BREAKING NEWS

Shteti i tij për tu marrë shembull, mjeku suedez hedh dritë mbi të vërtetat e pandemisë dhe skandalin e numrit të vdekjeve: E kuptuam situatën menjëherë, jam i gatshëm të vë bast se vendet që janë mbyllur ...

Shteti i tij për tu marrë shembull, mjeku suedez hedh dritë mbi
x

Opinion / Editorial

"Covidianë dhe anti-covidianë" përballja soc-politike e të nesërmes!

"Covidianë dhe anti-covidianë" përballja soc-politike e

"Viti i "Covid-19" është dhe koha kur ndërkombëtarisht shoqëria në përgjithësi, ka pësuar një nga goditjet më të mëdha ekonomike dhe politike, por sidomos një goditje e madhe mbi rregullat tona shoqërore. Kaq shumë dhe me një presion të jashtëzakonshëm, sa nuk u mor kaq shumë vesh se kush vende ishin demokraci dhe silleshin në mënyrë të tillë dhe kush jo. Mjafton të themi se "lockdown" ishte pothuaj njësoj si për Kinën dhe Italinë apo si për Iranin dhe bie fjala Spanjën e po të shkoj më tutje nuk më duket me vend krahasimi mes Koresë së Veriut me atë të Jugut! Nga vetë kjo mënyrë e të mbyllurit dhe izolimit shoqëror e personal apo thënieve distancim social dhe fizik kuptohet mirë që u ngushtuan dallimet mes regjimeve dhe demokracive! Sigurisht demokracitë kishin vështirësi, sepse regjimet tiranike nuk e kanë kaq shumë problem uljen e lirisë deri ku nuk mban më qenia njerëzore. E kjo sipas meje ishte dhe është dhe sot e kësaj dite shumë e rëndë. E para, sepse e gjithë kjo u bë, sepse nuk përballet në shekullin e 21 sëmundja epidemiologjike në spital, por në shoqëri, shtëpi dhe izolim shoqëror. Nuk u përball me teknologji dhe shpikje apo ilaç dhe vaksinë. E dyta dhe nuk u përball me ligje të mirëkopsitura sidomos në demokraci për të mos i rënë ndesh të drejtave të njeriut. Absolutisht më keq te ne, në mënyrë më harbute dhe virtuale, por dhe në botë, duke mos pasur asnjë sukses te askush! Te ne, sepse kemi një shtet virtual dhe thjesht që kërkon të trembë, por jashtë në demokracitë e mëdha, se ishin dhe janë të përçarë dhe të papërgatitur. E për këtë po mundohem të flas! Sot bota demokratike është ndarë si për çudi me "covidianë dhe anti-covidianë". Për mua "covidianët" janë pjesë të disa elitokracive qeverisëse që nën përgjegjësinë e ruajtjes së shëndetit po zvogëlojnë lirinë dhe po ulin demokracinë, po shtojnë sundimin. Pa dyshim janë dhe shtresa të mëdha të popullsisë që realisht janë të frikësuar dhe të pambrojtur si fizikisht në sistemin shëndetësor dhe psikologjikisht në mënyrë tragjike. Në anti-covidianë parapëlqej të them për ata që nuk duan më të ketë izolim, rënie ekonomike, masa represive dhe sidomos prekje të lirisë e pronës si punë dhe zhvillim. Por ka dhe një shtresë anti statalistë, anti ligj si fraksion anarkistësh që nuk duan asnjë kufizim ligjor në asnjë pjesë të jetës së tyre! Tashmë këto dy grupe filozofikisht të ndarë ashpër, po formojnë gati gati në mënyrë virtuale, dy parti të mëdha botërore. Është tragjizëm të them se kemi ardhur në një moment dëshpërues ku shumë elementë të ligjeve të përbotshëm, konventash ndërkombëtare, po interpretohen si të "luajtshme", si të pazbatueshme dhe rishikueshme. Shkurt të thyeshme "për arsyen e covid 19-s"! Loja e madhe me pasigurinë e sëmundjes apo faktori epidemiologjik jo stabël, pa përgjigje shteruese dhe vaksina e dyshimtë aspak e përgatitur deri tani, kanë sjellë pështjellim në një anë anarkik dhe rebelues në anën tjetër, një frikësim të pashembullt që po dëmton në mënyrë të vazhdueshme demokracitë dhe liritë kudo në botë! Mbylljet ekonomike dhe turistike nga covidianët po bëhen faktor ashpërsimi te anticovidianët dhe padyshim shumë traktate po bien në "tokë" si bie fjala, lëvizja e lirë dhe marrëdhëniet e tronditura ndërkombëtare të shkëmbimit të mallrave dhe njerëzve, lëvizjes së lirë si bazën e tregtisë së lirë, e cila po bëhet me rregulla të ashpërsuara tejskajshëm. Po adoptohen gjysmë liritë nga covidianët, të cilat janë pothuaj të papranueshme nga anticovidianët! Janë pothuaj më keq se izolimet dhe ndalimet absolute. Të shkosh në supermarket sot në botën po them demokratike, është një bezdi e madhe dhe e lodhshme fizikisht e psikologjikisht. Është ndaluar shfaqja dhe ritualet sociale e religjionare, të cilat përbëjnë një goditje të madhe ndaj lirisë dhe kulturës, por dhe demokracisë së shprehjes dhe tubimit! Anticovidianët kryesisht si poshtë në shoqëri dhe ata lart në superstruktura ekonomike dhe intelektuale janë në masë të madhe ashpërsisht kundër dhe sjellja është padyshim nga dy palët nervoze dhe aspak miqësore. Nga dyshimet e vetë profesionistëve (shëndetësisë) dhe fjalët e shumta të kundërta, po bëhet kasaphanë ideore dhe pështjellim ideologjik në demokraci. Është goditur bota e kapitalit dhe marrëdhënieve të tilla, e cila sigurisht nuk kishte kushte ekonomike kaq shumë në krizë se sa u fut menjëherë me urdhër në mënyrë të ashpër pikërisht në krizë. Politikisht dhe zgjedhjet demokratike kanë pësuar dhe do të pësojnë zhvillim jo të qartë politik dhe etik e moral. Sigurisht kush ishte në pushtet ndahet dhe percepton ndryshe nga ai jo në pushtet dhe padyshim që përballja në kushte të tilla është tepër e vështirë. Shkollimi ka pësuar dëmtim pothuaj të pariparueshëm me masat drastike sidomos në vende rreptësisht në praktika covidiane që përballë kanë plot anticovidianë të bindur. Shtete të ndryshme kanë dhe qasje të ndryshme dhe dy grupimet e mëdha kanë përballje politike dhe filozofike po ashtu të ndryshme. A do të jetë përballja "covidianë dhe anti covidianë" sfida politike e të nesërmes? Po pra, krahas asaj të zakonshmes politike? Unë mendoj se padyshim që për demokracitë kjo sfidë edhe pse nuk duket institucionalisht - ajo është. E me sa duket kjo lloj sfide është dhe ajo që shumë njerëz e quajnë dhe "konspiracionin" e kohëve moderne. Do ta ndryshojë demokracinë kjo sfidë? A do ta cenojë lirinë kjo sfidë? Kjo është për t’u parë, për t’u përballur dhe pse ka brenda njëmijë e një anë të errëta dhe të paqarta, si pikëpyetje social politike. Akoma më keq kur ka dhe pasoja dhe ndryshim të paqartë ekonomik. Te ne sigurisht merren me gjëra të "tyre" ngushtësisht të politikës së vogël dhe personale, por kudo në botën e qytetëruar kjo përballje është tashmë në fokusin e ditës dhe padyshim të elitokracive, kancelarive dhe politikës së lartë si një kohë që kërkon zgjidhje të shpejtë për të mos rënë në grackën e një krize pa fund, që sjell destabilitet të madh botëror. E vetmja gjë e rëndësishme që mund të them është se: demokracia që 25 shekuj më përpara ose në kohë të Athinës, nuk mund dhe nuk duhet të pranojë zëvendësimin e demokracisë me pandemikraci-në!