Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Demokraci e keqpërdorur

Postuar: 19/06/2019 - 07:23

Ndoshta ne jemi ndër ato vende të pakta që nuk ditëm ta menaxhojmë si duhet demokracinë që e fituam pas aq shumë sakrificash që hoqëm nga monizmi. Tek kemi kaluar një periudhë të stërgjatur tranzicioni, gjithmonë kujtoj fjalët e intelektualit të nderuar, ish deputetit të ndjerë, i cili në një takim që bëri në fshatin tim, kur diktatura ishte në grahmat e fundit dhe më kot mundohej tu rezistonte erërave të reja që po frynin. “Demokracia që po vjen është gjë e bukur - e nisi ai fjalën e tij. Demokraci do të thotë frymëmarrje e lirë në të gjitha drejtimet. Demokraci do të thotë të fitojë ai që e meriton, të vërë pasuri ai që punon, të respektosh tjetrin e të respektohesh prej tij, të bësh punët që dëshiron e të festosh festat që të do shpirti, gjithmonë brenda rregullave të moralit dhe ligjit. Unë dhe askush këtu nga ju nuk duhet ta vërë në dyshim se demokracia do të vijë pa tjetër, por unë hallin e kam a do të jemi në gjendje ne shqiptarët, në kushtet që jemi rritur e kemi mësuar, që ta menaxhojmë si duhet e mos ta shpërdorojmë demokracinë,të mirat dhe bukurinë e saj”. Dhe vërtet ai kishte patur të drejtë. Po mbushen 30 vjet dhe ne e kemi keqpërdorur demokracinë, e kemi shpërdoruar atë në kuptimin më të keq të fjalës. Mu kujtuan fjalët e atij intelektuali edhe sot tek po diskutohej ç’dekretimi që i bëri presidenti 30 qershorit si dita e zgjedhjeve. Edhe kur disa e quajnë të ligjshëm e ca të tjerë të paligjshëm këtë veprim të presidentit. 27 bashki e pranojnë atë dekret pas botimit të tij në fletoren zyrtare dhe 34 të tjera vazhdojnë fushatën për zgjedhje. Në Shkodër filloi incident ii parë midis komisionierëve të emëruar nga KQZ dhe punonjësve të bashkisë urdhëruar nga kryetarja e bashkisë që duan të zbatojnë ç’dekretimin e Presidentit të Republikës. Nga njëra anë KQZ merr vendime në shumicë për vazhdimin e fushatës duke e quajtur 30 qershorin të ligjshëm, kurse nga ana tjetër kryetari i saj braktis mbledhjen se quan të ligjshëm atë që ka vendosur Presidenti! Ka filluar ndarja në dysh, ku koka ikën jashtë se nuk pranon paligjshmërinë, kurse trupi rri brenda se zbaton ligjshmërinë. Gjysma e opinionistëve, analistëve, juristëve e quajnë pavlefshmëri e nul veprimin e Presidentit e vazhdojnë përgatitjet për zgjedhjet e 30 qershorit, kurse gjysma e tjetër e quajnë atë të ligjshëm, madje parashikojnë edhe përplasje civile! Sa qesharake! Sa keq u tallëm me demokracinë! Pse demokraci është kjo, pse kështu do të vazhdojmë të ecim ne, ku njëra përpiqet të ecë përpara e pala tjetër tërheq pas.

E kërkuam me shpirt e ëndrra ndezur demokracinë. Iu trembëm në fillim, mezi e pranuam,pastaj u munduam të tregohemi korrektë me të, bëmë sikur u pajtuam sipas parullës së shefit të madh Berisha që u vu në krye “Opozitarë por vëllezër”. Por pa kaluar mirë as tre a katër vjet e filluam ta mallkojmë.-A, kjo qenka demokracia -tha pjesa më e madhe e popullit, rrëmujë e katrahurë, rrumpallhane!? Atëhere hajde ta luftojmë se ramë nga shiu në breshër. Asnjë dallim nuk paska murtaja e zezë që erdhi, nga kolera e kuqe që iku,-filluan të shprehen disa analistë e pushtetarë nostalgjikë. Kurse poeti që e ndjeu shpirtërisht se ajo që erdhi nuk ishte demokracia që ëndërroi shkroi: ”Nëse demokracia është kjo, më mirë të mos kishte ardhur kurrë!”,konkluzion ky që trë kujton një shprehje të Marksit si përgjigje për ata “filozofë pa tru” që filluan ta shpërdorojnë teorinë e tij e çdo të keqe u munduan t’ia vishnin marksiszmit: Nëse ky është marksizmi,-deklaroi Marksi, atëhere unë nuk jam marksist”. Shqiptarët u ndanë në dy pjesë, ku disa e quanin atë të keqen më të madhe e kërkonin Enverin, kurse të tjerët filluan ta shtrydhin demokracinë e brishtë duke u mbushur xhepat e duke grabitur pronat. Pleqtë dhe një pjesë që ishin mësuar me një jetë ndryshe, e nxorën keqdashjen e tyre duke u shprehur: vetë e deshët, tani ta mbani me shëndet demokracinë! Kurse të rinjtë e quajtën demokracinë “qejf e gallatë”, e filluan të braktisin shkollat, punën e vendin, respektin e rregullat e moralit, ca morën udhët e botës e ca të tjerë e rendën të nxjerrin zinë me dashurinë e lirë, pa kufi, që u solli demokraci. Policët, me 2 mijë lekëshet që u merrnin fakirëve që bënin ndonjë shkelje të vogël të ligjit, blinin fara e i konsumonin ata para vilave luksoze të bosëve apo shefave që “u iknin” kriminelët e hajdutët në drejtim të paditur! Filloi privatizimi ku një pjesë rrëmbente edhe atë që nuk i takonte e pjesa tjetër mbetej me gisht në gojë. E kështu Shqipëria u dyzua, një pjesë që e donte demokracinë për spekulim e mashtrim dhe një pjesë që nuk e kuptonte thelbin e saj e i kundërvihej asaj nga padija. Në vend që të bashkoheshim si gjithë bota rreth demokracisë së vërtetë e ta konsolidonim atë, ne u ndamë në dysh, në të majtë e të djathtë, që e konsideruam njeri -tjetrin armiq të betuar dhe jo kundërshtarë politikë,ndezëm të gjitha sherret e qejfmbetjet, në vend që të shtronim alternativa e meritokracinë konkuruese. Është kjo ndarje e madhe që bën të mundur, që ne jemi i vetmi vend që kemi dy data çlirimi, një të vendosur me ligj dhe një që e përdor opozita sipas interesave të veta, dhe e pranon vetëm si ditë pushimi. Në Shqipëri ka dy organizata veteranësh, njëra që e quan Luftën Nacional Çlirimtare të lavdishme dhe tjetra e quan atë luftë civile. Njëra organizatë veteranësh mbështet të majtën, e tjetra të djathtën, sikur të mos ishte derdhur gjak e sikur lufta të ishte politikë e kënaqësi gjahu. Ne jemi ndoshta i vetmi vend me dy sindikata punëtorësh, që as nuk kanë hallin e punëtorëve, por mbrojnë privilegjet e tyre dhe të shtetarëve, madje dekorojnë me titull nderi antikombëtarin Berisha, i cili i ka shfrytëzuar sa herë iu kanë dashur për interesat e tij popullin dhe sindikatat. Po kështu ne kemi edhe dy shoqata të persekutuarish, dy shoqata invalidësh e dy lloj këshillash studentore! Shpërfillja e meritokracisë dhe militantizmi i verbër, kanë krijuar tek ne edhe dy administrata, njëra brenda shtetit e tjetra jashtë tij. Një administratë është ajo që paguhet rregullisht, e emëruar nga titullarët përkatës gjoja në emër të ligjit, dhe një administratë tjetër që paguhet me vendime gjykate, po në emër të ligjit dhe kjo, sepse i ka hequr nga puna padrejtësisht shteti militant që ka marrë në vend të tyre familjarët e vet. Duke qenë të veçantë në çudirat tona, tani tek ne u krijuan edhe dy opozita. Një opozitë ka marrë rrugët, sipas porosive të Berishës, Lulit dhe Monikës, kurse një opozitë tjetër brenda parlamentit respekton Kushtetutën e lufton për konsolidimin e demokracisë.

Vazhdon gallata me ç’dekretimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti. Shumica e quan antiligjor, pjesa tjetër ligjor, ca kërkojnë të shkarkohet presidenti e ca kërkojnë të vazhdojë se ka të drejtë në veprimet e tij. Vetë presidenti që duhet ta luajë siç duhet rolin e tij, duke spekuluar me faktin se nuk ka Gjykatë Kushtetuese e me zgjatjen e procedurave të tij, nuk e tremb syrin, u bën karshillëk të gjithëve, madje edhe ironizon: Vetë më keni zgjedhur e më keni vlerësuar si presidenti më i mirë!” E kështu jemi bërë një shtëpi e ndarë në dysh, me dy drejtues që nuk duan t’ia dinë për njeri tjetrin, me dy grupe parlamentare opozitare, me një klasë politike që bën dy fushata, njëra pro Kushtetutës e tjetra kundër saj. Fushatë për të shkuar në zgjedhje dhe fushatë për të mos shkuar, madje është krijuar edhe aleanca e pengimit të zgjedhjeve! As nuk është parë dhe as nuk është dëgjuar ndonjëherë një aleancë e tillë të pengojë qytetarin që të mos shprehë vullnetin e tij me votë!

Nuk po flas më për faktin që akoma kemi edhe raste nga dy a tri parti në një familje. “Djali është në punë –u shpreh një pëdëist i thekur, do të shkojë të votojë, se e heqin nga puna, kurse unë vetë jam pensionist e ç’më duhet votimi! “Një ndarje tjetër përsëri kjo edhe brenda në familje. Dhe kështu, të dyzuar, duke qëndruar secili në pozicionet e veta i palëkundur, duke këmbëngulur se secila palë është në të drejtën e saj ligjore e në shërbim të demokracisë, pa u marrë vesh prej tridhjetë vjetësh me njeri- tjetrin pretendojmë të integrohemi në Europë! Marrëzi e madhe! 

Nga Ramazan SHERJA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/07/2019 - 07:20

Voltana Ademi i kërkoi ndihmë disa ambasadorëve të huaj për të hetuar e vendosur drejtësinë në lidhje me votimet e 30 qershorit dhe për vazhdimësinë e mëtejshme ligjore të pushtetit lokal në Shkodër.

Postuar: 23/07/2019 - 07:18

Pasi u dergj rrugëve, mbushi burgjet me huliganët, shkatërroi dhe u shkatërrua vetë, opozita na q

Postuar: 23/07/2019 - 07:16

Propozimi i Presidentit Ilir Meta për zgjedhje të trefishta në 13 tetor është njëherësh edhe para

Postuar: 23/07/2019 - 07:15

Isha i sigurt që Lulzim Basha do të shpikte një marrëzi tjetër që të bënte ballë si reputacionit

Postuar: 21/07/2019 - 07:48

Prej javësh qëndroj orëve të pasditeve në fshat.

Postuar: 21/07/2019 - 07:36

Dorëheqja e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, u përcoll në kohë reale në tërë mjediset

Postuar: 21/07/2019 - 07:35

Dje Departamenti Amerikan i Shtetit (ministria e Jashtme e SHBA-ve) kumtoi vlerësimin dhe mbështe