryetari Varhelyi u vendos në grykë të topit, jo për atë që përfaqëson, po atë që ligjëroi në Parlamentin e Shqipërisë. Nuk mjaftoi deputeti analist Gjoni që iu sul komisionerit. Po Gjoni nuk mbeti vetëm. Një përfaqësues i rëndësishëm, ish-ministër dhe deputet i PD-së, i bëri radiografinë tredimensionale fjalës së komisionerit, duke e paraqitur si anormale ato që kumtoi në Kuvendin e Shqipërisë në drejtim të reformave dhe progresit në betejën kundër krimit, si dhe reformës në drejtësi e atë zgjedhore. Aldo, shprehu, jo gjykimin e tij, po lexoi pamfletin e partisë që përfaqëson. Liderët opozitarë, të partive të mëdha e ato minor, llogarisin çdo personalitet që vjen në vendin tonë, si flet dhe cilën anë mban. Opozita mbanë të ngritur antenat dhe vë me kohë të plotë në punë gjithë radarët për të kapur çdo frekuencë dhe mjerë ai që guxon e nuk flet me gjuhën e Bashës apo filozof Ndokës. Me këtë logjikë, janë vlerësuar të gjithë personalitet e huaja, ambasadorët, burrat e shteteve, miqtë që kanë ndihmuar Shqipërinë, duke i trajtuar të njëanshëm kur nuk kanë mbështetur opsionet opozitare, po interesat madhore të kombit tonë. Duket sikur politika mezi pret një lajm të zi për atdheun tonë. Nëse në skajin më fundor të botës thuhet diçka kundër Shqipërisë, deklarata shumëfishohet dhe ngrihet deri në qiell. Ja e shikon kush iu drejton? E dëgjoni botën? Po raportet e Bankës Botërore a i keni njohur? Kjo është Shqipëria, e cila pret me padurim drejtimin tonë?! Ndryshe kur vlerësohet Shqipëria. Menjëherë nisin akuzat dhe denigrim total. Ndryshe kur nxihet gjithçka. Këto po që e bëjnë çakërqef opozitën. I shtojnë adrenalinën dhe entuziazmin. E lartësojnë duke konkurruar edhe Himalajet. Kur Komisioneri Varhelyi përgëzon, opozita nxin. Kur evidenton ndryshimin e progresin, opozitarët ndihen të pezmatuar, të lënduar, brengosur, të papërfillur. Ata çuditërisht presin që përfaqësuesit e Europës të zbresin në Shqipëri me fjalorin e opozitarëve,të flasin si ata, të mbështesin çdo mallkim e akuzë të tyre. Ta vizatojnë vendin tonë me ngjyrat e zeza, të shpalosin të njëjtën tablo të zhvillimit të vendit si opozita. Shkurt të marrin fjalimet e liderëve të opozitës, platformat e tyre, të ngrejnë në piedestal, jo atë që bëhet, po atë që do opozita jonë. Kështu me të gjithë të huajt aq sa është krijuar ideja në popull, se të huajt e duan më shumë Shqipërinë se vetë shqiptarët. Dhe ky argument, u shpalos tërësisht edhe gjatë këtyre ditëve të vizitës së Komisionerit Europian, i cili u përfshi edhe ai në listën e të anatemuarve të opozitës, duke e denigruar pa asnjë të drejtë. Logjika opozitare dhe ajo europiane, janë vite drite larg. Opozita duhet të korrigjojë shënjestrën dhe të mos nxijë gjithçka se kjo tokë është edhe Shqipëria e tyre. Dhe mbi të kanë jetuar miliona shqiptarë që kanë ardhur e kanë ikur, po trojet kanë mbetur dhe do jetojnë pafundësisht. Është atdheu ynë zotërinj opozitarë. Nuk është i Ramës. As i Bashës! Aq më pak të kërkojë të flasin europianët me gjuhën e tyre. Të deklarojnë dëshirat e opozitës. Të ngrejnë në piedestal akuzat e saj dhe të godasin qeverinë. Europianët edhe komisioneri nuk janë ortakë as të mazhorancës as vasalë të liderëve opozitarë. Ata kanë dinjitetin e tyre, janë racionalë, të edukuar në shkollën shumëvjeçare të demokracisë europiane, si të tillë nuk mund të përdoren si kamxhik në interes të etjes për pushet të opozitës apo mazhorancës sonë!