Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

De-Heroizmi ose Shqipëria përballë humbjes se Identitetit Kombëtar

Postuar: 24/08/2019 - 07:49

Një fushatë malinje dhe ç’kombëtarizuese po vazhdon prej kohësh me ulje ngritjet e saj nga individë dhe grupe të ndryshme të cilët në mënyrë të vazhdueshme dhe me qëllim acarojnë dhe disinformojnë shoqërinë shqiptare, atë të Kosovës dhe Diasporës. Po përse periudha e post diktaturës dhe e tranzicionit, krahas problemeve të ashpra politike dhe ekonomike, po vazhdon nën justifikimin e `çmitizimeve` dhe të ashtuquajturës së `nxjerrjes të së vërtetës` edhe sulmin kundër heronjve të Shqipërisë për ti shkurorëzuar e për të kurorëzuar individë të tjerë me të kaluar të dyshimtë apo pa asnjë motiv apo veprimtari pro atdheut? Gjithçka filloi pas shembjes së komunizmit dhe ideja e fillimit nga zero e çdo gjëje, kapi jo vetëm politikanët e rinj (të asaj kohe dhe çuditërisht të gjithë 173 personat ishin ose ish drejtues komunistë apo ish sigurimsa e ish spiunë) të miratuar nga Ramiz Alia për të drejtuar ndryshimin e Shqipërisë drejt kapitalizmit.

Ndryshimet filluan me idenë e zerimit (bërjes `0` të çdo gjëje, sepse Perëndimi do të na japë Çekun e Bardhë). Zerifikimi vazhdoi përveç politikës edhe në ekonomi, financë dhe vazhdoi edhe problemet sociale etj. Natyrshëm ndryshimet duhej të bëheshin, por radikalizmi i ndryshimeve u bë me qëllim që të mbuloheshin apo kamufloheshin e kaluara e atyre që bënë ndryshimet, si dhe kamuflimin dhe mbulimin e ndërhyrjes së huaj për ta mbajtur Shqipërinë e destabilizuar dhe të përçarë. Këto sulme të harresës dhe nënvlerësimit, u nisën nga përpjekjet për të prishur gjuhën standarde, të miratuar nga Kongresi i vitit 1972 ku morën pjesë 102 gjuhëtarë nga Shqipëria dhe trojet shqiptare e diaspora. Lufta u iniciua nga Arshi Pipa në fillim dhe më vonë nga plot individë, kryesisht persona të cilat kanë vuajtur nga diktatura dhe krahas shembjes së komunizmit kërkojnë shembjen e çdo gjëje që u krijua në atë kohë duke harruar se çdo gjë e mirë e krijuar në kohën e diktaturës ka pasur vulën e profesionistëve dhe popullit punëtor të asaj kohe. Sot ky sulm shumë vjeçar plot urrejtje krahinore ka dështuar, megjithëse rreziku mbetet nëse disa drejtues të Kosovës që kërkojnë një identitet të ri Kosovar dhe do të vazhdojnë konfliktin absurd që i shërben vetëm fqinjëve për të mbajtur një Shqipëri, Kosovë dhe faktorin shqiptar të dobët e të përçarë etnikisht dhe nga ana religjioze. Sulmi i dytë i harresës dhe i nënvlerësimit, u krye me pretekstin e çmitizimit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, dhe ky sulm erdhi pikërisht pas vendosjes së bustit të Heroit Kombëtar në Prishtinë, i cili vazhdoi me heqjen e bustit të Heroit Kombëtar nga zyra e kryeministrit Nano dhe Berisha të asaj kohe kur erdhi dy herë për vizitë Erdogani (në atë kohë Kryeministër), por dhe nga disa intelektuale që vuajtën burgjet e diktaturës si Lubonja i marrë etj. Ngatërresa erdhi edhe nga botimi i Historisë së Skënderbeut nga austriaku Shcmitt, i cili nuk bëri gjë tjetër veçse kopjoi Historinë e Barletit, dhe doktoraturën e shkëlqyer të Nolit të Historisë së Skënderbeut, duke i dhënë shkas anti-shqiptarëve dhe radikalistëve islamikë shqipfolës, të ofendonin dhe të deformonin historinë e Heroit Kombëtar. Sulmi tretë dhe po aq i shëmtuar i harresës dhe i nënvlerësimit, u nis dhe po vazhdon për të nihilizuar dhe harruar rilindësit e Shqipërisë, ata të cilët krijuan parakushtet dhe ngritën ndjenjën kombëtare shqiptare duke larguar mjegullën anti kombëtare të përhapur në trojet shqiptare të Perandorisë Osmane, se shqiptarët nuk janë turq dhe grekë dhe as latinë sipas përkatësisë fetare, por shqiptarë. Këtu rol të lavdishëm si Rilindas, e kanë vëllezërit Frashëri dhe kryesisht intelektualët ortodoksë e katolikë si dhe myslimanë të asaj kohe, Naim Frashëri, Jeronim de Rada, Zef Skiroi, Anton Zako Cajupi, Gavril Dara i Riu, Ndre Mjeda, Asdreni, Naum Veqilharxhi, Jeronim De Rada, Konstandin Kristoforidhi dhe Zef Jubani, Pashko Vasa, Hasan Tahsini, Babë Dudë Karbunara, Josif Bageri, Bajo Topulli, Çerçiz Topulli, Dhimitër Ilo, Mihal Grameno, Grigor Cilka, Gjerasim Qiriazi, Gjergj Qiriazi, Gjok Shqiptari, Halit bej Bërzeshta, Hasan Qinami, Dervish Hima, Koto Hoxhi, Ismail Qemali, Jani Vreto, Jovan Kosturi, Shahin Kolonja, Faik Konica, Kristo Meksi, Kristo Qiriazi, Loni Logori, Petro Nini Luarasi, Llambi Goxhomani, Milo Duçi, Kristo Negovani, Ndoc Nikaj, Nuri Sojliu, Pandeli Sotiri, Parashqevi Qiriazi, Dhori Qiriazi, Jeronim de Rada, Risto Siliqi, Sali Butka, Selam Musai, Zef Serembe, Sevasti Qiriazi-Dako, Smajl Martini Ivezaj, Spiro Kosturi, Filip Shiroka, Tef Curani, Mihal Turtulli, Pashko Vasa, Naum Veqilharxhi, Zyhdi Ohri, Spiridon ilo (https://sq. wikipedia. org/wiki/Kategoria:Rilindas_shqiptar%C3%AB). Dhe së bashku me ta pak më të vonshëm, pasi u formua Shqipëria, edhe Fan Noli i madh, Luigj Gurakuqi, z. Bumçi, Bajram Curri, Avni Rustemi e plot të tjerë. Të gjithë këta rilindës të shkëlqyer i janë nënshtruar sot një harrese të qëllimtë, e cila i shërben në fakt vetëm anti-shqiptarëve dhe radikalistëve islamikë, të cilët po përpiqen të paraqesin Shqipërinë si një vend islamik dhe jo europian. Sigurisht këtu luajnë rol politikat ekstremiste dhe djallëzore të fqinjëve të cilët kërkojnë nëpërmjet nënvlerësimit dhe harresës të heronjve shqiptarë duke mos kujtuar veprën e tyre, por duke nxitur që të kujtohen pseudo-heronj, që shumë mirë u përshtatet Himni Kombëtar kur flet për tradhtarët, dhe që tregon se problem i tradhtisë në Shqipëri është një fenomen shumë shqetësues që pasi u krijua Shqipëria, ndoshta dhe më përpara. Sulmi i katërt i harresës dhe nënvlerësimit, është drejtuar kundër heronjve të Luftës Nacional –Çlirimtare, luftë e cila u drejtua nga Fronti Nacional Çlirimtar dhe me një ushtri partizane të drejtuar nga një patriot (dhe aspak komunist) si Spiro Moisiu dhe në bashkëpunim me Aleatët e mëdhenj SHBA-Angli-BRSS. Duke u përpjekur të deheroizojnë Heronjtë e Luftës Nacional- Çlirimtare të cilët ishin patriotë të vërtetë se luftuan kundër pushtuesve nazi-fashistë, disa individë po përpiqen dhe ja kanë arritur qëllimit që disa nga kolaboracionistët me pushtuesit të na i servirin si heronj. Kjo gjë nuk ka ndodhur në asnjë vend të Evropës Perëndimore, qeveritë përkatëse të tyre i kanë dënuar tradhtarët dhe kuislingët me ligj të cilat nuk i kanë abroguar. Disa pseudohistorianë, ndoshta për të treguar se dinë shumë, disa të paguar nga jashtë, dhe disa për tu hakmarrë nëpërmjet institucioneve të ngritura të pas diktaturës, janë duke shpërdoruar postet e tyre dhe mediat për të paraqitur luftën si luftë civile dhe së dyti duke bashkuar historinë e Luftës Nacional Çlirimtare me vendosjen e diktaturës komuniste. Në fakt Lufta Nacional Çlirimtare përfundoi me 29 nëntor 1944, kurse diktatura u vendos më 1946 kur u bë e ditur emri i Enver Hoxhës si Kryetar Shteti, pas vrasje së deputetëve. Harresa ndaj heronjve të luftës dhe zerimi i ngjarjeve, çon ujë në mullirin antishqiptar, dhe shtrembëron historinë. Së fundmi është përplasja e heronjve fetarë e cila nihilizon heronjtë e secilës palë duke e lënë Shqipërinë pa histori dhe pa identitet. Është e vërtetë ideja e Pashko Vasës se ‘Feja e shqiptarit është shqiptaria’, por eksperienca 500 vjeçare e sundimit Osman, traditat e reja të krijuara pas instalimit të fesë së respektuar islame në vendin tonë, qoftë në popullatën arbërore-epirote qoftë në atë të ardhur, shkaktuan një problem të madh dhe shqetësues në Shqipëri dhe trojet shqiptare ndër vite, e cila u lehtësua sado pak nga vetë popullata shqiptare nëpërmjet tolerancës fetare dhe bashkëjetesës së shkëlqyer fetare që ekziston sot. Sidoqoftë radikalizmi kryesisht islamik në trojet shqiptare, kryesisht në Kosovë e më pak në Shqipëri, politika Erdoganiste e ekspansionit turk në Ballkan po përpiqet të prishë ekuilibrin social dhe fetar, por vetëm arsimimi i popullatës dhe çrrënjosja e varfërisë mund ta mposhtë këtë të keqe, sepse ndryshe themelet kombëtare të krijuara nëpërmjet binomit Fe+ Atdhe (në të cilën elementi Fe në Shqipëri nuk ekziston sepse është polimorf) do të shkatërronin shtetin shqiptar dhe atë kosovar. Këto pesë elementë që po dëmtojnë rëndë Shqipërinë, të cilat nxiten nga përplasja politike 30 vjeçare, duhet të mbahen nën kontroll, ndryshe pas disa dhjetëra vitesh Shqipëria nuk do të ketë më histori, por do të mbetet ashtu si deklaroi në 1878 në Kongresin e Berlinit, Bismark se `Shqipëria është një shprehje gjeografike`……

Nga Pirro Prifti

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/11/2019 - 19:17

Dita e sotme si një ditë përkujtimore për çlirimin e kryeqytetit nga formacionet partizane u festua nga të gjitha palët e politikës si një ditë e veçantë për kontributin e shqiptarëve në a

Postuar: 17/11/2019 - 07:47

“Nga të gjitha fatkeqësitë që mund ta gjejnë një Komb, asgjë nuk është më tragjike dhe me k

Postuar: 17/11/2019 - 07:45

Për mendimin tonë, për politikën shqiptare në përgjithësi, sindroma e mosrespektimit të të rinjve

Postuar: 17/11/2019 - 07:44

Jam një nga tre milionë shqiptarët që jetoj në Shqipëri.

Postuar: 17/11/2019 - 07:42

Një njeri kërkon të marrë një për qind të produktit tonë të përgjithshëm të Shqipërisë.

Postuar: 16/11/2019 - 20:43

Reforma në Drejtësi përpos çlirimit të drejtësisë nga turlilloj injorantësh, hajdutësh, sharlatan

Postuar: 16/11/2019 - 07:21

Është një ulërimë e madhe, është një gjëmë pa përmasa, është një apokalips dhe përmbysje rrënjëso