BREAKING NEWS

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, i dërguari i BE zbardh prapaskenat: Marrëdhëniet u normalizuan pas 20 muajsh, ja për çfarë ramë dakord!

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, i dërguari i BE zbardh
x

Opinion / Editorial

Demokraci apo autokraci?

Demokraci apo autokraci?

(Drejtuar ambasadores së SHBA, zonjës Yuri Kim)

E nderuara zonja ambasadore! Unë, që po ju drejtohem juve me këtë promemorie jam një qytetar i thjeshtë i Republikës së Shqipërisë. Indicie për t'iu drejtuar juve u bënë sjellja, qëndrimet dhe veprimet tuaja ditët e fundit, me artikulimet në mbrojtje të reformës zgjedhore dhe reformës në drejtësi nga lojërat dhe pazaret e politikanëve tanë. Kaq direkt dhe kaq hapur deri tani asnjë diplomat nuk ua ka përplasur në fytyrë këtyre kusarëve politikë. Jo vetëm kaq, por madje kur kanë vrarë i kanë quajtur burra shteti, kur kanë shkaktuar trazira u kanë bërë tolerime gjithmonë siç thonë “në emër të stabilitetit kanë shitur demokraci”.

Me qëndrimin tuaj të drejtpërdrejtë, të qartë e pa asnjë ekuivok duke ua vënë “këmbët në një këpucë", ju u shfaqet si Feniks nga hiri i zhuritur i shpresës sonë të humbur! Ju lumtë ambasadore! Jam i bindur se ky është opinioni i shumicës së shqiptarëve, por... kujdes! Duhet të jeni gjithmonë e kthjellët, zonjë! Pavarësisht se në politikë e në drejtimin e shtetit politikanët tanë kanë mbetur adoleshentë të përjetshëm, në lojëra e pazare për pushtet, pasuri, famë e lavdi janë mjeshtra të vërtetë... nuk njohin limite!

 Filluan me lojërat mbi propozimin tuaj për modelin danez të sistemit zgjedhor. "Nuk ka kohë", "jemi vend sovran", "duhen ndryshime kushtetuese", “e kërkon opozita e vogël”, "duhet ta vendosin dy kokat e partive” etj të këtij lloji, duke na promovuar si arritje të “Këshillit Politik të Ndrikullave", zhvillimin e zgjedhjeve në vjeshtë se gjoja në qershor është vapë!

Zonjë e nderuar!

Besoj se e kuptoni “ndjeshmërinë dhe kujdesin" e politikanëve tanë edhe për gjëra kaq të vogla! Sa shumë mendojnë për ne! Gjumi nuk i zë! Mund të bëhen edhe fli për ne. Për hatrin tonë mund të vjedhin edhe thesarin e shtetit, që të na falin para.

Për hatrin tonë mund të shkelin dhe ligjet për të na shpëtuar nga ligji. Ata na mësojnë se si të bëhemi dëshmitarë të rremë, na mësojnë se kur duhet të flasim e kur duhet të heshtim, na mësojnë se si të gënjejmë e si të mashtrojmë!

Gjithmonë duke menduar për ne, me lakmi e babëzi, arritën për një kohë të shkurtër nga leckamanë, të akumulojnë nëpërmjet kusarisë, krimeve, korrupsionit dhe abuzivizmit, aq pasuri marramendëse sa që do t'ua kishit zili jo vetëm ju me një karrierë të gjatë politike, por edhe shumë biznesmenë të suksesshëm të botës perëndimore, që punojnë një jetë të tërë, por që kanë pas edhe trashëgimi.

Pa hidhuni një sy atyre familjarëve dhe të preferuarve të tyre... Të veshur bukur, me të tëra salltanetet, orë e unaza floriri, syza firmato e kostume, parfume klasi. Megjithë kuptimin e fjalës persona që nga jashtë shkëlqejnë shumë, por nga brenda m... me vulë.

Nuk mjafton kjo, por na bëjnë edhe karshillëk. Hiqen edhe kapadainj. Ecin serbes, serbes, duke hetuar me kujdes hapin ku hedhin, siç bën edhe mushka. Kolliten që të kthejnë kokën e të ndjejnë praninë e tyre. Kur na takojnë, sidomos në fushata zgjedhjesh, ta shtrëngojnë dorën fort, madje edhe të buzëqeshin me përzemërsi, por sa përfundojnë zgjedhjet avazi i vjetër, "ku jemi parë", ta mbyllin edhe celularin pa le të të japin dorën. Dhe kështu do të ndodhë përderisa zgjedhjet do vazhdojnë të bëhen me lista të mbyllura.

Por nuk janë kaq “trimoshë kapadainj". Kanë edhe një dobësi thelbësore, që paraardhësi juaj, miku i shqiptarëve, Donald Lu, e përdori mjeshtërisht. Janë frikacakë të pështirë! Duke ua njohur mëkatet e tyre, të zhytur gjer në grykë, e të trembur nga denoncimi i tyre, ai i mposhti lojërat, kërcënimet e pazaret e tyre për sabotimin e reformës në drejtësi. I vuri në rresht për të votuar ndryshimet kushtetuese me unanimitet të plotë. Nuk kishte rrugë tjetër.

 II

Zonja ambasadore!

Janë të njëjtit politikanë, e njëjta opozitë rrugaçe dhe mazhorancë arrogante që për lojëra e pazare janë të rrezikshëm e nuk të falin. Më falni, por jeni në mes të një loje apo pazari për të mos prishur marrëveshjen e 2008! Kjo është “thembra e Akilit" për vendosjen e demokracisë funksionale. Çdo gjë tjetër e arritur nga “Këshilli i Ndrikullave Politike", nuk ka vlerë. Nga kjo marrëveshje buron autokracia e pushtetit në Shqipëri. E nëse nuk abrogohet do të thotë vuajtje e agoni e popullit shqiptar drejt një vdekjeje të paralajmëruar të demokracisë.

 Janë po të njëjtit, ata të cilët idealet e demokracisë, na i serviren të shkëlqyera për bukurinë dhe harmoninë e tyre dhe që u morën nëpër këmbë nga po këta, të cilët nën trysninë e instiktive ataviste para arsyes e ligjit dhe e leverdive vetjake lakmitare dhe epshore e çuan këtë vend në kaos e degjenerim moral.

Pushtetin, pasurinë, politikën e gjithçka që ekzistonte në Republikën e Shqipërisë, e trajtuan si pronë të vetën, e uzurpuan dhe e privatizuan duke abuzuar me vlerën reale të tyre, nëpërmjet djegieve, shkatërrimeve e falsifikimeve të dokumenteve për tjetërsimin e pronësive në industri, bujqësi, transport rrugor, hekurudhor, detar ajror, në mbrojtje etj.

Shkatërruan gjithë infrastrukturat arsimore - kulturore e shëndetësore të shtrirë në të gjithë Shqipërinë: çerdhe, kopshte, shkolla, universitete e institute, spitale, qendra shëndetësore, teatro, vatra kulture, kinostudio, biblioteka, ansamble folklorike, grupe popullore etj. duke i kthyer nga institucione edukimi e kulture në ngrehina të rrënuara. Një barbari e vërtetë e inspiruar nga këta kusarë biblikë.

Instaluan një sistem drejtësie me gjyqtarë e prokurorë kanibalë, të korruptuar e të pashpirt, një sistem grabitqarësh, pa nder e moral, kusarë dhe vrasës, “bunkerin mbrojtës" të kusarisë dhe makutërisë së tyre. Për të instaluar padrejtësinë. Projektin e kishit gati.

Rekrutuan në sistemin e drejtësisë fshatarë të pagdhendur me një kurs plepash 6 mujor (“plepistët”) krejtësisht të paaftë e për rrjedhojë, servilë, të frikësuar, të përdorshëm me lehtësi. Të tillë u duheshin që vendimet t'i merrnin sa hap e mbyll sytë, me po atë lehtësi që nxirrnin qurrat prej hunde dhe pastaj i fshinin në prapanicat e tyre.

Populli i pa kur u vetuan se çfarë mostrash na bënin drejtësi, të pështirë, qaramanë të paburra, të pshurrur, se të tillë formim kanë. Vulgarë, të pakulturuar, arrogantë, gojëndyrë, imoralë, mendërisht impotentë, intelektualisht në menopauzë e gjenetikisht të paaftë për t'u bërë njerëz. Më afër ujqërve. Grabitqarë, që ushqehen me mish njeriu. Kanibalë të drejtësisë. Kusarinë dhe poshtërsinë e ngritën në sistem. Prandaj reforma në drejtësi duhet të vazhdojë, sado dhimbshme qoftë. Ndëshkimet e paligjshmërisë së gjyqtarëve dhe politikanëve janë prova e zjarrit e kësaj reforme.

 III

Zonjë e nderuar!

A mund t'u besojmë përsëri këtyre “demonëve" të popullit dhe Shqipërisë, që nuk dinë se çdo të thotë “nder", " fisnikëri", "humanizëm", "dhembshuri" dhe” dashuri"? Që kanë humbur çdo sens të së drejtës dhe të padrejtës, urtësinë e kanë identifikuar me aftësinë e të realizuarit të avantazheve të tyre, detyrën me plotësimin e kënaqësive të tyre, madhështinë e kërkojnë në këtë degradim dhe nderin në këtë turp. Pa marrë parasysh as të shenjtën e as profanen. Gjithmonë të gatshëm të sakrifikojnë gjithë popullin e vendin e tyre ndaj idesë së parë që u vjen në mendje për të sunduar e fituar.

Për ne kjo është shumë poshtëruese. Është poshtëruese se për hir të lojërave dhe pazareve të një mazhorance arrogante dhe të një opozitë rrugaçe, ne populli i thjeshtë do të vazhdojmë të trajtohemi si skllevër të lirë e si leckamanë në një autokraci më të sofistikuar, ku protagonistët e saj janë më të kualifikuar e më të korracuar. Ata përsëri do fitojnë e humbësit e mëdhenj do jemi ne, populli që do t'i votojmë me sy mbyllur dhe me lista të mbyllura.

A ka ndonjë vend tjetër në Europë në fazën foshnjore të demokracisë të votojë në këtë mënyrë?A mund të sakrifikohet demokracia përkundrejt dy kryetarëve bandash partiake për të ruajtur e alternuar pushtetin e tyre autokratik? Në një kohë kur gjithandej njerëzit janë të dëshpëruar, të revoltuar e të neveritur. Të revoltuar nga mosndëshkimi i Saliut, të dëshpëruar nga zhgënjimi i Ramës dhe të neveritur nga “heroizmat" e Likes. Dhe në këtë habitat politik të shoqërisë tonë, e vetmja mundësi për t'u argëtuar janë dy personazhet groteske të opozitës rrugore të Lul-Monës dhe të ngjashmëve të tyre në teatrin absurd opozitar që luajnë me regji të të “pandëshkuarit" të madh!

Të dëshpëruar e të pashpresë, pa të ardhme tek demokracia, se kur shtrohet pyetja çfarë të bëjmë, kujt t'ia japim votën, pjesa më e madhe përgjigjet Edi Ramës, si e keqja më e vogël.

Historia jonë ka treguar se një e “keqe e vogël", sjell një të keqe tjetër të madhe, shumë shpejt. Dhe se pandëshkimi na kthen përsëri te krimi". Do vazhdojmë të endemi përsëri pas të “keqes më të vogël" që ne të vuajmë e ata të bëjnë “orgji"?

 A mund të qëndrohet në këtë vend, që është kthyer në një marrëzi që nuk mund të jetohet dot?

Përsëri do t'i kemi zgjedhë në qafë të njëjtit politikanë? Duke ju drejtuar juve unë shpreh besimin në personalitetin tuaj human si grua, si nënë, si politikane se nuk do ta lejoni që populli shqiptar të vazhdojë të votojë ende me lista të mbyllura për hir të lojës e pazarit të dy kryetarëve për të vendosur pushtetin e tyre autokratik. A nuk ka ardhur koha tashmë pas 30 vjetësh për një ndryshim krucial në përmbysjen e këtij realiteti të trishtueshëm?

E kuptojmë edhe shqetësimin e Lulit për zgjedhje të lira e të ndershme, se duke qenë i “ndershëm" vetë ka të “drejtën morale" të kërkojë se nuk ka “vjedhur" e as “manipuluar", përpos një rasti në Bashkinë e Tiranës live me zë e figurë dhe në zgjedhjet partiake për kryetar partie.

Nëse Luli dhe opozita rrugore do vërtet zgjedhje të lira, nëse mendon vërtet për rivendosjen e demokracisë që është përçudnuar, atëherë në atë “Këshillin e Ndrikullave Politike" përse nuk i venë kusht mazhorancës për ndryshimin e sistemit zgjedhor, për prishjen e marrëveshjes së 2008? Le ta abrogojë Luli i pari! A ka kauzë më sublime se kjo për opozitën rrugore? Atëherë pse nuk e bëjnë? Çfarë i mundon? Çfarë i pengon? Asgjë! Kur kanë dashur kanë bërë edhe gjëra më të mëdha në interesin e tyre! Këmbëngulja e dy kryetarëve partiake për mosndryshimin e sistemit zgjedhor është një lojë e tyre, një marrëveshje e heshtur që lidhet direkt me fatin e tyre.

Sepse në atë marrëveshje ata kanë “fronin", “imunitetin", pasurinë, luksokracinë, mbrojtjen nga ndëshkimi. Pa atë marrëveshje ata dalin zbuluar. Pa atë marrëveshje ata nuk i bëjnë dot “zap" deputetët. Me atë marrëveshje popullit i është vjedhur pronësia mbi demokracinë. Kjo pronësi u ka kaluar kryetarëve të dy partive të mëdha.

Zonjë e nderuar Yuri Kim!

E vetmja rrugë për kthimin e kësaj pronësie tek populli është prishja e kësaj marrëveshjeje. Nuk ka rrugë tjetër përpos detyrimit për prishjen e kësaj marrëveshjeje siç bëri paraardhësi juaj me reformën në drejtësi. Detyrojini të pranojnë sistemin danez me lista të hapura. Të jeni e sigurtë se do ta pranojnë se kanë shumë mëkate dhe tremben.

Po në instancë të fundit le të provojnë “dashurinë" e popullit ndaj tyre siç e provoi edhe Ramiz Alia. I pari i vendit, komunisti doli ballë për ballë me një inxhinier dhe humbi. Kjo është demokracia!

Le ta provojnë ballë për ballë, Edi dhe Luli, Damiani dhe Bylykbashi, Taulanti dhe Monika, Spiropali dhe Albana Vokshi e kështu me radhë të gjitha këto figura groteske të politikës se çfarë përkrahje do kenë në popull. Kjo është “arena” e vërtetë e demokracisë. Kjo sjell ndryshimin e madh që do populli dhe jo ajo që duan ata, Edi dhe Luli.

Nëse ata nuk duan dhe nuk i detyron dot se cënohet “sovraniteti" i vendit, atëherë le të bëhet referendum. Populli le të vendosë se kë do: listat e mbyllura apo “ndeshjen" ballë për ballë e të fitojë më i miri.

Preteksti i "kohës" është thjesht lojë. Këtë lojë duhet të zhbëni ju ambasadore, nëse doni të bëni një “sevap" për popullin shqiptar, të shpëtojë nga kjo klasë politike kusare, vrastare e antihumane, të shpëtojë nga këto “shushunja politike”.

Zonja ambasadore e SHBA- së!

Shqipëria ndodhet në udhëkryq - ose do të ndodhë ndryshimi i madh drejt demokracisë, ose do të vazhdojë triumfalisht drejt thellimit të autokracisë!

Këtë dilemë “shekspiriane" për popullin shqiptar juve mund ta zgjidhni. Shumica e popullit shqiptar beson tek ju dhe shpreson shumë. Sepse ju jeni përfaqësuesja e shtetit më demokratik në botë dhe pasardhësja e presidentit Ëilson, i cili e shpëtoi Shqipërinë atëbotë kur ndodhej si tani në udhëkryq, por jo për demokraci, por për copëtimin e Shqipërisë!

Me respekt dhe mirënjohje!

"Dixi et animam meam salvavi” -”Fola dhe shpëtova shpirtin tim"!