BREAKING NEWS

I përfshirë në korrupsion për lirimin e një të burgosuri, GJKKO merr vendimin dhe ndryshon masën e sigurisë për bashkëshortin e ish-gjyqtares Mimoza Margjeka

I përfshirë në korrupsion për lirimin e një të
x

Opinion / Editorial

Covid-19, rrezik dhe propagandë

Covid-19, rrezik dhe propagandë

Qysh në fillim shtrojmë pyetjen: A është i rrezikshëm Covid-19? Shumë. Fakti që po rrëmben njerëz pa pyetur për moshë e profesion, për të sëmurë e të shëndoshë, tregon se jemi duke u përballur me një virus shumë të rrezikshëm. Fakti që ka rrëmbyer edhe jetë mjekësh, madje shumë të aftë, të cilët i dinë dhe i aplikojnë shumë më mirë masat mbrojtëse, se njerëzit e zakonshëm, na bën që secili të mendojë thellë për rrezikun e këtij virusi dhe të respektojë me rreptësi të gjitha masat mbrojtëse sipas udhëzimeve të dhëna nga specialistët. Po, a ka dhe propagandë? Patjetër që ka. Dikush e bën propagandën nga padija, dikush për kredibilitet politik e dikush për përfitim material. Përballë gjendjes, ku çdo ditë infektohen qindra njerëz e ndodhin 3 deri 5 vdekje në ditë, rruga e vetme është vetruajta, vetëkontrolli i rreptë në çdo hap që hedhim. Të tria masat që quhen si mbrojtëset kryesore nga Covidi, jo vetëm që nuk po respektohen me rreptësinë e kërkuar nga profesionistët dhe shteti, por në disa raste shkelen hapur. Të flasim fillimisht për maskën, njera nga masat kryesore mbrojtëse. Përdorimi i saj në shumicën e rasteve është formal. Edhe pse qeveria e ka bërë të detyrueshëm përdorimin e saj në ambiente të hapura, në rrugë sheh që në çdo 3-4 persona, njëri është pa maskë. Kjo ndodh sepse njeri e nënvleftëson mbajtjen e maskës, tjetri ngaqë e toleron polici dhe një tjetër “për trimëri” se “s’ka ç’i bën virusi”, se “e mposht” me hudhra e raki. Këtu edhe vetë vendimi i qeverisë ka lënë hapësira për abuzim. Psh, thuhet në vendim se “nuk duhet të mbajë maskë personi në vrapim”. Kështu një qytetar që nuk mban maskë, sapo sheh policin ia nis vrapit dhe justifikohet “isha në vrap”. Gjithashtu vjelja e gjobës nëpërmjet faturës së shpenzimit të energjisë elektrike, jo vetëm që nuk është etik e ligjor, por edhe jo plotësisht i zbatueshëm. Ndesh në rrugë njerëz të kësaj kategorie, pothuajse të gjithë pa maskë dhe kur u kujton se do të gjobiten, të përgjigjen pa kokëçarje “ehu, çdo të më bëjnë mua, unë s’kam as kontratë drite e as uji, unë ku ngrysem s’gdhihem”. Madje përgjigja e një romeje ishte më e çuditshme. “Ç’farë fature thua ti o mik? Vetë Monika Kryemadhi, që ka disa shtëpia, tha se nuk kishte kontratë e nuk paguante gjobën, jo unë, që kolibja mu shemb nga shirat e fundit e jam në qiell të hapur. E ku do të më gjejë qeveria mua”. Shtrojmë pyetjen tjetër: Sa efektive është mbajtja e maskave në shkolla, në autobuzët urbanë dhe në mjetet e tjera të udhëtimit që dërgojnë nxënësit nëpër shkolla? Po thuajse e papërfillshme. Në autobuzët e linjave urbane, jo vetëm që pasagjerët ngjeshën me njëri-tjetrin, pa e respektuar fare distancimin social, por sheh dhe mjaft pasagjerë pa maskë. Në autobusin e linjës së ish-Uzinës së Autotraktorëve, është i padurueshëm udhëtimi. Në këtë autobus, jo vetëm që nuk respektohet distancimi social e njerëzit ngjeshen me njëri-tjetrin, por në këtë linjë udhëtojnë edhe shumë romë, meqë kanë banimin në këtë zonë dhe askush prej tyre nuk mban maskë, pasi të justifikohen me pretendimin që përmendëm më lart, pra nuk ke ku t’ua vjelësh lekët e gjobës. Kjo vjen edhe nga mungesa e kontrollit nga ana e kompetentëve në linjat e urbanëve. Kontrolluesit më shumë shikojnë pajisjen me bileta, se sa mbajtjen e maskës e ruajtjen e distancës sociale, mungesa e të cilave u rrezikon jetën pasagjerëve. Në shkolla përgjithësisht është organizuar më mirë puna, ka kontroll të rreptë si në mbajtjen e maskave, ruajtjen e distancimit social ashtu edhe në matjen e temperaturave të çdo nxënësi e mësuesi në mëngjes. Por është e pamundur që efektiviteti i këtyre masave të jetë i plotë, nëse nxënësi dhe prindi nuk janë të ndërgjegjësuar se mosrespektimi i masave të vendosura të kushton jetën. Kështu ndodh që nxënësi gjatë rrugës lëviz pa maskë. Por kemi vënë re edhe një fenomen tjetër, që në çdo shkollë duhet mbajtur në vëzhgim të rreptë dhe nuk duhet lejuar. Disa nxënës që vijnë turnin e dytë pa maska, kërkojnë dhe ua marrin ato atyre që dalin nga shkolla në turin e parë. Merret me mend se çfarë efektiviteti luan maska në këto raste. Ndaj jo vetëm kontrollorët e posaçëm, por edhe kamerat e mediat duhet të vëzhgojnë e të ndalen më shumë në denoncimin e rasteve të tilla dhe jo të mjaftohen me shfaqen e pamjeve pozitive që bëhen në dy apo tre shkollave, sikur çdo gjë është perfekte. Element tjetër shumë i rëndësishëm është respektimi i rreptë i rregullave të higjienës. Mjaft persona, jo vetëm nxënësit e shkollave, pasi kanë udhëtuar, ose kanë kryer një proces pune, të gërryer nga uria, turren pranë byrektoreve dhe me duar të palara, nisin të hanë si të babëzitur. Në disa shkolla, për orë të tëra mungon edhe uji i pijshëm, kjo jo për arsye të mosfunksionimit të pompave, të defekteve rastësore, gjë që edhe nëse ndodh për një apo dy orë, e bën të paefektshëm gjithë masat që mund të jenë marrë për një muaj të tërë. Virusi nuk të lajmëron kur vjen, ai as nuk të thotë që unë jam këtu, ndaj duhet shumë kujdes nga secili. Virusin mund ta marrësh në një rast të vetëm nënvleftësues dhe të rruat pastaj ajo që për muaj të tërë, ke respektuar masat mbrojtëse. Është koha, ku kërkohen më shumë masa efektive dhe më pak propagandë. Disa akuzojnë qeverinë, gjoja për masa ekstreme! Secili, sado i ditur dhe i fuqishëm të jetë fizikisht, në këto kushte, kur luftohet me një armik të padukshëm, është i detyruar të zbatojë rregullat e vendosura nga shteti, se ato janë këshilla të specialistëve e profesionistëve, struktura që janë ngritur për këtë qëllim. Në këtë kuadër, theksojmë edhe një herë mbajtjen e një vetëkontrolli të rreptë nga cilido, se më shumë se e do veten e tij secili, nuk mund ta dojë askush tjetër, as shteti dhe as shoqëria. Mendjelehtësia dhe vetëmburrja në këtë kohë koronavirusi të kushtojnë jetën që gjithë secili e ka aq të shtrenjtë.