BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Debat në strukturat italiane për Luftën e Vlorës të vitit 1920

Debat në strukturat italiane për Luftën e Vlorës të

Kanë kaluar plot 100 vjet nga Lufta e Vlorës e vitit 1920. Lufta pati rëndësi të veçantë për ruajtjen e pavarësisë të Atdheut dhe ecurinë e mëtejshme të tij.

Shqipëria e vendosur në pozicionin kyç e shtrirë në brigjet lindore të Adriatikut, e ndodhur afër Italisë, e në kryqëzimin e rrugëve midis Lindjes dhe Perëndimit, lejonte të ndërmerreshin operacione ushtarake në të dy krahët. Këto vlera strategjike që paraqiste Shqipëria përbënin faktorët themelorë të vëmendjes e të synimeve të udhëheqjes politiko-ushtarake të Italisë ndaj Shqipërisë.

Interesat e shtetit italian për Shqipërinë e sidomos për Vlorën ishin të hershme, qysh 3-4 dekadat e fundit të shek. XIX. Ato u shfaqën më qartë në fillim të shek. XX, kur po dukej çarja e Perandorisë Osmane dhe u thelluan me fillimet e Luftës së Parë Botërore, kur dukej se po krijoheshin mundësi praktike për arritjen e këtyre objektivave.

Sipas trajtesës që parashtrohet në librin e Zyrës së Historisë të Shtabit Madhor të ushtrisë italiane, rezulton se zbarkimi i trupave italiane në Vlorë në fillimet e Luftës së Parë Botërore ka shkaktuar debate ndërmjet ushtarakëve dhe personaliteteve të Ministrisë së Jashtme, nisur nga vlerësime të ndryshme strategjike. Gjenerali Kodovra, Shef i Shtabit Madhor mbështetur kryesisht në vlerësimet strategjike, dërgimin e trupave e quante një ndërmarrje të rrezikshme e me pasoja shkatërrimtare. Kjo për arsye të terrenit të vështirë dhe të përvojës e mjeshtërisë të shqiptarëve në luftën guerile. Populli shqiptar, theksonte Kodovra, është luftëtar dhe mjeshtër në luftën guerile. Vlora ishte patjetër në vëmendjen e të dy palëve, por për gjeneralin Kodovra mjaftonte të mbahej gjiri i Vlorës, detyrë kjo që mund të kryhej me anën e flotës e të aviacionit dhe të lehtësohej edhe nga zotërimi i ishullit të Sazanit. Përkundrazi në qëndrimin e ministrit të Jashtëm, Sonino, mbizotëronin kryesisht vlerësimet politike.

Zotërimi i Vlorës dhe i krahinës së saj, veçse si një bazë e rëndësishme strategjike, sipas ministrit të Jashtëm, krijonte terrenin e përshtatshëm për arritjen e protektoratit të Shqipërisë si një objektiv i rëndësishëm i politikës italiane.

Ndërkaq gjeneral Kodovra këmbëngul në bindjen e tij se ekspedita e Shqipërisë përbënte një defekt të qartë në konceptin e drejtimit ushtarak, si dhe fillimin e aventurës shqiptare. Qëllimi politik shpjegon gjenerali, që të vihet në jetë është i varur nga mundësitë ushtarake. Direktivat politike duhet të jenë të tilla që të mund të zbatohen ushtarakisht, ato duhet të jenë në përpjesëtim të drejtë me mjetet. Rrjedha e ngjarjeve dhe disfata e italianëve në Vlorë ishin një provë e pikëpamjeve të Kodovës.

Sigurisht gjatë Luftës së Parë Botërore dhe me mbarimin e saj, shteti italian bëri përpjekje të shumta në rrugën diplomatike, duke përdorur forma nga më të ndryshmet për të arritur objektivat e tij. Situatë e favorshme dukej se po krijohej me miratimin më 9 dhjetor 1919 nga përfaqësuesit e Anglisë, Francës dhe të SHBA të një memorandumi, sipas të cilit i njihej qeverisë italiane sovraniteti i plotë mbi Vlorën dhe krahinat e saj, si dhe mandati mbi shtetin shqiptar të cunguar.

Por entuziazmi për këtë fitore nuk zgjati shumë. Dy muaj më vonë, presidenti Uillson i nervozuar nga ky amendament, i dërgoi një notë Londrës në të cilën, protestonte ndaj këtij copëtimi të ri të Shqipërisë që bëhej pa dijeninë dhe miratimin e qeverisë amerikane dhe në kundërshtim me protestat energjike të popullit shqiptar. Kjo ndërhyrje e vendosur e presidentit Uillson, ndikoi pozitivisht në zgjidhjen e problemit të kufijve të shtetit shqiptar.

Me dështimin e rrugëve diplomatike, Ministria e Jashtme italiane, duke u mbështetur në vlerat dhe dobinë e Vlorës, mbajti një qëndrim qartësisht të vendosur për pushtimin e saj nëpërmjet luftës së armatosur, pavarësisht nga vështirësitë. Ndërkohë, fillimi i luftës e vuri shtetin italian përballë situatash të paparashikuara. Plani i kryengritjes për fazën e parë të luftës u hartua nga komisioni ushtarak, organ pranë Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”, i përbërë kryesisht nga oficerë shqiptarë që kishin mbaruar Akademitë Ushtarake. Në hartimin e planit, komisioni ushtarak mbante parasysh se lufta do të zhvillohej nga një ushtri kryengritëse e organizuar me shpejtësi, e armatosur keq, por me moral të lartë dhe e vendosur ta çonte deri në fund misionin e saj, lufta zhvillohej kundër një armiku të fuqishëm, të organizuar e të përgatitur ushtarakisht, të armatosur me teknikën luftarake më moderne të kohës. Komisioni ushtarak mbante parasysh gjithashtu se gjendja morale e ushtrisë italiane ishte e dobët, e se do të luftonte në një vend të huaj, në një territor të ashpër malor e pjesërisht kodrinor. Mbrojtja e armikut, edhe pse ishte e fortifikuar, ajo mbështetej në garnizone që lejonte boshllëqe e hapësira të theksuara midis tyre.

Duke vlerësuar drejt tërësitë e këtyre kushteve, në themel të Luftës së Vlorës ishte lufta e shpejtë, sulmuese, që do të zhvillohej brenda një kohe të shkurtër e me karakter vendimtar.

Efektshmëria e këtij plani u vlerësua gjerësisht, madje edhe nga autorë të huaj, studiuesi italian Beneditto Caganilia, në vlerësimin e tij për planin shkruan “...ky plan revolucionar (kryengritës) në pamjen e tij paraqet kriterin më të mirë taktik të momentit”.

Natën e 5 qershorit forcat kryengritëse kaluan në sulm të menjëhershëm e të befasishëm kundër garnizoneve italiane të shpërndara në trekëndëshin Llogora-Drashovicë-Tepelenë. Luftimet kundër garnizoneve të armikut u zhvilluan me një teknikë tepër primitive. Forcat kryengritëse shfrytëzuan me mjeshtëri terrenin dhe sulmuan natën, pozicionet e nisjes u zgjodhën në lartësi dominuese, sulmi natën ndikoi në rritjen e befasisë së goditjes edhe në kushte kur forcat italiane ishin vënë në gatishmëri luftarake.

Ndryshe nga dinamizmi dhe shpirti i lartë sulmues që karakterizonte veprimet luftarake të forcave kryengritëse, taktika mbrojtëse e italianëve u karakterizua nga pasiviteti i theksuar. Garnizonet italiane që ndodheshin jashtë Vlorës, nuk bënë asnjë përpjekje për të vendosur bashkëveprimin midis tyre. Po kështu, komanda e trupave italiane në Vlorë, u paralizua nga forca goditëse e trupave kryengritëse.

Sulmi i menjëhershëm dhe i befasishëm i forcave kryengritëse ishte një sukses i vërtetë. Në mëngjesin e 7 qershorit ishin shkatërruar të gjitha garnizonet italiane jashtë Vlorës, me përjashtim të garnizonit të Tepelenës. Pas humbjeve të shumta që pësuan forcat italiane u mbyllën në Vlorë. Humbjet arrinin deri mbi 200 të vrarë, rreth 1.500 robër, si dhe u zunë sasi të mëdha materiali luftarak. Këto suksese e detyruan opinionin botëror ta shikojë me respekt luftën e popullit shqiptar. Nga forcat kryengritëse pati vetëm 20 të vrarë dhe mbi 30 të plagosur.

Mbështetur në rezultatet e arritura, forcat kryengritëse mbyllën perimetrin e rrethimit përqark Vlorës dhe përgatiteshin për të kaluar më 11 qershor në mësymje të përgjithshme. Ndërkohë qeveria italiane, duke e vlerësuar Vlorën si një objekt me rëndësi të madhe strategjike, insistoi për mbajtjen me çdo kusht të saj, qoftë edhe vetëm të qytetit me bazën e saj detare, Pashalimanin. Në telegramin që ministri i Jashtëm i Italisë, Sfroza i dërgoi më 12 qershor Komisionit të Lartë italian në Shqipëri, E. Kustoldit, thuhet: “Ju e dini mirë pikëpamjen e qeverisë (italiane) rreth Vlorës, kjo bazë detare përbën interesin tonë themelor në Adriatik, prandaj kësaj duhet t’i nënshtrohet politika shqiptare jona dhe jo anasjelltas”. Mbajtja e Vlorës i jepte mundësi shtetit italian ta përdorte “si një mbështetje ku të ngrinte njërën nga kulmet e portës së Otrantos dhe në të ardhmen të vazhdonte përpjekjet për të arritur protektoratin e vendit. Pra çlirimi i Vlorës si qëllimi final i kryengritjes së armatosur ishte kusht i domosdoshëm për të siguruar pavarësinë e vendit.

Kujdes të veçantë i kushtoi komanda italiane fuqizimit të mëtejshëm të mbrojtjes së Vlorës. U intensifikuan punimet mbrojtëse rreth qytetit. Po mbylleshin të gjitha drejtimet me pengesa prej telash me gjemba e mina, ndërtoheshin fortifikata të reja për vendosjen e artilerisë dhe të mitralozave. Në ullishtet e Vlorës u vendosën autoblinda në prita të maskuara. Po kështu, më 11 qershor zbarkuan me shpejtësi nga Italia reparte arditësh, përforcime me municione, armatime, autoblinda etj.

Plani i mësymjes së përgjithshme të datës 11 qershor parashikonte zhvillimin e saj në mënyrë koncentrike nga tre drejtime, me qëllim që të shpërthehej mbrojtja e fortifikuar e armikut, të copëtoheshin forcat e tij, të kapej vargu i kodrave që sundonte Vlorën dhe veriu, lindja e juglindja dhe nga pozita dominuese të vijohej mësymja e vrullshme në drejtim të qytetit. Në 11 qershor forcat kryengritëse kaluan në mësymje të menjëhershme gjatë gjithë perimetrit të rrethimit. Duke patur nismën taktike në duart e tyre e nëpërmjet manovrimesh, përparonin vazhdimisht. Gjatë dy ditë luftimesh të ashpra, të gjitha grupimet mundën të zënë pozicione të përshtatshme, ndërsa një grup luftëtarësh të kryesuar nga Selam Musai mbërritën rreth 100 m afër shtëpive të para të qytetit. Ndërkohë filluan nga veprimet luftarake edhe qytetarë të Vlorës, të cilët me goditje pas shpine shkaktuan çrregullime e panik në forcat italiane.

Sulmi i përgjithshëm i 11 qershorit, megjithëse nuk çoi në çlirimin e Vlorës, përbën në tërësi një fitore të rëndësishme për forcat kryengritëse. Sulmi tregoi se edhe në kushtet e një lufte frontale, forcat kryengritëse i kishin të gjitha mundësitë të shpërthenin mbrojtjen e fortifikuar të armikut. Arritja e objektivit kryesor strategjik u pengua vetëm nga epërsia e theksuar e armikut në forca e sidomos në teknikë luftarake... (Vijon)