BREAKING NEWS

"Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka asistuar çdo seancë gjyqësore", Kreshnik Spahiu zbulon rolin e SHBA në çështjen e Saimir Tahirit

"Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka asistuar çdo seancë
x
BREAKING NEWS

Tensionet në veri të Kosovës, vjen reagimi i minutës së fundit nga Vuçiç

Tensionet në veri të Kosovës, vjen reagimi i minutës së
x
BREAKING NEWS

Arrestimi i sekretares së MSH, reagon politikani i njohur: SPAK prapë me sardele në vend të krokodilëve si Rama

Arrestimi i sekretares së MSH, reagon politikani i njohur: SPAK prapë
x
BREAKING NEWS

Dy zyrtaret e MSH në pranga për korrupsion, zbadhen detaje nga dosja e SPAK

Dy zyrtaret e MSH në pranga për korrupsion, zbadhen detaje nga dosja e
x
BREAKING NEWS

Anila Hoxha del me detaje të reja, ja lëvizja e fundit që do të bëjë prokurori për çështjen e Saimir Tahirit

Anila Hoxha del me detaje të reja, ja lëvizja e fundit që do
x
BREAKING NEWS

Arrestohet zyrtarja e lartë në MSH, vjen menjëherë reagimi i Ramës

Arrestohet zyrtarja e lartë në MSH, vjen menjëherë reagimi i
x
BREAKING NEWS

SPAK lëshon urdhrin, arrestohet një tjetër zyrtare e qeverisë (Emri)

SPAK lëshon urdhrin, arrestohet një tjetër zyrtare e
x
BREAKING NEWS

“Puthi Melonin, por nuk rriti pensionin”, Lulzim Basha komenton veprimin e Ramës

“Puthi Melonin, por nuk rriti pensionin”, Lulzim Basha komenton
x

Opinion / Editorial

Bullgaria – djepi i alfabetit dhe shkrimit sllav

Bullgaria – djepi i alfabetit dhe shkrimit sllav

Çdo vit, më 24 maj, Bullgaria nderon veprën e madhe të Kirilit dhe Medodit. 24 maji është dita e alfabetit, arsimit dhe kulturës bullgare. Ajo është një nga festat më të bukura kombëtare bullgare, që nderon shkronjat dhe shkrimin duke i vendosur ato në piedestal, në vendin e merituar, sepse ato janë baza e gjithçkaje, zanafilla e dijes dhe kulturës, e përparimit dhe ecjes drejt dritës. Edhe në shkrimin e shenjtë jo më kot thuhet: Në fillim ishte fjala.

Mbi 1100 vjet më parë Bullgaria dhe prijësit e saj e kuptuan rëndësinë e shkronjave dhe peshën e fjalës së shkruar. Me këtë mision të vështirë por me rëndësi jetike për shtetin bullgar u mor vetë princi bullgar, Borisi I (gjysma e I e sh. IX-2 maj 907). Ishte koha kur dy vëllezërit nga rrethinat e Selanikut Kirili (lidur si Kostandin: 826-869) dhe Medoti (815-885) kishin nisur misionin e tyre të përhapjes së shkrimit dhe fenë e krishterë në Moravi. Të dy vëllezërit ishin të arsimuar në shkollën “Magnaura“, më e mira në Perandorinë Bizantine të kohës. Për këtë qëllim ata kishin hartuar dhe një alfabet të ri, me shkronja të reja i cili ishte unik dhe i ndryshëm nga ai latin dhe grek. Alfabeti u quajt Gllagolica. Për hartimin e tij dhe që ai të bëhej sa më i kuptueshëm për sllavët, ata u bazuan në të folmet e sllavëve bullgarë nga rrethinat e Selanikut, dialekt që ata e njihnin deri në detaje. Mamaja e tyre Marija ishte bullgare. Në Moravi (sot pjesë e disa shteteve të Europës Qendrore) të dy vëllezërit arritën të përgatisnin nxënësit e vet, por mbas vdekjes misioni i tyre në atë vend dështoi dhe ndoshta sot historia nuk do shkruante dhe nuk do thurte lavde për ta, nëse disa nga nxënësit e tyre të dhunuar dhe të dëbuar nga Moravia nuk do ishin shpëtuar dhe pranuar në Bullgari nga princi Boris. Princi mirëpret nxënësit e Kirilit dhe Metodit dhe në këtë mënyrë ai shpëton nga zhdukja veprën e tyre të madhe. Prof. Rozhe Bernar me të drejtë thekson, se „Duke shpëtuar veprën e Shën Kirilit dhe Shën Metodit, Bullgaria ka fituar mirënjohjen dhe respektin jo vetëm të popujve sllavë, por edhe të botës. Dhe kjo do të jetë e vërtetë për sa kohë që njerëzimi vlerëson fjalët progres, kulturë dhe njerëzim ...“. Me këtë veprim princi Boris tregoi që ishte jo vetëm një prijës ushtarak i zoti, por mbi të gjitha dhe një vizionar i madh. Kështu alfabeti gllagolica ose gllagolik, i krijuar nga Shën Kirili dhe Shën Metodi diku nga viti 855, u bë alfabeti i parë bullgar. Ky është një sistem origjinal grafik i bazuar në dialektin bullgar të rrethinave të Selanikut. Ata arritën që për çdo tingull të këtij dialekti të gjenin një gërmë të veçantë. Emri i këtij alfabeti vjen nga fjala „gllagollë“ që do të thotë „fjalë“ dhe, meqënë se „gllagollati“ ka kuptimin „flas“, alfabeti gllagolik në mënyrë poetike është quajtur si  „shenjat që flasin“. Të gjtha shkronjat kanë emrat e tyre. Ato gjithashtu kanë edhe vlerë numerike. Përkthimet e para nga greqishtja por edhe veprat origjinale në bullgarishten e vjetër janë shkruar në alfabetin gllagolik.  Nën kujdesin e vetë Princit Boris I, nxënësit e Kirilit dhe Metodit jo vetëm që u pritën me nderime të mëdha në Pliska (v. 886), kryeqyteti i parë i Bullgarisë, por atyre iu siguruan kushte të shkëlqyera për të zhvilluar veprimtari mësimore dhe letrare. U ngritën qendrat e para të shkrimit dhe kulturës në Bullgari – fillimisht në Pliska, dhe më pas në Veliki Preslav, kryeqyteti i dytë i Bullgarisë. Princi Boris I dhe më vonë pasardhësit e tij e kuptonin fort mirë nevojën e përhapjes së krishterimit ndër bullgarët në gjuhën amtare, prandaj dhanë ndihma të mëdha financiare për përkthimin dhe botimin e librave kishtare në bullgarisht, për përgatitjen e klerikëve për të kryer shërbesat në gjuhën bullgare dhe jo atë greke dhe më vonë krijimin e kishës së pavarur Bullgare. Alfabeti gllagolik dhe shkrimet në gjuhën amtare me këtë alfabet u bënë shtyllat kryesore të shtetit dhe të identitetit shpirtëror të bullgarëve. Përveç Pliskës dhe Preslavit lindi dhe një qendër tjetër e rëndësishme e shkrimit dhe kulturës bullgare, më në perëndim të Bullgarisë së atëhershme, në qytetin e Ohrit. Në këto qendra punonin emra mjaft të njohur, si Klimenti, Naumi (nxënësit e Kirilit dhe Metodit), Joan Ekzarhu, Konstantin Preslavski, Çernorizec Hrabër, Simeoni, që më vonë u bë dhe mbret i Bullgarisë, të cilët krijuan një letërsi të pasur dhe të larmishme, të përkthyer dhe origjinale, e cila përmban në vetvete të gjitha zhanret e letërsisë mesjetare të krishterë. Ky alfabet i parë bullgar nëpërmjet librave të shkruar filloi shumë shpejt të përhapej edhe ndër popujt e tjerë, sidomos atyre sllavë të Ballkanit, serbë dhe kroatë, dhe të Evropën Lindore, tek rusët.

Në fund të shekullit të IX në Mbretërinë e Parë Bullgare krijohet alfabeti i dytë bullgar, i njohur si alfabeti cirilik (bullgarisht: ????????). Emri vjen nga emri i Shën Kirilit dhe është vënë në mënyrë simbolike për të treguar vazhdimësi me veprën e pavdekshme të tij, krijimin e gllagolikut dhe përhapjen e krishterimit. Të gjithë shkencëtarët pranojnë origjinën bullgare të këtij alfabeti, ndërsa si shkollë, ku mendohet se është krijuar, është ajo e Preslavit. Mbështetja kryesore vjen nga mbreti Simeon, i njohur ndryshe dhe si Simeoni i Madh. Shumë studiues janë të mendimit se Simeoni ose Klimenti i Ohrit mund të jenë krijuesit e alfabetit të ri bullgar. Alfabeti cirilik përmban 24 shkronja nga alfabeti grek dhe 12 të tjera që janë të ngjashme me ato gllagolike, të cilat korrespondojnë me tingujt e veçantë të gjuhës bullgare. Alfabeti i ri ishte shumë më i lehtë dhe i thjeshtë për t’u përvetësuar dhe përdorur sesa gllagoliku. Të dy alfabetet ngelën në përdorim për një kohë të gjatë, derisa në shekullin e XII alfabeti cirilik zëvendësoi plotësisht atë gllagolik. Ky i fundit u përdor deri vonë në Dalmaci me atë formën e vet karakteristike i quajtur edhe si „kroat“ ose „dalmat“. Ciriliku ashtu si dhe gllagoliku nga Bullgaria filloi të përhapej shumë shpejt edhe drejt vendeve të tjera sllave. Dy alfabetet bullgare janë një moment i rëndësishëm në historinë e Bullgarisë dhe në botën sllave. Ato ndikuan në krijimin e gjuhës së parë letrare sllave, bullgarishtes së vjetër, e cila u bë gjuha e tretë klasike mesjetare evropiane. Nëpërmjet kësaj gjuhe u lëvrua dhe letërsia e vjetër bullgare, e cila hodhi themelet e një civilizimi të tretë në Evropë, krahas atij grek dhe latin, civilizimit të Ortodoksisë Sllavo-bullgare. Kështu Bullgaria në mesjetë arrin majat e kulturës evropiane, shekullin e saj të artë, duke ia dalë që jo vetëm të mbijetojë në fqinjësi me perandorinë më të fuqishme të kohës, por edhe të rrezatojë kulturë në botën sllave dhe jo vetëm. Kultura mesjetare bullgare ia doli të thyejë dogmat e tri gjuhësisë së kohës, sipas së cilës fjala e zotit mund të përhapej vetëm në tri gjuhë – hebraisht, greqisht dhe latinisht. Edhe bullgarishtja e vjetër arriti të bëhet gjuha e kishës. Ajo arriti t’i mbijetojë edhe pushtimeve dhe të mbajë zgjuar gjithnjë shpirtin e popullit bullgar. Jo më kot akademiku rus Dmitrij Lihaçov thotë se, shteti bullgar u pushtua nga Bizanti dhe u zhduk nga harta politike e Evropës, por ngeli “Shteti shpirtëror“. Sot më shumë se 300 milionë njerëz në Evropë dhe Azi përdorin cirilikun si alfabetin e tyre. Përsëri falë Bullgarisë, që nga viti 2007 alfabeti cirilik bullgar u bë sistemi i tretë grafik i Bashkimit Evropian, krahas atij latin dhe grek. Edhe në Shqipëri ka filluar përdorimi i alfabetit cirilik bullgar. Në këtë alfabet mësojnë të shkruajnë dhe lexojnë në gjuhën e nënës fëmijët me origjinë bullgare nga zonat e Gorës (Kukës), Gollobordës dhe Prespës, që frekuentojnë shkollat e fundjavës në gjuhën bullgare në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Korçë, të organizuara nga shoqatat e minoritetit bullgar në vend. Pra më 24 maj-Dita e shkrimit, arsimit dhe kulturës, bullgarët duhet ta ndjenë veten krenarë, sepse nëpërmjet alfabetit ata përhapën dritën e dijes në më shumë se 50 kombësi- nga Siberia e largët dhe deri në zemër të Evropës.