BREAKING NEWS

Spastrimet në PS, Rama fut në lista ministrat jo deputetë, zv/ministra, drejtorë e ish-anëtarë të LSI, zbulohen emrat që spostojnë veteranët

Spastrimet në PS, Rama fut në lista ministrat jo deputetë,
x

Opinion / Editorial

Britania e Madhe dhe Shqipëria

Britania e Madhe dhe Shqipëria

Kolonel Palmer për Enver Hoxhën

Buletini Arkivor Ushtarak në fund të vitit 2020 publikon për herë të parë punimet e një konference të organizuar në Oksford në vitin 1962 me temë “Britania dhe rezistenca europiane në vitet 1939-1945”. Në punimet e sesionit me objekt “Britania e Madhe dhe Shqipëria”, koloneli Palmer ka theksuar se meqë unë isha me Enver Hoxhën gjatë luftës, po them diçka rreth marrëdhënieve me të dhe me njerëzit që e rrethonin atë. Ata që e rrethonin në luftë, të gjithë ishin anëtarë të qeverisë shqiptare (pra, në vitin 1962). Ata u ndodhën së bashku me të në male për luftë. Kolonelin Kemp po e korrigjoj për një çështje që ka të bëjë me gjuhën. Vetë Enver Hoxha flet një frëngjishte të përsosur, ashtu si dhe shumë nga ministrat e tij. Kjo gjuhë ishte mjeti me normal i komunikimit me njëri-tjetrin dhe jo nëpërmjet një përkthyesi, megjithëse ne i kishim me vete përkthyesit për raste të veçanta. Unë shkoja mirë me Enver Hoxhën dhe me gjithë ministrat e tij. Lehtësia e vendosjes së marrëdhënieve tona të mira me udhëheqjen partizane vinte nga rezultatet direkte të sukseseve, apo dhe të dështimeve të lëvizjes partizane. Kur punët nuk na shkonin mirë ne zakonisht luanim me njëri-tjetrin si macja me miun. Udhëheqja partizane kishte siguruar lirimin e një pjesë të madhe të Shqipërisë dhe kishte kaluar në formacione ushtarake të mëdha, duke formuar brigada, të pasuara nga divizione dhe duke shkuar kundër influencës së këshillave tona të mira, atëherë bëhej shumë e vështirë për të punuar me ta dhe nuk pranonin të bashkëvepronin me ne. Kjo është e vërtetë, pasi udhëheqja partizane kishte liruar territore të mëdha dhe po merrnin me tonelata armë. Në këtë kohë Enver Hoxha u përpoq të kufizonte lëvizjen e të gjithë misioneve ushtarake angleze në territorin shqiptar. Ne natyrisht kundërshtuam me forcë, thekson Palmer, pasi pas një bisede të shkurtër me të, unë nisa një radiogram për në qendrën tonë për të prerë të gjithë furnizimet për ta deri sa të vendosej përsëri rregulli dhe të ishte tërhequr urdhri i Enver Hoxhës. Megjithatë kjo nuk solli ndonjë dobi dhe për ta, pasi ishte një gjendje jo e mirë, në një kohë kur udhëheqja partizane kishte siguruar çlirimin e një pjese të madhe të Shqipërisë. Kjo histori ndodhi në verën e vitit 1944. Në fakt lëvizjet e misioneve angleze u kufizuan për një periudhë gati 3 javore, por u normalizuan disi. Kont Raczynski pyeti se ç’njeri ishte Enver Hoxha, mund të na thoni ndonjë fjalë rreth tij? Kolonel Palmer: Doni të dini ç’pamje ka, si flet ai? Përsëri pyetje nga Kont Raczynski: Ç’njeri ishte ai? Kolonel Palmer: Ai ishte një njeri shumë inteligjent dhe në përgjithësi një njeri me të cilin ishte mirë të shoqërohesh. Mua më pëlqente të qëndroja me të. Ai ishte i gjatë, i bëshëm, një linguist shumë i mirë. Ai ishte i ashpër, i pamëshirshëm. Ndërhyn Kont Raczynski: Mizor? Kolonel Palmer: Unë thashë i pamëshirshëm. Mendoj se nuk duhet lënë pa marrë parasysh fakti që këtu ne, - të paktën unë - po flas për sa i takon kohës së luftës dhe ndoshta ai tipar i tij nuk ishte edhe kaq i theksuar.

Shqipëria një rajon vullkanik

U hasën vështirësi lidhur me bashkëveprimin në veprimet e përbashkëta me disa prej misioneve dhe forcave angleze. Disa herë për periudha kohore të shkurtra pati disa formacione ushtarake britanike që bashkëvepronin ose nuk bashkëvepronin, siç mund të paraqitej rasti, me forcat partizane shqiptare. Operacioni më i madh u zhvillua në jug të vendit, në rajonin e Sarandës, në kohën kur ishim marrë vesh që disa forca sulmuese detare angleze do të vepronin së bashku me brigadën partizane që vepronte në rajonin jugor në përpjekje për të penguar tërheqjen e trupave gjermane kur ata po shkëputeshin nga Greqia. Nga pikëpamja e bashkëveprimit si operacion ishte me sukses për ne, por nga pikëpamja e kërkesave të komandove (forcave-operativo-goditëse) ai nuk ishte një sukses, sepse për fat të keq ose për shkak të një planëzimi të keq, forcat angleze ishin pajisur me uniformë verore kaki, në një kohë kur dimri erdhi shumë shpejt, kështu që ato u mbërthyen në vend, filloi të binte dhe dëborë, kurse ushtarët anglezë ishin veshur me pantallona të shkurtra. Kjo ishte një gjë shumë e keqe nga ana ushtarake. Por përsa i përket bashkëveprimit të forcave tona me partizanët, gjithçka shkoi shumë mirë. Misionet angleze gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri e njohën dhe e konceptuan thelbin e problemit shqiptar. Shqipëria ishte një rajon vullkanik. Ata e dinin se nuk ishin më në Europën Veriore, por në gadishullin Ballkanik. Mënyra se si shtrohet problemi ishte interesant dhe pikërisht në këtë drejtim duhet t’i drejtojmë kërkimet dhe studimet tona historike, në qoftë se duam me të vërtetë të jemi historianë objektivë, theksuan të gjithë të pranishmit në konferencë. Udhëzimet e SOE në Kajro ishin të “bashkëpunoni me të gjithë ata që dëshirojnë të luftojnë kundra pushtuesit”. Nuk duhet të harrojmë se ne kemi pasur dy faza të luftës dhe këto faza ishin e para të fitonim luftën, domethënë të mundim armikun, ta sprapsim atë dhe në çastin e kthesës së luftës, kur fitorja të ishte e afërt, kur lufta nuk ishte më një luftë për vdekje, përgatitja e paqes, e politikës, e së nesërmes, mbas mbarimit të luftës. Për misionet angleze në Shqipëri ka ekzistuar ky kulm kthese. Ishte viti 1943, së paku për gadishullin Ballkanik. Duke filluar nga çasti i zbarkimit të trupave aleate në Itali, që të gjithë, qoftë shqiptari më i thjeshtë dhe naiv, qoftë greku më i thjeshtë dhe naiv, e kuptonin se tërheqja, e lehtë apo e vështirë e trupave pushtuese gjermane ishte e padiskutueshme, sepse kjo varej nga përparimi i trupave aleate në Itali. Në këtë kohë duheshin bërë dy gjëra. Së pari, rezistenca sipas thelbit të saj ideologjik dhe politik duhet të merrte qëndrim për çlirimin. Qeveritë e mërguara pranë vendeve aleate duhej të mendonin se si të bënin për t’u kthyer ndër vendet e tyre të nesërmen e çlirimit, të rivendosnin regjimin e tyre apo gjendjen ekzistuese para shpalljes së luftës. Fatmirësisht qeveri të mërguar për Shqipërinë nuk kishte në vendet aleate. Kështu, nga vjeshta e vitit 1943 dhe fillimi i vitit 1944 shohim që trupat pushtuese ndërmarrin operacione në shkallë të gjerë në të gjithë Gadishullin Ballkanik dhe kjo gjë u bë nga ana greke në Epir, me ardhjen e divizioneve alpine gjermane të stërvitura dhe të mësuara në luftë në male. Në Greqi, aty nga tetori i vitit 1943 deri në janar të vitit 1944, nëpër fushat dhe malet greke vazhdonin operacione të ashpra, kudo digjej dhe plaçkitej gjithçka.

Ballistët pranonin formën e qeverisjes nën pushtuesit

Nga analiza e përfaqësuesve të misioneve angleze në Shqipëri në këtë konferencë theksohej se historia e marrëdhënieve ndërmjet ballistëve dhe forcave pushtuese ndryshon shumë. Deri aty nga fundi i vitit 1942 udhëheqësit ballistë jetonin nëpër qytete, dhe nuk punonin për forcat e pushtimit në asnjë drejtim dhe për këtë arsye nuk ndodheshin as edhe në opozitë me ta ushtarakisht. Deri në një farë shkalle ata shkruanin pamflete që ishin pak a shumë me një qëndrim kritik ndaj administratës italiane, por ata jetonin normalisht nëpër qytete. Pastaj ata filluan të shkojnë në mal dhe të organizonin një lëvizje rezistence. Kur u zhvillua luftë ndërmjet forcave komuniste e Ballit Kombëtar, s’ka asnjë dyshim se në atë kohë ballistët i lajmëronin gjermanët për vendin se ku ndodheshin forcat partizane komuniste dhe fare mirë mund të ketë pasur dhe raste bashkëpunimi midis tyre. Natyrisht gjermanët përpiqeshin t’i nxitnin rivalitetet midis këtyre palëve shqiptare. Midis këtyre dy forcave nuk kishte mbetur asnjë harmoni dhe në kohën kur tërheqja e trupave gjermane po bëhej gjithnjë e më e pashmangshme dhe gjithnjë e më në dukje, secila palë filloi ta shikonte palën tjetër si armikun kryesor. Gjermanët ishin diçka që në atë kohë kishte filluar të vdiste, për të cilin ata nuk merakoseshin shumë. Padyshim gjëra të tilla të ngjashme ndodhnin dhe në Shqipërinë e Veriut, tabloja atje ishte më e copëtuar, kishte shumë grupe të ndryshme. Analiza e marrëdhënieve ndërmjet lëvizjeve të ndryshme të rezistencës shqiptare dhe forcave të pushtimit ishte fakti se sa më të dobët po bëheshin gjermanët, aq më pak shqetësoheshin për gjermanët grupet e ndryshme të rezistencës dhe aq më tepër shqetësoheshin ata për njëri-tjetrin. Përderisa gjermanët ishin akoma të fuqishëm për sa u takon armëve dhe forcave të armatosura të vendosura në këtë vend, ekzistonte një tendencë e natyrshme nga ana e të gjithë këtyre grupeve për t’u përpjekur për ta shfrytëzuar praninë e forcave të pushtimit për interesat e veta imediate. Nga kjo pikëpamje Balli Kombëtar ishte në një pozitë më të mirë sesa dy grupet e tjera kryesore të rezistencës shqiptare, sepse kur udhëheqësit e tyre ishin hedhur në mal, por jo të gjithë ata kishin vepruar në këtë mënyrë, disa kishin mbetur nëpër qytete dhe për këtë arsye ekzistonte një lidhje më e natyrshme ndërmjet partisë balliste dhe njerëzve si Mithat Frashëri, të cilët e pranonin formën e qeverisjes nën pushtuesit. Në këtë drejtim ekzistonte një lidhje më e natyrshme midis tyre.