BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

Bujar Leskaj, apo vëllai i pranishëm i të gjithëve

Bujar Leskaj, apo vëllai i pranishëm i të gjithëve

Në Vlorë janë të pranishme fjalët “vëlla” apo "motër" prej shumë kohësh apo dhe shekujsh si kod morali dhe fjalë përbashkuese në qëllime, dhembshuri, respekt dhe solidaritet të një komuniteti me disa fe dhe shtresa shoqërore, madje dhe me komunitetin hebre. Vlora historikisht, për pozicionin e saj të lakmuar gjeografik dhe me dy dete, siç e dimë ka kaluar në dallgë të mëdha përpjekjesh për të ruajtur lirinë, pavarësinë dhe identitetin kombëtar. Në këto dallgë që komuniteti vlonjat të ishte i bashkuar shpirtërisht gjatë ndihmës së ndërsjelltë dhe solidaritetit njerëzor vlonjatët e kanë parë njëri-tjetrin si vëllezër shpirtërorë dhe të një gjaku. Fjalën “vëlla” e kam dëgjuar te shumë njerëz së fundmi kur i drejtohen kandidatit për deputet të PD z. Bujar Leskaj në rrugët e Vlorës si një person i perceptuar si i familjes, i njohur, i afrueshëm dhe i besueshëm. Bujar Leskaj është për pothuajse të gjithë vlonjatët si djali i shtëpisë ngjitur, i lagjes, i shkollës, apo si thonë ndryshe si një vëlla pa pjesë. Ai i njeh me emra të gjithë ata që merren me art, letërsi, sport, peshkim dhe nëse e merr në telefon do ta hapë dhe nëse nuk të zgjidh punë, të paktën do të të dëgjojë. Personalisht e kam njohur qysh fëmijë dhe të them të drejtën, që atëherë mund të thuhet se ishte një fëmijë që kishte krijuar një ide dhe admirim se do të bëhej dikush kur të rritej. Kur e njoha, unë vetë isha nxënëse në shkollën tetëvjeçare “1 Maj” të Skelës buzë detit dhe shkoja dhe në rrethin letrar të Shtëpisë së Pionierit “Bajram Tushi” në Vlorë. Kur mbaroja nga rrethi letrar, kthehesha te biblioteka pranë xhamisë që të merrja ndonjë libër. Kishte raste që merrja dhe për vëllanë më të vogël se vetja, por shpesh librat nuk i gjeja se gjithmonë ishte dikush që i merrte i pari dhe mbas tij një shpurë me shokë nuk linin asnjë kopje. Ky ishte Bujar Leskaj, disa vite më i vogël se unë dhe lindur në të njëjtën ditë e vit me vëllanë tim të vogël. Në atë kohë kishte dhe një foto të tij në bibliotekë me dorë të hedhur në allçi, por që nuk ndaloi së lexuari libra. Mora vesh se ishte një fëmijë, djalë i vetëm, që i kishte vdekur e ëma shpejt dhe mungesën e saj e plotësonte me libra. Unë dhe Bujar Leskaj do të shkonim në vite të ndryshme në Shkollën e mesme “Industriale” dhe më pas në inxhinieri në fakultete të ndryshme. Në shkollën e mesme kemi pasur mësuese letërsie zonjën Zhaneta Nova, e bija e Milto Sotir Gurrës, prej të cilës mësuam shumë, por mbi të gjitha dashurinë e përhershme mbi letërsinë, si një dituri që të pasuron mendjen dhe shpirtin. Ndërsa na fliste për veprat e të atit si "Dëshirë", "Rrëjenjë", "Kur rilindej Shqipëria" ajo tregonte dhe për veprat e shumë patriotëve që bënë zgjimin kombëtar me anë të shkrimeve të tyre. Ndoshta, mendoj unë, se ajo ka qenë shkëndija e parë që Bujar Leskaj ka pasur dëshirë e pasion që t’i lexojë veprat e të ndriturve dhe të futej në fushën e politikës që t’i shërbente më mirë vendit të vet. Çuditërisht, unë e takova Bujar Leskajn, kur ishte ministër Kulture më 2006, në Lidhjen e Shkrimtarëve në Tiranë ku ndaheshin çmimet për 75-vjetorin e lindjes së Dritëro Agollit dhe unë mora çmim të parë në përkthime poezish. “Gëzohem që këtë çmim e merr një vlonjate, por mos mendoni se e ka me hatër se jam vlonjat sepse e di që ajo në këtë drejtim punon me pasion”, tha Bujari dhe më kërkoi që të bashkëpunonim në fushën e letërsisë. Si gazetare kam parë që Bujari bëri shumë për shkrimtarët dhe artistët e moshuar vlonjatë që të merrnin një pension të merituar për vitet e sakrificës. Ai futi në grupin e monumenteve të kulturës 23 ndërtesa dhe shpalli Muze Kombëtar atë të Pavarësisë në Vlorë. Po aq e palodhur ishte puna për të çuar Polifoninë në UNESCO. Bujarin mund ta shohësh kudo me të gjithë këngëtarët e polifonisë dhe ata i thërrasin “O vëlla”. Bujari ishte tepër i vëmendshëm dhe me trilogjinë e At Zef Pëllumit "Rrno vetëm për me tregue", për botimin e së cilës u kujdes personalisht aq sa në parathënie At Zef Pëllumi e cilësonte si ministrin më të mirë të Kulturës së kishte pasur Shqipëria. Por Bujar Leskaj edhe vetë është një autor që ka botuar disa libra me studime si: "Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë, 1912-2009", "Brenda dhe Jashtë… PARLAMENTIT (maj 2007-maj 2009)", "Senjorazhi”, “Paraja dhe Banka” (Cikël Leksionesh), “Leksione në Financë” dhe “Muzat e Qëndresës” ku përfshihen analiza e veprave të autorëve të përndjekur e mohuar si Vilson Blloshmi, Astrit Delvina, Pjetër Arbnori, Bedri Çoku, Visar Zhiti, Koço Kosta, Petraq Kolevica, Amik Kasoruho, Henrik S.G (Gjoka), Makensen Bungo, Halil Laze, Gëzim Hajdari, Musine Kokalari, Havzi Nela, Ejëll Çoba, Uran Kalakula, Fatos Lubonja, Drita Çomo, Leka Toto, Beqir Ajazi, Lekë Tasi, Luan Myftiu, Bardha Mulleti, Ahmet Bushati, Gëzim Çela.

Bujar Leskaj në të gjitha punët shtetërore që ka pasur deri së fundmi si Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, nuk e ka humbur njerzillëkun dhe stofin e tij social. Ai nuk harron që tu bëjë përshëndetjet në të mira e gëzime, por dhe tu qëndrojë pranë në fatkeqësi njerëzve që njeh pavarësisht bindjeve politike, apo shtresës sociale. Patriotizmi i tij dhe ndjeshmëria ndaj njerëzve që kanë bërë këtë komb aq sa krijoi Institutin e Studimeve “Ismail Qemali” dhe ndaj kujtesës historike dhe identitare të Vlorës e ka bazën edhe te prejardhja e tij prej një nga fiset më të dëgjuara në Labëri, nga Leskodukajt e Bolenës, të shquar për trimëri e fisnikëri të pashoq aq sa u këndohet kënga: “Ç’është ajo që po shkon tutje/ Pallë e larë e Leskoduke/Vetëtin supe më supe!” Leskodukajt në luftën kundër pushtimit turk e hordhive të pushtuesve të mëvonshëm kuptuan se bashkimi me anë të respektit dhe dashurisë ndaj njerëzve të çdo shtrese i bënte ata vëllezër e të pathyeshëm. Ai këtë gjë të trashëguar e ka kuptuar fare mirë ndaj gjithë kohën vlonjatët e kanë mbështetur, aq sa ka krijuar xhelozi në kampin e kundërt. Unë këto rreshta në ditën Botërore të Librit i shkrova për Bujar Leskaj, si shok e mik i mirë i librit, si njeri që këtë datë nuk e harron kurrë dhe më vjen mirë që Kuvendi i Shqipërisë të ketë jo vetëm atë deputet, por çdo njeri që librin e ka udhërrëfyes shpirtëror sepse ai e dritëson se si t’u bëjë mirë vëllezërve të tij.