Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ç’lidhje ka patriotizmi me pushimet në bregdet?

Postuar: 18/08/2019 - 07:45

Fluksi i lëvizjes së kosovarëve që u drejtohen plazheve shqiptare në këtë periudhë është mjaft i lartë. Kjo ka sjellë që prej ditësh kori i medias të jetë në një mendje. Fakti që kosovarët vijnë masivisht dhe shpenzojnë shumë euro për pushime në Shqipëri është një tregues i patriotizmit të tyre ndaj Shqipërisë amë. Këtë e pranojnë edhe vetë kosovarët të cilët theksojnë se, ende në plazhet tona ka mungesa të ndryshme, ka papastërti, po ata vazhdojnë të vijnë e t’i popullojnë plazhet këtu se u pëlqen t’i shpenzojnë eurot e pushimeve, në dheun amë. Të gjithë jemi në një mendje. “Patriotizmi” i shqiptarëve të Kosovës në plazhet shqiptare është ndjerë menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, pas pranverës së vitit 1999. E ndjejmë edhe çdo vit me 16 prill kur qindra kosovarë vijnë në Shqipëri dhe takohen përzemërsisht me mikpritësit e tyre të pranverës së rëndë të vitit 1999, kur makineria ushtarake e Miloshevicit përzuri me dhunë nga vatrat e tyre duke gjetur strehë vëllazërore në çdo familje shqiptare. Tashmë autostradat, ajo e Kombit dhe ajo “Ibrahim Rugova”, i kanë afruar shqiptarët e të dy anëve të kufirit. Kosovarët duke shfrytëzuar edhe lëvizjen përmes detit janë të pranishëm gjithnjë rrugëve të Shqipërisë. Tashmë për ata vlerësohet patriotizëm edhe kalimi i pushimeve në bregdetin shqiptar. Aq shpesh përmendet ky fakt sa tashmë shumë prej banorëve të këtyre anëve, ndërsa takohen me vëllezërit kosovarë pyesin: Mirë, kosovarët qenkan patriotë pse vijnë dhe kalojnë pushimet në bregdetin shqiptar, po ne shqiptarët e këtej kufirit që e kemi të pamundur t’i drejtohemi bregdetit për shkak të varfërisë sonë çfarë jemi? Shumë trumbetohet lëvizja përmes autostradës së Kombit. Po jo gjithnjë lëvizja përmes kësaj autostrade shënon fluksin e kosovarëve që u drejtohen plazheve shqiptare. Shumë prej tyre kalojnë drejt Malit të Zi, apo edhe drejt Greqisë. Ndaj pushimet pas një viti pune nuk shënojnë as patriotizëm, as antipatriotizëm. Secili kalon pushimet aq sa ia mban xhepi. Është kjo arsyeja që kalimi i pushimeve në bregdet ose jo, nuk ka asnjë lidhje me patriotizmin e asnjërit. Në realitet përcaktimi se njëra palë është patriotike, ndërsa pala tjetër nënvlerësohet deri në ekstrem, vetëm sa sjell grindje dhe përçarje mes shqiptarëve që tashmë fenomene të tilla nuk i kemi të pakta. Para se të brohorasim për patriotizmin e kosovarëve, që e vërteta është se janë të shumtë gjatë verës përgjatë bregdetit, në radhë të parë, hale – klasa politike shqiptare duhet të pyesë veten: Ku i kalojnë pushimet 2, 7 milion shqiptarët e mbetur brenda shtetit me sipërfaqe 28 mijë kilometra katrore? Të paktën ky detaj kërkon një analizë të hollësishme përmes së cilës mund të evidentojmë shumë të vërteta që kjo hale – klasë politike shqiptare bën sikur i harron me dashje, ndërsa evidenton vetëm të dhëna se pjesëtarë të saj që i kalojnë pushimet në bregdetet e huaja është gjithnjë në rritje. Një detaj i tillë nuk tregon asgjë, ose tregon, se kjo hale - klasë politike që prej 30 vitesh na drejton me moton “nga humbja vijmë, drejt humbjeve shkojmë” thjesht po na çon drejt një varfërie gjithnjë e më ekstreme. Kjo i ka bërë të gjithë të kenë frikë të prekin një detaj shumë të rëndësishëm të shqiptarëve: Ku i kalojnë pushimet shumica e shqiptarëve, që ende kanë mbetur pa ia mbathur vrapit për të ikur nga ky vend, që po shohim se prodhon vetëm varfëri e skamje për shumicën dhe pasurim të tejskajshëm për një grup oligarkësh të pashpirt dhe një klasë politike për të cilën gjithë shqiptarët tashmë ndjejnë neveri? E vërteta është se në një masë të konsiderueshme shumë prej shqiptarëve e kanë të pamundur të kalojnë ditët e pushimit në bregdetin shqiptar. Bile sot ka edhe banorë të zonave rurale që ujërat e detit i kanë parë vetëm në televizor. Një detaj i dhimbshëm, por i vërtetë. Ndodh kështu, pasi të ardhurat e tyre minimale u mjaftojnë vetëm për të luftuar varfërinë që vetëm po rritet për shumicën e shqiptarëve. Nuk bëhet fjalë për familjet me ndihmë ekonomike, apo për familjet që kanë vetëm një pjesëtar të tyre në punë. Bëhet fjalë edhe për familje intelektuale si familje mësuesish, infermierësh, familje të punonjësve të nivelit të ulët të administratës shtetërore etj. Familje ku një pjesëtar i tyre ka pagë vetëm 40–50 mijë lekë e kanë të pamundur të kalojnë ditë pushimi në bregdet. Ditët e pushimit ata janë “të dënuar” t’i kalojnë përgjithësisht brenda mureve të shtëpisë, apo te ndonjë i afërm në fshat. Kjo është e vërteta të cilën e kanë shumë zor ta përmendin myteberët e politikës, apo sahanlëpirësit e tyre të medias. Po kjo nuk do të thotë se ata janë më pak patriotë, se ata që ia arrijnë t’i kalojnë pushimet vjetore në plazhe duke u rrezitur. Pse themi se shumica e shqiptarëve e ka të vështirë të përballojë shpenzimet e plazhit me të ardhurat që merr? Me të ardhurat që paguan përgjithësisht sektori privat, apo edhe një masë e konsiderueshme edhe ai shtetëror është thuajse e pamundur që poseduesit e tyre të kalojnë ndonjë ditë në bregdet. Kështu sektori privat paguan përgjithësisht paga nga 20 – 40 mijë lekë në muaj. Ndërsa një pjesë e mirë e administratës shtetërore, apo të shumicës së sektorëve paguhen kryesisht 40 – 5- mijë lekë si mësuesit, infermierët etj. “Me këto paga që kemi ne, me çmimet që sot ka tregu dhe me vargun e gjatë të taksave që duhet të paguajmë, paga mjafton sa mezi të mbajmë fëmijët me bukë. Për plazhin në bregdet as nuk na shkon mendja, pasi ujërat e detit për ne janë vetëm për t’i parë në ëndërr”, - thotë I. Denaj, mësues në një fshat malor. Bile, ai tregon se në fshatrat malore ka shumë banorë që nuk kanë parë një herë detin, bile as e dinë se ujërat e detit janë të kripura. Ka lloj lloj xhevahiresh në këtë vendin tonë, ku klasa politike në mënyrën më të paskrupullt di vetëm të krenohet. Se për vete i mbush si ia do qejfi xhepat dhe pushimet i kalon nëpër bregdetet e huaja. Kjo klasë politike i fryn si ia do qejfi zjarrit të patriotizmit. Mirë, kosovarët ua mësyjnë plazheve shqiptare. Po hale – klasa politike pse më së shumti ua mësyn plazheve të huaja? Apo për të na treguar ne shqiptarëve se ata tashme janë shtresë më vete, shtresë që ia ka arritur të pasurohet aq sa as vetë nuk e di tamam sa e ka pasurinë. Dhe askush nuk mund ta kontrollojë si ia ka arritur. Ashtu si plazhistët e Durrësit që u bënë milionerë duke luajtur bixhoz, apo nga dhuratat e gjyshërve e gjysheve milionere. Dhe këto justifikime idioteske askujt nuk i bënë përshtypje. Dhe plazhistët vetëm u falënderuan pse dolën me të mirë nga sistemi. Ç’turpe mban kjo tokë? Edhe fryrja e zjarrit të patriotizmit për atë që kalon ditët e pushimit në plazhet e vendit e ka një qëllim. Të justifikojë pasurinë e maskarenjve, që na drejtojnë e na varfërojnë prej 30 vitesh ne shqiptarëve të shkretë që ende kemi mbetur pa ikur. 

Nga Riza Hoxha

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/09/2019 - 11:05

Instituti Ndërkombëtar për Studime i Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES) me qendër në Ljubljana, Slloveni, vazhdimisht analizon ngjarjet në Lindjen e Mesme dhe Ballkan.

Postuar: 19/09/2019 - 07:16

Aspak nuk është hiperbolizim i çështjes dhe as titull bombastik për të tërhequr vëmendjen e lexue

Postuar: 19/09/2019 - 07:15

Të qenit shërbestar nuk është të jesh “shërbëtor”, në konotacionin negativ të fjalës

Postuar: 19/09/2019 - 07:14

E para është fjala.

Postuar: 19/09/2019 - 07:12

Qëkur ka nxjerrë zhdekretimin e zgjedhjeve të 30-qershorit dhe deri tani Presidenti nuk po ndihet

Postuar: 18/09/2019 - 07:22

Struktura Speciale Kundër Korrupsionit, Byroja Kombëtare e Hetimit, janë kthyer gati tunduese për

Postuar: 18/09/2019 - 07:18

Dukuria e korrupsionit, kjo gangrenë e shoqërisë shqiptare i ka përfshirë të gjitha shtresat.