Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Opinion / Editorial

Demokracia është aftësi për të reformuar veten

Demokracia është aftësi për të reformuar veten

Njerëz me formim të ndryshëm arsimor, kulturor, profesional, me qytetërim të admirueshëm kanë këndvështrime të ndryshme për demokracinë. Të ndodhur në pozicione shoqërore, sociale, komode ose jo, japin argumentat e veta për konceptin mbi këtë sistem shoqëror dhe rolin e tij në shoqëri. I japin çmim sipas arsyetimit dhe këtë e marrin si të mirëqenë. Që ndodh kështu është krejt normale dhe nuk ka asgjë të keqe, sepse njerëzit janë të lirë të shprehin logjikën për këtë shoqëri pro perëndimore që po përpiqemi të integrojmë, në partneritet të plot me vende që e kanë kaluar këtë fazë ku jemi ne, prej vitesh me radhë. Me votuesit, zgjedhësit, me njerëzit e ndershëm është bërë eksperiment nga politika sa të duash. Ata janë provuar dendur se janë të pazot për të kuptuar proceset reformuese që ka kaluar shoqëria shqiptare në këtë periudhë tranzicioni. Liderët e partive kanë tërhequr pas vetes njerëz pa formimin e duhur intelektual në formën e turmave për të realizuar misionin e tyre të turpit. Kështu ka qenë që në fillimet e demokracisë, kështu vazhdon edhe sot. Demokraci do të thotë që njerëzit duhet të kuptojnë se pa një reformim të vetes, pa mësuar praktikat moderne të kalimit të shoqërisë në një shoqëri moderne, është e vështirë t’i besosh verbalisht, qoftë edhe liderit të forcës tënde politike. Në demokraci nuk ka leksione të shkruara për të mësuar se si duhet të veprosh, nga duhet kaluar që të mos shembesh në greminë. Edhe këta liderë që kanë qënë në krye të grupimeve politike, nuk kanë patur njohuri të sakta mbi modelin e një demokracie të pjekur, ndaj shfrytëzuan rastin e një injorance dhe gjetën shesh, bënë përshesh. Mbetet i rëndësishëm fakti që reformimi është modernizim, është njohuri, është praktikë për të arritur shoqëritë me përvojë të pasur në këtë drejtim. Njerëzit u ambientuan me praktikat që vunë në zbatim partitë politike dhe, padashur u bënë mbështetje e tyre në ato të ashtuquajtura reforma shtetërore e politike, që janë ndërmarrë herë pas here. Platforma referuese nuk erdhën me propozime nga baza, nga njerëzit, nga intelektualët e papërfshirë në listat e partive, përkundrazi u plotësuan formularët e gatshëm nga partitë dhe ka ndodhur ajo që nuk duhej marrë asnjëherë në konsideratë. Krerët e politikës, drejtuesit e shtetit dhe qeveritarët kanë zbatuar projekte të hartuara vetë, sipas dëshirës, sipas konjukturave të kohës, të momentit, të sekserëve të tyre, ndaj dhe iu hap rruga vjedhjes, grabitjes, korrupsionit në sistemin e drejtësisë, mungesa e pandëshkueshmërisë së të fortëve, që i bënin karshillëk shtetit, ligjit. Kjo praktikë nuk ndodhi vetëm në një rast, por u përsërit nga mazhorancat qeverisëse, nga politika e kohës në këto tre dekada. Ka patur një besim të tepruar, të tejzgjatur, të votuesve në forcat përkatëse politike që s`i kanë lejuar të shohin e gjejnë mundësi për t`u vetëreformuar. Në këtë tranzicion ka mjaft leksione, nga të cilët duhet të nxjerrim mësime të gjithë. E nënvizojmë këtë fakt se edhe kur politika ka qenë destruktive, ka qenë kundër vullnetit të anëtarësisë, përsëri njerëzit e kanë mbështetur, në një kohë që prej tyre është kërkuar të ngrinin zërin, për të mbajtur qëndrim. Ky qëndrim nuk do të thotë se je kundër forcës tënde, por kur bënë oponencë brenda llojit do të thotë se ke një konstatim, ke një merak që duhet shikuar nga të gjithë me kujdes. Një qëndrim i tillë kritik, tregon se ka premisa për t`u reformuar, për të thënë fjalën tënde me guxim, për të bërë diçka të mirë për familjen politike. Udhëheqësit politik të të gjithë krahëve politikë vunë veton dhe nuk pranonin askënd të zgjonte një mendim të ri novator, krijues. Ata u bënë tmerr i kujtdo që thoshte një fjalë ndryshe, sepse e nesërmja nuk e gjente më në atë parti. Kush e kundërshtonte Berishën? Kush e kundërshton kryeministrin e vendit zotin Rama? Kush nuk voton këtë e atë, të rishohë qëndrimin në subjektin përkatës. Fryma e dhunës, diktatit, fryma e gërhushjes, nuk lejojnë njohjen reale të mjedisit ku zhvillohet lufta e heshtur, shumë agresive. Nevoja për një reformim normal i bën njerëzit më të motivuar për ta bërë demokracinë funksionale. Është pikërisht demokracia e hapur ajo që duam, është ky sistem shoqëror që i merr në mbrojtje njerëzit, përmes një reformimi, ku askush s`ka pse të ketë frikë nga kryeministri, nga drejtuesi politik, nga deputeti, nga nëpunësi i shërbimit të administratës publike. Nga një reformim i mundshëm çdo njeri ka të drejtën e vet kushtetuese të kërkojë llogari e të ngrejë zërin kur shkelen ligjet, kur nëpërkëmbet qytetaria, kur nuk merr shërbim bashkëkohor, kur kërkon informacion për përdorimin e taksave vendore.

Nuk është aspak normale që njerëzit, akoma nuk e kanë të qartë se kush duhet t’i informojë, nga kush duhet të marrin njohuritë për çështje që janë të ndjeshme, si duhet të ingranohen për të patur njohuri lidhur me çeljen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Shumë shqiptarë nuk kanë njohuri se përse kërkohet me ngulm anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Cilat janë përfitimet nga ky anëtarësim? Po Europës, përse i duhet Shqipëria në gjirin e saj? Nuk mjaftojnë debatet televizive për informimin e publikut lidhur me rëndësinë strategjike të pranimit të vendit tonë në gjirin e vendeve partnere të botës perëndimore. Debatet janë të motivuara politikisht dhe si të tilla nuk mund të merren si informacion zyrtar, ku njerëzit të kuptojnë se sa të rëndësishme janë investimet që bëhen nga politika, shteti dhe shoqëria shqiptare për një të ardhme të sigurtë europiane. Thuhet se kemi bërë hapa përpara, janë ndërmarrë reforma të mjaftueshme për të siguruar integrimin në të ardhmen. Është e rëndësishme të nënvizohet fakti se, sa më të reformuar të jenë njerëzit, votuesit, zgjedhësit, ata që kanë në dorë të drejtën për të zgjedhur njerëzit që i duan në drejtimin e shoqërisë, aq më i mirë do jetë progresi i vendit, kombit, aq më i fortë do jetë shteti ligjor dhe barazia në demokraci. Në rast se përzgjidhen njerëz të molepsur të mbajnë firmën dhe vulën, aq më të vonuara do jenë reformat, të cilat monitorohen nga ndërkombëtarët. Duhet të ketë vepra konkrete. Po nuk pati ndryshim në mentalitet, në arsyetim real të gjërave, po nuk hoqëm dorë nga ideja se, e kam mik dhe e meriton votën, do ketë vetëm retorikë, retorikë boshe, kështu si retorikat që na kanë mbirë në sy e shurdhuar veshët, në këto tre dekada tranzicion.