Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dekomunistizimi nga PD-ja, truk i dalë boje

Postuar: 18/08/2018 - 07:16

PD-ja kërkon ligj për dekomunistizimin. Kjo është kaq bajate dhe e vjetruar sa s’vlen as për të qeshur. Pasi ka konsumuar jo pak pushtet ndër vite, premton antikomunizmin! Në fakt hallin e ka tek shtresa e ish-të përndjekurve që e ka braktisur. Kërkon t’i marrë me të mirë dhe t’u fitojë zemrat. Që t’i bashkohet me gjasë në shesh në shtator për protestat dhe ta votojnë sërish në zgjedhjet e radhës. Më herët janë kujdesur t’i përçajnë në disa shoqata dhe t’i kundërvënë ndaj njëri-tjetrit në çdo mënyrë. Prania e disa dhjetëra veteranëve, nostalgjikëve të cilët dalin herë pas herë në festa përkujtimore me simbolet e komunizmit dhe Enver Hoxhës nuk përligj këtë “aksion të madh”, të PD-së dhe s’mund të kthehet në kauzë. Komunizmi mund të nëmet për shumëçka, por nuk është përgjegjës për korrupsionin galopant dhe krizën e thellë të besimit që na ka kapluar si popull. Nuk mund të fajësohet që jemi të fundit në Evropë dhe Ballkan, që kemi nivelin më të ulët të jetesës dhe s’arrijmë të integrohemi. Të flasësh për dekomunistizim duhet të jesh serioz dhe ta fillosh nga vetja. Sali Berisha (lideri historik) ka qenë komunist fanatik dhe “luftën” ndaj kupolës dhe krimeve të së shkuarës e ka pasur me gjasme. Mjafton të kujtojmë gjyqin farsë të krerëve të nomeklaturës së lartë, për kafe, pula e pilaf. Jo për “genocid”, për “luftë klasash”, për totalitarizëm që na ndau nga bota. Brenda pak viteve shkeli gjithë premtimet, rregullat e lojës demokratike dhe shteti u shndërrua në autarki dhe pushtet absolut i njëshit, ku ligji dhe Kushtetuta nuk kishin asnjë vlerë. Gjëma e parë dhe kryesore ishte ligji 7501 për tokën, që ju mbylli çdo shteg pronarëve të ligjshëm dhe krijoi precedent për mungesë investimesh dhe thithjen e kapitaleve serioze. Toka u parcelizua dhe prodhimi i përgjithshëm bujqësor arriti në minimumet e veta, duke krijuar një ekonomi aspak konkurruese. Gjë që ndihet edhe sot dhe s’ka zot që e ndreq. Kjo dhe shumë marifete me ligje, akte dhe VKM-ra favorizoi politikanët e rinj të shtinin në dorë shumë toka dhe asete publike, mbolli farën e oligarkëve që sot e kemi si zgjedh në qafat tona. Nuk mund të harrohen firmat piramidale që shkaktuan humbjen e pasurisë dhe kursimeve të shqiptarëve, 1997-ta që prishi imazhin e vendit dhe popullit, nuk mund të harrohet as Gërdeci, as të vrarët e 21 janarit! Mjaftojnë këto për t’i dhënë fund retotrikës së “dekomunistizimit”. Në fakt gjetiu qëndron halli: t’i kundërviheni vetingut, të paralelizoni dhe krijoni alibira. Pjesa më e madhe nga detashmenti juaj janë të krimbur në para dhe ashtu si njerëzit e drejtësisë nuk do arrinin të justifikonin as të deklaruarat, se për offshoret duhet një natë dimri t’i listosh. Shqipëria dhe shqiptarët nuk u fukarepsën në një ditë apo në një vit, dhe loja e kungulleshkave që të keqen e sheh vetëm tek kundërshtarët tuaj politikë është shprehje e mungesës së seriozitetit dhe reflektimit. Sheshet tuaja të protestës po zbrazen dita-ditës, jo se njerëzit janë të lumtur, por se nuk mund të rrinë bashkë në një stan ujqërit dhe delet! Thirrjet tuaja, heqja e paraleleve me protestat në Rumani për të rikthyer “pranverën”, demotivojnë çdo lëvizje antiestablishment dhe nxisin eksodin drejt vendeve të tjera të botës. Antikomunizmi juaj është vetëm për konsum, një truk dhe tymnajë që nuk bind më as militantët më të devotshëm.

Nga Luan KURTI

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 12

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/09/2018 - 07:43

Gjurmët e jetës, punës dhe sakrificës së Qazim Demit janë të gdhendura fort në qytetin e Sarandës, ndonëse ai ka lindur në Filat të Çamerisë, një ndër qendrat kryesore patriotike e kulturore të trevave të Jugut.

Postuar: 23/09/2018 - 07:40

 “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa”, tashmë është një ëndërr që për shqiptarët ësht

Postuar: 23/09/2018 - 07:38

Andri, një miku im, gazetar më dha dorën duke më thënë se ndjehesh i keqardhur për mënyrën si kry

Postuar: 23/09/2018 - 07:37

Andri, një miku im, gazetar më dha dorën duke më thënë se ndjehesh i keqardhur për mënyrën si kry

Postuar: 22/09/2018 - 07:24

Pozita dhe lidershipi i saj, akuzon opozitën për pengesë në reformën e drejtësisë dhe sidomos dy

Postuar: 22/09/2018 - 07:22

Para çdo palë zgjedhjeje, në Shqipëri, klasa politike as nuk ia ka idenë te premtimet ndaj zgjedh

Postuar: 22/09/2018 - 07:19

Shoqëria shqiptare ka shprehur vullnetin e saj të bëhet vend demokratik ashtu si vendet e tj