BREAKING NEWS

Bilanc i frikshëm, koronavirusi u ka marrë jetën mbi 42 mijë personave. Si është ‘pushtuar’ bota, cili shtet ka shifrën rekord të të infektuarve

Bilanc i frikshëm, koronavirusi u ka marrë jetën mbi 42 mijë
x

Opinion / Editorial

Brigada 32K sfidoi vështirësitë dhe me punë e arritje u bë avangarda e ushtrisë

Brigada 32K sfidoi vështirësitë dhe me punë e arritje u

Ishte muaji prill i vitit 1966 kur u krijua Brigada 32K me komandantë Bim Pajoven dhe komisar Amet Gjolikun, që të dy pjesëmarrës adoleshentë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Ishte koha kur lufta e ftohtë midis dy kampeve edhe dy pakteve ushtarake, NATO-s dhe Traktatit të Varshavës kishte arritur pikën kulminante dhe kërcënimi për shpërthimin e Luftës së Tretë Botërore ishte imediate dhe me rrezikshmëri të lartë për njerëzimin. Edhe përreth nesh në rajonin tonë situata politike-ushtarake nuk ishte aspak e qetë. Në Greqi po kakarisnin kolonelët e rinj që tentonin të vendosnin juntën ushtarake atje. Vazhdonin thirrjet aventureske për avazin e vjetër të çështjes së Vorio Epirit si dhe shantazhet dhe kërcënimet nëpërmjet demonstrimit të armatimeve dhe teknikës luftarake përgjatë kufirit tonë shtetëror.

Por fatmirësisht në jug të vendit ishte dislokuar korpusi i hekurt i Gjirokastrës, që atëherë komandohej me kompetencë dhe aftësi ushtarake nga gjeneralët e shquar të ushtrisë shqiptare, pikërisht gjeneral lejtanti Muhamet Prodani përballë korpusit të Gjirokastrës rreth 60 km nga vija e kufirit tonë shtetëror ishte dislokuar në qytetin e Janinës divizioni i 8 i Këmbësorisë së ushtrisë greke, i cili nuk pipëtinte para korpusit të Gjirokastrës. Në retrospektivë kujtoj se në vitin 1966 ne vetëm de jure ishim në traktatin e Varshavës pasi de fakto kishim vite që nuk bënim më pjesë në këtë traktat famëkeq pasi ishin forcat e armatosura të këtij traktati që pushtuan Çekosllovakinë në gusht të vitit 1968. Kjo ishte pak a shumë situata politike e ushtarake, në të cilën u krijua Br32K.

Fillimisht në vartësi të korpusit të Gjirokastrës edhe më pas në vitin 1967 brigada varej nga Korpusi i parë bregdetar me komandant Spiro Shalsin dhe komisar Xhemal Shehun, një dyshe e gjetur edhe kjo për drejtimin edhe komandimin e këtij korpusi që mbronte vijën bregdetare nga grykëderdhja e Shkumbinit deri në kufi me Sarandën. Duke vazhduar rrëfimin rreth kësaj brigade më duhet të theksoj se kjo brigadë për shkaqe dhe arsye objektive lëvizi ose më saktë u sorollat shumë dhe sa andej e këtej. Fillimisht u dislokua si komandë e si shtab tek ura me shkallë e lumit Gjallicë, Fier dhe prej këndej u vendos në Kolonjë të rrethit Lushnjë, pastaj në fshatin Vajkanë në disa objekte e ndërtesa të kooperativës bujqësore dhe aspak të përshtatshme për një punë normale për një shtab brigade. Nuk vonoi shumë dhe u vendos diku afër stacionit të trenit në Lushnjë, prej këtej pranë varrezave publike të Lushnjës dhe së fundmi u vendos përballë fabrikës së letrës të qytetit të Lushnjës, në një ndërtesë të re e të përshtatshme për punë ku dhe mbylli ciklin e saj ekzistues aty nga viti 1994 si rezultat i reformës drastike ushtarake, që u bë në ushtri me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri. Kujtoj se nga kjo brigadë kam disa kujtime të këndshme e të paharrueshme. Po filloi me pranimin tim si kandidat partie në Komitetin e Partisë së kësaj brigade. Ne kohën që unë u pranova kandidat partie shërbeja si komandant kompanie në Brigadën e Parë Sulmuese të Fierit, por duke qenë se kjo brigadë për çështje organizative edhe financiare varej nga Brigada e 32k unë u pranova kandidat partie në Komitetin e Partisë së kësaj brigade pra në Komitetin e Partisë së 32k. Ishte gushti i vitit 1968 dhe sapo kishte përfunduar linja hekurudhore Rrogozhinë-Fier e që propagandohej me bujë e tam-tame të mëdha për kohën.

Mbasi mora njoftimin për datën e mbledhjes së komitetit ku unë do të dilja para këtij komiteti, për tu pranuar ose jo si kandidat partie u përqendrova maksimalisht në studimin dhe njohjen e parimeve dhe normave të statusit të partisë si dhe në njohjen e situatës politike e ushtarake në botë. Dhe ja erdhi momenti i mbledhjes, ku më bombarduan dhe më mbuluan me një lumë pyetjesh dhe midis pyetjeve ishte edhe një pyetje se kush i drejtonte operacionet luftarake në Vietnam? U përgjigja pa mëdyshje dhe saktësisht se: operacionet atje i drejtonte gjenerali Uestmolendë duke ushtruar gjenerali barbare dhe famëkeqe dhe në mimikën e të pranishmëve kuptova se të gjithë mbetën të kënaqur nga përgjigja që dhashë. Por kur po u vinte fundi pyetjeve, një anëtar komiteti që kishte një kompleks informacionesh në formimin e tij më bëri pyetjen e rëndomtë banale se sa e gjatë ishte linja hekurudhore Rrogozhinë-Fier? Sekretari i Komitetit të Partisë dhe njëkohësisht komisar i brigadës, Amet Gjoliku paksa i nervozuar iu drejtua anëtarëve të komitetit që të bënin pyetje substanciale që me të vërtetë t’ia vlenin. Këtu përfunduan pyetjet, unë u pranova unanimisht kandidat për anëtar partie.

Theksoj se për mua ishte një koincidencë e këndshme që mbasi përfundova të gjitha ciklet e shkollave ushtarake e politike, u emërova komisar i Brigadës 32k. Është për tu përmendur fakti që kjo brigadë në gjithë jetën dhe veprimtarinë e saj ushtarake ka patur në krye të komandës komandantë edhe komisarë të zotë, drejtues dhe organizatorë të përgatitur dhe me autoritet të padiskutueshëm e me reputacion si: Bim Pajova, Amet Gjoliku, Petraq Salavaçi, Naun Galloshi, Petraq Kolonjari, Asaf Hajdini dhe shokë të tjerë që nuk po më kujtohen emrat, por që kanë dhënë po kaq vlera dhe merita sa shokët e mësipërm. Pikërisht në sajë të këtij drejtimi efikas, Br32K arriti rezultate të dukshme në qitjet me armët e këmbësorisë, në qitje me artileri tokësore, në qitjet me artileri kundër ajrore, në punimet fortifikuese, tunelizimin, praktikat e shtabit, stërvitjet e shtabit, stërvitjet e komando shtabi e që kulmonin në stërvitjet komplekse me trupa si shkalla më e lartë e përgatitjes edhe gatishmërisë luftarake, që me punë e me meritë u bë pararoja e ushtrisë tonë popullore.