BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Dekorata me lopata

Dekorata me lopata

Vlerësimi për njerëz të shquar në çdo shoqëri njerëzore dhe në çdo sistem është detyrim moral i institucioneve të larta të vendit. Në këto 30 vjet “demokraci” stimujt moralë kanë rrjedhur si shi. Ka qenë një garë presidenciale kush të japë tituj nderi më shumë. Ka pasur dy kategori presidentësh sipas prirjeve partiake. Koha ka treguar se ka pasur presidentë dorështrënguar dhe presidentë dorëlëshuar, ku stimujt për qoka partiake nuk kanë munguar, deri edhe me tituj qesharakë të ekzagjeruar. Presidenti dekoron, por harron, nëse opinioni publik i aprovon ose i refuzon, pavarësisht se kush e dëgjon. Presidentët me prirje të majta apo të djathta kanë harruar betimin në Kushtetutë, se kur kanë pranuar postin e presidentit, janë virgjëruar ndaj përkatësive partiake. Por me ndonjë përjashtim, ata nuk janë shkëputur dot nga trualli partiak nga kanë ardhur. Ky mentalitet provincial i ka kthyer ata në një shërbim banal, duke zbatuar porositë e liderit të tyre politik nga janë propozuar dhe me këto prirje fanatike ka pasur dekorata me lopata si nga e majta dhe e djathta. Kjo maratonë dekorimesh, ka bërë që të mos ketë hierarki vlerash dhe janë përzier bashkë patriotët e çlirimtarët me tradhtarët. Dekoratat marrin vlerë në përmasën e duhur, kur personi që nderohet apo dekorohet, në opinionin publik miratohet. Janë dhënë dekorata që kanë ngjallur reaksion dhe populli bën humor me personazhin e dekoruar dhe me presidentin që e ka lëshuar. Nuk kanë munguar dekoratat për një këngëtar që ka kënduar një këngë dhe kënga sa ka mbaruar së kënduari është shuar nga kujtesa e publikut. Për aktoër që duan të bëjnë humor, por nuk të bëjnë as për të qarë e as për të qeshur, por vetëm për t’u ngërdheshur. Për shkrimtarë e poetë, që krijimtarinë e tyre e lexojnë vetë, se prodhimtaria e tyre është huazuar e manipuluar duke kopjuar, se talenti i tyre ka shteruar.

Në raste evenimentesh, festash, përvjetorësh apo ceremoni të tjera me karakter kombëtar, marrin vlerë dekorime e nderime që bën kreu i shtetit për njerëz me kontribut të veçantë që e dallon nga të tjerët. Dekorimet për heronjtë në luftrat për liri, pavarësi e demokraci, çlirim kombëtar e shoqëror, si dhe për njerëz të shquar në fushën e artit, kulturës dhe shkencës, janë vlera kombëtare që duhet promovuar dhe respektuar në evente historike. Një ngjarje unikale në historinë shekullore të vendit tonë është dhe Lufta e Vlorës e 1920, e cila me të drejtë është quajtur pavarësia e dytë e Shqipërisë. Për nga heroika është e pakrahasueshme me asnjë luftë tjetër, ku një popull i vogël në numër, e i paarmatosur si populli ynë, arriti me heroizmin e tij mitik, të hedhë në det një fuqi të madhe botërore, nga ana njerëzore e materiale, siç ishte Italia fashiste. Me gjithë kushtet e vështira të pandemisë, kremtimi i 100 vjetorit të Luftës së Vlorës, mori vlerësimin që meritonte nga Presidenca, Kuvendi, qeveria dhe pushteti vendor.

Presidenti i Republikës, shkëlqesia e tij Z. Ilir Meta, në 100 vjetorin e kësaj lufte dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” komandantët e çetave të fshatrave, jo vetëm të Labërisë, por edhe të Korçës, Skraparit, Mallakastrës, Elbasanit e Shkodrës, pra të gjithë Shqipërisë. Vlerësimi ishte gjithëpërfshirës, siç e meritonte një ngjarje madhore e popullit tonë. Njëkohësisht, ai dekoroi dhe figura të tjera patriotike me titullin “Nderi i Kombit”. Për këto vlerësime jo vetëm që s’pati kontestime, por veç përgëzime, sepse ishte një vlerësim i munguar për këta komandantë çetash që dhanë jetën në lulen e rinisë, për çlirimin e Shqipërisë. Ata që derdhën gjakun për liri, kanë lavdi dhe ka edhe të tjerë që duhen vlerësuar në të ardhmen. Tituj dhe dekorata janë dhënë dhe në monizëm (me kursim jo si në “demokraci”), për akte heroike dhe patriotike, që shumë veteran sot mbushin gjoksin me dekorata dhe ka shumë pseudodemokratë që i shikojnë me qesëndi. Por veteranët që luftuan për çlirimin e vendit, merrnin dhe shpërblim për aktet e tyre heroike një shumë prej 1000 lekësh (të vjetra, që ishte një shpërblim i kënaqshëm për çmimet e kohës), ndërsa dekoratat sot nuk shoqërohen me asnjë stimul material. Kjo dukuri na kujton aksionet vullnetare të rinisë në ndërtimin e rrugëve, hekurudhave apo plantacioneve gjigante, për ata që dalloheshin në këto vepra madhore stimuloheshin me “S” ( sulmues). Sigurisht që këto vepra nuk ekzistojnë më që t’i shohë rinia e sotme, se barbaria demokratike me teorinë famëkeqe “zero” të Partisë Demokratike, i ka rrafshuar dhe i ka fshirë nga harta e vendit.

Në një drekë që u organizua në fshatin Vajzë të Vlorës pas ceremonisë së kremtimit të 100 vjetorit, aktori i njohur Bujar Asqeriu, “Nderi i Kombit”, i tha Presidentit të Republikës z. Ilir Meta, se këto dekorata duhet të shoqëroheshin dhe me një stimul material, që nuk i kushton gjë buxhetit të shtetit, që të merrnin kuptimin e duhur. Këtë ide aktori Bujar Asqeriu ja linçoi edhe Presidentit të Republikës z. Bamir Topi në 100 vjetorin e Pavarësisë kur dekoroi disa krijues me titullin “Mjeshtër i Madh”. Presidenti Topi e kaloi me humor se: “jemi qeveri në dietë”. Duke e gjykuar objektivisht këtë sugjerim të aktorit të njohur, dekorimet do t’i qëndronin kohës, do merrnin vlerë dhe nuk do jepeshin pa kriter, siç ka ndodhur në shumë raste deri më sot, për qoka partish. Dekorimet pa kriter të krijojnë neveri dhe ngjasojnë me titujt dhe gradat shkencore, që janë marrë në demokraci. Në rast se para 1990 do bëje studime nga 5 vjet për të kaluar nga njëra gradë shkencore te tjetra, pas 1990, gdhiheshe doktor dhe ngryseshe profesor me urdhër të partisë. Shkolla dhe titujt shkencorë degjeneruan dhe shterpëzuan një brez të tërë, që po i jep pasojat negative në çdo sektor të ekonomisë. Në 2009, kur erdhi në pushtet Partia Demokratike, si në të gjitha ministritë, edhe në Ministrinë e Bujqësisë dhe institucioneve përkatëse të saj i hoqi të gjithë drejtorët edhe pse ishin me tituj dhe grada shkencore duke filluar nga profesor, e duke zbritur te më i vogli që ishte doktor shkencash dhe i zëvendësoi me militantë të vet që janë dhe sot drejtorë të qeverisjes Rama. Partia Socialiste nuk u shqetësua për këtë veprim të padrejtë dhe as iu dëgjua zëri i ankesës. Ky veprim antishtet, na detyroi me iniciativën tonë, që 12 drejtorë të grumbulloheshim para Ministrisë së Bujqësisë dhe të djegim titujt dhe gradat shkencore duke mbajtur në dorë teserën e Partisë Demokratike, sepse ajo ishte “grada shkencore” që mund të punësoheshe. Kjo ngjarje pati shumë jehonë, pasi u transmetua nga 13 televizione që i dhanë publicitet dhe qe një lajm sensacional në opinionin e shëndoshë shoqëror, që gjej rastin t’i falënderoj dhe sot ato media. Më shkon mendja që po të më bashkohen disa shokë ka ardhur koha që dhe titujt “Mjeshtër i Madh” e tjerë, t’i djegim para Presidencës, në prani të medias, se si po rrjedhin ngjarjet, një ditë të dekoruarit do jenë në mazhorancë dhe të padekoruarit në minorancë. Dekorime do ketë, por kur jepen me kriter të drejtë për njerëz që e meritojnë, ato të frymëzojnë dhe të motivojnë për t’i nderuar dhe promovuar.