Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Demagogët e opozitës e mprehën shpatën edhe njëherë për situatën

Postuar: 21/04/2019 - 07:44

 Mendonim se slogani komunist “Udhëheqësi e mprehu shpatën edhe njëherë për situatën” kur binte fjala për ashpërsimin e luftës ideologjike, atëherë kur mendonim se ishim aq të fuqishëm sa mund të luftonim kundër dy superfuqive të marra sëbashku dhe mateshim me hijen e mëngjesit ishte arkivuar në sirtarët e sistemit që u përmbys në vitin 1990. Rënia e komunizmit i dogji tërë parullat e mburrjes “Madein Albania”. Po edhe pas tri dekadave, duket se shumë pak ka ndryshuar mentaliteti i politikanëve tanë në ballafaqim me të huajt edhe me ata që prej tri dekadash kanë ndikuar fuqimisht për të forcuar demokracinë e brishtë shqiptare. Edhe pse mijëra herë i kanë falënderuar, duke i ngjitur në piedestal për atë që kanë bërë për vendin tonë nga të gjitha forcat politike në Shqipëri. Po zakoni ynë është të nderojmë sa je në të njejtën gjatësi vale me ne. Sapo ndryshon pak kurs dhe mban qëndrim parimor, nuk bie dakord me veprime që bien ndesh me parimet demokratike, kur largohesh nga institucionet dhe shkel me të dyja këmbët ligjin dhe interesat e vendit, vetëm për të përfituar aksione politike në interes të partisë, siç ka ndodhur në tërë këto vite, menjëherë demonët, demagogët e demokracisë zbresin në shesh betejë të gatshëm të bëjnë pluhur dhe hi çdo arritje dhe kontribut të miqve, duke i shpallur për një sekondë armiq si individë që flasin përçart. T’i emërtojnë të painformuar që nuk e njohin psikologjinë e shqiptarëve që mbrojnë pushtetarët. Dënohen si përfaqësues anemikë, si adoleshentë që vënë në vend të parë stabilitetin dhe jo demokracinë, që mbrojnë me jetë liderët e partive opozitare.

Në këto tri dekada, kemi parë si miqtë shndërrohen në armiq, të shitur, të blerë, të gënjyer, të korruptuar. Vetëm se kanë guxuar të mbajnë qëndrime në emër të demokracisë e ligjit. Liderët e opozitës, një ditë i ngrenë në qiell dhe i paraqesin si perëndi sa zbresin në Rinas, po sapo dëgjojnë një deklaratë ndryshe, u drejtohen “idhujve”, si njerëz që kanë zbritur në këto troje për të shkatërruar demokracinë dhe opozitën. Këtë fat kanë provuar ambasadorët e SHBA-së, shtetit që i ka qëndruar Shqipërisë në krah në tërë historinë e shtetit shqiptar.

Nga ambasadori i parë i 1990-ës, deri tek i zoti Lu, i fundit që u prit si hero dhe u përcoll si armik. U fshi nga tërë konsideratat e Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe nga vetë zonja e Parë, Monika Kryemadhi. E njejta frymë edhe me Zëvendës ambasadoren e sotme, e cila nuk ka qëndruar në breg për të bërë sehir se si një pjesë e politikës është armatosur me armët e urrejtjes kundër tërë proceseve e reformave që zhvillohen në vendin tonë, po ka dhënë gjykimin në emër të shtetit që përfaqëson. I njëjti qëndrim edhe nga ambasadori i BE-së. Edhe atë e kanë rreshtuar në kolonën armike, boshtin e të keqes. Pas zonjës Vlahutin mbi të cilën u derdhën tërë mllefet, iu ngjitën gjithë të këqijat, sikur ajo ishte koka e krimit dhe korrupsionit i erdhi radha të sotmit. Vlahutin u trajtua si një ordinere që kishte zbritur nga malet mes të kulturuarve opozitarë, duke i ngarkuar mëkatin nga vila e blerë me mashtrim në emër të BE-së. Jo vetëm kaq, ajo provoi kauza pakufi mbi shpinë. Të gjitha, se nuk u bë njësh me qëndrimet e opozitës që e gjykon veten shumë më lart se një përfaqësuese e Europës. Iku Vlautin. Erdhi i riu. I njëjti avaz. Edhe më i ashpër, pasi ai mbërriti në një periudhë brex, kur ustallarët e përbaltjes kishin zgjedhur kursin më radikal të historisë tridhjetëvjeçare të politikës tonë.

Ata nuk mund të pranojnë të dëgjojnë argumente, logjikë objektive të paanshme, të pranojnë se pushteti është në rrugën e duhur, se djegia e mandateve nuk është demokraci dhe aksion që duhet përkrahur. Nuk ka vend për t’u mburrur. Aq më pak për ta paraqitur si një risi nga duhet të të mësojnë bota demokratike. Liderët e frontit të bashkuar opozitar nuk mund të falin deklaratat e ambasadorit se opozita duhet të njohi sistemin dhe të kthehet në institucione. Demagogët tanë në opozitë prisnin që veç popullit, tërë faktori ndërkombëtar të pranonte “sakrificën” sublime të PD - LSI së bashku me komandantët pa ushtarë, satelitë të tyre që dalin dhe fryhen sikur të jenë fuqia e këtij vendi që nëse nuk dëgjohen dhe merren seriozisht do bëjnë gjëmën përmes forcës.

Po gjuha e liderëve të opozitës pa përjashtim, atyre që janë në krye të partive opozitare dhe ata që flenë në oborrin e pasëm në pritje për t’u bërë faktor nuk mund të duronin që i dërguari i DASH, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Z. Palmer, të kërkonte kthimin e PD dhe LSI në parlament dhe më e paimagjinueshmja që qeveria është legjitime dhe se me këtë “palo” Kryeministër kanë bashkëpunim të vazhdueshëm dhe rezultativ. Vetëm këtë nuk mund të prisnin ata që i kanë festuar funeralin me qindra herë këtij pushteti dhe kanë organizuar intifada pa fund për ta përmbysur ditën deri në mesnatë me të gjitha armët, deri edhe armë të vërteta luftarake, molotovët e dinamitet. Po rruga e nisur nuk ishte ajo që duhej. “Sakrifica” me braktisje të institucioneve nuk gjeti asnjë mbështetje përkundrazi u shpall si veprim flagrant anti demokracisë. Nuk ka asnjë përfaqësues të shteteve dhe kancelarive vendimmarrëse në politikën europianë dhe botërore, t’u ketë dhënë një fije shprese Lulzimit e Monikës, Gon Dukës e Nard Ndokës, Vangjel Dules, Dash Shehit e Palokës. Përkundrazi qëndrimet e tyre janë dënuar.

Nga ana tjetër, këshillat e atyre që i kanë dhënë shpirtin dhe zemrën demokracisë janë të huaja për liderët e opozitës tonë. Të dëgjohen amerikanët dhe europianët për t’u bërë bashkë për të ardhmen dhe të lihen mënjanë këshilltarët e partive, kjo është vetëvrasje për ata që kanë shaluar kuajt e pushtetit.

Në betejën kundër perëndimit, në bllok, veç analistëve që i këndojnë përçarjes dhe kërkojnë që Shqipëria të digjet si në 1997-ën, duke u bërë jehonë thirrjeve të predikuesit të luftës civile, Sali Berisha, mbështetur pa asnjë rezervë nga Lulzmi dhe Monika dhe ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, në front bashkuar me tërë zërat antiperëndim në një betejë me mullinjtë erës si të ishin Donkishotët e kohëve moderne, i tregojnë vendin Amerikës dhe Europës. Nuk mund të mungonte në tërë këtë front gjuha shpatë e mprehur në kovaçhanat e Shkozetit e Manjanit që godet brinjë më brinjë ambasadat e shteteve perëndimore. Dhe ajo që të çudit më shumë është se mendimi i ri, reformatorët që duan një sistem me demokraci reale, bëjnë fajtor për situatën që vetë e kanë lindur dhe rritur, ata që nuk kanë asnjë përgjegjësi për ato që bën opozita jonë. Dhe në këtë kontekst, pa analizuar fjalimin e Manjanit, mund të themi se është brenda standardit të vet kur bëhet fjalë për faktorë, me të cilët nuk bie dakord me qëndrimet e partisë, të cilës i shërben edhe pse shitet si zë i pavarur dhe i lirë. Realisht është më i varur së tërë të tjerët. Janë të njejtët politikanë kontraversë, të njejtët opinionistë të medias së folur e asaj të shkruar që qëllojnë pa pushim, duke derdhur bojën e zezë mbi tërë ata që duan një Shqipëri stabile të orientuar drejt progresit, të pacënuar nga politikanët që synojnë vetëm pushtetin. Këta demagogë që e mbajnë veten korifej të mendimit perëndimor, janë gati të hedhin në zjarr çdo interes madhor në emër të qëllimit të pushtetit pa votë. Në emër të privilegjeve, kolltuqeve të humbur, janë gati të përdorin jo vetëm shpatat, po edhe tanket, të mbytin demokracinë në hallkën më të pacënueshme, zgjedhjet. Po të kenë mundësi të vënë si vite më parë në funksion edhe avionët për të bombarduar tërë territorin e Shqipërisë, për t’i rrafshuar ata që i mbajnë larg pushtetit. Të ndezin luftën civile. Në këtë betejën për pushtet nuk bëjnë asnjë llogari a ndarje mes miqve dhe armiqve. Përpara pushtetit që synojnë të gjithë janë armiq! Mjafton të mos jenë në korin e tyre, të mos këndojnë këngën e trishtimit, të deklarojnë fundin e regjimit dhe të lartësojnë liderët e denigrimit, shpallen të dënuar me vdekje. Demagogët e përparimit dhe demokracisë janë gati t’i vënë zjarrin, jo vetëm ardhmërisë. Politikanët parimor, shakaxhinjtë e integrimit në emër të demokracisë dhe lirisë, janë gati të varrosin stabilitetin e Shqipërisë!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/05/2019 - 07:23

E kush nuk e njeh në Gjirokastër Eli Aleksin, këtë grua fatkeqe, të verbër, me rrënjë në qytetin e gurtë? Nga një familje e varfër.

Postuar: 23/05/2019 - 07:20

Studentët u turpëruan shumë rëndë me aktin e djeshëm.

Postuar: 23/05/2019 - 07:19

Deputetët, por edhe qeveritarët i kemi të rastësishëm dhe më së shumti të paaftë, sepse kanë ardh

Postuar: 23/05/2019 - 07:17

Dy javë më parë, në deklaratën e tij përmbyllëse, misioni i FMN-së në Shqipëri shprehej: “

Postuar: 22/05/2019 - 07:15

Së fundi nga Brukseli ishte dhe zëri se meqë integrimi në BE është meritë e bazuar në progresin i

Postuar: 22/05/2019 - 07:13

"Akademizmi opinionist" i të djathtës të sotme shqiptare, shkon deri te krahasimi i një

Postuar: 22/05/2019 - 07:12

Nuk e kam fjalën për popullin e lashtë grek, për vitalitetin e tij, që në shekuj, sëbashku e