Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Për çdo vit të përgatitemi që një shtet të na thotë: No!

Postuar: 13/10/2019 - 07:52

Prej vitesh mbajmë frymën pezull dhe vështrimin nga BE. Shqiptarët edhe pse populli më pro europian, janë të nëmur dhe përjashtuar nga sofra europiane. Të gjithë sikur jemi të detyruar të ecim pas atyre të dashit, se mos këputen dhe bien përdhe. Tërë vitin na tundin karotën dhe në fund na lënë në dorë shkopin. Natyrisht, jo nga të gjitha vendet mbahet ky qëndrim. Po mjafton edhe një pikë e vetme vajguri që gjella të bëhet e pangrënshme. Ende pa u takuar, Këshilli i Europës në mbledhjen e 15 tetorit, rrufetë zbritën që nga maja e kullës Ejfel. Presidenti Macron është për reformim të BE-së dhe ecjes me dy shpejtësi të Europës, duke ndërprerë në mes të rrugëtimit ato shtete që nuk i përmbushin ritmet e reformave. Po nuk është vetëm Franca. Holanda edhe pse kemi miqësi të vjetër dhe jemi admirues të demokracisë së këtij shteti nuk na e hap portën. Arsyet janë të ndryshme. Në majë qëndron akuza për krimin shqiptar. Nga informacione zyrtare në Holandë, shtetasit me pasaportë shqiptare në totalin e kriminalitetit, zënë vetëm 0. 02 përqind. Bëmat e shqiptarëve janë si arrat që kërcasin dhe dëgjohen deri tutje, larg dhe jo si fiqtë që shtypen butë. Lajmet me shqiptarë, hyjnë vrullshëm në sallën e Parlamentit holandez, ku brenda një dite në garë janë vënë deputetët me tre -katër mocione anti-integrim të Shqipërisë. Duket sikur ne shqiptarët notojmë në botën e iluzioneve. Shumë prej nesh, i gëzohen mos çeljes së negociatave, pasi e konsiderojnë si kauzë për të luftuar kundër qeverisë për ti dhënë hov revolucionit dhe për të marrë me doemos peng kryeministrin. Edhe pse logjikë fëminore, pasi askush prej tyre nuk ka nevojë për një pasaportë sepse u hapen dyert kudo që trokasin. Të gjithë jemi njohur në kohë reale, vetëm për pak minuta, sa ka rrjedhur ndonjë detaj nga kancelaritë e këtyre vendeve kundër pranimit, pavarësisht se argumentojnë me disa mospëlqime mbështetur në akuza bajate, i bëjnë jehonë dhe ngrejnë në qiell ata që i thonë jo Shqipërisë. E përkthejnë këtë si një shuplakë kundër kryeministrit, i cili sot është kreu i qeverisë dhe nesër mund të jetë një qytetar i zakonshëm. Dëmi është i shqiptarëve. Prej vitesh kështu. Dhe këtë nuk është se e bëjnë disa politikanë që nuk kanë asnjë mbështetje në elektoratin shqiptar, që të vetmin kapital kanë një stemë, një vulë dhe një emërtim, po parti që kanë drejtuar vendin dhe kanë qeverisur për vite të tëra. Bile edhe vet, Shkëlqesia e Tij Presidenti Ilir Meta që nga Estonia, ku gjendej për vizitë zyrtare, i zbrazi të gjitha kundërshtitë. “Argumentoi” se vendi ynë nuk është gati për t`u ulur me të mëdhenjtë e Europës. Dhe këtë e thotë ai që duhet të ishte i pari që duhet të merrte flamurin e integrimit, të mos e zinte vendi, jo vetëm se është i pari i shtetit dhe si lavdia edhe turpërimi, bie në radhë të parë mbi të. Po kjo logjikë është baras me thënien e popullit: “Gjella që nuk është për mua, të përvëlohet bashkë me tenxheren”. Me sa duket Presidentit i del më mirë llogaria, të humbasë qeveria, të thyejë hundët Rama, pa le të bjerë në gropë Shqipëria. Asnjë president tjetër edhe në vendin më të skajshëm të botës, më të humburin nuk do ta bënte një deklaratë kundër vendit të tij edhe pse e maskuar, si luftë politike, si sinqeritet dhe pastërti morale për t`u dukur i kulluar në ballafaqim me europianët. Llogari presidenciale?! Të njëjtën gjë kanë bërë të gjithë krerët e opozitës.

I kanë fryrë fyellit që këndon këngën e mbetjes jashtë BE-së. Ish-kryeministri Berisha e tundi fare, Basha ngriti supet, Kryemadhi tundi shaminë dhe sigurisht i kudogjenduri, Tit Vasili, i cili nuk e ka kursyer entuziazmin për Jo-në e çdo individi që i mbyll derën Shqipërisë. Po ky është fronti i brendshëm, i cili nuk është se urren integrimin, po e ka me qeverinë, politikat e saj. Nuk duron për asnjë minutë që këta të sotmit të kapardisen në krye të vendit. Të kenë në duar tendera, PPP, vizita zyrtare në OKB apo SHBA, të takojnë Trump, të udhëtojnë deri në Australi. Të gjitha këto privilegje i shohin si ekskluzivitet të tyre dhe për këtë janë gati të bëjnë bllokadë, jo vetëm për reformat e mëdha që na i vë detyrë Europa, po edhe për integrimin, duke e ekspozuar dhe ngjitur në qiell problematikat që sot ka vendi ynë. Shqipëria nuk është se gjendet në klimën më të mirë. Ka ngecje dhe sjellje politike të ashpra, pasi gjysma e partive është në rrugë dhe përfaqësimi është i cunguar në të gjitha hallkat e pushtetit vendor dhe institucioneve. Deputetët e opozitës, gjenden pa status. Parlamentin e kanë zhvendosur tek “Unaza e Re”, në bllok, në hotele apo para Kryeministrisë. Karriget bosh janë zënë nga të anatemuarit e mëdhenj. Opozita e re është përballë syrit të Ciklopit. Etiketohen tradhtarë të interesave të pakicës dhe si farsë që legjitimojnë Parlamentin ilegjitim. Të gjitha këto janë një fllad që përkëdhel edhe skeptikët e huaj, ata që nuk kanë qejf t`i thonë po mysafirëve që iu trokasin në portë, duke i parë si bezdi dhe përfitues nga taksapaguesit e shtetit të tyre. Në refuzimin e disa prej shteteve, që në përfytyrimin tonë janë maja e demokracisë dhe humanizmit apo vendet, ku kanë shpërthyer revolucionet për drejtësi, liri e barazi, kur ne shqiptarët jemi gdhirë e errur me shkrimtarët gjenialë në zemër apo kemi imituar heronjtë e vegjël të revolucionit dhe të gjithë donim të ishim nga pak Gavrosh, kur vjen puna për të na thënë një Po, i parangjitin një Jo që zgjatet me mijëra kilometra, aq sa mund të rrethojnë tërë globin. Megjithatë, ne shqiptarët jemi rritur përmes privacioneve dhe kemi përballuar jetën tonë ndër vite me mungesat dhe privimet. Më shumë kemi hasur tek Jo-të, se tek portat e hapura. Kur kemi trokitur, portat kanë qenë të blinduara edhe më shumë, duke na shkaktuar një pesimizëm që na shoqëron tërë jetës. Me shqiptarët po ndodh si në anekdotën: “E shpiem tjetrin në buzë të lumit dhe nuk e lëmë të pijë asnjë gllënjkë uji, pasi e duan të digjet nga etja”. Me këtë logjikë, Franca, Holanda e ndonjë shtet tjetër, na vënë përballë sinjalin e kuq. Absurditet kafkian! Ne presim në kryqëzim deri sa të shfaqet “Go”. Pikërisht kjo mungon dhe asnjëherë nuk mbetemi pa një “No” të prerë, përmes së cilës na trajtojnë si ekstrakomunitarë që edhe pse e duam si vendin tonë Europën nuk mund të na hapin vend pasi u duket sikur do shtohen dhe nuk na nxë sipërfaqja ku jetojnë miliona bashkë europianë. Çdo fillimviti marrim premtimin se këtë vit do jetë viti i negociatave. Se kemi arritur në finish. Po papritur, diku ka një problematikë që mund të jetë “Made in Albania”. Po më shumë made in Holanda apo Franca. Nga janari në dhjetor lundrojmë nëpër ëndërrime dhe na duket sikur shëtisim në “Shën Elize”. Edhe pak e ngjitemi në kullën Ejfel për ta parë kryeqytetin e botës, Parisin nga lartësia e qindra metrave me tërë madhështinë e tij.

Po shumë shpejt zgjohemi dhe e kuptojmë se ishte vetëm një ëndërr e bukur, që mbytet në Senë. Shqiptarët nuk fyejnë askënd edhe ata që nuk na hapin portën. Pasi kanë trokitur me shpresën se do hyjnë në sallonet europiane, përsëri pas Jo-së, rinisin të shpresojnë. Bien, ngrihen, bien, ecin. Jo se ushqehemi me iluzione dhe nuk kemi fare sedër, po është mbyllja jonë për pesëdhjetë vite në karakatinën komuniste, që na ka bërë të kërkojmë me ngulm hapësira dhe mundësi për të shkuar në ato vende që kemi ëndërruar. Shpresat e shqiptarëve që pas hezitimit dhe mospranimit gjatë vitit 2018 dhe siguria e Komisionit Europian se Shqipëria i ka përmbushur kushtet e vendosura. Çelja e negociatave nuk bëhet automatikisht. Ulja në karrigen europiane mes shteteve të unionit nuk është një hap. Ko është vetëm një hapësirë e vockël, një qoshk, ku të mbajnë të ulur dhe të bëjnë gjimnastikën e demokracisë, pse jo edhe të tekave apo të zbrazin mbi krye hallet e veta. Kur shtetet aspirante trokasin dhe u duket se do gjejnë dy kanatet hapur, pikërisht këtu përplasen me refuzimin. Arsyet e refuzimit nuk janë fare problem të gjenden shkaqe dhe arsye shumë herë objektive, pse jo edhe subjektive. Po këtë vjeshtë pas Po-së me kushte të Bundestagut gjerman, të gjithë shqiptarët menduan se më në fund: U kry! Po pritë, o bek, se ka hendek. Këtë hendek për ta kapërcye duhet të jesh atlet francez. Ose Krojfi fluturues holandez. Nga përvoja e derisotme, të gjithë shqiptarët po mësojnë se idealizmi nuk është baras realitet. Jo pak gjykojnë se mundet të prishim tërë unionin nëse ulemi në sofrën e tyre. Ashtu si të tjerë ngazëllehen dhe festojnë se u erdhi kauza në dorë. Për të tjerët që gjenden në kufijtë e Europës dhe emërtohen “palë në pritje”, ndoshta ëndërrojnë që era ta shtyjë anijen tonë drejt brigjeve të tyre. Po shqiptarët nuk janë aq të pastërvitur. Do ruajnë të njëjtin kurs deri sa molet të jenë të qeta e të shkrihen të gjitha Jo-të dhe shtetet europiane të bien në ujdi dhe ne të dëgjojmë: Albania Yes!

Nga Bardhyl BEJKO

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/11/2019 - 07:17

(17 nëntor 1944-17 nëntor 2019: 75-vjetori i çlirimit të Tiranës)

Postuar: 19/11/2019 - 07:15

Shoqëria jonë ka një mangësi të jashtëzakonshme në trashëgiminë e saj të sotme, të ardhur deri më

Postuar: 19/11/2019 - 07:13

Tani që u shua, ndoshta për një periudhë të caktuar kohe, mundësia e hapjes së negociatave me BE,

Postuar: 17/11/2019 - 19:17

Dita e sotme si një ditë përkujtimore për çlirimin e kryeqytetit nga

Postuar: 17/11/2019 - 07:47

“Nga të gjitha fatkeqësitë që mund ta gjejnë një Komb, asgjë nuk është më tragjike dhe me k

Postuar: 17/11/2019 - 07:45

Për mendimin tonë, për politikën shqiptare në përgjithësi, sindroma e mosrespektimit të të rinjve

Postuar: 17/11/2019 - 07:44

Jam një nga tre milionë shqiptarët që jetoj në Shqipëri.