Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Cili “gladiator” do të dali më i fortë?

Postuar: 18/06/2019 - 07:20

Nuk është as e re dhe as e sotmja, beteja që zhvillohet sot midis “gladiatorëve” të politikës. Përkundrazi, rrënjët e betejave të tyre janë të hershme, por në mënyrë të veçantë në ditët e sotme ajo është intensifikuar si asnjëherë tjetër. Ka edhe kjo arsyen e saj. Majmja nga pushteti, privilegjet e siguruara nëpërmjet zhvatjes së pasurisë kombëtare, ja kanë errur krejt arsyen. Etja për më shumë dhe frika se mos ndoshta një ditë do të japin llogari, “betejën” midis tyre e kanë intensifikuar së tepërmi dhe kanë ngjeshur “armët” brezit për të mos i lëshuar pe njëri tjetrit. I kanë marrë të gjitha rolet përsipër, edhe atë të gjykatësit për njëri tjetrin, edhe të Prokurorit, edhe të hetuesit dhe ç’do orë japin ndaj njëri-tjetrit dënime e ndëshkime jo sidokudo me “largime nga detyra” por me “burgim të përjetshëm”! E veçanta është që edhe gjykatësit dhe prokurorët, deri edhe Prokurores së Përgjithshme, i japin ç’do orë “pretencën”! Krerët e politikës kanë “armatosur” edhe “ushtritë” e tyre të sekserëve, të militantëve, të mediave që i preferojnë, të analistëve, të dënuarve nga kundërshtarët qysh nga koha e Haxhi Qamilit, e duke gërmuar në histori edhe më parë akoma për t’i gjetur kundërshtarit ndonjë mangësi! Urrejtja për tjetrin, një ndjenjë fodullëku sikur për gjithçka është kompetent, mospranimi asnjëherë i gabimeve tek vetja por vetëm tek kundërshtari i brendshëm apo i jashtëm, janë disa midis shumë arsyeve të tjera që “luftëtarët” e politikës shqiptare, këtë vend e kanë lënë prapa dyerve të Europës. Edhe me “djallin” jashtë bëhen palë për të luftuar të vetët që punojnë për të njëjtin qëllim. Asnjëherë krerët e politikës nuk janë bashkuar për interesat e vendit e të popullit të vet, por vetëm që kush e kush të dali më “i fortë”, që të mund të mburret përpara të vetëve! “Tradhtia” apo braktisja e të vetëve për interesat personale është një tjetër karakteristikë e politikanëve dhe nuk mbahet mend që ndonjë politikan të ketë braktisur shtëpinë e tij “politike” për interesat madhore të vendit. Janë të shumtë të tillë nga të tëra krahët e politikës, që nuk e kanë për gjë të kalojnë atje ku i leverdis xhepit të tyre!

E ndërsa Europa, me zhvillimin e shoqërisë njerëzore në stadin që është, ka bërë përparime, neve si ndër më të vjetrit në Europë na kanë lënë në kohën e fiseve! Për të mos shkuar më herët në Histori, le të kujtojmë “betejat” midis Topiajve dhe Balshajve në vitin 1383, kur thirrën në ndihmë ushtrinë turke. Sot, nuk thërrasin në ndihmë turkun, por njëri thërret në ndihmë “Bild”-in dhe tjetri “Mother Johnson”! Njëri e quan “Bild”-in “Bombë me hidrogjen” për kundërshtarin që në fakt është një “vërë në ujë” sepse është një proces hetimi! Tjetri, përkundrazi e quan “Mother Johnson” një “lak” ku do të futi kokën kryetari i opozitës! Kur “armët” janë të jashtme, krerët e politikës i quajnë shumë të efektshme për kundërshtarin! Të dy “kampet” janë në fazën e grumbullimit të “armëve”! Neve nuk na janë ndarë betejat qysh nga koha e komunitetit primitiv, kur zhvillohej luftë midis banorëve që jetonin në një shpellë dhe atyre të “banesës” tjetër. Në stadin aktual ku ndodhemi “betejat” vazhdojnë, por qëllimi për të cilin ato zhvillohen, nuk është as për Shqipërinë dhe as për zhvillimin e shoqërisë. Po të ishin për këtë qëllim, edhe angazhimi i të gjithëve do të ishte më i madh, por edhe shoqëria diçka do të kishte ecur më parë. Po e vërteta, cila është? E vërteta është vetëm një. Në këta tridhjetë vjet, Shqipëria krahasuar me të kaluarën ka bërë vetëm hapa prapa, aq sa ja ka kaluar edhe diktaturës që e marrin si “model” të egërsisë. Edhe “beteja” që po zhvillohet këto ditë nuk ka të bëjë aspak me përparimin e vendit apo të qytetarëve, ajo ka të bëjë se kush do të dali fitimtar në 30 Qershor. Ata që janë për votim, apo ata që bëjnë të kundërtën. Njëri prej tyre ka rrëmbyer “shpatën” për të mbledhur sa më shumë simpatizantë për votime, tjetri në rolin e kryetarit të opozitës ka mbushur xhepat me “kapsolla” për të krijuar sa më shumë pengesa. “Simboli i Unitetit” nga ana e tij hedh “molotovë” nga ballkoni i Presidencës!

Betejat sot zhvillohen as më shumë e as më pak, se për kapriçiot e krerëve të “fiseve” midis “Fiseve” të majtë e “Fiseve” të djathtë. Sot, një gjë është e vërtetë. “Betejat” nuk zhvillohen se si të punojnë më mirë për të mirën e Shqipërisë, si të punojnë më mirë për rritjen e mirëqenies së këtij populli ndër më të varfrit në Europë, por ato zhvillohen për një qëllim të vetëm se kush prej tyre do të dali më i fortë. Në finale, që në këtë rast është 30 Qershori. Kemi tridhjetë vite në demokraci. Në këto tridhjetë vite le të thonë si të duan kundërshtarët, por shteti, edhe kur atë e kanë patur të majtët edhe kur e kanë patur të djathtët, nuk është bërë “betejë” e përbashkët për të bërë natyrë të secilit shtetin e të drejtës, por është zhvilluar luftë “fisesh” midis të fortëve, njësoj, pa asnjë ndryshim si ajo midis bandave si: “të fortët” e Elbasanit”, “tmerri i Shijakut”,“të fortët e Durrësit”, “të fortët” e Tiranës, të Shkodrës”! Në territorin ku veprojnë këto banda e këta të fortë bëjnë ligjin dhe kurrkush nuk pipëtin para tyre, aq sa edhe shtetin ligjor nuk e njohin fare. Në pamundësi për t’u shpallur atyre luftë, shteti ose qëndron indiferent, ose bashkëpunon me to. Në të kundërt, nuk do të kishim tërë këtë çoroditje në këtë periudhë tridhjetë vjeçare, nuk do të kishim vetëm “beteja”, “ngërçe”, përleshje! Po përse “luftojnë” “trimat” e politikës shqiptare? Më mirë këtë na e shpjegon Faik Konica: “Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqetë... sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme... Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! Trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie”.

Ora për të dalë në “ring” “të fortët” e politikës po afron. Njëri u thotë “spektatorëve” të vijnë të shohin “ndeshjen”, tjetri u thotë “Do t’ua thyejmë këmbët” po shkuat në ndeshje! Në Demokraci të ndodhin këto? Kryetari i shumicës mbledh të vetët në çdo qytet e nuk u flet për alternativën më të mirë qeverisëse, të dëgjojë mendimet e tyre, por gjen një mënyrë tepër origjinale sipas gustos së tij. Ai, nga fillimi e deri në fund këput “mufka” se si “fallxhorja sheh filxhanin”, më tha kështu e më tha ashtu, bëri kështu e bëri ashtu, që as “ndezin as shuajnë”! E kujt i hyjnë në punë këto “trakatruka” përveçse i hedhin benzinë zjarrit? Të dy tregojnë “muskujt. Njëri kërcënon Presidentin (pavarësisht që ai ka dalë nga shinat) me shkarkim. Kërkon të tregojë forcën e tij, por një përpjekje nuk ka bërë, një shtrirje dore nuk ka bërë si vëllai vëllait, sepse nga shembulli i tyre mësojnë të gjithë. Nuk i intereson efekti për vendin dhe qytetarët, por i intereson ajo që të tjerët të thonë: “Ky është më i forti”! Ndodhemi në një ambient tepër të elektrizuar dhe entuziazëm për “ndeshjen” nuk ka. Krerët kanë nxjerrë “shpatat”! Edhe “Simboli i Unitetit” si gjoja i paanshëm për të zbutur gjakrat, ka nxjerrë edhe ai “shpatën”! Kujt po i bie? Jo të dyve, por atij që ka kundërshtar, që nuk i ka thënë një fjalë pajtimi, që nuk i ka folur njëherë si vëlla, si mik si shok. As tjetrit nuk i ka thënë një gjë të tillë, por ai i shkon pas “ujit”. “Armiku i armikut tim është miku im”! Nga zyra e tij, ku mban Heroin Kombëtar, kërcënon të “shkrijë Parlamentin”! Në krye të këtij Parlamenti, ai qëndron vetë dhe nuk përpiqet të forcojë unitetin midis tyre, por ta shkrijë! Duket që edhe Heroit Kombëtar kërkon t’i thotë: “Edhe ju duhet të kishit shkrirë “Besëlidhjen e Lezhës”! Ku është parë e dëgjuar, në cilin vend të botës ndodh që të pengojnë kryeministrin e vendit të bëjë punën e tij? Si në kohën e cubave, atij i bëhet pritë për të bërë atë, që ai të mos kryejë detyrën e tij. Ka mënyra për ta larguar atë nga kreu i Ekzekutivit por jo me metodat e cubave, kur të dalin në “pritë”, por burrash, në “shesh të burrave”! Një kryetare e pushtetit vendor, thotë: “Po të kisha një molotov, do ta hidhja atë në Kryeministri”! Kjo kryetare kërcënon edhe të parin e “shtëpisë së vet! Një sekser i saj, pak kohë më parë kërcënonte: “Le t’ia mbajë kryeministrit e të vijë në Shkodër”! Ç’janë këto ndarje, këto copëtime që i bëhen Shqipërisë? Ku është drejtësia? Ku janë institucionet e shtetit? Kryeministri për këtë nuk flet, por gjen rrugën më të shkurtër e të shkojë atje ku është “i preferuar” dhe të mos shkojë atje ku nuk është i pritur! A nuk po shkohet në fillimet e shek të kaluar? A nuk po ecet në gjurmët e Esad Pashës, që i dorëzoi Shkodrën malazezëve? Shembuj të tillë zbresin deri poshtë tek një i ashtuquajtur analist midis dhjetra të tjerëve, që më së shumti janë sekserë të politikanëve. Ai i hakërrohet deputetit: “Me cilin flisni kështu? Do të flisni mirë apo jo. A e dini se ç’ju bëj unë/ Ti e ke sh... Kodin Zgjedhor dhe ke gojë e flet, nuk të vjen turp! Hajde e thuaji gazetar i pavarur këtij të “mykuri”, që si shumë të tjerë kanë zaptuar ekranet e televizorëve! Të tjerë, më keq akoma bëjnë thirrje për dhunë. Hajde e gjej “oreksin” e “të fortëve”! Drejtësia zbaton ligjin për shkelësit e ligjit, “të fortët” e politikës vendosin në shënjestër drejtësinë! Do të bëhet vallë Shqipëria? Po të kish vepruar drejtësia, as “Njëshi” nuk do të ishte bërë sot “ferrë nëpër këmbë”! Gjërat janë “mahisur” shumë dhe siç duket, politikanët kanë vendosur të zbatojnë porositë e Maos: “Të turbullohet që të qartësohet”! T’i japim tani përgjigje asaj që iniciuam në fillim. Asnjëri prej tyre nuk do të dali i fortë në “finalen” e radhës. Të dy do të dalin “të sakatuar”!

Nga Pandeli BARDHI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/07/2019 - 07:20

Voltana Ademi i kërkoi ndihmë disa ambasadorëve të huaj për të hetuar e vendosur drejtësinë në lidhje me votimet e 30 qershorit dhe për vazhdimësinë e mëtejshme ligjore të pushtetit lokal në Shkodër.

Postuar: 23/07/2019 - 07:18

Pasi u dergj rrugëve, mbushi burgjet me huliganët, shkatërroi dhe u shkatërrua vetë, opozita na q

Postuar: 23/07/2019 - 07:16

Propozimi i Presidentit Ilir Meta për zgjedhje të trefishta në 13 tetor është njëherësh edhe para

Postuar: 23/07/2019 - 07:15

Isha i sigurt që Lulzim Basha do të shpikte një marrëzi tjetër që të bënte ballë si reputacionit

Postuar: 21/07/2019 - 07:48

Prej javësh qëndroj orëve të pasditeve në fshat.

Postuar: 21/07/2019 - 07:36

Dorëheqja e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, u përcoll në kohë reale në tërë mjediset

Postuar: 21/07/2019 - 07:35

Dje Departamenti Amerikan i Shtetit (ministria e Jashtme e SHBA-ve) kumtoi vlerësimin dhe mbështe