BREAKING NEWS

“Lamtumirë Komandanti i QBO”/ Ndahet papritur nga jeta koloneli i njohur, Petro Koçi jep lajmin e hidhur: Parajsa u takon burrave si ti!

“Lamtumirë Komandanti i QBO”/ Ndahet papritur nga jeta koloneli
x

Opinion / Editorial

Decentralizimi politik, më shumë vendimmarrje për elektoratin

Decentralizimi politik, më shumë vendimmarrje për elektoratin

Decentralizimi politik u jep qytetarëve apo përfaqësuesve të tyre të zgjedhur më shumë pushtet në vendimmarrje gjë që në llojin e propozuar të organizimit mungon sepse pjesëmarrja e qytetarit është eliminuar dhe se nuk ka përfaqësues të tij, por përfaqësues të emëruar nga lart. Decentralizimi politik është shpesh i shoqëruar me politika pluraliste dhe qeveri përfaqësuese gjë qe në fakt nuk ekziston në pilot-projekte e kjo dëmton parimin e subsisdiaritetit sepse krijohet hendek në mes të përfaqësuesit dhe të përfaqësuarit. Në formën e decentralizimit mungojnë elementët thelbësorë sepse decentralizimi politik përkrah demokracinë duke i dhënë qytetarëve apo përfaqësuesve të tyre më shumë influencë në formulimin dhe implementimin e politikave, për shkak të limitimit ekstrem të mundësisë së formulimit apo të implementimit të politikave sidomos zhvillimore për shkak të vartësisë ekonomike nuk mund të arrijë në konkluzione pozitive të strategjisë së zgjedhur. Decentralizimi politik kërkon reforma kushtetuese dhe statusore, këto reforma nuk kane ndodhur dhe mund të thuhet se ka një dozë të madhe të veprimit antikushtetues dhe antiligjor në krijimin e pilot-komunave të cilat nuk janë të përfshira në sistemin kushtetues. Decentralizimi politik inkurajon grupet etnike dhe grupet e interesit për integrim duke mundësuar ruajtjen e identitetit. Mirëpo problemi lind të konfuzioni që ndodh në formën e delegimit, e cila është direkt nga niveli qendror duke përjashtuar nivelin lokal, mungesa e ndërvarësisë ndër-komunale është element që i ndryshon karakterin e formës së subsidiaritetit, i cili nuk jep mundësi të analizimit dhe të shqyrtimit konkret të situatës. Përgjegjësia fiskale është themelore në decentralizim, nëse qeveritë lokale dhe organizatat private janë qe të marrin përsipër në mënyrë efektive funksione, ato duhet të kenë nivel adekuat të të hyrave të vetërealizuara apo të transferuara nga qeveria qendrore. Decentralizimi fiskal mund te ketë shumë forma, duke përfshirë vetëfinancimin, bashkëfinancimin, bërjen e të hyrave lokale nëpërmjet pronës apo tatimeve, autorizimi i marrjes së huave dhe mobilizimin e burimeve kombëtare apo lokale nëpërmjet kredive garantuese. Në këto pilot komuna mund të shihet se problematika do të jetë e madhe sepse burimi i vetëm i qëndrueshëm i të hyrave është transferimi i mjeteve financiare nga buxheti qendror, kjo lloj situate do të krijojë komuna anemike dhe më vartësi të lartë ekonomike dhe si pasojë edhe më vartësi politike. Mungesa e një skeme të qeverisjes bën që të kemi konfuzion në aspektin e qartësisë së niveleve të qeverisjes, sepse në mungesë të strategjisë së qartë të decentralizimit nuk mund të konkludohet se cilat janë nivelet. Dhe decentralizimi vertikal që propozohet nuk plotëson kushtet e një qëndrueshmërie afatgjatë për shkak të mungesës së resurseve të nevojshme, për nga forma e jashtme duket se ngjan më shumë në decentralizim horizontal. Duket se një pjesë e shërbimeve për të qenë sa me afër qytetarit delegohen në njësitë e reja të krijuara, por për të pasur këtë lloj të decentralizimit duhet të bëhet e qartë që në fillim se përgjegjësia hierarkike është në komunën ame dhe se mbulesa e deficitit ekonomik apo inkurajimi i investimeve publike do të bëhet nga po kjo komunë. Jo gjithmonë decentralizimi është efikas, në mënyrë të veçantë për shërbimet e standardizuara, mund të rezultojë më rritje të shpenzimeve ekonomike dhe humbje të kontrollit të burimeve financiare nga qeveria qendrore, kapacitete të dobëta teknike. Në nivelin lokal mund të rezultojë më efektivitet më të ulët në disa zona të vendit më burime më të pakta financiare dhe bën shpërndarjen e barabartë të burimeve më të vështirë. Decentralizimi mundet ndonjëherë të bëjë koordinimin e politikave kombëtare më komplekse dhe mund të lejojë që funksionet të merren nga elita lokale. Në shumicën e vendeve balanca e duhur e centralizmit dhe e decentralizimit është esenciale për funksionimin efektiv të qeverisjes. Në rastet kur qeveritë kombëtare decentralizojnë përgjegjësitë ato shpesh mbajnë politikat e rëndësishme dhe rol të mbikëqyrjes. Suksesi i decentralizimit zakonisht varet nga trajnimet që bëhen për zyrtarët në nivel kombëtar dhe në nivel lokal. Ndihma teknike është shumë e nevojshme për qeveritë lokale, ndërmarrjet private dhe grupeve jo qeveritare lokale në planifikim, financim dhe menaxhim të funksioneve të decentralizuara. Ky konfuzion i krijuar në kuadër të skemës qeverisëse të organeve, të cilat e rrisin konfuzionin më një dozë të lartë jep premisa për të besuar së skema e qeverisë është e pabalancuar dhe e pastudiuar në detaje, për rrjedhojë krijohen situata ku njësitë komunale të propozuara në pilotprojekte, shumica e të cilave nuk do të kenë rentabilitet pozitiv ekonomik, mund të nxisin tendenca të frustracioneve kolektive dhe kërkimin e horizonteve të reja me metoda ekstreme. Si hallke lidhëse në mes të komunave dhe të qeverisë qendrore bëjnë që nevojat, kërkesat dhe informacionet që vijnë nga niveli komunal të elaborohen, të organizohen dhe të lobohen në nivelin qendror dhe anasjelltas. Kjo sidomos duke marrë në konsideratë disa specifika karakteristike siç janë mungesa e rrugëve normale të komunikimit ndërinstitucional sidomos në komunat më shumice serbe, të cilat kanë politikë refuzuese ndaj nivelit qendror të qeverisjes dhe nuk janë të përfshira në organizimet apo asociacionet komunale për të lobuar interesat komunale në nivel qendror. Mungesa e një hallke të tillë të organizimit administrativ rajonal do të ndikonte që këto komuna ekzistuese që kanë politika refuzuese ndaj nivelit qendror të qeverisjes të vetizolohen dhe do të kenë mungesë të burimeve financiare dhe politikave zhvillimore. Viktor Hygo kishte thënë se parajsa e të pasurve është ndërtuar me ferrin e të varfërve. Kjo thënie e këtij gjeniu të letrave, është aktuale ende sot.