Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Cilat duar e kanë zënë për fyti Shqipërinë, zoti President?

Postuar: 17/09/2019 - 07:17

Sa herë Presidenti del me deklarata ose jep opinione, konferenca shtypi apo shkruan në rrjetet sociale, jemi tërë sy e vesh për të rejat që kumton, idetë që shpalos, paralajmërimet që bën, objektivat që përcakton për të ardhmen. Jemi të interesuar thellësisht, si i gjykon situatat e brendshme politike dhe ato të jashtme. Duam të mësojmë, si janë të reshtuar shtetet dhe kancelaritë evropiane para një eventi të jashtëzakonshëm, në prag të çeljes së negociatave? Cilët kërkojnë të përfitojnë me veto apo me votë sipas parimit, më jep të të jap? Si kreu i shtetit, ka informacione të shumëllojshme dhe nga të gjitha drejtimet. Është shtetari më i informuar edhe në detyrim të Kushtetutës duhet të na qartësojë edhe ne popullin e zakonshëm. Njëherësh e ka obligim të na çeli ne qytetarëve të këtij vendi, perspektiva të reja, të na orientojë në rrugën drejt BE-së. Të na paqtojë e të na mobilizojë mes vedi. Së pari partitë politike që janë në sherr permanent. Të zbusë mosmarrëveshjet dhe të eleminojë përçarjet mes faktorëve politikë. Të ulë partitë në bashkëbisedim dhe të kërkojë atje ku duket e pamundur konsensus të gjerë. Të bëjë pakte kombëtare në interes të së ardhmes mes shqiptarëve. Të na sigurojë që atje në krye të piramidës shtetërore, kemi garantin e unitetit të popullit që nuk e zë gjumi për perspektivën e Shqipërisë, demokracinë, votën e lirë dhe unitetin kombëtar. Kështu edhe në komentin e gjatë “Kanë kapur për fyti Shqipërinë” bërë këto ditë, interesimi ynë ishte i shumëfishtë. E dëgjuam dhe e lexuam disa herë. Koment në “Ditën e demokracisë”. Po sa njihesh me idetë e shprehura nga zoti Meta, fatkeqësisht në vend të kthjelloheshim e të mbusheshim me shpresa, u ngatërruam më keq. Mendimet na u pleksën e na u bënë lesh e li ose lesh arapi, siç i thonë. Paragjykimet u ngjiten në majë të mendimeve. Nuk ka si të mbetesh indiferent dhe të qëndrosh i qetë kur mëson se disa duar të zeza keqbërësish, një lloj bande famëkeqe, një lloj kukusklan, ata që nuk ia duan të mirën atdheut tonë, kanë kapur Shqipërinë prej fyti! Këto duar na shtrëngojnë të gjithëve në grykë, gati të na marrin frymën se pjesë e atdheut jemi edhe ne. Pyetja e parë që vjen rrufe dhe të godet në çaçkë të kokës është: Janë duar të të brendshmëve, këtyre tanëve, politikanë të lartë, armiq të shoqërisë, funksionarë shtetërorë, deputetë, qeveritarë, ministra, kryeministri, kryetarë partish, drejtues të organeve ligjzbatuese? Gjenden në një krah të politikës apo nga të gjitha anët? Është komplot apo lëvizje në embrion? Janë  në pushtet apo në opozitë? Janë të gjithë rrafsh apo vetëm një numër i vogël, nga të cilët duhet të ruhemi sepse ashtu siç bën thirrje presidenti, “O sot o kurrë”, koha nuk pret. Le t`u referohemi radhazi disa prej konstatimeve të presidentit edhe pse të koduara e jo transparente, pa adresë për të zhbiruar sa të mundim, cilat duar duan ta mbysin Shqipërinë? Presidenti thotë se vota është në themel të demokracisë dhe çdo qytetar të vendosë për të ardhmen e vet. Çdo qytetar i barabartë para ligjit. Shumë i drejtë ky konkluzion. Po cili mekanizëm është prishur në këto tri dekada që nuk ka funksionuar vota e lirë? A është një dorë e vetme apo të gjithë pushtetarët, për tri dekada kanë bashkuar duart dhe kanë shtuar fuqinë për ta mbytur më kollaj Shqipërinë? Po ju zoti Meta, ku e vendosni veten, në cilin skalion? Përse e keni lejuar dhe nuk keni lëshuar sinjalin “Sos”? A nuk duhet të luftonit si njëri prej zyrtarëve më të lartë në këto tridhjetë vjet, kryesues i qeverisë, Kuvendit dhe sot në majë të piramidës shtetërore? Pastaj, këto duar i vë në lëvizje një mendje, një trup, një kokë. A kanë një emër? Cili është? Edhe ju nuk guxoni të na i thoni me emër e mbiemër që të bindemi dhe t`i largojmë nga skena, një orë e më parë! Flisni për shpopullimin e vendit dhe humbjen e shpresës dhe askush nuk mban përgjegjësi. Po ju si nuk ia keni arritur, si njeriu më i fuqishëm i këtij vendi, ta ndaloni këtë diarre që vërtetë ka ndodhur? Kuptohet, jo si individ, po në bashkëveprim me institucionet. Cilat kanë qënë politikat që keni propozuar kur shqiptarët marrin rrugët e botës, ku jo pak nga të rinjtë janë përfshirë në krime? Sa i keni evidentuar shqiptarët e shquar që kanë bërë emër të mirë në art, kulturë, muzikë e biznese për t`u bërë shembull për të tjerët? Ju thoni askush nuk mban përgjegjësi. Cilët janë askushët? Po ju vet a ndiheni paksa i sikletosur, si i pari i vendit? Cili mendoni se e ka përgjegjësinë kryesore dhe a gjykoni se jeni dorë jashtë? Është një person i vetëm? Janë disa? Është grup? Kanë platforma? A nuk do ishte e dobishme ta nominonit, pasi komentet në përgjithësi nuk japin fryte. Është një individ apo tërë klasa politike shqiptare, që shumica prej tyre kanë filluar punë si kryetar partie, ditën e parë të pluralizmit dhe po dalin në pension në krye të tyre? A njihet rrotacioni i elitave këtu tek ne zoti President apo mos vallë të vetmit të shquar janë ata që sundojnë në këto tridhjetë vjet, duke ia kaluar edhe Byrosë Politike të para 1990-ës? Ju flisni për shtet paralel. Ne, që jemi larg pushtetit dhe nuk jetojmë pranë nomenklaturave, ata që nuk marrin paga nga buxheti i këtij shteti, pjesa dërrmuese e qytetarëve që jetojnë me punë private nuk mund të dinë cili është shteti paralel. Jo çdo individ është ekspert i të drejtës kushtetuese dhe njohës i funksionimit të strukturave shtetërore. Dhe gjykojnë se shteti paralel mund të jetë Presidenca, kuptohet nga mosdija. Dikush ekzekutivi. Të painformuarit. Të tjerë legjislativi. Keqdashësit. Ju që i dini më mire këto paralelet, se Bibël keni Kushtetutën, mund të na sqaronit cili është shteti paralel dhe kush e udhëheq, sa është i ligjshëm? Të painformuarit do thonë: Është Presidenca për zotin! Të tjerë do thonë qeveria. Shteti në realitet duhet të jetë unik. Është një piramidë në krye të së cilit jeni ju. A nuk ka përgjegjësi kreu, maja e piramidës për të ruajtur unifikimin dhe harmonizimin mes kateve të piramidës shtetërore? Nëse jo, a ka përgjegjësi Presidenti, si i pari i shtetit për ç`ka konstatoni? Ju flisni për shtet paralel. Shtet të propagandës dhe PPP-ve. Qytetarët nuk duan të dinë se cili bën propagandë dhe kush bën më shumë e me qëllim përfitimi politik apo mediatik,material apo për forcimin e partive që drejton. Po pse nuk jepni argumenta, po vetëm citoni raste në ajër? A nuk është dhe kjo propagandë për të luftuar propagandën? Tronditëse është axhenda e nëndheshme që ju denonconi, e cila ka kapur për fyti Shqipërinë. Kjo është vërtetë alarmante. E patolerueshme. E dënueshme. Dhe më tej zbuloni komplotin kundër demokracisë të një pakice të papërgjegjshme. Vallë e keni fjalën në balancën që konstaton opozita 15 me 85 për qind që evidentuan në 30 qershor? Referuar këtij konstatimi presidencial, çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë që jeton në këto 28 mijë km katror, i ther në shpirt dhe tronditet në ndërgjegje, se jetojmë në një shoqëri ku ata që duhet të na mbrojnë, veprojnë nën dhé dhe janë gati të na mbysin e të na zënë frymën, deri sa të na marrin jetën. Kjo është shumë e rëndë. Dhe për këtë nëse ka institucione në këtë vend duhet të merret si detyrë e parë më rëndësi kombëtare për t`u parandaluar dhe individët që janë përfshirë në këtë gjëmë, duhet të dënohen për jetë. Në shoqërinë që lamë pas, këta individë i çonin drejt në pushkatim. Sot në demokraci duhet më e pakta të izolohen, të demaskohen një orë e më parë. Po përsëri edhe ky konstatim është propagandë e mirëfilltë. Është i paadresuar. Asnjë destinacion. Mungojnë emrat. Ofiqet. Përgjegjësitë në hierarkinë e pushtetit. Ata që veprojnë nën dhé, janë kontingjent që duhet t`i trajtojë SPAK dhe BKH dhe kushdo qofshin duhet të paguajnë pasi jemi të pasigurtë. Jemi në duar, që në vend të na mbajnë në drejtpeshim, të na mbrojnë, kërkojnë të na marrin frymën! Po edhe këta mbeten ca anonim. Kur nuk na i citon Presidenti që është më kompetenti dhe që i di, secili le t`i vendosë vet emrat duke hamendësuar, siç bën edhe i pari shtetit, që duhet të na i thotë açikë ata që duan të varrosin atdheun tonë. Është një akuzë shumë e rëndë e cila kërkon të vihet dorë. Të nxirren jashtë skenës politike. Këtu jemi plotësisht dakord me konstatimin e presidentit tonë se: Koha nuk pret. Po realisht koha nuk pret edhe për të hequr dorë nga të folurit me kode, dorashka, insinuata, me simbolika. Deri kur kështu? Të duken si konstatime në boshllëk. Sikur flasin anonimët dhe jo burrat e shtetit. Kjo e folur mund të justifikohet në një shkrim apo opinion të një individi, pa fuqi, qytetar i zakonshëm. Kur flasin në këtë mënyrë burrat e shtetit, duket sikur duan të thonë: Ne e lajmë gojën. E bëmë detyrën. Mbajeni dhe bëni si të doni! I pari që duhet të përballet me të keqen duhet të jetë ai që sot na jep këshilla. Dhe koha së pari është për atë, sot. Ndryshe do ta gjykonim si hipokrizi dhe sa për të na thënë se dora ime nuk është në bashkësinë e atyre krahëve që qëndrojnë mbi fytin e Shqipërisë. Këtu i bashkohemi idesë së Presidentit: Jo tërheqje. Dhe i pari që nuk duhet të tërhiqet është vet ai, i cili siç thotë është fare e lehtë të përmbysim oligarkët se sa na u desh të shporrnim bllokmenët. Po në betejën “o sot o kurrë” nuk do ishim të suksesshëm nëse mullinjtë e politikës do bluanin në boshllëk. Ndaj iu lutemi zoti President, na tregoni cilat janë ato duar, ajo pakicë që kanë mbërthyer për fyti atdheun tonë? Janë duart të majta, të djathta, centristësh, pacifistësh, qeveritarësh, opozitarësh,me parti, pa parti, biznesmenë, shqiptarë, të huaj, se duar kemi të gjithë. Ju veçoni vetëm duart e zeza dhe na i tregoni, që t`i bashkohemi thirrjes tuaj për ndryshim. Kaq e meritojmë. Ndryshe do mendojmë se ju e fshihni dorën tuaj dhe duart e atyre që i quani dobësia juaj. Ose do mendojmë se i vendosni në vende pa adresë! Dhe kështu ndodh kur propaganda luftohet me propagandë. Kur nuk flitet troç!

Nga Bardhyl Bejko

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/10/2019 - 07:45

Ne shqiptarëve nuk na ligështon dhe demoralizon qëndrimi persistent i shpirtngushtësisë franceze, që mbylli portat e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Postuar: 20/10/2019 - 07:44

Ende e mbaj mend kur këtu e një dekadë më parë, në rrjetet sociale, shtrohej pyetja dhe hidhej në

Postuar: 20/10/2019 - 07:43

“Gabim historik” u cilësua nga vetë ekzekutivi i BE dhe shumica e vendeve të BE, qënd

Postuar: 20/10/2019 - 07:41

Tani po fillojnë të bëjnë "racizëm" diplomatik, politik, krejtësisht jo normal dhe pady

Postuar: 20/10/2019 - 07:40

....Emmanueli francez, nuk ka shumë kohë që ka dalë në skenë për t'i thënë "Jo" hap

Postuar: 20/10/2019 - 07:39

Pasi derdhëm marazin e zhgënjimit nga “jo”-ja franceze për të na çelur bisedimet e an

Postuar: 19/10/2019 - 14:40

Është për t`u habitur kur në kulmin e diskutimeve për çeljen e negociatave të Shqipërisë në Këshi