BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Cila e djathtë refuzon ndeshjen përballë, por kërkon "para shokë" elektoral?

Cila e djathtë refuzon ndeshjen përballë, por kërkon

Në Shqipëri, në sajë të deformimit filozofik, moral, politik sidomos në transformimin e dyshimit të së majtës në një të djathtë "elitoligark-kratike" dhe të djathtës në një të majtë gjysmë bolshevike dhe gjysmë elitopartitokratike, demokracia është shuar gati deri në qelizë! Loja tashmë e zbuluar qartë e vijimësisë së një komploti kundër zgjedhjeve demokratike filluar në 2008-ën nga Berisha dhe Rama, por përvijon nga marrëzia e mitomanëve politikë, por sidomos post pandemikë, e cila ka si qëllim të shuajë dhe atë pak demokraci të perceptueshme nga shoqëria. Marrëveshja e ambasadave sigurisht që ishte për të "mbushur letra europiane" dhe me dëshirën e miqve tanë amerikanë, por të gjithë e dinë se ishte një "vaj mbi lakra". Sot sulmi më i madh që po u bën PD-ja atyre që kishte futur në listat e saj apo dhe të tjerëve në Kuvend që propozojnë hapjen e sistemit, ka një jo hile, por të qartë si një provë e madhe, se nuk duan ndryshimin e statusit dhe modelit të tyre, pothuaj tiranokraci në të famshmen demokraci të brendshme dhe pastaj dhe aleancat që vijnë si dëshirë të sundimit në pushtetet e nesërme kudo, qendër dhe ato vendore! Ata sulmojnë sidomos për propozimin e largimit të koalicioneve parazgjedhore. Nuk duan qartë dhe haptas tashmë dhe hapjen e listave! Nuk duan mazhoritar dhe as proporcional të korrektuar me mazhoritar dhe nuk duan as ndryshim fare të sistemit! Nuk duan të ndryshojnë atë sistem me të cilin sëpaku Lulzim Basha ka humbur përpara "Rilindjes" dhe socialistëve të Ramës. Arsyeja sipas logjikës së tyre është kjo: Rama e ka tepruar me sundimin dhe të këqijat e tij dhe ne tani na vjen pushteti vetë. Kaq kanë si filozofi dhe praktikë demokratët e Lulzim Bashës dhe po t’i shtosh dhe ato programe ekonomike që ai premton tashmë prej kohësh - siguria dhe alternativa e tyre është pikërisht kjo! Nuk duan të "rrezikojnë me ndryshim sistemi"! Një siguri (për PD-në) bie fjala është dhe mënyra e pandershme e futjes së kryetarëve të partive aleate në vendet e larta për siguri deputeti dhe pastaj në mënyrë perfide dhe jo të ndershme përfitimin e votave të atyre partive "aleate" për të mbajtur pushtetin e saj në përballje respektive me Rilindjen. E sigurisht akuzojnë atë grup deputetësh të opozitës (kryesisht nga lista e tyre) që propozojnë hapjen e sistemit, se po përdoren (përdorkan) nga Rama sipas tyre për të ndaluar koalicionet, sepse sigurisht e vetme përballë PS-së partia e idealeve të dhjetorit dhe sidomos partia e djathtë, ose e ashtuquajtur e djathtë nuk fiton. Imagjinoni çfarë logjike ka një parti e djathtë! Që në fillim me këtë logjikë dhe më këtë "frikë" PD e Bashës, tregon se nuk ka lidhje me konservatorët, me popullorët dhe me të djathtën dhe filozofinë e saj. Nuk ka lidhje me të djathtën historike tonën, sepse ka qenë në sajë të Berishës armikja më e madhe (më shumës e socialistët) e saj në demokracinë e mbas 1990-ës! Nuk ka lidhje me konceptin mazhoritar, atë "ballë për ballë" ose kokë më kokë me kundërshtarin dhe me konceptin e provës së madhësisë popullore në zgjedhje! Kanë frikë se të vetëm nuk e mundin dot me numra Ramën dhe pse ky jo e ka tepruar, por e ka bërë baltë fare, këto vite që nga 2013-ta dhe deri tani! Me arrogancën, histerinë e drejtimit vetëm dhe pa pyetur askënd, në mënyra shpeshherë anti popullore! Ju duhen votat e koalicionit për të mundur ata që kanë teorinë e "timonit" vetëm të një kryetari që do timonin, kur nuk ka as patentë të drejtimit të mjetit. Pra nuk njeh praktikisht çfarë përgjegjësie ka një shofer autobuzi - bie fjala! Nuk dalin "parti e parë" dhe këtë e dinë me sa duket dhe ju duhet koalicionit që të dalin të parët sipas tyre! Ju duhet e majta e Metës dhe Monikës, sepse vetëm nuk përballen dot me Ramën! Kur e dinë se si dhe çfarë janë dhe çfarë ju kanë bërë dikur! Po çfarë e djathte është kjo? Si mund të "zbythet" kështu një e djathtë, e cila duhet të ishte promotorja e rritjes së mazhoritarit, e hapjes së sistemit për të qenë më afër konceptit djathtas! Sigurisht e dinë dhe vetë se nuk janë të djathtë! E dinë se janë një parti me mentalitet bolshevik që duan pushtet kur janë pakicë. Është një e djathtë që konsumohet dhe në opozitë! Një e djathtë që degradon sistemin demokratik, duke u larguar nga parlamentarizmi sepse kanë si qëllim lënien vetëm në pushtet, të një njeriu të vetëm, që ai pastaj duke e bërë "baltë" të inatosë shqiptarët dhe kështu tju hapet rruga të tillë bolshevikëve që mbasi provuan të marrin pallatin e Dimrit me dhunë - bënë pakte që nuk janë asgjë tjetër, përveç se mashtrim i radhës. E ky është problemi i madh i partisë së Berishës dhe Bashës. Ata nuk kanë lidhje me të djathtën dhe sigurisht ju hedhin hi syve njerëzve me anëtarësimin e tyre te partitë popullore. Duke bërë medemek të djathtët dhe vepruar si "revolucionarë" përballë një klike të Rilindjes që nga ana e saj nuk ka kurrfarë lidhje me të majtën si filozofi dhe ekonomi, përveç faktit që shumë prej tyre janë vazhduesit bio të aristokracisë (së klasës punëtore) së PPSH-së dhe diktaturës në Shqipëri. Po pra, bijtë e tyre direkt dhe periferikë e që ndërkohë po të tillë "biografi" kanë dhe shumë në PD. Kemi të bëjmë me dy të majta të transformuara keq e mos më keq, duke e lënë Shqipërinë pa të majtën socialdemokrate dhe njëkohësisht pa të djathtën humane në mënyrë tragjike Shqipërinë. Duan "para elektoralizëm" sepse nuk dalin dot të parët dhe kanë frikë se "ai timonieri" merr prapë timonin. Kanë frikë të arrijnë "koalicion mbas elektoral". Cila e djathtë refuzon ndeshjen përballë dhe kërkon "para shokë" elektoral? Pikërisht ajo që nuk është e djathtë fare! Ajo që është konsumuar me marrëzitë e saj elektorale dhe që ka shërbyer si e sëmurë dhe e lodhur pikërisht - pushtetit të Ramës për këta katër vitet e fundit. Një e djathtë e tillë frikacake dhe e qartë për pa aftësinë e vet përballë të keqes në qeverisje të bën të humbësh shpresën për nesër! Po po dhe të bindesh më shumë, se kjo elitokraci sunduese në Shqipëri duhet të kalojë nëpër gjyqe dhe akuza penale, sepse përndryshe do të sabotojë akoma dhe më keq demokracinë në Shqipëri! Sa më shpejt ta kuptojnë këtë gjë shqiptarët dhe në përgjithësi shoqëria jonë, aq më shpejt përgatitet terreni për një klasë tjetër politike që nuk ka në biografinë e saj krimin ekonomik dhe politik. E ky është shpëtimi dhe dalja në pluralizmin e vërtetë me krahë politikë realisht majtas dhe djathtas! Vetëm atëherë mbase mund të kemi një të djathtë moderne, e cila të zgjidhë sa mundet padrejtësitë e jashtëzakonshme të kryera nga dy parti motra për nga origjina dhe filozofia politike e tyre e rrejshme!