Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Cilat janë shkaqet e shuarjes së lëvizjes sindikaliste në Shqipëri?

Postuar: 18/09/2019 - 07:16

Po ikin mjekët, inxhinierët, mësuesit…, po ikin të gjithë. Shqipëria po zbrazet nga truri. Aq sa për këtë konkurrojmë Afrikën. Po edhe nga forca e krahut. Të gjithë po ikin. Po ikin, sepse këtu nuk e shohin as mbijetesën me pagat që ky gjysmë shteti ynë u jep punëtorëve. Të shkolluar e të pashkolluar, të gjithë duan të ikin. Sepse Shqipëria sot gjendet “e pushtuar” nga maskarenjtë. Sa të jetë nën këtë “pushtim të egër” e kafshëror, kjo Shqipëri nuk do të gjejë rehat asnjë sekondë. Janë këta oligarkë e batakçinj, që kanë ngritur një pushtet familjar dhe që i mbajnë të lidhur shumicën e shqiptarëve.Të shtypur e të nënshtruar janë sot shqiptarët. Këtë e vërejmë të gjithë. E ka vërejtur edhe Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave. Shqiptarët nuk dinë të protestojnë për asgjë, janë të nënshtruar sepse u mungojnë sindikatat. Ato janë shuar krejtësisht. Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave kritikon qeverinë se, ka vënë nën thundrën e saj lëvizjen sindikaliste. “Sot në Shqipëri nuk ekzistojnë sindikatat”, thekson Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave.Ikin shqiptarët, sepse paga që marrin në vendin e tyre është minimale sa për të ngrënë pakëz bukë me pakëz presh e gjizë. Për asgjë nuk u mjafton paga e tyre. Këtë gjë e dinë mirë të gjithë edhe pushtetarët grabitës të tyre. Është kjo arsyeja që edhe mësues e punonjës të administratës, ende i kalojnë pushimet vjetore të mbyllur brenda mureve të shtëpisë. Është kjo arsyeja që ende banorë të zonave rurale nuk e dinë se uji i detit është i kripur. Sepse detin e kanë parë vetëm në televizor. Kjo është e vërteta në këtë Shqipërinë tonë të përmbytur nga mjerimi e maskarallëku nepotiko – familjar, që po na sundon në mënyrën më të poshtër prej 30 vitesh.Ndërsa ne vazhdojmë të qëndrojmë të heshtur. Ngrihemi në të rrallë kur na thërresin partitë. Hajde ç’vete! Nuk ngrihemi për vete, por për maskarenjtë që gjatë 30 viteve ç’nuk na kanë bërë duke na vjedhur pa u ndalur. Sepse janë këta që ia kanë arritur të zhdukin edhe lëvizjen sindikaliste. Aq sa sot kjo lëvizje nuk ekziston. Ndonjë i tillë që broçkullis fjalë pa kuptim e ka vendin në burg. Pasi ka plaçkitur milionat nga pasuria e ish BP-ve. Ndërsa ky palo shtet vazhdon të heshtë për gjithë atë pasuri të grabitur.Sot, shqiptarët e varfëruar sa më s’ka pyesin: Pse në Shqipëri ende mungon lëvizja sindikaliste? Pse dhe kush e zhduku këtë lëvizje? Kur ajo do të ngrihet për të na ardhur në ndihmë, për të mposhtur këtë klasë politike grabitqare? Sot të gjithë e dimë se, sindikatat mungojnë krejtësisht. Edhe pse ka ndonjë që u merr në xhepa pa i pyetur, bie fjala, mësuesit, kuotizacionin e anëtarësisë. Ç’poshtërsi. Monstra të tilla ndihmohen nga politikanët. Dhe vetë drejtuesit e neveritshëm sindikalistë ndihmojnë politikanët në shtypjen e shumicës. Kështu po ndodh ndër vite në këtë Shqipërinë tonë. Poshtërsitë sindikaliste janë të pafundme. Sot thjesht ato janë plaçkitëse.Prej 30 vitesh drejtuesit hajdutë të me nder sindikatave nuk kanë ndryshuar. Janë këta hajdutë që privatizuan gjithë pasurinë e ish BP-ve. Janë të njëjtët që nga viti 1991. Sot në duart e kujt ndodhet gjithë ajo pasuri e madhe e ish BP -ve? Pse ky gjysmë shteti albanez hesht për çfarë ka ndodhur gjatë këtyre 30 viteve me plaçkitësit e pasurisë së punëtorëve? Pse vazhdojnë të heshtin edhe plazhistët e Durrësit, të paktën ata që kaluan vetingun? Tashmë nuk duhet heshtur për hajdutë të tillë me çizme. Poshtërsitë e tyre s’kanë fund. Aq sa shqiptarët thonë se, të paktën të kishim sindikata që t’u ngjasonin BP-ve që kishin pakëz moral. Në ndonjë rast u dilnin për zot punëtorëve. Po këta të sotmit dinë vetëm të plaçkisin punëtorët e varfër dhe t’i poshtërojnë. Sot disa pseudo sindikata vetëm dinë të plaçkisin punëtorët. Për gjë tjetër vetëm heshtin. Ja, këtë vit kanë humbur jetën në punë 25 punëtorë. Sindikatat vetëm heshtin. Edhe pse askush nuk do t’ia dijë për sigurinë në punë. Askush nga oligarkët nuk do të shpenzojë qindarkën për sigurinë në punë. Për këtë ka gjetur edhe përkrahjen e pseudo sindikatave.Ja, mësuesit e shkretë. Iu premtua se, gjatë mandatit të dytë të rilindasve paga do t’u rritej me 40 për qind. U gëzuan mësuesit. Po përmes gëzimit vetëm sa u gënjyen. Sepse kjo rritje page as në horizont nuk duket. Të paktën deri tani u është rritur vetëm 7 për qind. Kur do t’u rritet pjesa tjetër prej 33 për qind, sa ishte premtimi? Ndoshta asnjëherë. Pasi edhe zgjedhjet e reja po afrojnë me shpejtësi. Sepse kjo klasë politike nuk di gjë tjetër, vetëm prish e prish zgjedhje. Siç i intereson asaj dhe grupit të milionerëve politikë. Çudia është se këta halera politikë edhe kur dalin në pension, dalin si milionerë. Kështu e kanë kullandrisur edhe ligjin për vete. Si milionerë me paratë e varfanjakëve edhe gjezdisin nëpër hotelet me 5 yje të Evropës. Tashmë ne shqiptarët e shkretë pyesim veten: Pse duhet të punojmë si skllevër vetëm për të mbajtur mbi supe monstra të tilla? Ne vetëm varfërohemi, ndërsa hale – sindikatat që ende vegjetojnë na mbushin mendjen t’i durojmë. Hajde ç’poshtërsi!Mungesa e sindikatave u ka dhënë këtyre hale – politikanëve më shumë guxim në pasurimin pa fre të familjes së tyre, u ka dhënë me shumë guxim të mbajnë prej 30 vitesh të gjitha postet edhe pse u kanë sjellë shqiptarëve vetëm humbje pas humbjesh.Çfarë po bëhet për ringritjen e sindikatave? Deri tani asgjë. Një grup i vogël që drejton me nder me thënë sindikatat që nga fillimi i vitit 1991, vazhdon të vegjetojë e të pasurohet pa fre përmes shtypjes së çdo lëvizjeje sindikaliste. Një grup i vogël që e ka futur nën mëngë gjithë pasurinë e ish BP-ve. Nga ky gjysmë shteti ynë pse heshtet për plaçkitjen e kësaj pasurie? Në ç’duar ka rënë dhe shfrytëzohet kjo pasuri e punëtorëve shqiptarë, që sot vrasin mendjen për copën e bukës? Paturpësia e kësaj situate është e gjithanshme: e gjysmë shtetit shqiptar, e hale – politikanëve, e hajdutëve të pandëshkuar sindikalistë dhe e heshtjes së plazhistëve të Durrësit. Pra, siç duket, të gjithë janë turrur kundër punëtorëve. Kështu ndodh vetëm në Shqipërinë tonë.Çfarë duhet bërë për ndryshimin e gjendjes?Së pari, për ndryshimin e situatës kërkohet dënimi i plaçkitësve të pasurisë së ish BP-ve. Po edhe duhet evidentuar e marrë nën zotërimin e shtetit të asaj pasurie të plaçkitur nga një grup maskarenjsh pseudo sindikalistë. Nuk duhet heshtur për ato miliona të vjedhura nga lloj lloj monstrash që mbajnë “të pushtuar” prej 30 vitesh lëvizjen sindikaliste. Vetëm pas kësaj mund të flitet për ringritje cilësore të lëvizjes sindikaliste. Nuk mund të mbahen ende monstra që dinë vetëm të dekorojnë drejtues të lartë dhe kryeministra të vendit, siç ndodhi pak vite më parë, kur një palokryetar sindikate dekoroi ish kryeministrin Sali Berisha. Një turp më vete i pseudo sindikatave të sotme. Është qesharake kjo gjë, që ka ndodhur vetëm në Shqipëri. Së dyti, duhet sa më shpejt ringritja nga e para e lëvizjes sindikaliste. Për këtë kërkohet bashkim i punëtorëve, fermerëve, por edhe i të papunëve. Që të mos shtypen e poshtërohen si deri tani. Të gjithë bashkë duhet të tregojnë forcën e protestës kundër oligarkëve që kanë “pushtuar” gjithçka në këtë vend.Së treti, nuk duhet më të mbetemi leva në duart e kësaj palo klase politike, jo t’i bindemi sa herë ajo ka nevojë, të mblidhemi në protesta në shërbim të oligarkëve të saj. Duhet që përmes lëvizjes sindikaliste t’i shërbejmë vetes dhe familjes sonë, t’i shërbejmë së drejtës që deri tani, prej 30 vitesh është mbajtur shumë larg vetes sonë.Gjithçka duhet të ndryshojmë. Përndryshe do të mbetemi skllevër të kësaj hale – klase politike, do të mbetemi muhaxhirë të përjetshëm duke ikur nga streha stërgjyshore. Ndryshimin duhet ta nisim nga lëvizja sindikaliste si drejtuese e lëvizjeve të mëdha kundër oligarkisë së pashpirt politike dhe ekonomike, që po shtyp e varfëron shumicën e shqiptarëve, bile duke i përzënë nga vatra e tyre.

Nga Riza Hoxha

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/10/2019 - 07:20

Për opozitën tonë jashtëparlamentare si në tërë këto vite, gjithçka që ndodh në këtë vend individualizohet e pykëzohet në një emër të vetëm.

Postuar: 23/10/2019 - 07:18

Në raportin e zbatimit të buxhetit faktik të shtetit për vitin 2018, institucioni i auditimit më

Postuar: 23/10/2019 - 07:16

Me siguri na erdhi shumë keq të gjithëve për lojën që luhet si përherë në kurrizin e ne shqiptarë

Postuar: 23/10/2019 - 07:14

Marrëzia jonë, ka shkuar deri aty sa shumë kush të "zemërohet" me Francën!

Postuar: 22/10/2019 - 07:21

Ka tronditje të madhe në politikë për fundin e formimit të SPAK apo fillimin e punës së tij!

Postuar: 22/10/2019 - 07:14

Dihet që Këshilli Europian nuk arriti të marrë një vendim pozitiv për çeljen e negociatave me Shq

Postuar: 22/10/2019 - 07:13

Të trishtuar dhe humbës real nga vetoja e francezëve në Këshillin e Europës, ku presidenti Macron