Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Çeta tradhtare e "Kanan Tafilit"

Postuar: 09/11/2018 - 07:12

Më duhej të prisja një ditë më vonë nga kremtimi i lindjes së Partisë Komuniste Shqiptare, me qëllim që të mos e përlyeja atë ditë të shënuar dhe historike të PKSH me llumin antikomunist.

Nuk kam ndërmend të flas për meritat e PKSH dhe të udhëheqësit të saj Enver Hoxha sepse ato dihen, por do ndalem pak në idenë e dallimit që duhet t’u bëjmë idealeve të vërteta të përfaqësuara nga Partia e Punës me në krye Enver Hoxhën dhe gjithashtu rolin e kësaj partie mbas vdekjes së tij. Paraprakisht, me qëllim që problemi të kuptohet më mirë po perifrazoj një nga tradhtarët e kësaj Partie, Ramiz Alinë, i cili në një mbledhje të Byrosë Politike deklaroi: “...Pushtetin nuk do t’ua dorëzojmë klasave të përmbysura, atë do ta kemi ne dhe kapitalistët e ardhshëm do të jemi ne komunistët...”.

Nuk gjendet në asnjë dokument historik që nga embrionet e para të lëvizjeve paramarksiste ndërkombëtare por edhe mbas saj, as kur lëvizja marksiste arriti pjekuri të lartë ideologjike, një deklaratë e tillë tradhtie kaq të hapur e veçanërisht në një vend ku ishte i vendosur socializmi.

Nuk guxoi dot as Titua me të famshmen “Socializmin specifik” që do të shënonte rrugën e çoroditjes ideologjike e politike të tij, sikurse nuk guxoi dot sa Hrushovi në kohën e vet, që të dilte kaq hapur, sikurse nuk guxuan dot asnjë grup anti parti brenda lëvizjes komuniste në Shqipëri qysh në fillesat e para e deri në vdekjen e Enver Hoxhës. Natyrisht, tradhtia nuk erdhi fill mbas vdekjes së Enver Hoxhës. Jo! Ajo ka një rrugë të gjatë e të maskuar, sepse të gjitha grupet anti-parti kanë patur synimin e devijimit të rrugës së saj, shkurt nga një parti e proletariatit dhe në shërbim të popullit, të kthehesh në një parti, e cila do të përdorte sloganet komuniste por sipas varianteve revizioniste. Nisur nga kjo, Enver Hoxha e kuptonte se që të ruhej e mbahej, pushteti i popullit dhe socializmi, duhej të ruhej në rradhë të parë Partia Komuniste nga degjenerimi dhe degradimi i saj, sepse në të kundërt ajo shpejt a vonë do të kthehej në një parti, e cila do pësonte fatin e partive të tjera të Evropës Lindore. Në këto kushte, ai e drejtoi luftën ideologjike kundër atyre koncepteve, të cilat ishin armike që gradualisht një komunist revolucionar nëse nuk tregohej i kujdesshëm e shndërronte, në një aparatçik me metodë borgjeze të drejtimit. Dhe koncepte të tilla kishte aq shumë duke patur parasysh edhe të shkuarën historike që ne vinim nga një vend gjysmë feudal e gjysmë borgjez me koncepte të trashëguara nga rendi para-ardhës. Jo pa qëllim, lufta në frontin ideologjik mori rëndësi të madhe duke u përqendruar ajo në luftën kundër burokratizmit, teknokratizmit, konservatorizmit, liberalizmit, karrierizmit etj... etj.

Kjo do të ishte një luftë e gjatë, sepse dihet që edhe partia më e shëndoshë dhe ajo më marksist-leninistja nuk i shmanget dot gabimeve të saj të lehta apo të rënda qofshin ato. Rëndësi ka që t’i zbulosh t’i kuptosh dhe t’i korrigjosh. Dhe ajo luftë sa ish gjallë Enver Hoxha u bë, duke i kushtuar vëmendje të madhe revolucionarizimit të aparateve të partisë dhe pushtetit, por edhe mafia revizioniste nuk hoqi dorë nga synimet e saj, për ta degjeneruar Partinë e Punës duke e kthyer atë nga një parti të vërtetë komuniste, në një Parti e cila të mos mbronte më interesat e punëtorëve dhe fshatarëve, por të një kaste të caktuar, të borgjezisë së re e cila do të kish të veçantën e vet. Tashmë ajo nuk do vinte më nga rradhët e borgjezisë klasike të përmbysur por nga ajo shtresë që dikur kishte dalë nga gjiri i popullit. Ajo do të ish e një lloji tjetër, tërësisht e degjeneruar dhe në koncept pa as më të voglin ndryshim nga borgjezi klasik.

Kjo mafie revizioniste, e cila sa qe gjallë Enver Hoxha rrinte e strukur dhe me brohorimat ultra majtiste deri në kupë të qiellit për “socializmin fitimtar”, për “fenerin ndriçues në Evropë” për “të ardhmen e ndritur” etj., etj., i bëri duart me kallo për të treguar “besnikërinë” e vet, sepse kjo ishte e vetmja metodë për t’u kamufluar dhe fshehur veprimtarinë e saj tinëzare. Dhe rasti erdhi me vdekjen e legjendës Enver Hoxha dhe marrjen e pushtetit nga ultrarevizionisti Ramiz Alia, i cili tashmë për të kthyer kursin ashtu sikurse çeta e ashtuquajtur partizane por që ishte plot me tradhtare e "Kanan Tafilit", do t’i duhesh të realizonte tre objektiva kryesore:

Së pari- duhej rrënuar ekonomia dhe çuar deri në atë shkallë sa që populli të bëhej i pakënaqur.

Së dyti- burimin e kësaj gjendjeje katastrofike të ekonomisë, t’ia faturonte partisë së Enver Hoxhës.

Së treti- Ai të dilte “shpëtimtar” i situatës dhe me këtë rast, e gjithë urrejtja nuk do binte mbi tradhtinë e tij dhe grupit që e pasonte, por mbi partinë e lavdishme të Enver Hoxhes dhe komunistët e ndershëm e të devotshëm. Me këtë rast do të gjendej dhe motivi për t’u distancuar nga Partia e Punës sepse na paskësh qenë ajo shkaktarja dhe burimi i të gjitha fatkeqësive të këtij populli.

Tinëzari tradhtar! Revizionizmin e tij e shiti për “atdhetarizëm” duke entuziazmuar Evropën plakë dhe Amerikën lozonjare. Dëmi që i solli ai dhe grupi i tij Shqipërisë, ishte aq i madh sa që habiti edhe vetë klasën e përmbysur, bejlerët e agallarët e dikurshëm që i la me gisht në gojë. Mbas tij rendi e gjithë ajo shtresë që përmendëm pak më sipër, disa ish anëtarë të udhëheqjes karrieristë, arrivistë e lakmitarë të kolltuqeve, njerëz të dyshimtë e aventurierë të qejfeve të pa fre, e deri te agjentë të mirëfilltë të shërbimeve sekrete, të cilët luanin dopio rolin në skenën politike të kohës.

Lind natyrshëm pyetja: Po mirë, nëse Enveri la një parti të fortë, si degjeneroi ajo kaq shpejt? Pikërisht sepse u degjenerua ekonomia dhe tradhtoi shtabi drejtues i proletariatit ndaj dhe u paralizua e gjithë Partia e Punës. Nëse në një fushëbetejë, i gjithë shtabi i armatës dhe komanda e saj tradhtojnë dhe kalojnë me armikun, doemos që armata e ka humbur atë betejë, deri në organizimin e ri, për ta vazhduar përsëri luftën.

Por kjo tradhti kaq e madhe u shoqërua me reperkusione të mëdha, sepse u krijua bindja e pa drejtë” se komunistët” janë fatkeqësia kombëtare, prandaj dhe lëvizjet masive të rinisë së asaj kohe (që në fakt ishin të drejta) u shfrytëzuan për të kundërtën e saj. Kjo do të thotë se në thelb ata ishin ngritur kundër tradhtisë dhe revizionizmit që e kish katandisur Shqipërinë në gjendjen “zero” por që mafia partiake e kohës, këtë kartë e luajti me shumë sukses duke ja kaluar gjithë të këqijat e saj, sistemit socialist të Enver Hoxhës. Tradhtia tashmë nuk do të njihte kufi, ata do shkallmonin ç’do gjë duke organizuar dhe kongresin e 10-të të tyre dhe shpallur hapur distancimin nga PPSH-ja e Enver Hoxhës dhe kodifikur ligjërisht Partinë Socialiste si një parti borgjeze duke mbajtur Ramiz Alinë (dhe një shoqe) si anëtare nderi të kryesisë së saj. Ramiz Alia, tashmë nga Sekretar i Partisë së Punës, i cili ishte shndërruar në kryetradhtar, u konvertua në President i republikës borgjeze. Doemos përjetonin tjetërsimin me hapjen e shisheve të verës. Ata e kishin realizuar qëllimin e tyre qëkurse ai me fytyrën e ngazëlluar mburrej përpara TV, për një stilograf që i kish dhënë presidenti amerikan, ashtu sikurse mburreshin fiset indigjene në Amerikë nga konkuistorët spanjollë që gënjeheshin me copa pasqyrash.

Por pasojat e tradhtisë nuk ranë vetëm mbi popullin por dhe mbi vetë atë shtresë që ata bënin sikur do ti rehabilitonin. Çfarë ndodhi? Pasuritë e tyre i morën “komunistët”, pra shkurt, borgjezët e rinj po ngrinin lumturinë e tyre jo vetëm mbi popullin, por edhe mbi atë shtresë që ata dikur e urrenin aq shumë -borgjezinë e vjetër me të cilët do të ishin në konkurrencë me njëri-tjetrin. Ata u bënë vërtetë me njëri tjetrin bashkëudhëtarë idealesh por jo pasurish, pasuritë e tyre ashtu sikurse ndodh në kopenë e ujqërve do ta rrëmbente më i forti dhe forcën e pushtetit realisht e kishin tradhtarët. E jo vetëm kaq, por fizionominë dhe egërsinë e tyre, duke qenë se e kanë pjesë të pandarë e karakterit filozofik e kanë manifestuar gjatë gjithë kohës, nga ku janë zhytur jo vetëm thellësisht në rrugën e krimit, por i kanë lyer duart dhe me gjakun e popullit deri në bërryla.

Por tani kohët kanë kohë kanë që ndryshuar. Mjegulla e rënë për ca kohë në njerëzit e hutuar, por dhe në shumë njerëz të mirë e të ndershëm, prej tyre tashmë po largohet. Populli ka filluar ta kuptojë se PPSH-ja e Enver Hoxhës dhe komunistët e vërtetë e të ndershëm, sikurse dhe e gjithë armata popullore brenda dhe jashtë kufijve, janë në gjendje ta kuptojnë drejt se asgjë të përbashkët, nuk ka Partia e Punës dhe tradhtia e Ramiz Alisë dhe bandës frymore ideologjike të tij... me partinë e lavdishme të Enver Hoxhës. Vjen një kohë që dialektika e zhvillimit të historisë i vendos në vendin që meriton të gjitha lëvizjet me karakter shoqëror dhe me këtë rast në mënyrë të pashmangshme dhe udhëheqësit e saj. Kjo është vërtetuar edhe këtu e njëzet vite të shkuara, ku gazeta “Koha Jonë” në sondazhin e 10 burrave më të shquar të kombit në podiumin e nderit në vendin e parë cilësonte Enver Hoxhën.

Nga Ylli MEÇE

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 3

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/11/2018 - 07:12

Edhe pse çështja e përkatësisë fetare të një Heroi Kombëtar, në fund të fundit, nuk ka aq rëndësi, në këtë vit jubilar të Gjergj Kastriotit, kjo çështje ka qenë ndër më të debatuarat në mesin e studiuesve dhe të histo

Postuar: 15/11/2018 - 07:11

Është e sigurtë se diktaturat krijojnë siguri dhe rend publik!

Postuar: 15/11/2018 - 07:09

Teknologjia ka ndryshuar mënyrën se si punojmë dhe mendojmë në shumë drejtime përfshirë dhe audit

Postuar: 14/11/2018 - 12:25

Prishja e shtepive te banoreve te Unazes se Madhe eshte antikushtetuese, jo thjesht e paligjeshme

Postuar: 14/11/2018 - 07:06

 Protestat e opozitës tonë ngjajnë shumë me informacionet që jepeshin përditë në seksio

Postuar: 14/11/2018 - 07:05

 Shteti, duket se është e kundërta e asaj që thotë kënga për të dashurën.

Postuar: 14/11/2018 - 07:03

 Më thanë se edhe tre njerëz të kulturës, intelektualizmit kishin aplikuar për llotarinë ame