BREAKING NEWS

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i përgjigjet Sali Berishës

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i
x

Opinion / Editorial

Cili është parimi i politikanëve shqiptarë?

Cili është parimi i politikanëve shqiptarë?

Parimi i politikanëve shqiptarë është ky: ata ta duan veten e tyre, interesin e tyre dhe familjet e tyre, e ndërsa edhe populli duhet t’i dojë, t’u shërbejë, t’i respektojë ata si dhe t‘u besojë e t’i durojë zullumet, hajnitë, pabesitë dhe poshtërsitë e tyre. Pse degradoi kështu edhe politika në Kosovë? Edhe politika shqiptare në Kosovë dhe e politikanëve shqiptarë në Maqedoni duke pasur si parim të saj po këtë që ka politika në Shqipëri, dhe prandaj edhe atje politika e tyre është thellësisht politikë e dhe për interesat e tyre personale, familjare e korruptive mbi ato kombëtare. Pavarësisht se kam lindur dhe jetuar në Shqipëri, gjithmonë me shpirt e me zemër kamë pasur dhe kam qenë me Kosovën dhe në Kosovë, pasi prindërit i kam nga Kosova dhe kanë lindur në Istog. Të përndjekur e të dëbuar nga regjimi i krajlit dhe më pas edhe nga regjimi komunist titisto-rankoviçjan erdhën dhe u vendosën në Shqipëri, në Durrës. Të gjitha ngjarjet në Kosovë i kam vëzhguar dhe i kam parë me krenari dhe me shpresë se Kosova një ditë do të çlirohet. Dhe me të vërtetë Kosova u çlirua me 12 Qershor 1999. Meritë për këtë kanë të gjithë shqiptarët, ka politika dhe qëndresa paqësore e Rugovës, ka lufta heroike e UÇK-së dhe rolin vendimtar SHBA dhe NATO. Ajo se çfarë shqetëson dhe zhgënjen tej mase është se edhe politika kosovare e pas luftës në raport me vizionin dhe politikën e Rugovës, në raport me sakrificat dhe gjakun e dëshmorëve të lirisë dhe në raport të politikës kosovare me SHBA dhe BE-në, politika në Kosovë rezultoi si një dështim i madh dhe devijim nga vlerat rugoviane, nga vlerat dhe sakrificat e luftës çlirimtare dhe zhgënjim që politikanët kosovarë kanë shkaktuar edhe te ndërkombëtarët, te aleatët e mëdhenj SHBA dhe BE. Krahu paqësor që pretendon sot se janë rugovistë nuk janë gjë tjetër veçse spekulatorët më të mëdhenj me Rugovën dhe me rugovizmin, thjesht vetëm si retorikë mashtrimi të opinionit dhe anëtarësisë e simpatizantëve të Ibrahim Rugovës për përfitime personale pushteti e pasurimi, ldk-istët e pas Rugovës ata kanë bërë lloj-lloj kapërcimesh e dallaveresh politike. Politikanët e lartë të krahut të luftës vetëm sa kanë spekuluar edhe ata për interesa personale përfitimi e pushteti me sakrificat dhe me heroizmin e vlerat e luftës. Të dy krahët e politikës kosovare janë treguar djallëzorë dhe hipokritë edhe me aleatët strategjikë të Kosovës me SHBA dhe me shtetet kryesore të BE-së, të cilët e çliruan Kosovën, dhe shumë servilë e demagogë në dukje me deklarata retorike bajate e mashtruese pro SHBA dhe pro BE, por në realitet kanë vepruar të kundërtën me ta. Ndërsa SHBA dhe aleatë strategjikë të tjerë nga BE-ja e ndihmojnë Kosovën në rrugën e shtetndërtimit modern me ndihma financiare, këshillimore, ekonomike, infrastrukturore, politike e diplomatike, politika kosovare e interesuar vetëm për pushtet personal dhe për përfitime pasurore ka montuar në Kosovë një sistem krimi e korrupsioni, hajnie e prapambetjeje të madhe civilizuese e demokratike me pasoja të rënda për Kosovën. Por ajo që vërehet te të gjithë politikanët e Kosovës është se ata janë tepër interesaxhinj dhe servilë edhe ndaj politikës së Tiranës, ku politikanët e Kosovës garojnë me njëri-tjetrin se kush të marrë e të varë në qafë sa më shumë teneqe dekoratash dhe fleta lavdërimi nga Parlamenti dhe nga bashkitë e komunat e Shqipërisë për t’u lavdëruar dhe për t’i paraqitur ato para opinionit dhe votuesve kosovarë si “trofe” nga Shqipëria amë. Në aspektin e mosmirënjohjes dhe të hipokrizisë politikanët e Kosovës janë hapa shumë përpara me ata të Shqipërisë, pasi njoh disa qytetarë nga Durrësi e Tirana, që kanë kontribuar materialisht dhe shpirtërisht për Kosovën, por që Kosova, kuptohet nga politika e saj, as nuk i ka vizituar kurrkush dhe as nuk i kanë dhënë ndonjërit prej tyre mirënjohje, por Hashim Thaçi, sidomos, si kriter për dhënie dekorate disave në Shqipëri ka pasur si kriter kryesor atë ideologjik marksist-leninist. Ai dhe të tjerët u kanë shpërndarë mirënjohje e dekorata atyre prej të cilëve kanë marrë vetë ata së pari, pra si shkëmbim reciprok mirënjohjesh e dekoratash, u ka dhënë të preferuarve të tij, shumë prej të cilëve nuk kanë ndonjë meritë që të meritojnë dekorimin, ashtu sikurse edhe u janë dhënë edhe dëshmi veterani shumë e shumë të tjerëve, që nuk kanë asnjë kontribut për Kosovën. Politikanët e Kosovës janë shkaktarët prej të cilëve dështoi edhe politika edhe diplomacia kosovare, gjë e cila duket në ofensivën e Beogradit, i cili ka bërë të mundur që disa shtete të tërheqin njohjet për Kosovën; prej politikës së dobët dhe injorante të politikanëve të Prishtinës, Serbia arriti që të imponojë ngritjen e një Gjykate Speciale për dënimin e krimeve të supozuara dhe të shpifjeve të Beogradit për luftëtarët e UÇK-së; prej papërgjegjshmërisë, injorancës dhe korrupsionit si dhe të inateve egoiste, Kosovës iu imponua Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, ku Kosova humbi mbi 8000 ha tokë, e po ashtu prej politikës dhe politikanëve dështakë të Kosovës, Kosovës iu imponuan Marrëveshja e Bashkësisë së Komunave serbe si dhe kërcënimi tjetër i madh: projektidea serbe e korrigjimit të kufijve. Prej politikës dështake të Kosovës nuk u kthyen në atdhe mërgimtarët nga diaspora në Kosovë, por përkundrazi përditë vetëm sa largohet rinia për në Perëndim prej padrejtësive, papunësisë, korrupsionit dhe pasigurisë. A nuk janë këto disa dështime spektakolare të politikës së Prishtinës?