Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Demokraci është atëherë kur udhëheqin të varfrit, jo të pasurit

Postuar: 01/12/2019 - 07:39

Sikur të ndodhte vërtet kështu, demokracia do kishte fytyrën e njerëzve të lumtur e të kënaqur me punën dhe djersën e tyre. Demokracia do të merrte uratën e njerëzve që krahun e punës e kanë të çmuar dhe instrument të vetëm për të qenë në një vend, në një shtet të barabartë mes të barabartëve. Po të ishin të varfrit në drejtimin e një komuniteti, apo shoqërie të tërë, demokracia nuk do lëngonte, nuk do ankohej, nuk do trishtohej ndonjëherë, nuk do ishte rrezikuar së jetuari nga dhuna dhe tmerri. Madje do ishte e lumtur që në krye të një demokracie të tillë do ishin njerëzit me logjikë, gjakftohtë, të vëmendshëm e të kujdesshëm për të bërë çdo detyrë me kujdesin më të madh. Nuk do mungonte kurrë disiplina, shteti i së drejtës, zbatimi i ligjit, ku të gjithë do të ndiheshin të barabartë. Shoqëria njerëzore do kishte më shumë akses dhe hapësira ligjore ku çdo njeri në vendin e tij të punës dhe jetës do merrte produktin sipas punës dhe mundësisë, pa vënë dorën në xhepin e tjetrit, pa prekur pronën dhe djersën e dikujt tjetër. Demokracia me në krye njerëzit e varfër do ecte shumë përpara, nuk do kishte barrikada, kështu si ka sot. Shtetasit, qytetarët, njerëzit e punës dhe votuesit e zakonshëm nuk do kishin dyshime për vjedhje votash, për blerje pushteti, për të marrë një vend pune të zgjedhur se ka shtëpinë afër presidentit, pranë kryeministrit. Të jemi të bindur se kështu do ndodhte në rast se të varfrit do kishin mundësi të udhëhiqnin demokracinë, reformat dhe iniciativat krijuese. Nuk do kishte tragjedi, vrasje, plagosje, rrëmbime, trafik qeniesh njerëzore, nuk do kishte mungesë shërbimesh publike dhe qytetarët do mund të lëviznin lirshëm. Kushdo që do i shkaktonte shtetit dhimbje koke do të varej në shesh, në mes të ditës. Nuk do dëgjonim kurrë se Franca, Kanadaja, Holanda s`do jepnin pëlqimin e tyre për ta pranuar Shqipërinë, pas tridhjetë vjetësh në tranzicion në Bashkimin Europian. Drejtuesit e demokracisë, liderët e politikës, drejtuesit e qeverisë, apo qeverive në rrotacion, do gjenin mirëkuptim të plotë dhe vetë ndërkombëtarët, europianët do na i hapnin dyert e Europës, jo si sot kur na mbajnë me mashtrime. Njerëzit e vuajtur, hallexhinjtë kanë moral ndryshe nga të tjerë, që nuk çajnë kokën për integrimin. Qëllimi i tyre është të mbushin xhepat, ndërsa votuesit i kanë lënë në mes të rrugës. Të varfrit kanë moral të pastër, kanë shpirt të pasur, kanë humanizëm më shumë se kushdo tjetër, i shprehur e konkretizuar në punën e ndershme dhe etikë të shëndoshë qytetare. Demokracia e udhëhequr nga ata që nuk jetojnë dot pa u kamur do kishte fytyrën e këtij sistemi shoqëror, që ka mbetur në klasë. E kanë bërë Shqipërinë copë-copë, këta tridhjetë vjet. Ia morën frymën. Nuk deshi fati që ky tranzicion të udhëhiqej nga njerëz të ndershëm, ose të varfër si i quajnë modernët njerëzit që ushqehen me djersën dhe mundin e tyre. Të varfërve nuk iu dha mundësia të vihen në ballë të reformave. Ka shumë prej tyre që janë profesionistë të zot, janë njerëz që demokracinë e vlerësojnë si një medaljon të artë, por klasa politike e sotme ia ka prishur shkëlqimin, ia ka prishur bukurinë, ia nxiu faqen. Ndryshe do ndodhte në rast se fukarenjtë do merrnin në dorë administrimin e institucionit të demokracisë në vend. Ky do ishte luks i vërtetë, një luks që do kishte dëshirë gjithkush të mësonte se, si thotë Nënë Tereza: “Duhet të jemi të varfër për të mësuar luksin e dhurimit të një mirësie për njerëzit”. Është e vërtetë se liderë politikë, stafe qeveritarësh, sistemin e drejtësisë, demokracinë e vunë në shërbim të pasurimit të tyre duke shkelur ligjet, normat, duke i dhënë mundësi krimit dhe korrupsionit të ngrihet mbi shtetin e të bëhet me i fortë, më i pamëshirshëm. Ndodhi kështu sepse u kap piramida shtetërore, politika u kriminalizua dhe në krye të tyre erdhën njerëz të pasur, për t`u pasuruar akoma më shumë. Ata nuk pyetën më për shtetin, sepse brenda shtetit ekzistues ndërtuan struktura kriminale për të goditur drejtësinë me paudhësinë e tyre. Këtij vendi të pasurit, të inkriminuarit, ata që ligjin e kthyen në antiligj, që përvetësuan çdo pasuri e bënë inekzistent shtetin, ndërsa për protestat e shqiptarëve nuk pyetën fare. Është bërë shpesh rrotacioni politik, janë ndërruar shpesh qeveri me shpresën se diçka e mirë do vijë. Kaluan tre dekada tranzicion dhe Shqipëria akoma nuk ka çelur bisedimet për t`u anëtarësuar. Ndodh kështu jo se nuk duan ndërkombëtarët, jo se nuk do Europa, apo vendet e Unionit, siç thonë liderët, drejtuesit e demokracisë në Shqipëri. Nuk duan shqiptarët t`i bashkohen popujve të qytetëruar. Të gjithë po i shikojmë se janë drejtuesit politikë, që e mbajnë këtë popull me gënjeshtra duke i premtuar me sot e nesër, se do çelen bisedimet për integrimin e Shqipërisë. Janë konfirmuar udhëheqës shpirtërorë, që kanë pasuri marramendëse, ata që shkaktojnë turbullira, paqartësi. Janë pikërisht këta“demokratë”që drejtojnë me mendësi komunisti, ndaj Shqipëria po vonohet kaq shumë, në pritje të asaj dite të shumëpritur të anëtarësimit, si shumë vende të dala nga sistemi njëpartiak. Qeveritarët, politikanët, ata që kanë llogari rrjedhëse, që kanë ndërtuar me para të marra pa derdhur djersë, e duan Shqipërinë të qëndrojë as mish, as peshk. Kështu u intereson dhe këtë po bëjnë këtu e tridhjetë vjet. Nisur nga rrumpalla e përditshme që shohim e prekim, kanë plotësisht të drejtë njerëzit, që thonë se të pasurit e kanë të vështirë të ndërtojnë demokracinë. Ata e kanë deformuar këtë sistem vlerash, me qëllimin e vetëm të mbajnë me dhunë lëvizjet shoqërore, duke u kthyer në drejtues“garant”, për të ngelur në histori. Kujtojnë se duke vepruar kësisoj bëjnë mirësi, gjykojnë se demokracia është në rrugën e duhur. Sa shumë naivë tregohen. Kjo nuk është mirësi, nuk është rruga që të çon tek shpresa dhe e vërteta. Mes tyre ka të verbër, ka të shurdhër, që sipas Mark Tuenit do të thotë: “Mirësia është gjuha që të shurdhëritë mund ta dëgjojnë dhe të verbëritë mund ta shohin”. Të varfëritë nuk e kanë patur mundësinë të provohen asnjëherë, ndërsa ata që kanë kapitale të trashëguara dhe llogari bankare, e kanë dhënë provën dhe janë mbetës në lëndën e demokracisë.

Nga Sokrat NDREÇKA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/12/2019 - 07:10

Ka debat dhe diskutime sot mbi atë që quhet nga KM si ligji mbi "anti shpifjen".

Postuar: 13/12/2019 - 07:10

Mbrojtja me çdo çmim e të vetëve, militantëve, të zgjedhurve, funksionarëve, ish-administratorëve

Postuar: 13/12/2019 - 07:09

Siç dihet poetit racist, austriakut Handke iu dha çmimi Nobel në letërsi për meritën e “për

Postuar: 12/12/2019 - 07:07

Sigurisht që koha e sotme ka nxjerrë në pah dhe iniciatorë dhe emra të rinj "fantastikë të p

Postuar: 12/12/2019 - 07:06

Mendojmë se forcat politike në pushtet duhet të përcaktojnë dualitetin shtet-pushtet, në zbatim t

Postuar: 12/12/2019 - 07:05

Përmbysja e sistemit komunist në 1990-ën ishte vepër e shumicës së shqiptarëve, në radhë të parë

Postuar: 12/12/2019 - 07:04

Mbas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit që pllakosi dhe tronditi zemrat e shqiptarëve të kudon